Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Bajrami: Baladë për Jusuf Gërvallën

| E shtune, 18.02.2012, 05:11 PM |


Agim Bajrami

 

Baladë për Jusuf Gërvallën

 

Atë natë që plumbi

Në zemër të shpoi

Ti patjetër mbaje

Një motiv në gojë.

 

Një refren  kitare

Me tinguj të rrallë

Për t’i fshirë nënë lokes

Ca rrudha mbi ballë.

 

Të zgjoje kreshnikët

Që flinin nën tokë

Diellin  tonë të ndrydhur

  Goli Otok.

 

Kishte ftohtë janari

Atje në kurbet

Nën vështrim Udbashësh

Të zinj si mesjetë.

 

Nën  sy naçallikësh

Dhe mjekre çetniku

Derdhte gjak Drenica

Si ujë Ereniku.

 

Dita donte emër,

Epoka martirë

Kush vallë do t’i shkrinte

Krushqit tanë të ngrirë?

 

Duhen vrarë orët

Që flenë gjatë nën mur

Orët që nuk sjellin

Stinët me bozhur.

Lavjerrësin e ndryshkur

Që në terr kullot

Kush qëndron syhumbur

Qiejt s’i sheh dot.

 

Eh, Jusuf vëllai,

Ç’më  mbete në mëndje

Atë çast Mesia

Kish fytyrën  tënde.

 

Kishte sytë e lumit

Dhe kurmin si ah

Ishte kohë kushtrimi

Këngësh majë krah.

 

Që mbi vaje lulesh

Syth të çelte fara

Për prijësa baladash

Dhe Adem Jashara.

 

Atë natë që plumbat

Të dogjën nën bluzë

Ti patjetër mbaje

Një mëngjes në buzë.

 

Ndaj s’i ndjeve plagët

S’kishe kohë t’i ndieje

Atë çast lirisë

Shtigjet  i rrëfeje.