| E enjte, 02.02.2012, 09:02 PM |
Kur mungon ndershmënia në konfrontim
Nga Daniel Gàzulli
Lexova tek ZSH shkrimin e Rashit Alidemës me titull “Gjuha shqipe në ditët tona”.
Nuk due të ndalem e të analizoj mbrendinë e tij, sepse, pavarësisht se ç’përgatitje shkencore ka zotnia në fjalë në lamë të gjuhësisë, ai nuk përdorë asnjë të tillë për të mbrojtë “me shpatë” standartin gjuhësor të vitit 1972, por improvizon fakte të paqena për të mbrojtë tezën e tij të vlerës kombëtare, përveçse shkencore e kulturore të gjuhës së njësueme.
Shqiptarët të gjithë, edhe pa “kontributin” e z. Alidema, e kanë të qartë se gjuha e njësueme asht një ndër vlerat ma të mëdha për çdo komb.
Ai “grusht njerëzish” që kritikon standardin e vitit 1972, e që i japin bezdi zotnisë së tij, nuk janë kundër gjuhës së njësueme, përkudrazi, por të gjuhës së “panjësueme”; nuk janë për konfrontimin e dialekteve, por për pasunimin e shqipes nga pruemjet prej të dy dialekteve.
Asht ba e zakonshme tashma nga të gjithë mbrojtësit e standardit të përdorin si mburojë të tezës së tyne standardoide, që nuk asht tjetër veç se një ide fikse dhe e atrofizueme, armën e një atdhetarizmi folklorik, sikur ata që mbrojnë standardin na qenkan ma atdhetarë, kurse ata që kërkojnë përmirësimin e standardit na qenkan ma pak atdhetarë.
Për mbrojtjen e tezës së tij autori sjell edhe argumente që duhet të kesh mendjen e errësueme t’i paraqitish. Ai arrin deri atje sa të thotë se standardi na qenka ma i mirë edhe pse “është në rend të parë më e lehtë, më melodike, me diksion e artikulim të fjalëve më të qartë, të këndshëm. Për shembull, a më mirë, më lehtë të thuhet – nana apo nëna? Sigurisht më lehtë – nëna; bane(rëndë) - bëre (më lehtë), vllazni (rëndë) – vëllazëri (më lehtë), gjana (rëndë) – gjera (më lehtë) etj..”.
E rilexon mbrojtjen e tij dhe të vjen të mos i besosh asaj që ke lexue.
Të thuesh se qenka “më melodike, me diksion e artikulim të fjalëve më të qartë, të këndshëm .... të thuhet – nana sesa nëna, duhet të jesh i verbuem nga standardizimi.
Personalisht nuk kam asnjë kundërshtim të thuhet “nëna” e jo “nana”, sepse standardologët ndjekin një linjë në vendosjen e normave, tue u bazue tek njeni prej dialekteve, por jo sepse shqiptimi i “nëna” qenka ma melodik e me diksion e artikullim ma të lehtë.
Edhe ata që nuk merren me gjuhësi e kanë të qartë se zanorja e pazashme “ë” asht ma pak eofonike se zanorja e zashme “a”, e se shepsh ajo (zaoroja “ë”), veçanarisht kur ndeshet me fenomenin e rotacizmit, krijon kokofoni.
Për ata që nuk merren me këte degë, kujtoj se eofoni do të thotë shqiptim i rrjedhëshëm e harmonik, kurse kokofoni do të thotë shqiptim jo harmonik.
Aq e vërtetë asht kjo, sa edhe toskët, në një çerdhe fjalësh, i “kërkojnë ndihmë” zanores së zashme “a”, si bie fjala tek çerdhja e fjalëve “rërë, por, ranor, ranishtë”, e jo “rërë, rëror, rërishtë”.
“Argumenti” i lehtësisë së shqiptimit të “ë”-së ndaj “a”-së asht me të vërtetë për t’i qa hallin (edhe pse nuk më shqetëson aspak do të përdoret njena apo tjetra zanore në gjuhën e njësueme).
Ajo që të shqetëson asht kambëngulja për të mos përmirësue standardin dhe shmangëja e këtij argumenti tue i ra shkurt se 40 vjet përvojë kanë dëshmue se na qenka varianti ma i mirë.
Na kërkojmë përmirësimin e standardit për të pasunue shqipen, jo për hir të gegnishtes. Gjuhët e standardizueme me shekuj po bajnë reforma sot e kësaj dite, prej truqishtes me reformen themelore të Ataturkut, tek gjermanishtja me reformen gjuhësore të vitit 1998.
Po sjell një shembull të thjeshtë.
Simbas standardit pjesoret përdoren në trajtën “kam marrë, kam lënë, kam thënë, kam vjelë”; por ma tej thuhet: “kam prekur, kam thekur”.
Nëse dy rastet e fundit do të trajtoheshin si shembujt e parë, pra “kam prekë, kam thekë”, e foluna do të ishte ma eofonike apo ma kokofonike?
Përse kamëngulet të mos përmitësohet asgja e për të mbrojtë tezen e paprekshmënisë së standardit sillen shembuj kaq vulgarë e të papranuseshëm sikur “vëllazni” na qenka ma e randë se “vëllazëri” ? A e ka idenë e harmonisë artikullshkruesi?
Por, do të thotë ndonjë kritik, a nuk jeni ju që thatë pak ma nalt se standardologët mbështeten tek njena prej njësive dialektore? Natyrisht që ashtu asht veprue e ashtu do të veprohet; le të themi “vëllazëri”, por jo të sjellish si arguemnt se qenka ma lehtësisht e shqiptueshme se sa “vëllazni”.
Kritikuesit e standardit 1972 po dëshmojnë se duen me shpirt shqipen dhe njësimin e saj, prandaj edhe kërkojnë përmirësime të standardit. Mbrojtësit me fanatizëm të standardit 1972 tregojnë se kanë mbetë peng e konceptimit ideologjik të asaj kohe dhe janë gati të sakrifikojnë përmirësimin e standardit për hir të asaj ideologjie të perëndueme.