Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Fërkime amerikano-kineze mbi të drejtat e njeriut

| E merkure, 15.02.2012, 08:59 PM |


FËRKIME AMERIKANO-KINEZE MBI TË DREJTAT E NJERIUT

 

Nga Frank Shkreli

 

Udhëheqsi-në-pritje i Kinës,  nën-presidenti Xi Jinping gjëndet këtë javë në një vizitë katër ditëshe në Shtetet e Bashkuara.  Nga këjo vizitë nuk pritej ndonjë marrësveshje me rëndësi midis dy vendeve, por qëllimi i saj duket se ishte më shumë një rast për udhëheqsin kinez – i cili është caktuar nga Partia Komuniste e Kinës, që më vonë këtë vit të bëhet sekretar i përgjithëshëm i Partisë Komuniste kineze që udhëheq vendin dhe vitin që vjen do të marrë edhe detyrën e presidentit të Kinës -- që të njihet më mirë me udhëheqsit e administratës amerikane dhe të vëndosë marrëdhënje personale me ta.  Ai u takua, ndër të tjerë,  me Presidentin Barak Obama dhe nën-presidentin Xho Bajdën.

Gjatë takimit të tij  me nën-presidentin kinez Xi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se, “Ne mirëpresim rritjen paqësore të Kinës.  Ne besojmë se një Kinë e fortë dhe e begatë mund të ndihmojë në sigurimin e stabilizimit dhe begatisë në rajon dhe në botë.’’  Presidenti Obama priti udhëheqsin e ardhëshëm kinez në një kohë kur midis Uashingtonit e Pekinit  ekzistojnë mosmarrveshje të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut në Kinë si edhe me politikën e jashtëme të Pekinit, sidomos karshi Sirisë dhe Iranit, si edhe ndaj praktikave ekonomike kineze në tregëtinë me Shtetet e Bashkuara.

Në këtë vit zgjedhjesh presidenciale këtu në Amerikë, Presidenti Obama u përpoq të theksonte gatishmërinë e tij për të bashkpunuar me udhëheqsin–në pritje-të Kinës, por me një ton pak më serioz, pasi kundërshtarët e tij republikanë që po bëjnë fushatë për t’ia   marrë postin, kanë kritikuar politikën e administratës Obama karshi Kinës.  Gjithashtu një numër organizatash amerikane të të drejtave të njeriut, qindëra anëtarë të të cilave -- ndërsa dy udhëheqsit po takoheshin -- protestuan para Shtëpisë së Bardhë shkeljen e të drejtave të njeriut nga regjimi kinez.   Këto grupe i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Obama që të ushtrojë presion më të madh ndaj Pekinit pasi regjimi kinez ka ndërmarrë një fushatë të ashpër kundër disidentëve politikë.  Në një letër drejtuar presidentit Obama, aktivisti politik dhe redaktori i revistës “Pranvera e Pekinit’’ që botohet në Amerikë, Jang Jianli i kërkoi administratës amerikane që tu kushtojë vëmendje më të madhe të drejtave të njeriut në Kinë, pasi, sipas tij, ‘’Problemet e të drejtave të njeriut në Kinë nuk janë vetëm të Kinës, por gjithnjë e më shumë janë duke u bërë problemet e të gjith botës.’’  Ai gjithashtu i bëri thirrje udhëheqsit kinez në pritje Xi, që  ‘’t’i kushtojë vëmendje më të madhe vlerave universale të të drejtave të njeriut....pasi nga pozita e tij,  duke bërë një gjë të tillë, ai mund të avancojë demokracinë dhe të influencojë të gjithë botën.’’  Në një intervistë me Radion Azia e Lirë, ai tha se Kina është i vetmi vend në botë që mban të burgosur një disident, fitues të Çmimit Nobel.   Nobelisti Liu Xiaobo dhe një numër i konsiderueshëm disidentësh në zë janë të burgosur dhe shtypjet e regjimit kinez kundër popullit të Tibetit janë të njohura anë e mbanë botës, ndërkohë që shumë tibetas po djegin vetveten për të protestuar politikën kineze ndaj vendit të tyre.

Përballë kritikave zyrtare dhe jo-zyrtare ndaj politikës së Pekinit,  Xi Jingping i tha nën-presidentit  amerikan Xho Bajden se Kina është e gatëshme të zhvillojë një ‘dialog konstruktiv’’ me Shtetet e Bashkuara mbi të drejtat e  njeriut, për derisa dialogu të jetë i bazuar në ‘’respektin e përbashkët’’.   Mirëpo, ai pranoi se mbetet gjithnjë shumë për t’u bërë në fushën e përmirësimit të të drejtave të njeriut në vendin e tij.  Ai shtoi duke thënë se ‘’kur të merret parasyshë popullësia e madhe, ndryshimet e mëdha rajone dhe zhvillimet jo të barabarta, Kina përballet me sfida  të shumëta  në fushën e të drejtave të njeriut dhe në përpjekjet e saj për të përmirësuar jetën e njerëzve. ‘’

Por aktivisti amerikan i pro-demokracisë kineze, Xhorxh Ge, në një letër të hapur u ankua për ‘’qendrimin arrogant të qeverisë (kineze)’’ ndaj  disidentëve dhe përkrahësve të të drejtave të njeriut.  Këjo arrogancë e autoriteteve kineze ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut në vendin e tyre, u ekspozua dje edhe nga gazeta Uashington Post, e cila njoftoi se disa ditë para vizitës së Xi Jinping në Uashington, autoritetet komuniste kineze nuk i dhanë vizë dhe refuzuan të takoheshin me zyrtaren e lartë të Departmentit të Shtetit, Suzanë Xhonson Kook, ambasadore e Shteteve të  Bashkuara për lirinë ndërkombëtare të fesë.  Gazeta amerikane thotë se refuzimi i vizës  zyrtares së lartë amerikane për të vizituar Kinën, është kundërshtimi më serioz deri më tani ndaj qendrimit të Shteteve të Bashkuara në lidhje me lirinë fetare në atë vend. Uashington Post thotë gjithashtu se përkrahës amerikanë e kinezë të të drejtave fetare dhe të njeriut janë të zhgënjyer nga administrata e presidentit Obama, sepse ajo nuk ka bërë asnjë deklaratë publike në lidhje me refuzimin e vizës nga autoritet kineze ambasdores amerikane Kook.

Vizita e udhëheqsit kinez- në- pritje po ndodhë gjithashtu në një stinë të nxehtë të fushatës  politike për president  këtu në Amerikë , ndërkohë që udhëheqsit e Partisë Republikane kanë kritikuar ashpër gjëndjen e të drejtave të njeriut në Kinë, ndërsa kandidati republikan për president, Mit Romni akuzoi administratën Obama se nuk është kritike aq sa duhet ndaj politikave të Pekinit në lidhje me të drejtat e njeriut dhe mbi manipulimet monetare të Kinës.  Shtëpia e Bardhë, nga ana e saj, ka thënë vazhimisht se i ka bërë presion Pekinit, publikisht dhe privatisht, në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut.

Përveç  pikpamjeve të ndryshme mbi të drejtat e njeriut në Kinë, dolën në shesh edhe përçarjet  midis dy vendeve në lidhje me politikën e jashtme, kur para disa ditësh Pekini u bashkua me Moskën duke i venë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër presidentit  të Sirisë Bashar Assad, i cili jo vetëm që po shkelë brutalisht standardet ndërkombëtare të  të drejtave të njeriut, por është duke vrarë e sakrifikuar popullin e vet i cili ka dalur në protesta kundër asaj që populli sirian konsideron si një diktaturë tiranike e familjes Assad që ka  kontrolluar atë vend me dekada.

Është thënë se shkelja e të drejtave të njeriut në një vend është shkelje e të drejtave të njeriut në çdo vend, dhe nëqoftse nuk flitet  -- zyrtarisht dhe publikisht-- mbi këto shkelje kudo që të ndodhin, atëherë të drejtat e njeriut vuajnë kudo.  Vendet si Kina dhe Rusia, që nuk përfillin dhe nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe liritë për popujt e vet,  nuk mund të pritet që të mbrojnë dhe të respektojnë të drejtat e popujve të tjerë që jetojnë nën diktatura. Prandaj është detyrë e të gjithë atyre që besojnë në të drejtat e njeriut dhe në dinjitetin njerëzor për të gjithë njerëzit pa dallim, që vendeve dhe qeverive si Kina, tu bëhet presion që të mbrojnë dhe të respektojnë të drejtat universale për popullin e vet, sepse anasjelltas është një përpjekje në mbrojtje të të drejtave dhe lirive njerëzore për secilin prej nesh, kudo në botë.

Gjatë luftës së Ftohët, pothuaj askush nuk parashikonte se komunizmi në Evropë, njëri ndër sistemet më abuzuese të lirive dhe të dinjitetit njerëzor të historisë së njerëzimit, do të shkatërrohej atëherë kur u rrëzuan regjimet komuniste evropiano-lindore, kryesisht në mënyrë paqësore duke bërë të mundur që qindëra miliona njerëz të merrnin frymë lirisht pas disa dekada shtypjesh, vrasjesh, burgosjesh e kampesh përqendrimi.  Kështuqë, megjith gjendjen e keqe të të drejtave të njeriut sot në Kinë, dhe megjithë mendimet e pesimistëve se është vështirë që Kina të ndryshojë siç ndryshoi Evropa Lindore 20-vjetë më parë, eskperti amerikan i çështjeve aziatike Lerri Dajmond, në një shkrim të kohëve të fundit, thotë se është e arsyeshme të pritet që mbrenda një gjenerate, pjesa më e madhe e Azisë lindore të jetë demokratike. Le të shpresojmë që këjo të ndodhë për hir të popullit kinez, por edhe për hir të lirisë dhe demokracisë për popujt anë e mbanë botës.