| E hene, 05.03.2012, 08:41 PM |
Shpëtim Kastrati
GOSTIA E FUNDIT E LAOKOONTIT
tregim
… helmin na dhanë ata të pijmë,
ata që ulërinin kundër dhunës e shpatës
që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinjë.
Ismail Kadare
Nervi homerik do t’i prekte shqiptarët herë pas here, kumti i tyre do të shfaqej në çdo etapë, sa ojnak aq edhe tipar i trungut të Ilit, me kazerma dhe borsalina të gatshme për episodet e Iliadës, herë duke u ndjell si bletë e herë duke u shkundur si grerë nëpër ofshamën e truallit ku vetëm karabinaja e Trojës i mungonte! Sa arkaik aq edhe modern, në tulin epik që do të ruante trajtën e baltës së ngjeshur nga kopështi i tij, sa të shkelur edhe të vjedhur e të përçudutnuar, kur edhe bebet në barkun e nënës e kanë ndjerë sokëllimën e kobshme, paradigmën e lyshtër të hyjnive, pickimin e gjarpërinjëve, volitjen sa primitive edhe të tashme midis orgjive kuq e zi.
… ndaj dhe Homeri nuk do të hezitonte për ta gërvishur deri në qelizë koren e moralit të kësaj bote, që tingëllon aktual edhe sot ndër gjyngjet e katrahurave rreth e rrotull!
* * *
Laokoonti kishte urdhëruar shërbëtorët e tij që të shtrohej gostia për tre vetë, me verën më të mirë dhe nderi e donte që për miqtë të servirej mish kali. Pas kësaj një dhuratë që ai nuk ia fshihte vetes me të cilën do të sajdiste miqtë e shfaqur. U kujdes edhe vet që sofra e shtruar të qaste zell dhe lakmi sikur donte të mposhtëte disi mllefin për shortin primitiv që i ishte zgjedhur dhe të zgjaste kështu disi dramën për miqtë e vet që ende nuk ishin joshur me shpirtin e tij të mbrapsht.
- Hija e bjerrur e burrit sikur rrëshket e pahijshme nën shkallët e Olimpit?! –
shqeu heshtjen njëra nga mikeshat, Atena, duke e renditur të përçmuar në nëntekst, kur ai po servirte vet verën për miqtë e tij për të krijuar intimitet ngaqë kështu i dukej më e sjellshme, por edhe për të ruajtuar bashkëbisedim më të lirshëm.
- Nën çadër siç jemi tani, mbase është më e hijshme! – e zgjati pak fijen e
tërkuzës së gjarpëruar ai, nga lëmashku që i kishte mbështjellë të tre.
Mikeshat e tij, Atena dhe Hera, panë njëra - tjetrën në sy, megjithëse ato ishin shfaqur si gra të zakonshme për ta nderuar në gostinë e tij, të ftuara po prej tij, si të rastësishme në amullinë e gjendshme të Trojës, kur ai sapo u kishte dhënë të njohur se i përkisnin dinastisë që e kishin trallisur Trojën fund e krye.
- Kur kishin kthyer vetëm gllënkat e para të verës, Hera sulmoi befasisht si
vërshim gjarpëri nga skuta ku kishte qënë e pështjellë, – a nuk rrjedhë e pashlyeshme kjo mynxyrë këtu rrotull nesh? – dhe i nguli sytë e larmë në beben e picërruar të tij, duke lakmuar ligshëm mashkullin e hijshëm por të pabindshëm, që i luhatej përbrenda dhe ishte e gatshme që t’i ngjyroste në çast gjakun, nga të kuq në të verdhë me dufin e dyzuar, xhelozi dhe tërbim, që për çudi atij iu duk i mahnitshëm tek përmbysej i përvuajtur egoizmi tinzar nëpër të mbytyrën e sajë.
- Ka gjasa që vullneti i mrekulluar për këtë mynxyrë nuk ka të shterur?! – e
ktheu edhe një gllënkë Laokoonti duke zgjatur përsëri pjesë nga filli delikat dhe lëmshin sikur e përdrodhi edhe më ngatërruar midis tyre.
- Atena e krrusur me buzëqeshjen dinake që padashur zbuloi dhëmbët e
mprehtë të gjarpërit që i shkëlqenin fshehur nën dritën e zbehtë të qirinjëve duke shplarë edhe bukurinë e sajë të shtirur në këtë mugëtirë të burgosjes së flirtit mjeran të leskëruar që lythej në simbiozën e vet, tek vidhej të shkisnte nëpër shteg duke mujshuar, rrodhi pavetiu si një rrëkezë e turbullt e saponisur që paralajmëronte përmbytje, - gjaku i sëmurë le të rrjedhë!
Mjaftonin këto katër fjalë që ai të kuptonte se ato kishin lëshuar në kënetën e sapokrijuar shushunjat dhe gjarpërinjtë, që siç kishte ndodhur edhe më parë, të përpinin parakët e pabindshëm që zor se dalloheshin nga të tjerët, ndaj edhe ata që ato kishin zgjedhur për anë, mund të ishin viktima në çdo çast nga lukunia që ishte ndërsyer. Jo rastësisht ai i kishte pikasur tek e ndiqnin pas si lavire, i paralajmëruar edhe nga Tiresiu, dhe ndaj i kishte ftuar në gosti, ta jepte shpirtin dukshëm duke trembur ai fobinë aq të dëshiruar për mikeshat tinzare. Kur i vetëdijshëm që tanimë nuk pëfaqësonte vetëm veten e tij, por një palë që ishte përzier edhe në turmë ngaqë kishin kundërshtuar magjinë e shëmtuar të Odiseut (Kalin e Drunjtë) që solli gjëmën, por që kishte tentuar të thyente edhe zellin e tyre të papërmbajtshëm për të shkatërruar Trojën.
Kjo pak a shumë po ndodhëte fill pas tremijë e ca vjetësh, në Trojën e njëmbëdhjetë, atë surreale që nuk ishte përmendur asnjëherë nga studjuesit apo homerologët, që çuditërisht e kishin degdisur diku në Azinë e Vogël, e shfaqur rishtas me frymën si në përshkrimin e Homerit, por pa rrënojat e mëparshme që me siguri strukeshin diku nën pluhurin tremijëvjeçar, në truallin ku kishte edhe zanafillën Ili dardan që e kishte ngritur atë me madhështi, por që Homeri e kishte fshehur djepin e sajë duke mos dhënë vendndodhjen në asnjë rrethanë dhe që kodi i tij fshihej me kujdes në të gjithë Iliadën, sepse ai kishte shpërndarë vetëm shpirtrat e heronjëve në hapsirë dhe në të njëjtën kohë kishte shkatërruar skutat e tyre përgjithëmon ku kishin qënë të stërmunduar më parë.
Troja që ishte rizgjuar rishtas dhe pothuajse nën këmbët e Olimpit, kishte ditë që digjej dhe shkatërrohej, alibia se kishin kaluar më tepër se 48 ditë për ta bërë këtë ishte e tejkaluar, sepse u deshën fiks 48 ditë që ora e Trojës filloi të numëronte ndryshe, por kjo ishte e parëndësishme për të pavëmedshmit, ndërsa ata që po e kuptonin se ç’farë po ndodhëte i trembëte disi, ndërsa një palë tjetër jo vetëm i trimëronte por edhe i verbonte tek shfaqnin zellin e papërmbajtur për të shkatërruar dhe djegur gjithëçka duke yshtur turmën.
Mitet dhe figurat që kishte krijuar Homeri me aq madhështi as që bëhej fjalë të shquheshin përsëri, veçse hija e tyre rëndonte gjithandej e strukur dhe e shpërndarë në shpirtrat e njerzëve që po luanin padashur komedinë si ajo e Trojës. Brenda tyre ishte fshehur si në hije Priami, Hektori, Akili, Odiseu e me rradhë. Shfaqej deri diku hija e Helenës dhe e Laokoontit, që këtij të fundit Homeri nuk i kishte kushtuar shumë vëmendje ose i kishte hapur shteg për të dalë disi tej kodit të tij me një thesar që do të shtegëtonte bashkë me njerëzimin, të ngarkuar me helmin po aq të rrallë dhe të ftohtë sa edhe diamanti, por, po edhe aq të lakmueshëm që do të bashkëjetonte dhe rivalizonte me të në intimitet, nga kurora në kurorë me hijen e pandashme të Odiseut që fshihej nën këmbët e tyre duke shfaqur makthin sa e sa herë nëpër pallatet, ku diamanti dhe rivali i tij shpesh nuk mëshironin.
Spektri i Helenës ishte shpërbërë bashkë me shkatërrimin e Trojës, me kthimin e sajë si plaçkë, Homeri e kishte përmbysur njëherë e përgjithëmon trininë e sajë, hija e sajë verbonte vetëm të padjallëzuarit, sepse vet Homeri pas hijes së sajë kishte fshehur diamantin, shkakun e vërtetë të rrënimit të Trojës, plaçka ishte dhe kishte ngelur modë, e cila i joshte të gjithë, që nga luftëtarët e paepur dhe deri tek më të djallëzuarit me udhëheqsit e tyre që kishin implikuar çuditërisht edhe hyjnitë të fusnin hundët herë pas here në vese dhe qëllime të padenja, sado që Homeri i kishte shpërfytyruar disi duke demaskuar dasitë dhe lakminë e tyre për cmirë dhe xhelozi, por ngaqë e kishte të pamundur të vinte dorë në Olimp ia kishte lënë kohës që t’i pluhuroste ose t’i gjallonte me tepri sipas arsyes njerëzore.
I ngelur pa mesit Laokoontit i duhej të paguante mosbindjen e tij ndaj hyjnive, megjithëse kishte pasur edhe përkrahjen e Zeusit të pavëmedshëm, që shpeshherë gratë rreth tij e zalisnin ose e vinin në gjum sa herë që ato donin të ndiqnin gjahun e tyre, që në këtë rast ishte Laokoonti, i cili i kishte shtuar qypit me verë helmin e ftohtë që do ta shijonin edhe ato duke shtuar smirën e pavdekshmërisë së tyre, atë helm që ua kishte rrëmbyer etërve të tyre dhe e kishte shtruar në këtë gosti hirplotë, me të cilin donte të sfidonte vetëm zellin e tyre por jo vullnetin hyjnor.
Në të gjithë këtë katrahurë që po ngjiste e stërpikur fund e krye komediane, shkaku nuk kishte qënë Helena ose nuk ishte stisur ajo, që të sulmohej rishtas Troja e sfilitur ose Shqipëria që po ripërtypte përsëri vetveten dhe po luante dramën e kobshme të viteve 1997 – 1998, ngaqë Helena ishte shumëfishuar tani, nuk përbënte më zili dhe as ngjallte xhelozi tek hyjnitë si më parë, ndaj një tjetër grua do të ishte shkaku dhe lakmia, krejt e ndryshme nga Helena, por edhe më e lakmueshme se ajo. Nëpër shpërgëjtë e kamufluar ose të pavëmendshëm ose të djallëzuar ishte shfaqur Edus që përfaqësonte shpurën që kishin grumbulluar dhe dispononin diamantin në sasi të konsiderueshme, ndaj dhe po ngriheshin me shpejtësi ekspedita dhe formacione të ashtuquajtura publike, politike, madje edhe grupe ushtarakësh haxhiqamilësh, për të sulmuar Trojën e Stisur nga të gjitha anët dhe për të rrëmbyer princeshën e diamanteve Edus me të gjithë pajën e sajë të lakmueshme. Por loja nuk ishte edhe aq e thjeshtë, dardanët dhe trojanët ishin disi po ata të mëparshmit të sprovuar disa herë në luftëra dhe nuk i mposhtje dot kollaj, ndaj dhe hija e Odiseut do të shfaqej rishtas, këtë herë edhe më shpejtë sepse rruga ishte e njohur për të. Hija e Kalit mostër ishte shfaqur përsëri, ndonëse me fytyrë tjetër, megjithëse Laokoonti e kishte bërë kurban atë edhe në prani të shfaqjes së Atenës dhe Herës, por mesa dukej kjo nuk ishte pranuar në Olimp, dhe as që mund të pranohej përderisa edhe vet Homeri që e kishte sikletosur me të gjitha peripecitë Odisenë, nuk mundi ta rrëzojë, ngaqë ende preferohej ose përkëdhelej në Olimp si qënje e prapë për të bashkëshoqëruar njerëzimin deri në një ndërgjegjësim tjetër që tek Homeri nuk e gjejmë.
Të vilanosura nga pija e tepërt ose nga helmi që u kishte shtuar epshin, Atena dhe Hera, nuk e kursenin skërmitjen duke vënë në pah dhëmbët e mprehtë të gjarpërit mu pranë fytyrës së Laokoontit, i cili si nëpër mjegull shihte vetëm Afërditën që luhatej mbi re dhe nuk mund t’i avitej, megjithëse ajo i zgjaste dorën e dhemshur që atje lart, tek po jepte edhe frymën e fundit shpirti i tij që po shtegëtonte në hapsirën që i kishte lënë Homeri, por që nuk do të largonte shumë, dhe si i përligjur do të shfaqej në trupin po aq të zellshëm të Azemit kur llava e ngrirë e Trojës sapo ishte rizgjuar dhe kishte filluar të plasaritej me fitilat e parë aty - këtu, ndërsa kimia shpitërore po jepte reaksionin e vet, por që çuditërisht shumica drejtoheshin për nga tri urat, duke e bërë këtë reaksion gati eksperimental ose mishmash në kokteje pelivanësh politikë, sesa të zhvilluar në masën e tij, por ishte përsëri, Atena dhe Hera, që do ta ndiqnin me vëmendje këtë komedi, pa perde, pa akte dhe aq më tepër pa autorësi sepse dobiçi nuk po shitej, që edhe sot e kësaj dite u ka ngelur në derë shqiptarëve, përderisa dukej më tepër si trillan tek shquheshin fantazmat e mbjella rishtas, nga agonia e tyre gati dhjetë vjeçare por që me siguri kishin trokitur në Olimp dhe ndoshta kishin marr edhe pëlqimin e tyre për ndonjë gjëmë faqezezë si edhe më parë.
E vërteta trishtuese që ishte thekur parë e mbrap fshihej dhe përlyhej me përçmim, duke ribashkuar copërat e dogmave që ishin thërmuar pak më parë se të shpikej komedia që po ngrehej në idenë e fytyrës së deformuar të Kalit mostër, që kishte dhënë Odiseu për të ngazëllyer cenin e tij që nuk do t’i ndahej njerëzimit dhe sidomos fatit të shqiptarëve, kur ishin duke u përplasur delire të paqëna ose të shpërfytyruara nga princesha e voskopit Edus që dukej jo nga të gjithë në spikamë ose shestohej në anën komike si ajo e të praptës së Trojës tek ishte shkërmoqur me tepri për shumë e shumë vite aristokracia duke humbur kështu edhe shëlbimin e sajë, duke e lënë shëmbëlltyrën të mbretërojë pa fre.
Nëqoftëse Azemi më parë kishte pasur përkrahjen e Afërditës, e cila tre herë e kishte shpëtuar nga pickimi i gjarpërinjëve aq sa e kishte edhe fuqinë e sajë, tani atij i duhej të rrinte sa më larg syve të Atenës dhe Herës, por kjo ishte e pamundur për të, zemërimi i tyre nuk njihte tjetër devocion ngaqë ishte modeluar si zanat edhe nga përvoja e mëparshme, ndaj atij tashmë i duhej të përballej ballas me to dhe të kungohej vetëm me fatin e Laokoontit që i kishte trokitur në derë, përderisa ai në asnjë çast nuk bëri kompromis me flirtin, që për Atenën dhe Herën me siguri do të kishte ndonjë çast hezitimi për të përfituar të paktën mashkullin aq të lakmuar nga to.
Megjithëse shqiptarët ishin ngulur vet kundër fatit të tyre dhe po përjetonin ritin e Rozafës aq të dëshiruar dhe të inskenuar nga Atena dhe Hera nuk pritej ndonjë zbythje e madhe, sepse vet komedia ishte ndërtuar e tillë, me aktorë komik amator, që koha do e tregonte se shpirti i tyre ishte sa shpirti i një pleshti që edhe syri i zakonshëm nuk do t’i vinte re. Por hyjnitë megjithëse të përdala dhe të diskredituara nuk do të merreshin me ata që e kishin futur shpirtin e tyre në plesht, nuk ishte në etikën dhe praktikën e tyre, ndaj nuk do t’ia falnin Azemit, prerjen e tij, një puthje të ylbertë në prapanicë, kartolinën që u kishte dërguar Atenës dhe Herës me rastin e përvjetorit të demokracisë dhe që tani ato po ndiqnin komedinë e inskenuar nga hotel “Dajti”, sigurisht në prapaskenë, dhe fill pas kësaj kishin ndërsyer gjarpërinjtë më të urryer që ishin të fshehur nën pelerinat e fantazmave të mbetura, të cilat ishin edhe e vetmja shpresë për hyjnitë me cene që ishin ringritur nga pluhuri tremijëvjeçar.
Ndërsa a ishin ato të pranishme një natë më parë në gostinë e mistershme me Azemin, përpara se ta masakronin gjarpërinjtë e tyre, kjo nuk u mor vesh asnjëherë?!