| E diele, 19.02.2012, 09:01 PM |
Në emër të popullit mbrohet karriga
Shkruan: Shaban Peraj
Me përhapjen e pluralizmit demokratik në Evropë u përfshim edhe ne shqiptarët në Mal të Zi, u organizuam politikisht, formuam parti politike me të vetmin qëllim që të mbrohen të drejtat kolektive të komunitetit të këtushëm, po edhe për të ngritur zërin për padrejrësitë që na u bënë në vazhdimësi. Ndodhi ajo që nuk është dashur të ndodhë, u thye kolektiviteti, u formuan shumë parti politike me çka vlerat kombëtare u kthyen në antivlera në të gjitha sferat e jetës. Si duket për fillim ishim në ëndërr ndaj edhe sot vazhdojmë të shohim ëndrra me sy çelur duke menduar se kjo është vetëm një e keqe që na ka pëfshi gjatë gjithë kësaj kohe. Tani duket se kemi shkuar aq larg me veprimet tona sa që e xhveshëm komunitetin shqiptar në trojet e veta etnike nga çdo gjë duke ia mohuar edhe simbolet kombëtare si diçka e fundit që i ka mbetur këtij populli. Ky mohim bëhet nga ata që duan të arsyetohen se simbolet tona kombëtare janë simbole të një shteti tjetër pa e vra mendjen se të njëjtit (pra simbolet kombëtare) janë përdorur para se të formohet shteti, dhe këta ndër shekuj populli ynë i ka mbrojtur me dinjitet e krenari gjatë gjithë kohës. Më e keqja e të gjitha të këqijave është se në këtë farsë janë përfshi edhe përfaqësues shqipfolës të cilët asnjëherë në asnjë rast nuk e thanë një fjalë të mirë për të arsyetuar vuatjet që përjetoi populli ynë, sakrificat e tij për mbrojtje të simboleve kombëtare, robërinë e gjatë ndër më të gjatat në rajon. Edhepse ishim në robëri kemi kërkuar, ruajtur dhe mbrojtur simbolet tona historike dhe Flamurin Kombëtar gjatë gjithë kohërave, sado e vështirë të kenë qenë ato. Falë tyre të parët tonë sollën lirinë, atë liri që na mungonte me shekuj e që sot duket se po e humbasim me dorën tonë.
Po me këta përfaqësuesit shqiptar çfarë po ndodh? Pak ditë më parë RTK-ja dha një emision debat ku mysafirë ishin të zgjedhurit e komunitetit të këtushëm tek të cilët u pa qartë varfëria e tyre politike, lufta e mbrendshme që i ka kapluar që nga thash e thëmet e pabazuara në argumente e deri te gjetja e fajit te ata që “ishin të ftuar” e nuk morën pjesë, te ata që e “kanë për detyrë” të bëjnë më shumë trysni te politika zyrtare malazeze, ku me patriotizmin e tyre fitohet bindja se të zgjedhurit e popullit nga vota jonë e të ulur në karrigat e Parlamentit të Malit të Zi, sot nuk qahen edhe aq pasi shumica prej tyre jetojnë më mirë se shumë kolegë të tyre në Evropë.Këta vetëm konstatojnë për pushtimin politik e ekonomik që po na bëhet, pa pasur guximin të përballen me normat e vërteta të demokracisë. Këta si problem shohin vetëm politiken tyrtare malazeze, një krah të subjekteve politike shqiptare, politikën zyrtare në Tiranë e Prishtinë duke mos dashur të pranojnë se janë po aq fajtorë edhe vetë, apo edhe më shumë nga mënyra që kanë zgjedhur për të mbajtur karrigat e deputetëve. Këtë tashmë e dinë të gjithë.
Për hirë të korrektësisë duhet thënë se zëri i ndonjërit nga këta dëgjohet më tepër, por ç’e do se po dëshmojnë mungesë të tolerancës, mirëkuptimit, kulturës së debatit, për çka vetëm fjala patriotizëm u ka mbetur në gojë dhe të zënë frymën e të detyrojnë të mendosh se vetëm ata kanë të drejtë, të tjerët ua kanë fajin. Me paraqitjet e tyre ne mediet elektronike, po në në takimet që kanë pasur me një pjesë të opozitës kosovare dëshmon se nuk kanë sens për të respektuar sistemin institucional e për të “qarë” duhet te ai që bënë politikën zyrtare, pavarësisht na pëlqen apo jo. Kjo është rruga e vetme për të shpalosur problemet e shumta që kemi, sepse “fëmia pa qa, nëna nuk i jep të pijë”, dhe aty dëshmohet sinqeriteti, aty bëhen plane për veprime të mëtutjeshëm, ndryshe nuk ka kujt t’i mvishet faji se për çka biseduam, sot kur vuajtjet e popullit janë në rritje. Se fajin na e kanë të tjerët, pa i vra ndërgjegja e për të bërë vetkritikë dëshmonë të gjitha dobësitë e tyre politike, pasi ata janë aty ku duhet vendosur me përgjegjësi, dhe nëse jo atëherë ata dhe vetëm ata kanë mekanizma të tjera për të vepruar.
Nëse dikur vuajtëm se për një prijës nuk kishim njerëzit e duhur, nuk kishim si të përparonim, sot kujt t’ia mveshim fajin për situatën tonë që tash e njezetë vjet nuk lëvizë nga vendi vetëm me konstatime, me retorikë e mënyrë veprimi të demoduar tashmë. Kjo dëshmon se disa nga të zgjedhurit e popullit nuk kanë ide, apo nuk duan të pranojnë se u ka ikur koha, ndaj jeta jonë mbetet ëndërr që vazhdon me trauma duke sjellur shumë njerëz në gjendje pa rrugëdalje, të papunë, pa sigurim social. Si nuk kujtohen këta se njerëzit e lodhur nga halli i mbijetesës, nga vuajtja për ekzistencë nuk kanë çka tu besojnë më, ndaj përrallat për fajsim të këtij apo atij për të gjitha fatkeqësitë që na goditën nuk janë vetëm të huajat, por edhe tonat. Dhe, jo vetëm kaq, por mënyra se si paraqitën këta është shembulli më i keq i mundshëm që mund t’i bëhet një komuniteti, siç është ky i yni. Nuk gjej shpjegim tjetër për të arsyetuar veprimet e tyre në parlamentin malazias, ku të njëjtit bëhen sikur kundershtojnë ligjet e propozuara apo kërkojnë shtyrjen e votimit të këtyre ligjeve, ndërsa nuk e lëshojnë parlamentin, duke u bërë pjesë e plotësimit të shumicës pranojnë të jenë bashkëfajtorë për ligjet diskriminuese që u sjellin shqiptarëve në Mal të Zi.
Me shpresë se dy shtetet shqiptare do të bëjnë përpjekje për të gjetur rrugë e për t’i orientuar këta në rrugën e duhur, dhe jo vetëm kaq, po edhe për të dhënë shembullin më të mirë se si duhet punuar për të mirën e popullit. Të paktën kësaj radhe mbetet të shpresojmë.