| E enjte, 08.03.2012, 08:56 PM |
HAPJA E EKLIPSIT
Agim Mato: “JASHTË EKLIPSIT”, poezi dhe poema, botoi SHB. “ACP&LULU”-
NGA XHELADIN MJEKU
Prologu poetik
Që në nismë, poezia programatike “Mea culpa” vjen si paralajmërim i autorit për rikthimin e tij në jetën poetike. “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën e braktisur të poezisë/ e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysëm, duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,/ veglat e mia të punës, /të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi me perënditë, ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi bëra të ngjitem atje lart, ku prej kohësh përgatitesha për salltanetin e madh të vdekjes”.(fq.3). Ky fillim i sërishëm i jetës dhe përballjeve të ndryshme të autorit me botën e tij vullkanike të provokimeve, të ngjarjeve, situatave, qështjeve të ndieshme dhe rreziqeve që paraqet kjo lojë fjalësh të shprehura me guximin intelektual prej përjetuesi të tyre, duke i transponuar në vlera të patjetërsueshme artistike dhe duke i përjetësuar nën petkun historiko-letrar, dëshmohet në vazhdimësi, nga poezia në tjetrën, nga një cikël në tjetrin. Sforcimi i qëndrueshmërisë së poetit, që përkundër gjithë asaj që do t’i ketë ndodhur gjatë rrugëtimit të tij të mundimshëm, me vrullin e vargut shpërthyes ndërton ambientin poetik dhe shtrin gjërë e gjatë fuqinë thumbuese në përballje me trishtimin kohor deri në triumfimin e tij mbi të keqen e madhe që kishte pllakosur gjithçka në një kohë të pakohë.
“Ata na censuronin gjuhën
dhe na përplasnin para hundëve dyert e redaksive.
Ata bënin shkrime festive, vjersha festive, jetë festive
dhe shkelnin mbi gjuhët tona të prera,
mbi librat tona që i hiqnin nga libraritë, bibliotekat
dhe i kthenin sërish në brumë”.
(“Ne të pagojët”, fq. 9)
Gjithnjë në ngritje të vlerave të qëndrueshme letrare të Agim Matos takojmë pretendentin e përkushtuar, duke tejkaluar cenzurën dhe hallkat tjera gllabëruese të kohës për të sfiduar të gjitha pengesat e tmerrit të totalitarizmit. Këtë e arrinë nga çasti në çast, mbi themele të shëndosha të krijimit të sensit të tij poetik, me guximin e hapjes së kapitullit të ri të jetës, me aromë deti, mali. fushe, në përgjithësi me aromën e atdheut. Mendimi i Matos që të “vizatoj me vargje” konsumon gjithë forcën e tij prej krijuesi deri në brumosjen e vlerave konvencionale të autoktonisë frymëzuese të tij.
Kështu, derisa në ciklin “Jashtë eklipsit” shquhet tematika shumë sensitive e jetës së hidhur në periudhën më të zymtë që do të ketë përjetuar autori, ku gjithçka kalon nëpër vijën e eklipsit; një mbyllje totalitare deri në humbjen e arsyes për jetë. Pikërisht këtu shpërthen tisi i kësaj gjendjeje; këtu ndodh hapja e eklipsit të tmerreve, për të vazhduar pastaj me zhvillimet e reja plotë aventura të rrezikshme dhe interesante për lexuesin. Në këtë ndarje ciklike shquhen sidomos poezitë: ”Ne të pagojët”, “Hiri i ditirambeve”, “Krimbi”, “Njëmbëdhjeta”, etj. “Kronika e Arbërit” na paraqet periudhën e zhvillimeve historike nga iliria e deri në kohën kur autori po e jeton një frymë të re të jetës, duke iu gëzuar ndryshimeve në shekullin e Mileniumit të Ri. “Dyrrahium”, “Karl Topia”. “Legjendarët”, e ndonjë poezi tjetër paraqesin ambientet e botës shqiptare nëpër shekuj. “Dhe nuk arrinte kurrë të thahej gjaku i derdhur nëpër limane,/ dhe nuk arrinte kurrë të pastrohej bloza e dyfqeve në frëngjitë e kullave” (fq. 48). Këto vargje paraqesin besnikërisht atë që Agim Mato do ta ketë shtjelluar pothuajse në të gjitha poezitë e këtij cikli. Me ciklet “Parfum leshterikësh”, “Nympheum”, “Qumështi i yjeve”, etj. autori sjell motive nga më të ndryshmet, ku shtjellohen temat nga jeta e peshkatarëve, pasqyrimi i zhvillimeve të vendlindjes së tij, pastaj ngre lartë emra e figura të shquara nga historia e lavdishme, si tek poezia “Naim Frashëri”, “Abedin Madani”, “Vallja e Osman Dakës”, etj, për të mbijetuar edhe çastet e lumturisë së ndrydhur rinore përplot batica e zbatica, që nga dashuriçkat e deri në përballjen me sfidat e hidhura që i kushtëzojnë edhe mbijetesën fizike të autorit. Ky ndërtim i piramidës jetësore përmes poezisë paraqet strumbullarin e një krijimtarie përplot tema e ngjarje, që Agim Mato nuk rresht së krijuari nëpër vite.