Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Këngë që ndryshojnë prej një vendi në një vend

| E hene, 05.03.2012, 08:01 PM |


Nga folklori ynë muzikor :

 

KËNGË QË NDRYSHOJNË PREJ NJË VENDI NË NJË VEND

 

Shkruan: Demir KRASNIQI

 

Folklori muzikor shqiptarë është aq i begatshëm , sa edhe po të studiohej me vjet e me vjet , burimet për këtë lëmi të studimit nuk do të shteronin kurrë .

Përveç begatisë aq të madhe që posedon folklori ynë , janë edhe disa karakteristika të veçanta , të cilat rrallë kund mund të hasen tek popujt tjerë në Ballkan dhe në botë .

Për të dhënë një ndriçim sado të vockël rreth këtyre karakteristikave , kësaj radhe do të ndalemi tek disa veçori me të cilat pak kush prej studiuesve tanë është marrë me to .

 

Këngë me të njëjtin tekst , por me melodi të ndryshme

 

Jo rrallë , në përditshmërinë tonë etno – muzikore na ka rënë që të dëgjojmë këngë të ndryshme popullore , të cilat kanë të njëjtin tekst poetik, por që dallojnë për kah ritmet dhe meloditë e tyre, varësisht prej krahinave ku ato këndohen dhe kultivohen .

Si shembull për të ilustruar këtë fenomen popullor, po marrim këngën popullore me titull:” Merre krahnin kreh zylyfet “, që është një këngë shumë e vjetër me tematikë të kurbetit e cila këndohet në të gjitha trevat shqiptare .

E veçanta e kësaj kënge është se në Shqipëri të Mesme, këndohet me një melodi në masën kohore 9/8 , kurse në Kumanovë me rrethinë këndohet me një melodi tjetër që ka bazën ritmike në masën 7/8 .

Dallimin tekstual tek këto dy variante mund ta gjejmë vetëm tek emri i mjetit me të cilat dikur i kriheshin flokët nuset e reja e që në Shqipëri këndohet :”Krahni” , kurse në Kumanovë e rrethinë këndohet “Kërhani” . Këtu, na jep me kuptua se është fjala për një kohë më të largët, kur ndoshta ende nuk ekzistonte krehri dhe në mungesë të tij, nuset detyroheshin që t’i krihnin flokët me kërhanë , mjete këto që kanë shërbyer për lënurjen e leshit të deleve .

Një këngë e vjetër popullore me tematikë të dashurisë baritore , të cilën mund ta hasim të kënduar nëpër krahina të ndryshme shqiptare, që ka një tekst dhe porosi të njëjtë,  por që melodikisht ndryshon pak a shumë nëpër këto krahina , është kënga popullore me titull: “Shin Gjergjat po sillen, bre djalë”.

Këtë këngë me pak ndryshime në variantet tekstuale , por me të njëjtën melodi dhe masë ritmike do ta gjejmë të kënduar në Malësinë e Bujanocit , më saktësisht në trevat që quheshin Hashani , ku këndohej me titullin:”Shin Gjergjat po sillen, bre djalë”, por të njëjtën këngë do ta gjejmë të kënduar edhe në trevat e Dukagjinit , vetëm me një ndryshim të titullit, ku këndohet :”Afroi dhentë ngatë malit, bre djalo”. Në trevat e Kërçovës , këtë këngë do ta gjejmë të kënduar me titullin:”Merre pushk’n  e gjatë, o bre gjalë “.

Një këngë tjetër që ka të njëjtin titull dhe tematikë të kurbetit , është ajo :”Dy tri ditë para Shin Gjergjit”.

Këtë këngë në trevat e Drenicës dhe të Kosovës , do ta gjejmë të kënduar me një ritëm dhe melodi krejtësisht ndryshe dhe me vargje jo strofike . Pra, në Drenicë dhe Kosovë, kjo këngë këndohet me një melodi shumë të thjeshtë në masën kohore 9/8 , kurse në Zajaz dhe Kërçovë me rrethinë, këtë këngë do ta gjejmë të kënduar me tekst strofik dhe me një melodi shumë të zhvilluar në masën kohore 7/8 .

 

Këngë me të njëjtin tekst , por me disa melodi

 

Karakteristikë tjetër e veçantë në folklorin tonë muzikor , është edhe dukuria që na paraqitet në këngët që kanë të njëjtin tekst , por që prej një vendi në një vend ndryshojnë për kah melodia dhe ritmi i tyre .

Ndër këngët më të popullarizuara që bëjnë pjesë në këtë kategori , po e përmendim një këngë të vjetër kurbeti , e cila këndohet me të madhe në Shkodër, në Gjakovë, në Drenicë dhe kudo tjetër .

Fjalën e kemi për këngën me titull:” Bash n’ zeman të djelmënisë”, e cila në Shkodër këndohet me një melodi shumë të zhvilluar nën masën kohore 8/4, kurse të njëjtën këngë me të njëjtin tekst , do ta gjejmë të kënduar edhe në Gjakovë, me titullin “Prej zemanit të lezetit”, por me një melodi krejtësisht tjetër , në masën kohore 7/4 dhe me një intonacion që përmban  ne veti ornamente të muzikës orientale .

Po të njëjtën këngë me të njëjtin titull si në Gjakovë, do ta gjejmë të kënduar edhe në trevat e Drenicës dhe të Kosovës, por të kënduar me një melodi pak sa më të thjeshtë , nën masën kohore 4/4 , që po ashtu është e ndikuar nga melosi oriental .

Ndër këngët  popullore që kanë të njëjtin tekst , por që dallojnë dukshëm për kah ritmi dhe melodia , pa dyshim  duhet përmendur edhe kënga me titull:”Lulëzoi fusha , lulëzoi mali”, që ka tematikë të kurbetit .

Kjo këngë e vjetër popullore në qytetin e Shkodrës dhe në qytetet tjera shqiptare këndohet me një melodi shumë të prekshme e cila zhvillohet në masën kohore 8/4 dhe që i takon melosit tradicional qytetarë .

Të njëjtën këngë me të njëjtin titull e gjejmë të kënduar edhe në trevat e Drenicës dhe vendbanimet rurale të Kosovës , por me një variant krejtësisht tjetër melodik dhe në masën ritmike 7/8 .

Kënga epiko – historike që i këndohet Mahmut Dac Kalisit , me titull :”Krisen topat n’ atë zabel” , në Gjakovë këndohet me përcjellje orkestrale , me një melodi shumë të zhvilluar dhe në masën kohore 7/4 , kurse e njëjta këngë në trevat e Drenicës dhe vendbanimet rurale kosovare , këndohet me një melodi shumë më të thjeshtë dhe nën masën kohore 8/4, me shoqërim me instrumentet burimore autoktone .

Të njëjtin fenomen do ta gjemë edhe tek kënga popullore me titull:”Mu njaty ke shtatë zymbylat”, e cila në Shqipërinë e Mesme këndohet me një melodi shumë të zhvilluar e cila shtrihet përmes masës kohore 9/8 dhe që ka tematikë lirike të dashurisë e shoqëruar me orkestrinën popullore qytetare në përbërje të instrumenteve të fabrikuara .

Po të njëjtën këngë me të njëjtën tematikë, do ta gjejmë të kënduar edhe në Kërçovë e rrethinë, por me një titull pak sa të ndryshuar :”Njatje poshtë, more , ke shtatë vidhat”.

Për dallim nga Shqipëria e Mesme , kjo këngë në Kërçovë e rrethinë këndohet me format polifonik dhe në masën kohore 5/8  dhe me një melodi krejtësisht tjetër .

 

Këngë popullore shqiptare me përmasa ndërkontinentale

 

Se sa është i pasur folklori ynë muzikor dhe sa ia kanë lakmi atij, popujt tjerë të Ballkanit dhe më larg, këtë më së miri e dëshmon dhe argumenton njëra prej perlave të këngëve tona popullore e cila burimin e vet e ka nga qyteti i Korçës dhe që mbanë titullin “Mu në bashtën tënde”.

Këtë këngë të bukur qytetare korçare , do ta gjejmë të mbledhur, notizuar dhe botuar në librin “Lyra Shqiptare”, nga Pjetër Dungu .

E veçanta e kësaj kënge , është se atë përveç popullit shqiptarë si djep i lindjes së saj, atë e kanë shfrytëzuar dhe kënduar edhe të gjithë popujt tjerë të Ballkanit, Azisë së Vogël, Izraeli edhe më larg!...

Sa për kureshtje dhe dëshmi ndaj lexuesve , po ua sjellim tekstin integral origjinal të kësaj kënge :

 

Mu në bashtën tënde

 

Mu në bashtën tënde ,

Të këndon bylbyli, aman, aman,

Nga sevdaja jote , çupë e vogël,

Çeli trëndafili .

 

Mu në bashtën tënde ,

Të këndonte zogu, aman, aman ,

Nga sevdaja jote , çupë e vogël ,

Çeli borziloku .

 

Po rrëfemë udhën , djalë,

Nga të shkoj , aman, aman,

Ka zënë një çupë e vogël ,

Edhe po dëgjon .

 

Sa për ilustrim , për ata që e kanë përcjellë muzikën popullore ballkanike , po ua përkujtojmë se këtë këngë , serbët dhe maqedonët janë mundua ta adaptojnë dhe përvetësojnë , duke e kënduar kështu:

 

“Ruse kose curo imash,

Dali zhalish ti?

Aman, da gi zhallam, ne bi ti gi dalla

Da im mërsish ti!”...

 

Këngë me tekste e tematika të ndryshme që këndohen me një melodi

 

Përkundër begatisë aq të madhe të folklorit tonë muzikor , duhet veçuar edhe një fenomen tjetër të çuditshëm në përditshmërinë tonë muzikore .

Jo rrallë, në jetën tonë muzikore na ka rënë që të dëgjojmë këngë popullore me tematika të ndryshme dhe me tekste krejtësisht të ndryshme, por që ato këndohen me të njëjtën melodi !

Si shembuj tipik të kësaj dukurie , do t’i përmendi këngët popullore me tituj:

“ Dedë Gjon Luli” , “Rruezës malit jam tuj shkue”( pjesë e këngës së Kral Nikollës) dhe “O Emin, Emin Duraku”, e që të gjitha këndohen me të njëjtën melodi. Por , ajo që më ka befasuar më së shumti , është fakti se me të njëjtën melodi e kam dëgjuar që këndohet edhe një këngë popullore greke, e që pa dyshim , i hapë dilemat për të dyshuar se kjo melodi mund të jetë palagiatë e këngëve greke?!

Tekste të ndryshme të këngëve tona popullore, të cilat ndër vite janë kënduar me të njëjtën melodi , janë edhe këngët rapsodike me tituj:”Prej Prokuples deri n’ Nish”, “Maliq pasha n’ kali t’ bardhë” dhe së fundi gjatë socializmit jugosllav , në Kosovë  është këndua shumë edhe kënga “Marrshall Tita n’ kali t’ bardhë”, që këndohej me të njëjtën melodi dhe ishte zëvendësim i këngës “Maliq pasha n’ kali t’ bardhë”!

U munduam kështu, që sado pak të hedhim dritë mbi të kaluarën e folklorit tonë muzikor dhe vlerat e tij historike mbi trojet tona etnike .

 

Gjilan, më 04.03.2012.                                                     Demir KRASNIQI