Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Daniel Gazulli: Martiri i Atdheut - Dom Gjon Gazulli

| E diele, 04.03.2012, 08:05 PM |


MARTIRI I ATDHEUT

DOM GJON GÀZULLI

 

Në 85 vjetorin e varjes

 

“… fatosat që desin nuk kanë ç’ të bajnë në nji vend që i harron e i përbuzë”.

At Gjon Shllaku O.F.M.

 

Nga Daniel Gàzulli

 

Një hymje e deturueme:

 

Historianë e politikanë, pikërisht me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, po flasin pë nevojen e rishikimit të figurës së “mbretit”.

Për t’u ardhë në “ndihmë”, para shkrimit për një prej veprave të tij “të lavdishme”, mendova ta ilustroj me këte faqosje:

 

 

“LAVDIA”  E  MBRETIT  AHMET  ZOGU  I –rë...

 

NIPI  SI  DAJA…

 

MARRËVESHJA Nikolla Pashiç - Ahmet Zogu; Gusht, 1924...(Nga libri Sh.Hysit)
"1. Shqipëria impenjohet t'i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.
2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njoh dinastinë Karagjorgjeviq.
3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njoh Ahmet Zogun si kryetar shteti . . . dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.
4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.
5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.
6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.
7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.
8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve. 9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.
10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.
11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe të bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare do të varet nga ajo Jugosllave.
12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.
13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.
14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t'i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.
15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.
16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve".

 

?5 MARS 1927 – 5 MARS 2012?85 VJETORI I VARJES MARTIRIT?5 MARS 1927

DOM GJON GÀZULLI (26 Mars 1893 – 5 Mars 1927)

 

Mbas vrasjes së atdhetarit opozitar, demokratit të madh Luigj Gurakuqi, të idhullit të rinisë shqiptare e liridashësit të zjarrtë Avni Rrustemi, të Plakut të Maleve, Lisit të paepun të Kosovës, Bajram Curri, nga mbeturinat antikombtare osmane, rradha e eleminimit fizik i kishte ardhë deputetit të Opozitës, atdhetarit Dom Gjon Gàzulli, të cilit anadollaku Ahmet Zogolli i zgjodhi, si prift katolik që ishte, mënyrën ma “speciale” dhe ma çnjerëzore: “varjen”.

Kujtuen shqiptarët se mbas Ditës së Madhe të 28 Nandorit 1912 nuk do të provonin ma shëmtime e masakrime si ato të turqëve. Po jo, çibanët që la mbrapa otomani, feudalët e agallarët atavikë, shartue shpirtin me urrejtje aziatike ndaj të krishtenëve, edhe pse bashkatdhetarë të tyne, shikonin po të njejtat andërra të kobshme:“Me ambasadorin anglez Ahmet Zogu në 1927 u ankue për klerikët katolikë: “Ah sa shumë do të dëshroja t’i varja ashtu siç e meritojnë”…E që të kënaqte kërkesen e mbrendshme për t’i varë, ai çoi në trekambësh një klerik…( Dom Gjon Gàzullin). ” (Bernd Fischer - Re Zog e la lotta per stabilità in Albania, Monographs dell’ Europa orientale, Boulder, 1984.)

Ky ishte Ahmet Zogolli i Matit, që dënonte me tre vjet burg atentatorin e tij Beqir Valteri, ndërsa çonte në litar meshtarin Dom Gjon Gàzulli, pa i provue asnjë faj, nëse faj nuk do të konsiderohen:

- Të duesh Atdheun deri në flijim për të;

- Të flijohesh për liri e drejtësi të popullit tand;

- Të shkrihesh për përparimin e tij;

- Të kesh miq toskë e gegë, të krishtenë e muslimanë, e me të gjithë tok të luftojsh për një Shqipni Etnike.

Ndoshta këto vepra për disa janë faje edhe sot, pse, ndërsa Dom Gjoni nëmos tjetër e ka një varr, i vëllaj, gjuhëtari i shquem Dom Nikollë Gàzulli, pushkatue pa gjyq me 02 shkurt 1946, nuk dihet as ku i ka eshtnat, ashtu si nuk dihet ku kanë eshtnat shumë e shumë klerikë e atdhetarë të mirëfilltë masakrue prej bandës serbo-komuniste në vitet 1944 e mbas.

Varja e Dom Gjon Gàzullit erdhi mbas marrëveshejs famëkeqe    Pashiq/Ahmet Zogolli, kurse vrasja e gjuhëtarit Dom Nikollë Gàzulli mbas marrëveshjes Tito/Enver Hoxha për ta kthye Shqipninë në republikë të shtatë të Jugosllavisë. Dy vëllazen, dy viktima të asit tradhëtar Tiranë/Beograd.

(Në foto: Gjuhëtari dom Nikollë Gàzulli me atdhetarin legjendar Prekë Cali, të dy të pushkatuem nga diktatura komuniste).

Ahmet Zogolli nuk e ndërpreu asnjëherë luftën kundër Klerit Katolik. Jo rastësisht ipeshkvijtë i drejtoheshin më 1933 (kur i patën zanë “dritën” shkollat katolike) se, “Na jemi këtu prej dymijë vjetësh; katolikë atëherë edhe sot, shqiptarë atëherë shqiptarë edhe sot”.

 

Gjoni leu në Dajç të Sapës (Zadrimë) me 26 Mars 1893. Mësimet e para i bani në shkollën e fshatit, që e kishte çelë Dom Ndre Mjeda.

Si vijoi të mesmën në Shkodër, studimet e matejshme i ndoq në Itali dhe Austri, ku ishte edhe vëllaj tjetër, Nikolla.

Ai u Shugurue Meshtar me 4 Gusht 1919 në vendlindje, në Dajç. Mbas një shërbimi të shkurtë në Gjadër të Lezhës, e çuen në Qelëz të Pukës.

Tue pa trazimet e Atdheut, ai u angazhue përkrah Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Fan Nolit, Bajram Currit, At Gjergj Fishtës, At Anton Harapit, Hasan Prishtinës, në atë krah që asht quejtë në histori “opozita”, pse i ishte kundërvu “popullores” së Ahmet Zogut, dhe në zgjedhjet politike të vitit 1923 Dom Gjoni u zgjodh deputet.

Kurse “Popullorja” ishte e përbame prej mbetjeve ma të përçudnueme të Stambollit, ashtu si i ka pikturue At Fishta, “Ky babën gjaks, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer…hasëm të kulturës…”; ata nuk përfaqësonin asnjë interes të popullit shqiptar, po një interes të ngushtë bejlerësh që donin me ruejtë ato previlegje që i kishin sigurue tue i shërbue pushtuesit otoman, kryesisht në një rreth nepotik: Ahmet Zogu, nipi i Esat Pashë Toptanit, dhandrri i Shefqet Verlacit, kunati i Ceno bej Kryeziut, një qerthull mehmurësh anadollakë, të shitun te serbi deri në ditën e vdekjes.

Ndërkohë, tue qenë meshtar në Qelëz, meshtari-deputet Dom Gjon Gazulli kreu atë akt që për kohën ishte një veprim revolucionar i pashembullt: Hapi në qelë (shtëpinë ku banonte vetë, ashtu si banë edhe shumë klerikë të tjerë) shkollën e parë mikse në botë. Po po, në botë. Asht diçka e vështirë për brezin e ri me kuptue disa gjana, por edhe në Europën e përparueme shkollat mikse (djelm e vajza bashkë) janë çelë për herë të parë mbas Luftës së Dytë Botnore, në Francë më 1948, kurse në Itali katër vjet ma vonë, më 1952. Kurse ai, prift, hapi në qelë  shkollë mikse me djelm e vajza bashkë, të krishtenë e muslimanë bashkë.

Jo rastësisht një ndër votuesit e Tij kryesorë, se zgjedhjet në atë kohë baheshin me përfaqësim, ka qenë Myftiu i Hasit. Kur Musa Juka iu drejtue Myftiut: “Po ti, si nuk pate turp e votove për priftin?!”, Myftiu, pa prishë terezinë, iu gjegj i qetë: “Nuk votova për priftin, po për atë që po na mëson përditë çka do me thanë Shqipni, çka do me thanë Atdhé”.

Vrasja e Avni Rrustemit çoi në trazimet e qershorit 1924 dhe ramjen e “popullores”. Zogolli u strehue në Beograd. Diçka duhet t’u thotë kjo atyne që kanë vesh me dëgjue e sy me pa: Mjaft të lexoni marrëveshjen ma sipër në mes Pashiçit dhe Zogollit. Dhe prej atje, me paret e Serbisë dhe ruset e bardhë të Wrangelit “rimori” Tiranën. Vallë as këto fakte historike që i ka në dorë një Europë mbarë mbi tradhëtinë e Zogollit historianët tanë nuk i dinë?!

Dom Gjoni nuk u largue kur në Shqipni u rikthye Zogu me hordhitë serbe e bjellogardistët. Nuk iku as atëherë kur Zogu i vrau miqtë e Tij ma të mirë, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin.

Atë, mbasi iu desht të përballej në krye të pukjanëve të Qelzës  me  shumë boshibozukë të Pëllumb Lleshit, që shkonin tue gjuejtë kudo ndeshnin Kryqat e tue vra edhe pukjanët e pafaj tek ktheheshin me bagëti a prej mullinit, në shkurt 1926 e transferuen dhe e çuen në Koman. E puna e parë që bani sa u vendue atje ishte me hapë edhe aty një shkollë.

Ahmet Zogu, para se me i shprehë dëshiren e zjarrtë ambasadorit anglez me varë klerin katolik, po zbatonte politikën e tokës së djegun ndër krahinat e krishtena të Mirditës, Pukës, Zadrimës, Dukagjinit, Malësisë së Madhe me andërren e fshehtë që të ishte jo sundimtar i Shqipnisë, po i Arnautistanit anadollak. E për të realizue këte, duheshin zhdukë, ose ma e pakta, të mundoheshin, sa t’i detyronin me lëshue vendin, Katolikët e Maleve, kurrë të shtruem nga pushtuesit e tiranët, pse si thotë Imzot Noli, “Vetëm Malësorët e Veriut mbetën Katholikë me armë në dorë…”.

Kështu, në verën e vitit 1926, Zogu i kishte dhanë letër të  bardhë një katili si Ismajl Osmani, që shkretoi fshatrat e Pukës me njerëz e me pasuni. E njejta gja po ndodhte prej Fanit në Dukagjin. Ajo që asht quejtë Kryengritja e Veriut kundër Zogollit, në të vërtetë nuk ka qenë tjetër veçse mbrojtje e lirisë e deri e egzistencës fizike nga masakrat mbi popullin e pambrojtun të barbarit diktator të Matit.

Postkomandanti i Pukës Dedë Sadrija kishte marrë urdhnin drejtpërdrejt nga Zogolli: Të digjet Puka, sikur edhe për shtatë vjet atje të mos mbijë ma bar!

Kështu kishte ba dikur edhe Turqia! Ahmet Zogolli po u dëshmonte shqiptarëve si ishte nip “i dejë” i Esat Pashë Toptanit!

Dom Gjon Gàzulli, në pamundësi me ndejë ma në Koman, pse rrezikohej jeta e Tij, u strehue në Kalivare. I thanë të largohej nga Shqipnia, nëse donte të shpëtonte kryet. Po jo: Ai nuk do ta linte kurrë truellin amtar! Ai, në luftë me Nënprefektin anadollak të Pukës për çashtje të shkollës që mbante në Koman, Ai, që ishte i mbuluem me nder prej Hasit në Zadrimë, tashti ishte rrethue prej çakejsh e nuk mund të kthehej ma as deri në famullì. E Zogolli nxitoi t’i thurte të gjitha kurthet: së pari, një hoxhë fanatik, që rrejti një njeri qyqan e mendjeshterpë tue e nxitë t’i bante një padi; sekretari i Prefekturës Ismaijl Axhemi (me origjinë turke), nënprefekti Abedin Sakiqi, komandanti i rajonit Rexhep Aliaj – të gjithë të angazhuem me provue “fajsinë” e tij.

 

DOM NIKOLLË GÀZULLI

 

Dom Gjon Gàzulli, Dom Nikollë Gàzulli, Dom Lekë Dredha u arrestuen në Kalivare me 28 dhjetor 1926.

Gjyqi, një ndër farsat ma të neveritëshme të Zogollit, akuzoi Dom Gjonin dhe shokët e Tij se: 1) Kishte organizue kryengritjen; 2) Kishte shpërnda armë ndër male; 3) Kishte pre telin e telefonit. Po po, e akuzuen se kishte pré telin e telefonit!

 

Vendimi i gjyqit:

Dom Gjon Gàzulli, dënim me vdekje, varje në litar.

Dom Nikollë Gàzulli, me burg të përjetshëm …. (Mbas 4 vjetësh burg në Kala të Gjirokastres, me ndërhymjen e intelektualëve ma të shquem të kohës, e liruen.

Sa duel prej burgut, iu dogj qela (shtëpia e banimit) “aksidentalisht” bashkë me dorëshkrimet. A nuk i ishte djegë 15 vjet ma parë biblioteka e pasun edhe të Madhit Imzot Kaçorri?! Haxhi Qamilët, që dogjën shërbëtorin, qelën e bibliotekën e Imzot Kaçorrit, nuk i kanë mungue kurrë Shqipnisë.

Arsyeja e vërtetë: të masakroheshin priftënit, ashtu si ishin masakrue për pesë shekuj nga etnit e tij shpirtnorë, osmanët. Por jo si klerikë, pse atëherë do të mbeteshin Martirë të Fesë, por si politikanë.

Ja pra: “Sa dëshirë do të kisha me i varë… “

Pjesa e pashkrueme e atij vendimi gjyqi kishte ma shumë randësi se dënimi me varje i Dom Gjon Gàzullit. Me atë varje barbare Zogolli u thonte të gjithëve: Ose rrini urtë, ose të gjithë në litar si prifti!

Ja një fragmente nga intervista dhanë revistës gjermane “Korrespondez des Priestergebetsve” nga oficeri i ngarkuem me varjen e Dom Gjonit, Xhemal Dibra:

“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin endè të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të  ndodhte.

Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim  im). … Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës... Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më Rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, Rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjegjet Gàzulli, të mbramin Rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu Ai u rrëfye në sy tanë. Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se po shndritte krejt fytyret.

Tash u çil dera e burgut, e u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time.

Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.

Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij Prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft!

Atëherë Ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.

Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i vdekun!– Kështu foli kapiteni. Ishte dita e 5 marsit 1927

...Ishte dita e 5 marsit 1927!

Katër orë mbas varjes, Zogolli, kjo mbeturinë me djallëzi orientale, dërgoi një telegram ku gjoja i falte jetën.

Nuk e di nëse ishte Shejt apo jo. Di po, se edhe sot mbas 85 vjetësh Varri i Tij në “Rrëmaji” në Shkodër asht qendër pelegrinazhi e Shqiptarëve e se Ai ishte Atdhetar, aq sa në gjyq pat lanë atë thanjen e Tij lapidare:

I vetmi faj që i njoh vetes, asht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për té”.

Pat shkrue më 1942 At Gjon Shllaku për Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Dom Gjon Gàzullin:

Fatosa të vramë dy herë, nji herë kur i mbyten, dhe nji herë kur i lanë në harresë.

Po jo, nuk do të harrojë Populli i Shkodrës, i Krishten apo Musliman qoftë. Do të jetë gjithmonë dikush që do të çojë lule tek Ai varr, dikush që do të ndezë një qiri, dikush që do t’i drejtohet në heshtje: Dom Gjon, lutu për né, se përsëri sot po vazhdojmë me ju vra. Nuk po dijmë çka bajmë, Dom Gjon, po rivrasim të vramët e po vritemi edhe mes të gjallëve !…

 

Këshillime:

At Gjergj Fishta O.F.M. – Trazimet e qershorit 1924 (Hylli i Dritës, Nr. 5, 6, 1924)

At Gjon Shllaku O.F.M.– Të vramë dy herë …. (Hylli i Dritës, Nr. 6, 1942)

At Konrad Gjolaj O.F.M. – Libri “Çinarët”, Shkoder 1996.

Dom Nikollë Gazulli – Fjalori toponomastik (Gazullorët), Hylli i Dritës, 1941

Fritz Radovani – Vllaznit  Gazulli dhe “Peshorja e drejtësisë” shqiptare. 2010.

La Croix, Francë, 28.06.1933