| E merkure, 29.02.2012, 08:55 PM |
Sejdi BERISHA:
P O E Z I
HOQA SHQIPONJEN NGA FLAMURI...
(Mos më qortoni, ndoshta kjo nuk i ngjanë poezisë, as historisë!)
1.
Shikoja flamurin si valonte
Mendueshëm në erë
Flladi i puthitej për trup
Gjithnjë kështu
Derisa nga pëlhura e kuqe
Hoqa shqiponjën
Fluturo e lirë kah të duash
I thashë
Ajo mori krahë
Dhe u zhduk shkrepave
2.
Ngjyrën e kuqe
Nga pëlhurë e flamurit e nxora
Shko dhe gjeje qarkullimin e gjakut
I thashë
Iku si mos të kishte qenë
Shprushte gjakun e njeriut
3.
Një ditë
Sërish shikoja flamurin si valonte
Më te
Ishte kthyer shqiponja
Edhe ngjyra e gjakut
Këtu e kemi vendin-thanë
Dhe s’lëvizim dot
Jemi shekujt duke i përcjellë
4.
Thashë
Po sa shumë janë të lidhura
Shqiponja me ngjyrën e kuqe
Atëherë
Nëse përpiqet t’i ndajë këto dy madhështi
Të mbështjella me libra krenarie
Me dhembje e lumturi në gji
5.
Pëlhura
Ngjyra e kuqe dhe shqiponja
Sa herë janë copëtuar
Sa herë djegur
Sa herë janë futur në gji
Sa herë e kanë mbështjellë trupin e njeriut
Sa herë janë bërë grimë-grimë
Dhe sërish janë të lidhura bashkë
Çfarë dashurie është kjo
Që nuk peshohet me barrën e shekujve
As dot nuk e ndryshkin kohërat
STINËT E KËPUTURA
Jeta ime
I ka stinët e këputura
Vitet
Asnjëri me tjetrin nuk takohen
Muajt
Shpinën kthyer në mes vete
Javët
Ato hallka të ndryshkura
Ditët
Në skllevër shndërruar
Orët
Me tik-takun e hidhëruar
Minutat
Tallën me lavjerrësin e orës
Të gjitha këto madhështi
Në ngjyrë pikturash
Shndërruar më kanë
Le të pikturojë
A ka dikush
Që këto fjalë e këto shkronja
T’i murosë në lartësitë e këngës
Në thellësitë e lotit t’i ruaj
Sepse jeta ime
Është me stinë të këputura
Por që i ngjajnë pranverës
Sa i krisur
Shndërruar jam në pelegrin
Hallkën e bashkimit për ta gjetur
O Zot
Sa tmerrshëm marrë frymë
Për ngrohtësinë e tokës
Për lartësitë përrallore të shqiponjës
Për durimin e gjakut
Për peshën e fjalës
Për këtë arsye
Jeta ime
I ka stinët e këputura