| E shtune, 18.02.2012, 05:05 PM |
Rrëfim i sh-ushtarit të UÇK-së Sinan Morina, i arrestuar nga policia austriake me fletarrest nga Serbia
Serbia lëshon flet arrest, emri i tij nuk figuron në Shoqatën e veteranëve të UÇK-së
Ekskluzive nga Ramiz Selimi
“Ajo që është më absurde emri im nuk figuron as në listën e veteranëve të luftës së UÇK-së, as nuk kam marrë kurrfarë ndihme, ndërkohë që Serbia për të dytën herë lëshon fletarrest si pjesëtar i Njësisë Speciale të UÇK-së” - thotë Sinani
Kur kemi parasysh historinë e popullit shqiptar në tërësi, historia dhe përvoja e saj na mëson se si duhet të jemi të kujdesshëm ndaj fatit që më shekuj e përcolli shqiptarin dhe kombin në tërësi. Padyshim këtë histori, diku të dhimbshme e tragjike, diku pak më liri e shumë me lot, po e përjetojmë edhe në ditët e sotme.
Sinan Morina më në fund është i lirë. Ditë më parë Gjykata rajonale në Klagenfurt të Austrisë, e liroi nga paraburgimi ish-ushtarin e UÇK-së, z. Sinan Morina, i cili ishte arrestuar me 22 nëntor të vitit 2011, pas një flet-arresti të Serbisë, sipas të cilit ai kërkohet për shkak të krimeve të luftës, krime kundër njerëzimit.
Sinan Morina ish-ushtar i njësisë speciale të UÇK-së, u lirua pas angazhimeve të shumta të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë. Ai u burgos në bazë të një flet-arresti të Interpolit të lëshuar nga Serbia, në autobusin i cili udhëtonte nga Sllovenia për Gjermani.
Serbia kishte kërkuar me ngulm ekstradimin e tij, ndërsa autoritetet tona në krye me z. Isa Kosumi kanë dhënë maksimumin për lirimin e tij, përmes kontakteve të shumta me miqtë austriak. Në të kundërtën ai rrezikonte vërtet ekstradimin në Beograd.
Ne vizituam Sinan Morinën dhe biseduam me të pas lirimit nga paraburgimi. Në fytyrën e tij vërehej një lehtësim pas lirimit, por në anën tjetër aty mund të lexoje edhe një enigmë apo udhëkryq në të cilin gjendej ai.
Na tregoni pak se kush është Sinan Morina dhe si ndiheni pas lirimit nga paraburgimi?
Sinan Morina: Jam i lindur në Opterushë të Rahovecit me 1972, shkollën fillore e kam kryer në vendlindje, për shkak të problemeve financiare e kam ndërprerë edhe shkollimin e mëtutjeshëm. Nuk mund të them se ekonomikisht qëndroj mirë, pasi që vijë nga një familje e varfër. Jam i martuar dhe kam katër fëmijë, tokë të punuar nuk posedoj, jetoj në një shtëpi që gati sa nuk është rrënuar. Isha një nga të parët e fshatit që kapem pushkën kundër pushtuesit, unë bëja pjesë në njësinë speciale. Çka të them për pyetjen tuaj të dytë, natyrisht që ndihem mirë dhe i lehtësuar që më në fund do të kthehem në shtëpinë time.
“28 serbë kanë dëshmuar në procesin kundër meje në Gjykatën serbe në Beograd”
Ju ka ndjekur një histori shumë interesante, kishte me qenë mirë që të ju tregoni lexuesve pak më shumë për periudhën e luftës?
Sinan Hoxha: Unë ju thashë më lart se kam qenë ushtar i UÇK-së por jo ndonjë komandant. Pra kam qenë një ushtar i thjesht që bashkërisht me dhjetë persona nga fshati formuam një njësit të UÇK-së. Bile, bile në fillim as uniformë nuk kishim. Nuk kemi lënduar asnjë civil, gjatë verës apo saktësisht në gusht 1998 sepse në atë kohë unë jam larguar për Gjermani. Emri im figuron në të gjitha regjistrat serbe me shpifje nga një grup tjetër, e që unë nuk isha pjesë e atij grupi. Asnjë nga ata emra më të cilët akuzohesha unë, nuk i kam njohur dhe kurrë nuk i kam takuar në jetën time. Madje ajo që është më absurde emri im nuk figuron as në listën e veteranëve të luftës së UÇK-së, as nuk kam marrë kurrfarë ndihme, e unë nuk e di pse është kështu!
Ju keni vuajtur një dënim në Beograd në vitin 2007 me një vit heqje lirie. Çka mund të na thoni për këtë?
Sinan Morina: Po kanë qenë 28 serb e serbe nga Opterusha të cilët Gjykata i ka thirrur për të dëshmuar kundër meje, por asnjëri prej tyre nuk me kanë njohur, përveç një serbe që ka thënë se me njeh si person, bile më thirri me emër e mbiemër, Sinan Morina më tha ajo. Ajo më njohu sepse shtëpia e saj ka qenë afër shtëpisë time. Por ajo foli mirë për mua, familja nga e cila vjen Sinani tha ajo, është familje e mirë dhe nuk ka bërë masakër apo kidnapim serbësh. Më pas mua më liruan autoritetet e Beogradit dhe më thanë që jam i lirë. Por liria ime nuk zgjati shumë. Serbia përsëri për befasinë time ngriti aktakuzë kundër meje, pra prapë aktakuzë. Nuk po mund ta kuptoj këtë fakt kur vetë një gjykatë serbe më ka shpallur të pafajshëm, tash një tjetër ngre aktakuzë kundër meje. Edhe njëherë po ju them, se unë nuk kam vrarë e as kidnapuar njerëz të asnjë nacionaliteti. Ku po shkoj, si në Mal të Zi, Kroaci, Slloveni apo Austri, prokurorët po thonë se Serbia ka ngritur aktakuzë të re dhe po kërkon nga shtetet të më ekstradojnë në Serbi. Përmes gazetës suaj, unë po ju bëj apel forcave ndërkombëtare të intervenojnë të organet serbe dhe ta ma heqin këtë aktakuzë, sepse jam plotësisht i pafajshëm.
“Ministri Kuçi dhe Ambasada e Kosovës në Austri më kanë ndihmuar”
Nga viti 2007 pothuajse gati gjithë kohën e kaluat nëpër burgje me urdhër dhe fletarrestime serbe. Në këtë periudhë keni pasur edhe kontakte të shumta me organet tona shtetërore. Na tregoni pakëz për sjelljen e institucioneve tona dhe interesimin e tyre për ty?
Sinan Morina: Këtu në Austri institucionet tona më kanë befasuar për mirë. Më duhet t’i falënderoj nga zemra institucionet për angazhimin e tyre të pa ndërprerë deri në lirimin tim. Pa ndihmën e tyre, unë do të përfundoja në Beograd. Në gjykatën rajonale te Klagenfurtit e kam parë me sytë e mi edhe një shkresë të dërguar nga z. Hajredin Kuqi, ku kërkohej lirimi im. E që nuk mund ta them për Ambasadën tonë në Kroaci, e cila as për së afërmi nuk është aktive si kjo në Austri, kur unë i mbajta 15 muaj paraburgim në këtë shtet. Pas dy ditëve nga arrestimi im jam vizituar nga personi i Ambasadës z. Isa Kosumi, i cili më ka këshilluar, qetësuar dhe premtuar se do të bëjnë të pamundurën për të penguar ekstradimin tim në Serbi. Jam shumë i lumtur që nuk po ekstradohem në shtetin i cili po dëshiron të më dënojë 40 vjet burg.
Cilat janë kërkesat tua ndaj institucioneve tona dhe atyre austriake?
Sinan Morina: Kisha vetëm një kërkesë, që organet shtetërore të Republikës së Kosovës të bëjnë ?mos për të më liruar dhe penguar ekstradimin tim në Serbi. Më kujtohen tri pyetje që i bëri z. Mag. Isa Kosumi prokurorit të shtetit z. Borotschnik, pyetja e parë ishte, pse e keni ndaluar dhe arrestuar qytetarin tonë, përgjigjja ishte e zakonte, me flet arrest ndërkombëtarë, pastaj e pyeti, a e dini z. prokuror se Serbia bënë një lojë politike karshi ndërkombëtarëve, për të barazuar krimet e bëra në Kosovë nga shteti serb, me luftën e drejtë të UÇK-së, ai tha se arrestimi im në Austri nuk është politik, por këto janë rregulla ndërkombëtare. Prokurori i tha se nuk e kam shkelur asnjë ligj të Austrisë sepse isha me dokumentacion të rregullt, me vizë Shengen. I falënderojë nga zemra institucionet, e posaçërisht personin që më vizitoi shpesh zotin Isa Kosumi.
Çfarë ishte trajtimi dhe a e keni ndonjë ankesë?
Sinan Morina: Jo nuk kam vërejtje për personelin e burgut, trajtimi im ishte sikur të gjithë të burgosurit tjerë, jam trajtuar në mënyrë korrekte. Por e kam një vërejtje në shtypin ditor “Kärtner”, i cili shkruan për mua në formë brutale, sikur unë të isha vërtet një kriminel. Nuk po mund e kuptojë se si në një shtet demokratik si Austria, rrjetin social Facebook një gazetë e tillë e shfrytëzon për nxjerrjen dhe publikimin e fotove të mija dhe djalit tim.
“Jam shumë i dëshpëruar me njerëzit udhëheqës në Kosovë”
Çka ju ka shtyrë më shumë që vazhdimisht keni tentuar dhe po tentoni të shkoni në mërgim?
Sinan Morina: Unë e kam një gjendje shumë të vështirë ekonomike, kam luftuar me vullnet dhe dëshirë, edhe unë jam pjesë e kësaj Kosove. Zoti gazetar po ju sqaroj se unë isha i punësuar në mërgim, pikërisht në Gjermani me dokumentacion të rregullt. Mua pasi që me burgosën në vitin 2007 në Mal të Zi, me vuajtjen e dënimit në Serbi, me lëshimin e flet-arresteve të reja, ?do gjë ka ndryshuar. Pas lirimit nga burgu i Beogradit me 2008, kam jetuar një kohë në Kosovë. E kam pasur tepër të vështirë të ju sigurojë fëmijëve kafshatën e gojës. Unë ju thashë edhe më herët se tokë të punueshme nuk kam, në shtëpinë time pikon shiu, punë nuk po mund të gjej, e ndihma nuk më ka ofruar askush, hajt tregomë si me jetua, ky është shkaku pse unë po dëshiroj prapë te shkoj atje ku kam punuar, që fëmija im të jetojë së paku si njeri.
Kosova tani është shtet. A është ky shteti që e keni paramenduar dhe për të cilin keni luftuar ju?
Sinan Morina: Po më vjen keq që më duhet edhe në prezencën e personit zyrtar ta them të vërtetën, se ky nuk është shteti për të cilin kam luftuar unë. Hiq rastin tim dhe angazhimit të pashoq për lirimin tim, sa i përket anës ekonomike dhe rregullave shtetërore ky shtet lë shumë për të dëshiruar. Jam shumë i dëshpëruar me njerëzit udhëheqës në Kosovë, që edhe pas 13 viteve shumë qytetarë për shkak të kushteve të rënda ekonomike po tentojnë të ikin jashtë, për të jetuar një jetë më të mirë. Vallë, a luftova unë që të vdes urie në vendin tim!
Çka ju preferoni shokëve si ti, me probleme të njëjta?
Sinan Morina: Çka do të ju preferojë atyre, ata që i kanë kushtet ekonomike si unë, nuk kanë rrugëdalje tjetër, ose të bëhen hajna, kriminelë, apo të zgjedhin rrugën e mërgimit. Unë mund të ju preferojë të qëndrojnë në Kosovë, por lukthi vazhdimisht kërkon ushqim. Ushqimi nuk mund të sigurohet pa tokë, pa punë, me dëshirë askush nuk ik nga vendi i vet. Qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjente për këto familje, në mënyrë që këta njerëz të kenë mirëqenie normale. As unë nuk jam dalë që kisha dëshirë me i vizituar vendet evropiane, por jam dalë jashtë të ju sigurojë bukën familjes dhe fëmijëve. Fëmijët të futin në zjarr kur i sheh që nuk kanë ushqim, dhashë zoti e nuk provohet njeri me këto probleme te mbijetesës .
Ndoshta do të ishte më mirë të gjendet një zgjidhje nga organet shtetërore për ju me flet-arreste serbe deri në eliminimin e tyre, apo?
Sinan Morina: Natyrisht ma mirë është me gjetë një zgjidhje, se sa me i mbushë burgjet evropiane me qytetarë të Kosovës. Zgjidhja është ndihma direkte me mjete financiare familjeve të rrezikuara dhe familjeve të veteranëve të luftës.
“Ata që i kanë veshur uniformat pas lufte më thanë se nuk të takon asnjë ndihmë!”
Ne u informuam nga institucionet se pakëz jeni edhe vet fajtorë që deri tani nuk e keni hapur historinë, nuk keni kërkuar ndihma, ku qëndron shkaku?
Sinan Morina: Po unë isha i punësuar në Gjermani dhe nuk më ka vajtur mendja që ta ngarkojë ose të kërkoj ndihmë nga qeveria. Po unë kërkova ndihmë para tri viteve, atëherë kur ishte nevoja, por ata që i kanë veshur teshat e UÇK-së pas lufte më thanë që nuk më njohin dhe nuk më takon kurrfarë ndihme.
Çka dëshiron personalisht nga qeveria e Kosovës pasi që të ktheheni në Kosovë?
Sinan Morina: Ju bëj apel organeve tona në Kosovë që të më ndihmojnë, ta kem edhe unë një jetë normale. Kisha punuar me gjithë dëshirë, po ta kisha një punë, nuk po lypi punë me laps, po punë krahu. Me ik jashtë po i nxjerrim punë edhe ambasadave me na liruar prej burgjeve. Përderisa janë në fuqi këto flet-arreste, neve vetëm burgu na pret në vende tjera. Ju lutem më ndihmoni sepse edhe unë dua të jetoj!
Faleminderit zoti Sinan për sinqeritetin e treguar në këtë intervistë për Zemra Shqiptare, ju dëshiroj një jetë të mirë dhe shpresoj se pas kësaj interviste njerëzit kompetent në Kosovë do ta kenë parasysh situatën tënde ekonomike.
Sinan Morina: