Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: Program i shkëlqyeshëm artistik nga nxënësit shqiptarë në Vjenë

| E diele, 26.02.2012, 05:02 PM |


Program i shkëlqyeshëm artistik nga nxënësit  shqiptarë në Vjenë

 

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë

 

Në Austri mësimi i gjuhës amtare është pjesë e Ministrisë së Arsimit shtetëror dhe zhvillohet bashkë me mësimin e rregullt në shkollat publike. Kjo e lehtëson shumë punën e mësuesve, e siguron vijueshmërinë dhe ndihmon aktivitetet kulturore në gjuhët amtare. Edhe kësaj radhe për festën e 17 Shkurtit-Ditës së Pavarësisë së Kosovës bashkia e 15-të kishte siguruar sallën e bukur në ndërtesën e saj.  E zbukuruar me flamuj, pllakate dhe koloritin e kostumeve kombëtare ringjallte krenarinë dhe ndjenjat kombëtare. Programin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre z.Dr.Sabri Kiqmari, ambasador i Kosovës, Znj.Alma Shehu, sekretare e parë e Ambasadës së Shqipërisë në Austri, Nga Ambasada e Kosovës mysafir ishin: Zana Rugova, sekretare e parë, Anton Marku, këshilltar i parë. Nga veprimtarët mysafir duhet veçuar: Dr.Dr. Ilir Çaushi, kryetar i Institutit Shqiptar në Vjenë, Dr. Ina Arapi, studiuese gjuhësie, Prof.Dr. Ismail Kabashi, profesor në UN-Prishtinë. Skulptori i njohur shqiptar në Austri z. Destan Gashi dhe piktorja Barbara Gashi e nderuan manifestimin. Ishte prezent edhe Januz Saliuka, veprimtar shqiptar dhe punëtor në sektorin për integrim. Mysafire e nderuar ishte gjithashtu znj.Elizabet Nevyel, mësuese e cila e përkrahu dhe ndihmoi mësimin e gjuhëve amtare në Vjenë.  Programi  u hap me himnin kombëtar dhe shtetëror të Kosovës i kënduar nga kori i nxënësve nën drejtimin e mësuesit veteran Prof. Shefqet Gashi.

Fjalë përshëndetëse mbajti Dr. Sabri Kiqmari, ambasadori i Kosovës në Austri. Ai mes tjerash tha se mësimi shqip ka rëndësi shumë të madhe në ruajtjen e identitetit dhe kulturës sonë. ,,Ne i falënderojmë organet arsimore austriake për përkrahjen e gjithanshme që i japin mësimit të gjuhës amtare. Gjithashtu ai përshëndeti nxënësit që me aq përkushtim e ndjekin mësimit në gjuhën shqipe, si dhe prindërit e veçan mësuesit/et që bëjnë një punë me përkushtim në kultivimin e gjuhës e kulturës kombëtar. Në fund Dr. Kiqmari ua uroi festën të pranishmëve. Nga Ambasada e Shqipërisë përshëndeti, Znj.Alma Shehu, sekretare e Ambasadës. Në fjalën e ti Z. Anton Marku, uroi festën dhe i  përshëndeti të pranishmit.

Në emër të organizatorit përshëndeti Prof. Osman Ademi, mësues i cili u përkujdes për rrjedhën e programit. Paraqitjen e programit në të dy gjuhët e bëri Flutura Ademi, nxënëse. Manifestimi ishte i pasur me këngë, recitime dhe pjesë teatrore të përgatitur nga nxënësit nën drejtimin e mësuesve/eve: Shefqet Gashi, Osman Ademi, Miradije Berisha, Ibrahim Hasani dhe Hazir Mehmeti.  Nxënësit që marren pjesë në programi ishin: Erona Spahiu, Asije e Lirik Borova, Rina,Melisa e Dona Mavraj, Saranda Maliqi, Elbasan e Mirjeta Veseli, Verona Alija, Lauran Sallahu, Arta, Ajshe e Emanuela Shala, Fjolla Ademi, Albin Loshaj, Verona Rrahmani, Sara Bislimi, Albana Neziri, Edona Alija, Lirim Sherifi, Leonita Sylejmani, Justina Neziri, Floriana Aliti, Arta Baxhaku, Anita Latifi, Eneas Çaushi, Hatixhe, Jelit e Ehat Alili, Besar Ajdari, Adrian Haziraj, Nxënsja Fiona Kabashi, u dallua me lojën e saj në violinë pjesë të  ,,Concertino” nga Ferdinand Küchler. Një lojë teatrore me muzikë tërheqëse ishte nga shoqet Blerta Ismaili dhe  Paloma, prindërit e së cilës vijnë nga Mexika. Publikun e ngriti në këmbë me lojën e tij në çifteli dhe këngën kushtuar pavarësisë, nxënësi 7 vjeç Alban Spahiu. Ai tregoi mjeshtri që e kalon bindshëm moshën e tij. Prindër e mysafirë u ndanë të kënaqur ku nuk munguan as lotët ngazëllues nga ajo çka panë e përjetuan nga shkëlqimi i fëmijëve shqiptar. Ishte një çast prekje e vendlindjes në shpirtin e trashëguar artistik.