| E hene, 05.03.2012, 08:00 PM |
SHEFIK SHKODRA
PA FORMË E PA NDJENJA
Pasi të hanë e pinë
Vjellin helm në enë e bukë
E ti shtrëngon për vete
një shervete ngjyrë kafe
e vrimuar dhjetëra herë
nga metalet në kokë
ruajtur nga gjyshja
jo për salltanete
dhe s’ishte krejt harresë
që tash në vesh të bie
kambanë e ndryshkur
me ngërçe inatesh
harambashësh gjithë
të dehur me gjakun e huaj
jehonë e çoroditur
pa thumb-rrahës
me një lëndë topitëse
lehje qeni te derë e huaj
dhe kjo tokë pa avlli
e kjo shtëpi me oborr
s’janë tuat asnjëherë
kanë erën e tim ati
e stërgjyshit me ‘tapi’
e kanë marrë ngjyrën
trojet sipas gjallërimit
me gjak e djersë në heshtje
mundime shumë të vjetra
në ikje të pakthim e pa stinë
lotët me vete i kanë marrë
duke ulërit e therë bishat
anëve të largëta me hidhërim –
përtej deteve e maleve
në shkretëtira
kanë shijuar vajin
me kripë në varrë
me vete s’u ka mbetur gjë
nga demonët parazit
pos frymës dhe dhimbjes
që i mërgoi për jetë
ishte një sherrxhi
që luante fshesën
në pasdarket e vona
me korin e hutinëve
nga shpellat të ngrysura
gjithmonë përbindësha
me pamje biologjike
të papërcaktuar
kanë shkelë në bukë
e nën sofër
me hungërima të çartur
s’mund të durohen
kur çirren mbi oxhak shtëpie
ËNDËRR E RRALLË
Fluturime – parajsë me gjet
katandisën qeniet rrëmbyeshëm
mbi shkëmbinj e mbi maja lisi
për të kënduar këngën e dufit
secili me stil e mënyrën e vet.
Ndjenja e mirë i çonte peshë
lëshuan zëra përkrah dhe memecët –
kurrë s’ke dëgjuar atë murmuritje
brendia u vlonte nga forcë shpirti
tek po gatiteshin në fluturime
së larti s’ecte në vi horizontale
‘kush ma i pari bani...’ këtë lojë,
poshtë terreni i padukshëm
verbëronte shikuesit e dramës.
Qëllojnë zogjtë ende në gjumë
e vonojnë cicërimën galdueshëm
në korin e tyre të veçantë.
Pranvera pritej me dyer hapur
njerëzia i ndillnin retë e bardha
lutjet e njëzëshme me pafajësi
më shpejt të shkrihej të fëlliqtit –
mbeturinat nëpër rrugët e vjetra
nga të reshurat gjithfarë
plehu të largohet si i kafshëve.
Figura irrituese e pa dukje
pengonin ëndërr fëmije të gdhijë
sa të shlyhen gjithë tmerret
nga kohët e zeza që i numëronin
ditët me tiktakun e gjakut dendur.
E di kur kërcet trupi kurrizit
si lisi nga rrënja prej duhisë
e merr vesh si të rikaplon droja
në pamundësitë e paqartësitë
rreth një unaze të ndryshkur
e shtie në xhep krejt të papastër.
Nuk janë të rralla vegullitë
për jetë e vdekje kemi lindur
i ruajmë mendtë deri në fund!