| E hene, 30.01.2012, 08:56 PM |
KËMBANAT E NJË POEME
Nga Tahir Bezhani
Në fund të vitit të kaluar,doli nga shtypi poema “Metamorfoza e dytë e Gegë Toskës” nga autori Azem Baliaj,krijues nga Lezha. Poema në fjalë u botua nga SHB.”Kuvendi”në Lezhë,në redaktim të poetit të mirënjohur,
Viktor Gjikolaj.
Poeti Baliaj hetohet që në fillim të shkrimit se ka njomur pendën e vet në thellësi të shpirtit,me një dashuri të paskajshme ndaj “Homerit të gjakut Shqiptarë-ish “armiku i popullit,” Gjergj Fishta,të cilit i dedikohet kjo poemë prej 47 faqesh,me shkrime te spikatura e shumë përmbajtjesore.
Kolosi i madh kombëtarë,Fishta, siç dihet, gjatë kohës së diktaturës në Shqipëri,ishte personalitet i anatemuar, si shume figura tjera me rëndësi kombëtare,për te cilët nuk guxohej te shkruhej e as të lexoheshin lirshëm. Ky fakt dhe disa shkrime të ndryshme antifishtiane,kanë bërë që poeti Baliaj,të nxjerrë nga zemra e tij “Metamorfozen e dytë....”,kushtuar këtij kolosi ne 103 vjetorin e lindjes.
Poema e Azem Baliajt,”Metamorfoza e dytë e Gegë Toskës”,ka zgjuar kureshtje te ata që e kanë lexuar,në rrafshin ideologjik dhe letrarë e artistik. Çdo strofë e kësaj poeme ka peshën e një libri dhe porosia vjen e qartësuar guximshëm e në shume fusha të jetës. Me një fjalë,poeti me këtë poemë,luan rrolin e një institucioni në parametrat e shumë shpjegimeve të pa shpjeguara deri me tani.
Poeti Baliaj,në poemën tij,tregon talentin e rrallë të një krijuesi emocional i cili ndjeshmërinë poetike e nxjerr lehte,thjeshte dhe plot frymëzim. Ne këtë kuptim flasin edhe disa nga strofat e poemës në fjalë ku zbërthehet afiniteti krijues me rastin e vendosjes së statujës së Fishtës në Lezhë. Poeti shprehë ide e mendime të ndryshme pozitive te pa kontestueshme të percjellura me sarkazëm e satira,por edhe me elemente e tipare historike të kombit tonë,bazuar edhe në idetë e kolosit të madh. Ja disa nga poezitë :
“Fishta në Lissus
Viganin pranë
Gjethe dafinash
Lahutë e zanë.
Muza e lashtë
Brinat e dhisë
“Hallatet” jashtë
Çudia e çudisë!?
...Ma mirë vigani
Cullak në skulpturë
S’mund thot asnjani
Shqiptari s’asht burrë
...Luftat se lanë
“Diçka”me veshë
Sa armiqtë tanë
Mbetën tuj qeshë”
Jo rastësisht nxora këto tre strofa të prologut të dytë nga libri”Metamorfoza e dytë....”,me qëllimin e vetëm ku vërehet një shkrirje ndjenjash poetike të autorit Azem Baliaj tek i cili vërejmë,jo vetëm dashurinë qe ka ndaj Fishtës si kolos kombëtarë,por hetohet një ndikim fishtëjan në vargun e tij.
Duke lexuar këtë poemë,secili lexues mund te vijë te ideja se kjo “Metamorfozë.......”vjen si sihariq në kohën kur jemi duke lexuar shumë shkrime me ide te ndryshme për çështjen e feve brenda kombit tonë. Kur është fjala te idetë dhe mendimet e ndryshme lidhur me çështjen fetare, se a kemi apo nuk kemi nevoje te hargjomë kohën kotë për ato cikërrime,kur na presin punë shumë më madhore,do lexojmë nga kjo poemë, ku autori jep tabllo historike e shembuj konkretë nga veprimet e kolosëve tanë,si At Gjergj Fishta etj. Këtë kuptim e ilustrojmë me tre strofa nga kjo poemë ku pikatet karakteri kombëtarë mbi interesin fetarë:
“Asht nderi kombit
Vlerë e vatanit
Vlerë e Europës
Përtej Ballkani...
Shok të ngushtë
Kishte Ali Tarin(ish Myftiu i Shkodrës)
“Rrehnin” kumonat
“Hanin” iftarin
U rritën bashkë
Qysh në fëmijëri
“U lutën” në kishë
“U falen” në xhami....
Këto vargje, dhe të tjera si këto,përbëjnë një mozaik me ide të kompletuara artistikisht,ku gjithsesi zë vend edhe satira e bile,bile edhe sarkazma e që ,mendoj,janë të domosdoshme për mbushjen e misionit të krijuesit duke “trokitu” edhe dyerve te kancelarive brenda e jashtë vendit,duke ngacmuar ndërgjegjen e politikes ditore. Poema e Azem Baliajt,u drejton mesazh të çartë atyre rrymave fundamentaliste që nuk prajnë duke futur gishtin në ato gjëra që dhëmbin më së shumti,duke tentuar të përçajnë në vend se te bashkojnë shtresat e popullit. Ja edhe tre strofa brilant,te cilët më së miri argumentojnë atë qe u tha me lartë:
“(Pra po u thom(them)
Studiuesve grifsha:
Të ishte veç prift
Ish “ngulë” te kisha!?..)
Veç kombi i Fishtës
E thotë me za
Fetë janë shumë
Zoti asht’ nja.
Veç ndonjë i marrë
Që mund t’jet’ çmend
I ban çorapë
Islam e t’krishtenë”
Krejt në fund,shprehi mendimin se poema e poetit Azem Baliaj,ka nivel të lartë artistik e letrarë, dhe si e tillë,poema “Metamorfoza e dytë e Gegë Toskës”, është një begati në mendjen tonë dhe gjithsesi, pasuri në fondin e bibliotekave tona.