| E diele, 11.03.2012, 04:03 PM |
DANIEL GÀZULLI: FJALIME TË SHQUEME (7)
GINO STRADA: JO LUFTËS!
“Një botë tjetër jo vetëm asht e mundun, por kjo botë, bota jonë, e dominueme nga padrejtësia dhe dhuna, asht e pamundun”.
13 shtator 2002
PERSONAZHI
Gino Strada, kirurg milanez, i specializuem në kirurgji traumatologjike, lindë më 1948, asht themelues i shoqatës “Emergency”, e pranishme kudo në botë në mbrojtje të popullsisë civle gjatë konflikteve të armatosuna. Ka punue e vazhdon të punojë nga Iraku në Sierra Leone, nga Afgansitani në Kamerun, kudo ku njerëzimin e shëmton lufta, në spitale fushore apo struktura në kufijtë e të pamundunës, për të mjeku plagët e të pafajshmëve. Poaq sa plagët e trupit, ai dhe kolegët e tij vetmohues, përpiqen të kurojnë edhe shpirtnat e palgosun.
VLERA E FAJLIMIT
Ky fjalim, kryekëput politik, e me të cilin shumëkush mundet mos me qenë krejt dakort, denoncon tendencën e gabueme të zgjidhjes së konflikteve jo me mjete paqësore, por me ndërhymje ushtarake. E ka mbajtë me 13 shtator 2002, me rastin e përvjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
Rastisi ta njihja rreth dy javë ma vonë, në Torino, pranë mikut tonë të përbashkët, Don Luigi Ciotti, një tjetër figurë e shqueme e botës italiane kundër dhunës e kundër mafieve.
Ishim në prag të ndërhymjes në Irak, frikë që fatkeqësisht u vërtetue: një konflikt jo vetëm i gabuem e i padobishëm, por që mbolli e vazhdon të mjellë mijra e mijra viktima, por jo demokraci.
Historia e njerëzimit na mëson se zgjidhja e vetme e problemeve të mëdha me të cilat përballet njerëzimi, ka vetëm një rrugë: dialogun dhe mjetet paqësore e demokratike.
Konfliktet e armatosuna, gjakderdhja, dhuna, nuk mund të sjellin demokraci e paqë: ata rishtas prodhojnë dhunë.
Shembulli ma i fundit: E ashtuquejtuna “Pranëvera arabe”, që përditë e ma shumë po kthehet në një dimën shkretinor – mjaft të shikosh gjakderdhjen e trishtueshme këto dit në Siri.
Fjalimi i Doktor Stradës, edhe pse shpesh me ngjyrime të forta politike, e specifik për Italinë e atyne ditëve, në mos tjetër na nxitë të reflektojmë se vërtetë një botë tjetër, ma e mirë, asht e mundun.
FJALIMI
“Informacioni asht një armë”, ka thanë Colin Powell, dhe lufta mediatike tashma ka fillue. Gazeta e televizione kanë fillue punën e tyne të pistë për të krijue konsensus për barbaritë që shihen në horizont. Luftë. Këtë fjalë nuk arrij ta shoqnoj me të tjera veç vdekjes, vuejtjeve, zisë e mjerimit.
Në mijëvjeçarin e tretë, shumëkush vazhdon ta konsiderojë të mundun, bile edhe të drejtë, të vrasish të tjera qenje njerëzore. E kjo për perëndinë-parà apo për pushtetin që prodhon parà, për të afirmue pikëpamjen e vet mbi botë ose në emën të demokracisë e të civilizimit.
Po çfarë civilizimi qenka i mundëshëm, nëse vriten pikërisht civilët, dmth, qytetarët? Si mund të mbrohet afirmimi i të drejtave, ndërkohë që u mohon të tjerëve të drejtën themelore, atë të jetës? Të drejtat u përkasin të gjithëve: kur qoftë edhe një përjashtohet nga të drejtat, atëherë ato bahen previlegje.
E vetmja e vërtetë që i njoh luftës janë viktimat e saj.
Ndryshimet e regjimeve apo të diktatorëve janë vetëm “efekte anësore”.
Asht lufta, në të gjithë variantet e saj, terrorizmi i vërtetë e i patolerueshëm. Ajo që bani copa njerëzit, gra e fëmijë, në New York e në Kabul, në Jenin e në Tel Aviv, ashtu siedhe në mijra vende të tjera të planetit. Lufta asht një zgjedhje kriminale, jo një nevojë.
Nuk mund të vazhdojmë kështu: Një botë tjetër jo vetëm asht e mundun, por kjo botë, bota jonë, e dominueme nga padrejtësia dhe dhuna, asht e pamundun, nuk mund të vazhdojë, nuk ka si të përligjet.
Jemi në prag të një lufte të re, që mund të na çojë të gjithëve në një disfatë. Më pushton ankthi kur dëgjoj hipotezën mbi përdorimin e mundëshëm të armëve bërthamore: si do të mund ta ndalnim atëherë masakren?
Ka vetëm një alternativë ndaj vetëshkatrrimit: me shpallë të paligjëshme luftën, me ba ba që të heshtin armët e të rifillojmë dialogun. Kjo, po, asht lufta që duhet doemos ta fitojmë, të rinisim dialogun në mes njerëzëve, tue përjashtue, në çdo rast, mundësinë e vrasjes reciprokisht.
Politika dhe etika po shkojnë në drejtime të ndryshme, dhe vetëm shoqnia civile mund t’i kthejë në të njejtën rrugë, tue imponue rregulla të bashkëjetesës në respekt të të drejtave të të gjithëve: drejtësia dhe ligjshmënia janë instruemntat themelorë të këtij procesi.
Shoqnia civile duhet ta marrë plotësisht këte përgjegjësi, tue rivlerësue të gjithë përvojen e impenjimit social, të vëmendjes ndaj nevojave të ma të dobtëve e ma të pambrojtunve. Vetëm personat ma pak agresivë e ma solidarë, ata ma njerëzorët e jo të dhunëshmit në shoqni, mund ta ndalin këtë proces që shikon politikën shpesh herë të ndërvarun nga interesa të paligjëshme, që nuk kanë asgja të përbashkët me të mirën e të gjithëve. E paligjëshmja mund ta fitojë pushtetin edhe në rrugë “të ligjëshme”: i ka armët pë ta realizue edhe këte, siç asht arma e informacionit.
Jemi të sigurtë se shumica prej nesh nuk do ma vdekje e mjerim në horizontin e fëmijëve tanë, as t’ua shkatojnë ato të tjerëve.
Jashtë Italia nga lufta. Mjaft luftë, mjaft të vdekun, mjaft viktima.
(Marrë nga gazeta “Il manifesto”, 13 shtator 2002).