Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Meri Lalaj: Pranverë 1991 në Pogradec

| E hene, 13.02.2012, 09:03 PM |


Meri Lalaj

 

Pranverë 1991 në Pogradec

 

(Shkëputur nga libri “Kapërcyell”)

 

30 mars 1991- Nesër do të votojmë. Nga dhënia e mësimeve anglisht gjatë këtij muaji kam fituar: 2 kilogramë qumësht pluhur, 200 gramë kafe dhe 500 gramë sallam. U gëzova se munda të gjej dhe të blej 2 kilogramë mish viçi cilësia e dytë. Rrugët janë të mbushura plot e përplot me uniforma të armatosura ngjyrë blu e të gjelbëra. Unë eci mespërmes tyre, syri nuk ma bën tërr, por zemra më rreh me ngut.

Në Tiranë u zhvillua mitingu tek sheshi “Demokracia” në Qytetin Studenti. Shumë bukur. Shumë entuziazëm.

Ramiz Alia mbajti konferencë shtypi me gazetarët e huaj, të cilët kanë ardhur për të marrë pjesë në votimet tona të para pluraliste. Ramiz Alia mundet t`i gënjejë gazetarët e huaj duke ua kaluar ujin nën rrogoz, por neve nuk na e hedh dot. Para disa ditësh Ramiz Alia vajti në zonën ku ka vënë kandidaturën për deputet, por populli nuk e pranoi, megjithatë ai nuk u tërhoq dhe bëri një takim tjetër në mënyrë shumë pompoze, pikërisht siç i takon personit numër një të Shqipërisë. Takimi u zhvillua në Pallatin e Sportit të mbushur plot e përplot me veteranë, të rinj e të reja, farefis e të tjerë, ishte një takim i organizuar me ftesa dhe me urdhër për të vajtur atje. Ramizit i dhuruan buqeta me lule dhe ai foli në mënyrë të tillë saqë e ktheu edhe njëherë timonin nga lindja, sipas këngës aq të njohur kineze: “Lindja është e kuqe”. Televizioni shqiptar e ritransmetoi dy herë fjalimin e tij, radioja po ashtu dhe besimi i njerëzve tek forca e re politike që po lind pësoi shumë lëkundje. Medet…

31.3.1991- U zgjova shumë herët, m`u bë në gjumë sikur dëgjova krisma armësh dhe sikur disa ushtarë që mbanin automatikë në duar më qëlluan me plumba prapa kokës. Për dreq sot u ndërrua edhe ora (u shty një orë para). Pra, kur u zgjova ishte ora katër e tridhjetë minuta e mëngjesit, megjithat; u vesha, piva kafe dhe dola nëpër errësirë. Natën kishte rënë pakëz shi dhe moti ishte i butë. Unë u vesha si për pranverë duke menduar se gjatë ditës moti do të ngrohet, pra i hoqa ato rrobat e trasha të mërzitshme të dimrit.

Të parin që takova ishte një punonjës i Degës së Punëve të Brendshme, kur e pyeta: “Edhe ti je me komisionin zgjedhor?” “Po përse jo?” U përgjigj. Vajta tek zyrat e Partisë Demokratike, por nuk kishte ardhur asnjeri. Prita pak, erdhi Tiku, pastaj Vasili e më vonë kryetari, Gjergji Ilo. Po ashtu erdhi Arben Meçe, i deleguar nga Tirana për Pogradecin. Edhe unë jam e autorizuar si vëzhguese për të gjithë qytetin. Gjatë gjithë ditës, të dy me Arbenin, vajtëm qendër më qendër votimi. Arbeni është pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, por kudo që shkuam ai sillej pompoz e u thoshte të njëjtat fjalë anëtarëve të komisioneve të votimit, po ashtu edhe personave që do të votonin. Mua më vinte shumë zor sepse ngado shikoja fytyra të njohura, e di se më njeh pothuaj i gjithë qyteti. Pastaj këshillat dhe porositë që jepte ai ishin të përsëritura kudo pa asnjë ndryshim: “Mos rrini afër kutisë së votave. Mos u grumbulloni shumë njerëz”, e të tjera si këto.

Ndërsa ne të dy si të papërvojë në këtë punë kaq serioze, nuk i kontrolluam fare fletët e votimit, që mund të ishin më tepër sesa numri i votuesve, mund të ishin të pavulosura e plot mangësi të tjera me rëndësi si këto. Më vonë e kuptuam se gjithçka luhej me fletët e votimit të përgatitura që më parë e që dikush i kishte gati në xhep për t`i shpërndarë tek njerëzit e besuar.

Në orët e para votuan komunistët, të gatshëm si përherë: “Të parët në sakrifica dhe të fundit në pretendime!” Në rrugë u përshëndetëm me sekretarin e parë të rrethit e ca partiakë të lartë së toku me bashkëshortet e tyre. Ata fluturonin nga gazi sikur t`u kishte rënë llotaria. Aty nga ora nëntë e mëngjesit filloi që të fryjë një erë shumë e ftohtë dhe filluan pikat e para të rralla të shiut. U ktheva në shtëpi, vesha bluzën e leshit, mbatha çorapet e leshit dhe çizmet. Përsëri dimër.

Sot rrugëve nuk të sheh syri asnjeri të armatosur për be, patrullat e policëve e të ushtarëve që gëlonin ditëve të fundit në çdo tre a katër hapa sikur i paskërka përpirë dheu. Ndërsa shkonim nëpër qendrat e ndryshme të votimit, vija re një automobil të bardhë me targë të Tiranës, i cili do të ishte gjithnjë ose para nesh ose pas nesh diku fare pranë qendrave sa tek njëra tek tjetra. I ngulita në mendje numrat e saj dhe sipas tyre më thanë se ishte makinë e Sigurimit të Shtetit.

Afër orës njëmbëdhjetë vajta në qendrën e votimit në shkollën “Gjok Shqiptari” të takoja Silvanën, që ishte aty anëtare vëzhguese. Në ato çaste para shkollës u ndal një makinë e gjatë, e bukur, e zezë, e re fringo fare dhe prej asaj makine zbriti një burrë pak a shumë i moshuar, me syze, shumë i shëndoshë në trup, çalonte nga të dyja këmbët, ishte i veshur me kostum të zi, po për çudi kishte të lidhur në qafë një shirit të kuq të mëndafshtë (nuk ishte as shall as kravatë) dhe unë se çfarë ndjeva duke parë atë rrip të gjatë të kuq, m`u kujtuan gardistët kinezë. Ky burrë ishte anëtar i Parlamentit Europian. Shoqëruesi i këtij parlamentarit fliste gjermanisht, (pak më vonë e kuptova se ky shoqërues nuk ishte gjë tjetër veçse spiun i sigurimit). Fola anglisht me parlamentarin dhe i thashë për rastin e më se dyzetë personave simpatizantë të Partisë Demokratike që ishin lënë jashtë listave në qytet si edhe për fletët e votimit të fshatit Gështenjas (Zërvaskë) ku ishin parapërgatitur fletët që më parë duke i hequr vizë emrit të kandidatit të Partisë Demokratike. Më premtoi se do t`i verifikonte këto raste.

Shiu vijonte të binte tërë pasditen pik e pik i ftohtë, shumë i ftohtë, i zgjatur, i pamëshirshëm. Nëpër rrugë u krijuan pellgje uji dhe balte. Oxhaqet e shtëpive filluan të nxjerrin tym sepse sobat u ndezën përsëri. Rrugët janë krejtësisht të boshatisura. Njerëzit janë strukur nëpër shtëpira. Çfarë bën vallë pas mureve ky qytet enigmatik që kënaqet vetëm me bukë të zezë të thatë e me një kade turshi? E për kë ka votuar sot? Ishte një ditë tmerrsisht e gjatë, e lodhshme e mbushur plot ankth. Ndoqa edhe lajmet e fundit dhe u shtriva për të fjetur. Vallë çfarë do të sjellë mëngjesi?

1 prill 1991- Qyteti ynë gri i lagur në shi. Ka rënë dëborë në male. Dëbora ka zbritur fare pranë tek pylli me gështenja. Ka rënë dëborë e ftohtë përmbi bimën e brishtë - Demokraci. Humbëm në votime. Humbi e gjithë Shqipëria. Në rrethin tonë nuk fitoi asnjeri. Nuk i di lajmet me saktësi, por më duket se është një humbje e njëjtë si ajo e Bullgarisë, sepse krejt fshatrat kanë votuar për Partinë e Punës. Nuk e di përse ky vit po më duket kaq i mbrapshtë porsi viti i Haxhi Qamilit. E shiu nuk pushon i ftohtë, i mërzitshëm, monoton. Bie shi përmbi pikëllimin tonë. Lajmet e Radio-Tiranës janë shumë enigmatikë. “Zëri i Amerikës” ka thënë se Ramiz Alia, Muhamet Kapllani dhe Spiro Dede nuk kanë fituar, por edhe votimi për Fatos Nanon do të përsëritet.

Dola duke ecur vetëm rrugës nëpër shi. Befas përballë meje dy burra të rinj nën një çadër të madhe të zezë më kërcënuan duke më thënë: “Parti e Punës - shkëmb graniti!” Dhe ngritën grushtet lart.

2 prill 1991- Lajmet e mëngjesit nuk dhanë njoftim për votimet. Shiu nuk pushon e qielli është i ngrysur me ca re të mëdha të rënda e të hirta posi regjim komunist. Liqeni është i errët, i egërsuar e turfullon si i tërbuar duke shtyrë me forcë drejt bregut dallgët e tij të mëdha shkumëbardha. Pasdite shiu pushoi paksa. Lajmet janë të llahtarshme. Në Shkodër janë vrarë katër persona dhe janë plagosur pesëdhjetë e tetë të tjerë. Në lajmet e televizionit jugosllav, stacioni i Shkupit, tani sapo pashë djaloshin e vrarë Arben Broci. Tamam si vrasjet në Kosovë, por atje të vret serbi. A do të bëhet luftë civile? A do të ketë vëllavrasje?

4.4.1991- Shiu vazhdon. Dje gjithë ditën e përsëri sot ka rënë shi që po na gërryen kockat. Pasdite doli pakëz diell.

Në qytetin tonë po bëhet gati pë t`u hapur rishtas kisha e Shën Marisë, e cila ishte e kthyer në magazinë. Sot kishin vendosur përmbi kambanare llambat elektrike në formë kryqi. Njerëzit i patën fshehur ritet fetare për njëzet e katër vite me radhë në mendje e në zemër.

Sot e gjithë Tirana dhe qytetet kryesore të Shqipërisë janë në grevë në shenjë zie për të vrarët e Shkodrës. Sipas lajmërimit të gazetës “Rilindja Demokratike” dhe lajmërimit të vendosur në një mur këtu në Pogradec, sonte në ora nëntë të mbrëmjes i shojta dritat në shtëpi për pesë minuta dhe ndeza qirinj në kujtim të shpirtrave të të vrarëve.

Populli e ka pagëzuar ish-kryeministrin Adil Çarçani “Tao-Tao” sepse i ngjan shumë si portret atij arushit të përrallave. Ndërsa Ramiz Alinë e kanë mbiquajtur “Tano Karidi” sepse buzëqesh dhelpërak, por i thonë edhe “Liza në botën e çudirave” meqënëse po mundohet shumë të na hutojë e çudisë. Dhe për arsyen që Fatos Nano nuk po na ndahet nga televizori duke na shpjeguar të paqënin “Mekanizëm i ri ekonomik”, komshija ime e quajti “Nils Holgerson” me një fjalë politikanët tanë janë ata që plotësojnë programin televiziv të fëmijve.

Përsëri nëpër rrugë patrulla policësh. Unë u ndodha përballë katër uniformave blu dhe njëri prej tyre u tall duke më thënë: “Hë, tani thirr po të duash: “Liri-Demokraci!” E vështrova në heshtje, as që ia vlente t`i ktheja përgjigje.