Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Ruzhi që më mësoi "biçikletën?!"

| E premte, 03.02.2012, 07:35 PM |


Ruzhi që më mësoi "biçikletën?!"

 

Tregim

 

Nga Përparim Hysi

 

Do nisesha për Shkodër nga Tirana dhe qeshë mëdyshas:me autobuz apo me tren?

Piva një kafe tek "Grandkafe"(kjo dihet që është kafja"ime?!") dhe bleva një gazetë.Sytë drejt dhe tek horoskopi:vallë,ç'më premton sot? Kam lindur në 21 janar dhe kam shënjën e ujorit.Më thoshte,veç tjerash,sot,po udhëtove me tren,të pret një surprizë e madhe.Epo ,ndonjëherë,edhe ngopesh me lugën bosh dhe ç'do humbja,sado që e di që treni vazhdimisht ka qenë problem për vonesat.Po unë punën nuk e kisha me ngut.Përkundrazi,krejt ditën time.Kisha marrë me vete librin tim"Mbeta dashurive" dhe deri në Shkodër,me këngë e me lodër(kur thojnë/!) kisha se si e vrisja kohën.Nga ana tjetër,si një njeri që e kam rrahur atë rrugën e vjetër me kohë,kisha dhe pak nostalgji.Aq më tepër që po vija nga Amerika,pas 10 vjetësh.Mendoja se do çmallesha me peizazhin e asaj vere dhe mbi të gjitha,e kisha si obsesion timin që sytë t'i ngulja mbi atë qytezën e vogël të Milotit dhe pikërisht tek ai vëndi ku kishte dyqankën(po ta themi pakëz korçarçe këtë fjalë),kafexhesha me famë në gjithë Veriun e Shqipërisë,Maria Lul Pali.Nuk kish njeri që të ndalej në Milot dhe mos shijonte atë kafe nga ajo,Maria, që  qe një Zonjë aq fisnike sa kish fituar admiruesit e saj deri tek qeveritarët e lartë të asaj kohe.As do humbte gjë bashkia apo  komuna e Milotit po ta shpallte qytetare nderi atë Maria Lul Palin se ka qenë ndera dhe krenaria e Milotit.Në se nuk e ka bërë,kurrë nuk është vonë.

*   *   *

Me këto mendime hyra në tren dhe zura vënd në vagonin e parë,afër dritares që,kur t'ma donte nevoja,të ngrihesha dhe të kullotja sytë.Frikë se do më njihte njeri këtyre anëve nuk kisha fare.Për dy arsye:së pari,që gjatë këtyre 10-vjetëve në mërgim kam ndryshuar fare dhe mezi më njohën në Fier,po për këtej as që pyesja,aq më tepër që kam syze të zeza dhe,ndërsa njerëzit i shoh mu në bebe të syrit,ata,përkundrazi,s'kanë se si më dallojnë.Sa zura vënd,ndjeva që një çift pleqësh(më të moshuar se unë),hapën derën dhe gruaja përpara   dhe burri pas,më kërkuan leje:-A mund të rrimë dhe na këtu?-Posi,- thashë,- dhe u ngrita që çifti të ulej përballë.

-Jo,mor zotëri,-foli gruaja me një zë koke,prej bassi (nuk e di pse m'u duk i njohur ai zë?!) ,ky im shoq e ka nda mëndjen me ba një grimë gjumë dhe asht bash si "kërthi",e mbështet kryejtin bash në prehnin tim dhe jemi mirë kështu.

Dhe,vërtet,ky"kërthiu" e mbështeti "kryejtin" në pëqi të shoqes dhe,sikur ta kish gjumin me kurdisje,filloi me gërr-fërr. Ndërkaq,erdhi fatorinoja dhe,me sa duket e njihte çiftin prej kohësh,sa kontrolloi biletat,ndjeu që i tha:

-Ruzhdë po asht bosh dhe gabina tjetër apo vjen andej.

-Po jo,moj Fatije,-foli kjo që e quanin Ruzhdë,- tash po rri me RRustin si me ken në dyshek e këtu,po nuk u mërzit ky Zotnia,po i shkëmbej dy pare muhabet.Fatia iku dhe mbeta unë dhe Ruzhda për muhabet.Ajo shtiri sytë mbi librin që lexoja dhe tha:

-A mundem me e pa nji fije?

-Sigurisht,zonjë! Dhe ia zgjata.Ajo e mori librin të mbyllur dhe sa pa emrin mbi kopertinë,më pyeti:

-Ba me e ditë se ku e ke ble nji kët libër?

-Nuk e kam ble,- i thashë.Ma ka falur autori,se e kam mik.

-Me demek,e njihke?

-Po,moj zonjë fisnike.

Ajo  e ktheu nga prapa.Pa fotografinë dhe atë biografi time të shkurtër ku thuhet se kam mbaruar pedagogjiken e Elbasanit dhe,pa e lëshuar librin nga dora,tha si me vete:-Po,mor,bash aj asht e nuk e luan topi!Unë,nga ana ime,e njoha mirë këtë Ruzhdien(Ruzhdin) që kishte zë burri,prej bassi të fortë,po duke bërë të paditurin,ndërhyra:

-Pse ju zonjë,e njihni?

-Jo e njoh,po bash si parja e kuqe .Po kanë kalue mb i katërdhjetë vjet.Mandej,sikur pyeti,por jo,mor zotni,jo katërdhjetë po plot 50vjet të mira. Pastaj,si solli sytë nga fotografia,tha:-Eh,qebesa, qenka rrit e a ba burrë! Dhe,pa më lënë kohë për ta pyetur më tej,tha:-Do të lutna për nji gja.Këtu jemi në Vorë e unë po zhytna në këtë libër të mikut tim të këtu e 50-vjetëve se sa të zbresim jam duke e mbarue.Dhe Ruzhda u zhyt në vjershat e mia:të gjitha poezi lirike.Kurse unë nga ky takim(epo kot nuk thotë horoskopi?!),mbetur si!elektron i lirë,zura t'u kthehem atyre viteve kur u njoha me këtë Ruzhdën që në shkollë njihej si Rruzhdia.

 

*    *   *

Rruzhdia erdhi nga një shtëpi fëmije dhe qe jetime.Qenë tri të tilla në shkollën tonë.Qe aq e"avashtë" në mësime,sa çdo klasë e bënte nga dy vjet.Po këto të shtëpisë së fëmijës,nuk i përjashtonin.Kështu që kur unë qeshë në vitin e katërt,ajo vazhdonte prapë të dytin.Qe më e madhja me trup(duket dhe 7-vjeçaren e përsëriste çdo klasë) dhe rrëmbente mbi gjithë shoqet.Qe e fuqishme si një djalë dhe,ajo që të çudiste,edhe zërin e kishte jo si femër,po si burrë e kaluar burrit.Kishte një zë bassi.Po ta shikoje nga konstrukti,të jepte pamjen e një druvari dhe aq.Aspak e bukur.Përkundrazi.Sado me keqardhje tek shkruaj (se për femrat kam respekt),po ta shpallte.Sikur kish kapërcyer ylberin po në inversin e keq: qe e shëmtuar.Sikur ta shihte këtë Ruzhdin apo Rruzhdien xha Myrtja i fshatit tim,do thoshte:

-Karabina si femër!(domethënë turqisht:ndërtesë e zezë!),se e zezë qe dhe në fytyrë.Aq e zezë dhe e ashpër sa them,me përafërsi,mendoni atë"Azinë" e Balzakut dhe keni dorë me një Ruzhdën.Plaka Qeriba për këto lloj femrash,thoshte:-Pa kokrrën e kripës.Ja,e tillë qe kjo Rruzhdi,por nga shpirti qe qelibar.Veç kësaj qe e fuqishme,sa në shkollë qe kampione në hedhjen e gjyles dhe granadës.Është pak për të qeshur,po në një orë fizkulture,kur binte shi dhe djem e vajza u futëm në palestër,profesorët tanë të fizkuturës,Bert Xhajanka dhe ajo e gocave,e mrekullueshmja Shefikat Kovaçi (bashkëshortja e futbollistit të dëgjuar elbasanas,Fadil Kovaçi),bën një garë force në tërheqje litari:në njërën anë Rruzhdi dhe në anën tjetër,më i forti i djemëve dhe ky kampion në hedhje granade.Rruzhdi i nguli mirë"patinat" dhe,kur të shohësh,Dylberi(kështu quhej ai djali),ra me hundë.Sa borhoritën gocat për RRuzhdin.Dhe ç'atmosferë hareje u ndez në palestër.Po vallë,vetëm kaq kam për këtë Rrruzhdin që po çeplendiset me poezitë e mia?Jo,po për kaq,as që i hyja kësaj pune.

*   *   *

Aty nga vjeshta e vonë e vitit të tretë unë rashë në dashuri.Rashë dhe,pothuaj,e humba fare pusullën.Rashë me një fierake(epo kot nuk isha nga Fieri unë?) që qe në vit të dytë me këtë,Rruzhdin.Kur bie në dashuri,duket sikur të janë mbytur gjemitë dhe,sado hiqesh që ta mbash sekret,kjo duket e bën mu.Unë u bëra"hije" e asj fierakes.Po kjo si shoqe kishte këtë"Rruzhdin" që i rrinte siç rrinë truprojat e sotme.Fierakja qe yll:me flokë skrrop të zeza,me sy të errët e të mëdhenj dhe me një fytyrë si kadife të butë.Unë e kundroja së largu,por me gojë,sa ndodhesha  dhe dy minuta vetëm me të,më lidhej goja dhe fol o mur,fol o gur! Rruzhdi që kish rënë nga ato degë,kishte sy fajkoi dhe ruante "prenë"  e vetë dhe nuk linte njeri t'i afrohej.Po unë me RRuzhdin e kisha punë grurë dhe,kur po matesha që t'i rrëfehesha asaj,ajo më tha:-Ballkyzi(kështu e quanin atë që doja unë) ,nuk ka qenë mirë sot.Nuk e hëngri gjellën në konvikt.A nuk shkon të blesh nja dy bogaçe të ngrohta?

Unë po plumb e tek furra"Shëndeti" dhe bleva jo dy,po tri bogaçe.Dy-e dija do t'i kullufiste Rruzhdi,dhe një ajo.Ama,do t'i thoshte që i bleva unë.Domethënë,po afrohesha tek "porta e lumturisë".

Tani,duke patur dhe"aleate" RRuzhdin,them që do ta arrija qëllimin.Tani po merrja dhe"masa" të tjera:flokëve që i kisha(alla o Zot na ruaj:si gjembairiqi!) zura t'u vija brillantinë dhe them që ai çertexhiu aty afër shkollës,ia ndjeu mirë xhiros sime me brilantinë.

Pa vishja dhe kostumin(babai i shkretë,më porosiste:vetëm kur të dalësh në qytet!) që të dukesha para Balkyzit si krejt tjetër,me demek! Rruzhdi,siç duket e kishte hedhur fjalën larg e larg,se,sa jepnin ballë para meje,e shihja Ballkyzin që shkrihej së qeshuri.Rruzhdi sa e shihte që qeshte,tak e zinte në sytë e mi dhe:pllaq-plluq e puthte! -Bobo!-bëja me vete.E "hëngri" të tërën.

Një ditë RRuzhdi e solli(pa tjetër që enkas)  në klasën time,gjoja se RRuzhdi që kish qenë me ne do takonte një shoqe,dhe,sa hyn në derë (qemë pushim) ajo më shkeli synë dhe e çoi Ballkyzin drejt e tek tabela e nderit.Unë po bërë shend e verë se qe emri im atje,sado që qeshë rreshtuar pas Mit'hatit.Sa i këndellur që qeshë që e pa Ballkyzi,aq inat kisha me Mit'hatin që qe mbi mua.Ah,sikur të isha i pari!Patjetër,që Ballkyzi do më donte më shumë.

Qeshë bërë si"hije" pas saj dhe Rruzhdi më premtoi se do më ndihmonte.Në një mbrëmje dëfrimi e rregullova që të kërceja me të.Po tek u ngrita dhe i vura dorën mbi sup,duket që digjesha si zjarr se më dukej se të gjithë ma lexonin në ballë.Po dhe ajo,Ballkyzja,kontraktohej se  është si puna e atij fshatit që duket dhe nuk do kallauz.

*     *   *

Dimri në Elbasan është i egër.Era që fryn nga Krasta të rrjepë veshët dhe gocat ia kishin gjetur:flinin nga dy veta në krevat.Rruzhdi flinte me Ballkyzin.Më tha një ditë kjo,Rruzhdi,:-E di çfarë "ere" që ka?Si erë zymbyli! E kishte fjalën për Ballkyzin! Unë po tani mora përçartë fare! Si zymbyl,po "erën" po ia thithë RRuzhdi. Plasa nga e keqja.Kur (pas të vrëjturit a nuk kthiellet?!) nuk e pandehja,drejt e në klasë ku qeshë vetëm,dha ballë Rruzhdi dhe pas saj,Ballkyzi(zymbylja,pra!!!).

-Ballkyzi ka një problem në algjebër dhe do që ta nidhmosh.Unë u bëra me krahë.Po ku kishte problem algjebre që nuk e zgjidhja unë.Në gjithë mathematikën që nga 7-vjeçarja e deri sa mbarova,në algjebër kurrë nuk mora një katër,por gjithmonë pesa.Ia zgjidha problemën (po pse nuk ikën,moj RRuzhdë?) dhe tek dëgjova atë:-Të faleminderit prej saj,zura dhe e lakoja:të dua! Eh,moj Ballkyzë,sa e bukur që je! Këtë e thashë vetëm me vete,se aty qe"karakolli",Rruzhda. Ikën dhe unë tek i përcolla me sy,m'u duk sikur një puhizë ere doli dhe la veç  atë"jehonën" si punë gjurme me të cilën doja të çepledisesha.

 

*    *   *

Kishte ardhur pranvera dhe një mbrëmje pashë RRuzhdin me atë Ballkyzin.-Më prit në lulishte,- më tha me zë bassi,Rruzhdi.Frymën në lulishte se tash do zija Edenin.Një fytyrë më vinte,një më shkonte.Dhe atje tek një stol i vetmuar,i ndjeva hapat që prisja.O Zot!Sa i madh që je!Më së fundi,ja tek vjen dhe unë do t'i dhurojë puthjen e parë.Hapat u bënë edhe më të afërta (kish filluar të errej) dhe mua zëmra po më hidhej si një zokth që çukit vezën se do të dalë.Ndërkaq,erdhi.U ngrita në këmbë dhe zgjata duarët...Kur ç'të shoh?Qe Rruzhdi! Më tha:-Nuk erdhi se ka edhe turp,po dhe frikë.Po dale se kam porosinë e saj:-E putha atë dhe po të puth ty.Dhe,papritur,më mbërtheu me ganxhat e saj dhe më puthi siç të  puth dikush që të do.Kur më lëshoi, thashë se shpëtova.Tani,- më tha,- edhe unë ika,se femër jam dhe unë.Ama atë"zymbylen" tënde do ta thithë të tërën:sikur të jesh vet.Dhe iku.

 

*     *   *

Qemë në hekurdhën Elbasan-Krastë.Unë,si me "krahmarrje që i rrija punës",e kisha rreguluar që të isha si"përgjegjës" për menxën.Një menxë kishim si për pedagogjikasit,ashtu dhe për gjimanzin.Kuzhinierit ia kisha vënë qylafin:i blija nga një paketë"Partizani" dhe ky më bënte favore.Pedagogjikasit gjithmonë hanin të parët.Po unë ndërsa bridhja sa të vinte dreka,me mëndje qeshë nga Ballkyzi.Qemë në mbarim të shkollës dhe,ndërsa ajo do mbeste atje,unë po do shkoja mësues  diku,në  fshatrat e Fierit.Fjalën e Ballkyzit se më donte si e doja,e kisha marrë,po,ndonjë gjë konkrete(makar ndonjë puthje të nxehtë),ende,nuk kisha dhënë  apo marrë.Po pse e kisha RRuzhdin unë?Se qe qershor e më nuk mbante ujë pilafi.Në Fier,Ballkyzi,qe nga një familje bosnjakësh që bëj vënd e futu,kështu që mezi prisja.

-Dëgjo,- më tha Rruzhdi.Gjej një batanije dhe na prit atje,pas ullinjëve.Batanija,duhet,se bari,- më tha,- lë gjurmë.

Për batanije qe e lehtë,se pse kisha kuzhinierin unë.E mora atë dhe,fshehurazi,sikur kisha bërë një faj (po a nuk po tentoja për faj?!),shkova pas ullinjëve,ku kish ca gëmusha nga nuk dukeshe edhe,po të vinte dikush aty afër. Dhe po prijsa.Tani qeshë më keq se tek lulishtja pranë shkollës.Se tani kisha marrë fjalën e Ballkyzit dhe do kënaqesha...

Së pari,u duk Rruzhda.Pa tjetër,kjo është dhe"korrierja",- mendoja.Por,sidoqoftë,e shtriva gjer e gjatë batanijen se,filimisht,do ishim tre.Pastaj,Rruzhda do largohej në afërsi dhe unë do filloaj nga"filmi".Të paktën,të paktën,do kënaqem me të puthura.Rruzhda mbrriti,u ul aty dhe më tha:-Nuk erdhi.Mbeti si fëmijë.Po kur i thua dhe"zymbyle?!".Çyryke,i thuaj,çyryke,-tha RRuzhdi.Po ti mos u mërzit,- tha ajo,duke m'u afruar.Se ke Rruzhdin këtu.Dhe tak,si atë radhën e parë ,ma vuri kokën në kular.Dhe më puthi gjatë,me afsh dhe unë "belbacaku" e humba pusullën.Por "rekordmenja e gjyles dhe granadës" e kish kaluar me kohë atë"test" që unë do ta bëja  me Ballkyzin.Tani unë e kisha lëshuar veten dhe Rruzhdi po"operonte" me kujdes.Duket unë si impulsiv që jam,u stepa paksa,po të lëshonte ajo.Qe ajo"liderja" në gjithë atë operacion të"fshehtë" dhe,ndërsa "operacioni" mbaroi,qe e para që mori dhe fjalën.

-Dëgjo!"Ena" e femrës është njëlloj.Veç tahmaja e meshkujve është e kotë.Gjtihkund është njësoj.Me Ballkyzin nuk do kishe bërë kështu.Se Rruzhdi ka parë me kohë nga këto lloj"monstrash",por ti,- më tha,- je si trëndafil dhe unë  sa të mora pak erë.Dhe ia dha të qeshurit.As mos ki merak:-Ballkyzit,nuk i kallxoj jo.

Ja,kjo është në vija të "trasha" historia ime me RRuzhdin që po lexon librin tim.Diku,kur kam lexuar për jetën e Heminguejit,kam hasur shumë gjëra interesante.Midis tjerash,ky,nobelist i madh,ka patur shumë histori dashurie.Po të bën përshtypje,se fillimisht dhe atij,Heminguejit, i paska shërbyer një femër si"lidere" kur ka bërë seks për herë të parë.Dhe paska thënë Heminguej:-Puna e seksit me një femër qenka si puna e të mësuarit të biçikletës.E mëson dhe pastaj e "shalon" pa merak.Këto fjalë të Heminguejit me erdhnë këtë çast dhe them:-Kjo është Rrruzhda që më mësoi"biçikletën"...Dhe kam 50-vjet që e grah këtë"lloj" biçiklete. Se,sa më tepër ta "ngrahësh",- thoshte Heminguej,- aq më shumë e perfeksionon.

*      *     *

Ndërkaq,Rruzhda    siç duket e mbaroi,se e shihja që nuk i ndahej një buzëqeshje.Si e mbylli librin,më tha:

-A ban me ta ba një kërkesë?(prapë me atë zë prej bassi)

-Po fol,moj fisnike,- i them.

-A ma shet një këtë libër?

-Merre,- i thashë,-ta kam falur!

-O more zotni që po  ma ban gjithë këtë nder.

-Jo,zonjë,- i them.Nuk asht asgja.

-Më ke çue në kohë tjetër dhe ky,shoku jem,atherë nuk shkruejte poezi.

-Ka shkruar 8 libra me poezi dhe një me tregime,- i thashë

-Po,mor,e pashë këtu tek libri.Po ti ndashtë e të dhantë zoti shëndet.

Tek u ndamë,gati e lëshova veten dhe t'i thoja:-Rruzhdë,po jam bash unë atje pas ulllinjëve duke pritur për Ballkyzin.U mata,po thashë se vallë ia vlente që t'i trazoja ato ujëra të një kohe  aq të largët.Dhe,sado që qe bërë si një oshaf i thatë,ke parë që zëmra ma bëri "trak" si një xham që kriset.Ky udhëtim me tren do të mbetë në kujtesën time si një kujtim i trëndafiltë nga i cili nuk dua të ndahem,ndaj dhe po e hedh në letër për ta patur si një reliktë.Them se dhe kaq,ia vlen...

E sa për Ballkyzin.Jo.Nuk e mora dot.Ajo se ku është se,të them të drejtën,nuk kam dëgjuar gjë.Ndoshta,një herë tjetër,do tregoj për të.

 

24 janar  2012