Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sinan Sadiku: Aziz Mustafa “Matja e kohës së ndalur”

| E diele, 04.03.2012, 08:53 PM |


NJË LIBËR QË DËSHMON SE POEZIA SHQIPE NË KOSOVË GJATË VITEVE NËNTËDHJETË NUK E KA NDËRPRERË KONTINUITETIN E ZHVILLIMIT

 

Aziz Mustafa “Matja e kohës së ndalur”, botoi “Asdreni” Shkup 1999, fq 110.

 

Nga Sinan Sadiku

 

Aziz Mustafa është njëri  ndër poetët më të talentuar që dolën para lexuesit me libra poetik gjatë viteve nëntëdhjetë. Atij  deri tani i janë botuar tre libra me poezi të cilët dallohen për vlerat e mirëfillta poetike, për temat e gjetura dhe të trajtuara me kujdes e përkushtim, për gjuhën e zgjedhur, të veçantë dhe të përpunuar poetike e të tjera. Ky krijues, talentin dhe origjinalitetin poetik i shpalosi që në librin e parë të titulluar “Pasaportë kam kafkën time” të botuar në vitin 1996 dhe e vazhdoi me librat e tjerë. Qysh në librin e parë u pa që ai ka një botë të veçantë dhe të pasur poetike, një qëndrim opozitar ndaj të keqes i cili qëndrim shprehet përmes pakënaqësisë, ironisë, protestës e herë herë edhe përmes revoltës dhe zhgënjimit. Mustafa pa mëdyshje është një poet që e ka krijuar individualitetin e vet, është një zë i veçantë që e ka pasuruar poezinë shqipe. Ky krijues ka qëndrim kritik jo vetëm ndaj dukurive të shëmtuara,  negative që ndeshen në ambientin ku jeton, apo më  mirë të themi në atdheun e tij dhe tonin, por i shikon me mjaft skepticizëm dhe nuk pajtohet edhe me disa veprime të çoroditura të njeriut në përgjithësi, apo më mirë të themi të disa ekspertëve të cilët i shfrytëzojnë mundësitë dhe mjetet që ua ofron zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë, për të ndërmarrë veprime dhe për të krijuar produkte të cilat nuk do t`i sjellin asgjë të mirë njerëzimit siç janë klonimi...  Andaj mund të themi se në poezinë e tij hasen shqetësime dhe përcillen mesazhe universale.

Libri i parë i këtij autori “Pasaportë kam kafkën time” është një vepër e suksesshme si tërësi, vepër  të cilën herë pas herë  e rilexoj me kënaqësi. Veçmas më tërheqin për t`i rilexuar dhe shijuar vlerat e tyre poezitë: “Vargje të shkruara në vapë”, “Delja”, “Ëndërr astronomike”, “Fillim pranvere në Kosovë”, “Lum për ty”, “Nëse e gjen”, “Në mozaikun e gjërave që nuk thuhen me fjalë” e të tjera, në të cilat shpaloset çiltërsia e shpirtit rinor me ndjenjat më sublime, me ëndrrat, shpresat meditimet... që përcillen  nga  një ritëm dhe muzikalitet i këndshëm të cilin e sjellin  figurat  e  përsëritjes të punuara me aq mjeshtëri.

Tri vite pas daljes së librit të parë, ky autor u paraqit para lexuesve me librin e tij të dytë të titulluar  “Matja e kohës së ndalur” (1999) , në të cilën vepër shkëlqen talenti i tij prej poeti. Në këtë libër autori i ka përfshirë 92 poezi të sistemuara në tetë cikle, duke e përfshirë edhe poezinë e cila iu paraprinë cikleve dhe që është vendosur në fillim të librit. Si  për nga numri i poezive ashtu edhe për nga numri i  cikleve  ky libër është  më voluminoz se dy librat e tjerë të këtij autori. Edhe në këtë libër e gjejmë po atë botë njerëzore me të cilën ishim takuar në librin e parë, po atë shpirt kritik, po atë intelekt erudit që e preokupojnë, që e shqetësojnë dhe e ngacmojnë,  e nxisin për të shkruar problemet, dilemat, dyshimet, shqetësimet e intelektualit, apo më mirë të themi të krijuesit bashkëkohor shqiptar. Është kjo një botë njerëzore së cilës nuk i shpëtojnë pa i vërejtur të këqijat e kësaj  bote të cilat zënë vend në artin e tij poetik duke e provokuar kundërshtinë, ironinë, revoltën...  Pra ky krijues i mbetet besnik natyrës së vet, personalitetit të vet, i mbetet besnik vetvetes dhe duke qenë vetvetja, falë talentit dhe përkushtimit e edhe përvojës krijuese arrin të na jap fryte të pjekura poetike, të cilat ia sigurojnë një vend nderi në poezinë e sotme shqipe duke e renditur në mesin e poetëve më të mirë,  që janë paraqit me libra poetik gjatë viteve nëntëdhjetë. Poezia e këtij autori është dëshmia më e mirë se përkundër rrethanave aspak të favorshme, poezia shqipe në Kosovë nuk ka ngecë, nuk e ka ndërpre kontinuitetin e zhvillimit, veçse lexuesi e besa edhe studiuesi i kësaj poezie nuk e ka lehtë t`i gjej vlerat të cilat në kushtet kur botohen shumë, tepër shumë libra me poezi të cilat në aspektin e vlerave lënë shumë për të dëshiruar, vështirë të gjenden dhe të veçohen e shijohen. Është për t`u habitur pse kritika letrare i ka kushtuar aq pak vëmendje krijimtarisë së këtij poeti, derisa shkruhen punime të shumta me vlerësime të larta për libra e poetë të dobët!?

Duke e pasur të kompletuar identitetin e vet njerëzor, kombëtar, intelektual, shpirtëror, krijues, ky poet e ka krijuar individualitetin e vet  poetik dhe asnjëherë në krijimtarinë e tij nuk gjejmë gjëra artificiale, libreske, moralizime bajate e të tjera. Nuk gjejmë as folklorizëm e pompozitet, as deklarativizëm, as patetikë, as shtirje, as didaktikë, as patriotizëm dhe heroizëm të shpifur por gjejmë natyrshmëri, meditim, ndjenjë, gjuhë poetike dhe art. Ky poet e shkruan poezinë, e përpunon i nxitur nga motivi për të krijuar diçka të bukur, sa më të përsosur. Nga poezia nuk pret  të dëshmohet  si patriot,  të dëshmohet hero, të tregohet i dijshëm  dhe në fund të bëhet politikan ose i pasur. I mjafton të bëhet poet dhe i tillë është bërë.

 

Poezi e motivuar nga absurditetet dhe paradokset e njeriut dhe të kohës sonë

 

Edhe në librin e dytë gjejmë lirika atdhetare, lirika erotike, lirika meditative edhe pse të shumtën e rasteve në një poezi bashkëjetojnë më shumë tema e motive.

Ndër më të realizuarat janë poezitë për krijimin e të cilave autori është motivuar  nga absurditetet, nga paradokset  e njeriut dhe të kohës sonë, në mesin e  të cilave hyn edhe keqpërdorimi i të arriturave shkencore në fushën e gjenetikës dhe në disa  fusha të tjera, pastaj narkomania, prostitucioni, shprehitë e këqija, ndotja e ambientit, stërkeqja ose dehumanizimi i njeriut, mizoritë e luftës, por edhe humbja e ngadalshme e shumë vetive dhe vlerave njerëzore nga presioni brutal i zhvillimit të shkencës, teknologjisë, kompjuterëve... të cilat po aq sa e kanë lehtësuar edhe e kanë varfëruar jetën, duke ia rrezikuar natyrshmërinë dhe spontanitetin me të cilat janë të ndërlidhura edhe hijeshia dhe lezeti i saj. Shihet që subjekti poetik te këto absurditete dhe paradokse e sheh rrezikun për të ardhmen e njerëzimit, andaj alarmon. Poezitë më të realizuara që e trajtojnë këtë tematikë janë: “Në mbrëmjen ku mungonte brezi im”, “Mileniumi”, “Mbetet një trëndafil”, “Motive të lagura”, “Kujtim nga Ulqini”, “Kompjuteri”, “Shpjegim Meritës për klonimin”, “Degët e trungut tim”, “Urrejtje”, “Hyrja në mozaik”, “Poezia në të zezë” e të tjera.

Të bukura janë edhe poezitë përkushtim që iu kushtohen Dr Shpëtim Robajt (“Plaga e atdheut”), Mirko Gashit (“Helm mbeti”), Beqir Musliut (Për jetë të jetëve”) e të tjera. Që të tri këto poezi i përshkon ngjyrimi elegjiak, ndërsa me pak fjalë preket nga një pjesë e jetës dhe e botës së këtyre personaliteteve, veprimtaria dhe shpirti i tyre human. Në poezinë “Helm mbeti” kushtuar poetit bohem Mirko Gashit,  poezi kjo  e shkurtër dhe  interesante,  me pak fjalë pikturohet shpirti i madh njerëzor i Mirkos, jeta dhe vepra e këtij poeti që u mundua ta pinte deri në fund gotën e helmit për të mos iu mbetur të tjerëve, por kot “Helm mbeti prapë për të gjithë”, konstaton autori.

Poeti e shkruan edhe poezinë patriotike dhe thuaja të gjitha poezitë e dy cikleve të para “Gurët e mozaikut tim” dhe “Plaga e atdheut” mund të konsiderohen lirika patriotike, sikurse edhe disa poezi të ciklit “Motivet nuk po më teren”. Megjithatë lirika patriotike e këtij autori është disi e veçantë. Nuk ka në të asgjë folklorike, nuk ka mburrje dhe fraza boshe e as patetikë dhe emocione sipërfaqësore, por ka dashuri ndaj atdheut e atdhetarëve  dhe në përgjithësi ndaj njeriut të këtij trualli. Atdheu në poezitë e këtij krijuesi  paraqitet ashtu siç është në të vërtetë, larg nga dëshirat, nga shpresat dhe vizionet e tij, me plagë të shumta, të cilat i shkaktojnë dhembje shpirtit të ndjeshëm të subjektit lirik, dhembje këto që shpërfaqen në poezitë e tij. Andaj mund të themi se lirika atdhetare e këtij poeti është më e afërt me vajin se sa me këngën, duke e dëshmuar atë thënien e njohur popullore se “kënga e burrit është vajë”. Ky qëndrim emocional i subjektit poetik shprehet shumë qartë në poezinë “Këngë labe” që është poezia e parë e ciklit të parë e sistemuar  jo rastësisht në fillim të librit. Përkundër të gjitha këtyre, përkundër të kaluarës së hidhur të popullit tonë, përkundër masakrave rrëqethëse që u kryen ndaj një numri të madh të pjesëtarëve të tij, ai mbijetoi. “Preu sa mundi sopata/ prapë kurrë degë më shumë” janë dy vargjet e fundit të poezisë  “Degët e trungut tim” që e shprehin këtë.  Ndër poezitë më të realizuara që në një farë mënyre mund t`i grupojmë në këtë lloj të lirikës, përkundër bashkëjetesës me motive të tjera janë: “Balada për copat e një atdheu”, “Plaga e atdheut”, “Këtë verë”, “Balada për shokun e armës”, “Urrejtje”, “Degët e trungut tim”, “Në Rinas” etj.

Në hyrje të këtij punimi, derisa i shkruaja disa fjalë për librin “Pasaportë kam kafkën time” e përmenda se njëra ndër krijimet më të realizuara të tij është poezia “Delja”. Është kjo një poezi e shkurtër meditative që rrezaton urti e mençuri duke e shprehur një të vërtetë se sa e padrejtë është kjo botë ndaj qenieve që nuk kanë me çka të mbrohen. Këtë stil, këtë model të shkrimit Mustafa vazhdon ta kultivojë me sukses edhe në librin e dytë te poezitë: “Kolosi nga Rodosi”, “Dita e shtatë”, “Tirana”, “Në Rinas”, “Liria”, “Ikja”, “Metamorfoza e fluturës”, “Ëndrra me krah qelqi”, etj. Të ngjashme me këto poezi, të paktën për nga gjatësia janë thuaja komplet shtatë poezitë e ciklit “Ditari i përditshmërisë”, të cilat titullohen “Dita e parë”, “Dita e dytë” e deri te e fundit që titullohet “Dita e shtatë”. Këto poezi na i përkujtojnë epitafet e njohura të Eqrem Bashës, me të cilat mund t`i krahasojmë për të mirë, për vlerat e njëmendëta poetike, e jo për far ndikimi, sepse ato janë krejtësisht origjinale dhe në përputhje me natyrën krijuese të krijuesit të tyre, poetitit Aziz Mustafa.

Sa i përket shprehjes poetike mund të themi se ajo ka ardhur duke u përsosur në librin e dytë. Libri si tërësi në aspektin artistik qëndron më lartë se libri i parë, sikurse që poezitë më të mira të këtij libri  janë më të realizuara se poezitë më të mira të librit të parë. Për t`i shijuar vlerat e poezive veç e veç dhe të librit si tërësi lexuesi duhet të jetë aktiv gjatë leximit, të mendojë, të hulumtojë, të dialogojë dhe të bashkëjetojë me poezinë ta lexojë atë me mendje dhe zemër. Kjo për  faktin se autori  i kushton rëndësi të veçantë gjuhës poetike, përdorimit të figurave. Figurat i përdor me masë, në funksion të përsosjes artistike,  pa teprime dhe duke ua dhënë vendin përkatës krahas përbërësve të tjerë të poezisë, i shpreh, ndjenjat, mendimet, qëndrimet, vizionet, e shpreh botën e vet, botë kjo  që të shumtën e herave, i sheh me një sy kritik njeriun, ambientin, botën... Poezia e këtij libri nuk është hermetike, porse shprehja poetike është e përsosur dhe disa poezi i afrohen poetikës hermetike të cilat megjithatë zbërthehen dhe kuptohen me ndihmën e tërësisë së librit, libër ky i krijuar, sistemuar dhe organizuar si një tërësi sistematike e menduar mirë dhe pjesët e saj, pra poezitë edhe i japin tërësisë e edhe marrin nga ajo. Të mos keqkuptohemi, te poezia nuk ka rëndësi a është ajo hermetike  apo nuk është, me rëndësi është të ketë vlera, sepse edhe poezinë hermetike me sukses e kanë shkruar Zef Zorba, Martin Camaj, Shaip Beqiri dhe disa  të tjerë shqiptarë.

Një karakteristikë e shprehjes së këtij poeti është përdorimi i disa fjalëve të cilat shumica e njerëzve edhe në jetën e përditshme i përdorin rrallë, i përdorin me rezerva dhe vetëm në rrethe të caktuara, ndërsa shumica e poetëve nuk i përdorin fare duke i konsideruar të padenja për poezinë apo edhe banale. Me ato fjalë ky krijues shumë natyrshëm  e shpreh zemërimin, protestën, rebelimin ndaj ngjarjeve, dukurive dhe fenomeneve me të cilat nuk pajtohet dhe mu këto fjalë, kuptohet të përdorura me mjeshtri dhe aty ku duhet ua shtojnë vlerën krijimeve të tij. Dihet nuk është lehtë t`iu gjendet vendi këtyre fjalëve në poezi dhe përdorimi i tyre përpos aftësisë krijuese kërkon edhe guxim krijues  të cilin ky autor ka dëshmuar se e ka.

Ky krijues i cili me profesion është mjek, për krijimin e poezisë me mjaft sukses i ka përdor disa shprehje, disa fjalë nga fusha e mjekësisë, nga e cila fushë deri tani pak ka përfituar poezia. Edhe kjo është njëra nga veçantitë e shprehjes së tij poetike.

Në fund mund të konstatojmë se libri “Matja e kohës së ndalur” i autorit Aziz Mustafa është njëri ndër librat më të mirë të botuar nga një poet shqiptar i Kosovës gjatë viteve nëntëdhjetë, libër ky që e dëshmon zhvillueshmërinë dhe vitalitetin e kësaj poezie.

 

Dardanë, 26.02.2012