Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ali Sh. Berisha: Historik i mësuesit dhe shkollës shqipe

| E marte, 06.03.2012, 09:04 PM |


HISTORIK I MËSUESIT DHE  SHKOLLËS SHQIPE

 

NË VIGJILIE TË DITËS SË MËSUESIT

 

Nga Ali Sh. Berisha

 

Historia e mësuesit shqiptarë është tragjike sa edhe krenare e lidhur pandashëm nga shkolla. Siç është nëna ajo që rishton botën dhe frytit të vet i lë trashëgim të folmen e vet, mësuesi a mësuesja e ngrisin atë përmes shkronjave dhe njohurive të tjera që u ofron. Nga antika në trojet shqiptare ngulmuan mësues e shkolla, por historia tragjike i fshiu nga faqja e dheut, duke na lënë pak të dhëna. Kësaj historie të dhimbshme i shpëtoi mësuesi Palë Engjëlli përmes  Formulës së Pakëzimit të vitit 1462, i shpëtoi Buzuku me „Mesharin“ që daton nga viti 1555, Pjetër Budi me „Çetën e Profetënve“, Perikopeja e Ungjillit, që na flasin shqip dhe nëse s’duam të na mësojnë për fe, së paku na mësojnë për gjuhën e folur dhe të shkruar të asaj kohe.

Shkollat shqipe, që kishin kryesisht planprogram fetar, organizoheshin në kuadër të kishave katolike të Shqipërisë Veriore si në Janjevë me dialekt të gegërishtes dhe asaj ortodokse me dialekt të toskërishtes si në Voskopojë. Këto shkolla kishin numër të paktë të nxënësve dhe vepronin fshehurazi. Përpjekjet për shkollën vazhdonin që të pengonin asimilimin e popullit shqiptarë në atdheun e vet, bile thënë të vërtetën veç kishin asimiluar një pjesë të konsiderueshme të tyre dhe ajo pjesë nga atëherë e quajnë vetën grek, turq, goran, tërbesh, musliman, dreq… e çfarë jo. Përpjekjet e mësuesve shqiptarë për pengimin e asimilimit dhe dritësimit të kombit, Perandoria Osmane dhe Fanari Grek i mallkuan, mallkuan edhe shëipen dhe mësuesit e shqipes. Që të vrisnin shkollën shqipe, ata helmuan mësuesit e saj si Papa Kristo Negovanin,  Daskal Todhrin e shumë të tjerë. Megjithatë nuk arritën të ndalnin rrugën e shkronjave që vinin nga shoqëritë dhe klubet shqiptare jashtë atdheut. Vetë Hasan Tahsini, që ishte rektor i parë i Universitetit të Stambollit, bëri një alfabet shqip dhe shëtiti gjithë Shqipërinë me detyrën e mësuesit që popullit t’ia mësonte alfabetin shqip dhe të hapte shkolla shqipe, andaj autoritetet turke në bashkëpunim me ato greke e burgosën në Janinë.

Më 1878 po ndodhte formësimi i shqiptarëve në aspektin kombëtar dhe këtyre po u prinin shkrimtarët e Rilindjes kombëtare. Këta dishepuj përmes krerëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kërkuan nga Perandoria Osmane hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Por, kjo kundërshtohej ashpër nga osmanët, të cilët lejonin të vepronin shkollat e vazalëve, pra në serbishte e greqishte, ndërsa vetë aplikonin mejtepet për popullatën shqiptare muslimane, duke u thirrur vazhdimisht se „mejtepet dhe medresetë ishin për muslimanë“, në këtë mënyrë duke u përpjekur që të mbysin shpirtin e shqiptarit dhe formësimin e vetëdijes kombëtare tek shqiptarët, por asnjëherë nuk arritën të ndalnin mësimet të mbaheshin nëpër shtëpi private në mënyrë të fshehtë.

Me mund e sakrifica të mëdha  më 7 Mars 1887 u hap në Korçë Mësonjtorja Shqipe. Edhe pse në kushte të veshtira. Ajo qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si : Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami..etj. Hapjes dhe veprimtarisë së kësaj shkolle i këndoi shkrimtari i madh shqiptar Naim Frashëri, i cili shkroi edhe libra shkollorë për këtë shkollë:

“Lumja ti moj Korçë o lule

Q’i le pas shoqet e tua

Si trimi në ballë u sule

Ta paçim për jetë hua”

Ndërkohë lindi mësonjtorja tjetër e vashave ku shërbyen me devotshmëri Motrat Qiriazi, e sidomos Sevasti Qiriazi, pastaj mësonjëtorja e vashave në Prizren dhe mësonjëtore të tjera që lindin e shuheshin dhe lindnin përsëri.

Meqë shqipja shkruhej me alfabete të ndryshme, bile edhe me atë turkoarab, mendja e ndritur e kombit më 1908 u mblodh në Manastir dhe aty u mor vendimi që të përdorej alfabeti latin. Përpjekje kishte që secila shkronjë të kishte një shenjë, megjithatë u përkrah alfabeti prej 36 tingujve, 7 zanoreve e 29 bashktingëlloreve. Në mesin e këtyre bashktingëlloreve u aplikuan 9 shkronja  me shenja dyfishe. Këtë alfabet e përdorim edhe sot.

Por, t’i kthehemi mësuesit e shkollës.

Nga 2-9 shtator të vitit 1909 u mbajt Kongresi i Elbasanit, i cili vendosi hapjen e shkollës së parë të mesme shqipe për përgatitjen e mësuesve për shkollat fillore. Kështu, më 1 dhjetor 1909 filloi nga puna shkolla normale e Elbasanit me 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria. Gjysma ishin nga Kosova e Çamëria. Kjo shkollë u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë në gjuhën shqipe. Drejtori i parë i saj ishte Luigj Gurakuqi, ndërsa si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Çeka, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Kolë Prela, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjaku e të tjerë. Në Shqipërinë e copëtuar pas shpalljes së pavarësisë më 1912, filloi të bazamentohet shkolla fillore kudo, ndërsa në tetor 1923, pranë shkollës Normale të Elbasanit u hap shkolla Ushtrimore, si nevojë e aftësimit profesional të nxënësve kandidatë dhe dalja e maturantëve të parë më 1924. Këto janë ngjarjet më të shënuara në fillimet e historisë së kësaj shkolle dhe shkollës shqipe në tërësi. Në këtë ushtrimore u kyçën pedagogë të shkollave austriake, gjermane e zvicerane, kuadra këto që i dhanë të mbarën arsimit shqip. Puna e mësuesve vazhdoi edhe gjatë okupimit italian e gjerman, e në vazhdimësi edhe në përiudhën e Shqipërisë Socialiste dhe atë demokratike deri në ditët e sotme. Në Shqipërinë e lirë 7 marsi-dita e mësuesit nisi të festohej në vitin 1960.

Por kjo nuk ndodhi në viset e pushtuara shqiptare nga serbomalazezomaqedonët dhe grekët. Nga viti 1912 e deri më 1941 në viset e pushtuara nuk veproi thuajse asnjë shkollë shqipe, përveç në periudhën e parë të luftës së parë botërore, pra nga 1914-1916 në pjesën nën okupimin austriak. 30 vjet pushtuesit përpiqeshin që përmes këtij terri të zhbinin flakën e lirisë, të asimilonin për aq sa të mundnin, të propogandonin se shqiptarët musliman ishin turqë dhe si të tillë duhej shpërngulur në Anadoll. Për një shkrim në gjuhën shqipe, për një libër në gjuhën shqipe po iu gjet dikujt, pasonte vrasja.  Kundër kësaj u ngrit i madhi mësues Shtjefën Gjeqovi, i cili u likuidua nga forcat e errëta okupuese. Në vend të shkollave shqipe pushtuesi hapi shkolla 4 vjeçare në gjuhën serbe, po ashtu lejoi edhe funksionimin e mejtepeve e medreseve duke pasur kujdes që nëpër mejtepe e medrese mësuesit të ishin lojal politikës shovene serbe.

Me pushtimin e koalicionit fashist lulëzuan shkollat shqipe kudo, përveç në pjesën bullgare. U hap edhe shkolla normale „Sami Frashëri“ në Prishtinë dhe Gjakovë. Këto dy shkolla punuan tri vjet dhe u mbyllën. Një numër i madh i nxënësve i ndoqën mësimet në këto dy shkolla. Pas Luftës së Dytë Botërore, më 1945, u hapën kudo shkollat katërklasëshe shqipe. Mirëpo, shpejt u pa mungesa e mësuesve dhe një numër i tyre u soll nga Shqipëria. Nevoja për mësues ishte edhe më e madhe, andaj u hapën kurse pedagogjike në Prizren dhe Pejë dhe gjatë pushimeve verore njerëzit që kishin kryer mejtep ose 4 vjet shkollë serbisht para luftës aftësoheshin dhe i kyçnin në mësimdhënie. Kështu, mësuesit nisën shrrënjosjen e analfabetizmit, sepse 96% e popullatës ishte analfabete. Mësuesit punonin në kushte tejet të rënda dhe me mjete pedagogjike fare të pakta. Ata shërbeheshin vetëm me një abetare, të cilën e punoi Mehmet Gjevori, mbështetur në abetaren që kishte marrë në Tiranë. Kishin për fillim për nxënës një gjysmë fletoreje dhe një gjysmë lapsi.  Përkundër vështirësive ekonomike, paraqiteshin edhe ato politike. Mësuesit që devijonin nga kursi serbofil përnjëherë arrestoheshin, vriteshin, tek rastet më të lehta pasonte dënimi me transferim në ndonjë vend tjetër.

Në Kasovë më 1947 u hap shkolla normale me seli në Gjakovë dhe aty pasoi përgatitja e mësuesve të ardhshëm. Më 1954 kjo shkollë nga Gjakova u bart në Prishtinë, por pa përkujtuar asnjëherë ditën e mësuesit.

Politika serbe, duke parë se shëiptarët përmes shkollës po merrnin rrugën e vetëdijësimit kombëtar, po profesionalizoheshin e vetëdijësoheshin në aspektin historik, gjeografik, gjuhësi e lëndë të tjera, u përpoq të ngulfatë shkollat shqipe, duke nxjerr nga puna një numër të madh të tetvjeçareve të krijuara e bashkë me to edhe mësuesit, duke detyruar mësuesit të punonin me libra të përkëthyer me përmbajtje jugosllave.  Megjithatë mësuesit po e vazhdonin punën e tyre edhe në aspektin e ringjalljes së etjes për liri. Pushteti okupues i vuri në shënjestër një numër të tyre si: Shaban Shala, Mustafë Venhari, Fazli Grajçevci, Ilmi Rakovica e shumë të tjerë dhe i arrestoi, i torturoi dhe i likuidoi. Përmes argatëve të UDBës u vranë Sefedin Berisha, Abaz Aliu, Banush Xhemshiti e shumë të tjerë. Mirëpo, një mësues binte, qindra të tjerë nisnin punën më me ngulm. Në vitet e 60-ta u hapë shkolla e lartë, më 1973 filloi punën Universiteti i Prishtinës. Mësuesit tashmë kishin marrë detyrën edhe të realizmit të të drejtave kombëtare. Mësuesit ishin farkues të rinisë studentore që trandën jugosllavinë me demonstratat e 68-ës, ata ishin farkues të demostratave kombëtare të vitit 81/89, të cilët vetëm tashti, me ndryshimin e rrjedhave politike përkujtuan 7 marsin si festë të tyre dhe me një entuziazëm edhe më të madh vazhduan punën me nxënësit edhe nëpërë shtëpi private për shkak të segregacionit serbë mbi shkollën shqipe. Mësuesit qëndruan dhe punuan edhe pa një metelik. Në vitin 1991 një mesues kishte marrë rrogën e parë prej 20 DM dhe tërë gëzim më thërret: “ O Ali Berisha, e kam marrë rrogën e parë të Republikës së Kosovës!”. Fluturonte mësuesi Fazli. Mësuesit vunë në jetë të parët shtetin paralel të Kosovës dhe ishin ata që farkuan brezin për nismën e Luftës Çlirimtare. Mësuesi Halit Geci, i rreshtuar në UÇK, ra për të shënuar edhe daljen hapur të ushtrisë liridashëse që i përkiste, por fatin e tij deri në ditët e lirisë e patën edhe dhjetra mësues. Pra, meritë e pamohueshme për lirinë që gëzon vendi ynë, Kosova, iu takon mësuesve.

Krahasuar me prindin, mësuesi është prindi i dytë. Ai për shumë vite përcjell rriten e fëmijes në aspektin e ngritjes së shtatit, të njohurive, të edukatës përmes punës pedagogjike dhe me zemër. Andaj shumë poet, por edhe nxënës u kushtojnë mësuesve vargje të tëra. Mësuesi është ai që jo vetëm shpëtoi popullin nga asimilimi, por gjeneratave të tëra u mësoi, përveç lëndëve ekzakte, ato shoqërore si historinë e gjeografinë e atdheut, etnologjinë e atdheut, pastroi gjuhën në masë nga barbarizmat duke shfrytëzuar edhe lektura shkollore që përmes tyre tek nxënësit të servojë fjalë të reja burimore shqipe.

Në mërgatë vlera e mësuesit për fëmijët është e pakompenzueshme. Mirëpo, për ndryshim nga fëmijët në atdhe ku prindi fëmijën ia ofron shkollës, këtu mësuesi duhet të qirret për të bindur prindërit që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkollat me mësim plotësues. Përpjekjet e mësuesit, a mësueses shpesh mbeten pa rezultate, sepse prindërit të vetëkënaqur me suksesin e fëmijëve të tyre në shkollat krejt në gjuhë të huaj rrezikojnë t’i asimilojnë me vetëdije apo pavetëdije, që është krim jo vetëm ndaj fëmijës e familjes, por edhe ndaj kombit e atdheut. Të na kujtohen për pak çaste vargjet e Gjergj Fishtës, i cili mallkon ata që harrojnë gjuhën e nënës:

„Pra, mallkue njai bir Shqyptari,

Qi ketë gjuhë të Perendisë,

Trashigim, qi na la i Pari,

Trashigim s’i a len ai fmis;

Edhe atij i u thaftë, po, goja

Qi e përbuzë ketë gjuhë hyjnore;

Qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,

Flet e t’veten len mbas dore”

Dhe ky mallkim ka zënë shumë kë. Nuk janë të paktë ata që thirren shqiptarë e një fjalë të gjuhës shqipe nuk e dinë, nuk janë të paktë ata që trashëgiminë e vet e kanë varrosur kaherë dhe në këtë aspekt janë tjetërsuar. Dëmi është aq i madh edhe në atëdhe, kur fjalët shqipe vriten vetëm pse nuk konsultohet mësuesi, kur fjalët shqipe hidhen e në vend të tyre përdoren fjalë të huaja pa asnjë arsye vetëm pse nuk konsultohet mësuesi. Ky bastardhim vjen jo vetëm nga vetëdija e paktë, jo vetëm nga etshmëria për të nxjerr zë bajraktarllëku, por edhe nga shkaku i mungesës së fuqisë ligjore, të cilën e praktikojnë popujt tjerë për mbrojtjen e vetqenësisë së tyre. Megjithë këtë, thirrma e mësuesit, për ata që kanë vesh, për ata që kanë zemër, nuk mungon. Ai vazhdimisht thërret e këshillon: “Shqiptarë, ndjehuni krenar për të qenunit shqiptarë dhe mos e fshihni atë në secilin mes që të gjendeni”.