Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flasin Luftar Paja, Arqile Lipe dhe Xhevahir Zeneli

| E hene, 30.01.2012, 07:18 PM |


Shqiptaret sot kanë nevojë për të qeshur

 

Nga Albert Zholi

 

Humori (lat. humor = lagështi) është aftësia ose cilësia e njeriut për të shkaktuar të qeshurin dhe zbavitjen e njerëzve të tjerë nëpërmjet sendeve, ose rrethanave. Humori mund të përkufizohet edhe si gjetja (vërejtja) dhe shprehja e qesharakes në një rrethanë apo send. Humori përfshin një formë zbavitjeje apo komunikimi njerëzor, i cili shkakton ndjenja kënaqësie, ose i bën njerëzit të qeshin ose të ndjehen të lumtur. Ndjenja e humorit është aftësia për ta përjetuar humorin, një cilësi që çdo njeri e zotëron, megjithëse shtrirja me të cilën një individ do ta gjejë diçka qesharake varet nga një bartës të vetëm dhe ndryshore përkatëse, duke përfshirë, por jo të kufizuar me vendndodhjen, kulturën, pjekurinë, nivelin e arsimimit dhe përmbajtjen. Pikërisht kjo u mungon shqiptarëve sot. Si një vend i dalë nga sistemi totalitar, ku hallet në një pjesë të shoqërisë që s’mund të sigurojnë as bukën e gojës ka marrë përmasa drastike, ajo që u mungon më shumë është humori. Le ta thonë me gojën e tyre disa nga aktorët më në zë shqiptarë  se çfarë u mungon shqiptarëve më shumë sot dhe çfarë është humori në përgjithësi.

 

Luftar Paja

Jetojmë në një sistem, ku jeta bëhet gjithnjë dhe më shumë individuale. Shqipëria ka qenë historikisht një vend, ku qeliza bazë e shoqërisë familja ka qenë e bazuar mbi shtëpi vëllazërore, ku të gjithë vëllezërit dhe motrat banonin në një shtëpi. Tashmë shihet se dhe në vendet urbane në vendin tonë po shkohet drejt familjes në çift duke ju larguar traditës. Në këtë sistem njeriu është bërë më individual, më i larguar nga jeta e përbashkët më i ftohtë në marrëdhënie fisnore. Në këtë konceptim të ri jetësor njeriu duket më i ftohtë dhe ka më shumë nevojë për argëtim sidomos për humor. Por humori nuk duhet të jetë një humor skematik, i ndërtuar mbi banalitete dhe mbi zhargone. Duhet një humor inteligjent, me fabul bashkëkohore dhe me një mesazh të qartë. Kryesore është dhe shpërndarja e premierave dhe programeve me humor. Ato duhet të jenë në të gjithë televizionet dhe në orare të ndryshme. Sot ka pak humor, pak hapësira për humoristët, pak komedi. Tashmë është ngritur dhe Teatri Kombëtar i Komedisë. Ky hap i qeverisë duhet përshëndetur. Por ky teatër vepron vetëm në Tiranë. Humor duan edhe në Konispol edhe në Vermosh. Në këtë rast televizioni dhe radioja janë më masiv. Aktualisht streset e njerëzve janë rritur, problemet ekonomike, lufta për mbijetesë ka marrë përmasa drastike. Për këtë qëllim ajo që duhet në çdo familje është humori.  Për këto arsye është domosdoshmëri për largimin e stresit, por edhe për të pasur një grumbullim familjar para ekranit  dhe teatrit në Tiranë.  Psikologë të ndryshëm janë shprehur se ilaçi më i mirë për largimin e stresit është humori. Mendoj se, duhet të punohet shumë në këtë drejtim. Ndoshta nuk ka një planifikim apo një politikë të mirëfilltë për ideimin e emisioneve apo spektakleve për humorin, por le të jetë një përpjekje e vetë televizioneve dhe radiove që të ideojnë dhe shumojnë emisione të tilla. Sot më tepër se kurrë shqiptarët kanë nevojë për humor.

 

Xhavahir Zeneli

Për se kanë nevojë shqiptarët sot?! Për humor dhe sa më shumë humor. Shoh që në fytyrat e tyre ka pak gëzim, pak fytyra të qeshura, pak optimizëm. Dhe ne na del për detyrë të dhurojmë sa më shumë humor. Hallet, problemet kanë bërë që shqiptarët t’i kenë lotët si me rubinet. Rrugëve të Tiranës sapo u ktheva nga Amerika shihja fytyra të vrara, të vuajtura, të heshtura (se tani që kam disa muaj s’më bëjnë përshtypje) që nuk dinë çfarë kërkojnë. Në USA kishte programe specialë vetëm me humor. Të gjitha TV kishin emisione apo spektakle të tillë. Humori është gjella më e mirë për stresin dhe kalimin në mënyrë optimiste të kohës së lirë. Por me këtë s’dua të them që të abuzohet me humorin. Humori do kalemxhinj të aftë, të përsosur, të njohin realitetin që të sjellin problemet e ditës, problemet më të spikatura. Humori është dhe kritikë dhe e qeshur dhe mësim. Po, po mësim. Ke se çfarë mëson nga një humor inteligjent. Satira ka në thelb goditjen e fenomeneve negative dhe përgatitjen e një terreni për t’i larguar përfundimisht nga shoqëria njerëzore. Dua të them se pa humor dita duket e vakët, pa ritëm, pa tharm, e njëtrajtshme pa emocion. Besoj se, me hapjen e Teatrit të Komedisë spektatori i Tiranës do të ketë më shumë humor, më shumë të qeshura. Unë u them njerëzve qeshni se lumturoni veten dhe të tjerët. Shqiptarët kanë nevojë çdo ditë për humor.

 

Arqile Lipe

Kam jetuar shumë vite në Greqi. Në Athinë kishte shumë teatro private dhe shtetërore. Komedia aty ishte shumë e zhvilluar. Sigurisht dhe filma humoristikë kishte shumë dhe në shumë kanale televizive. Nuk mund të konceptohej jeta në Athinë pa komedi dhe teatro, apo jetë nate në buzukë. Kishte shumë variacione. Edhe në regjimin komunist në Fier kishte aktivitet. Teatri dhe Estrada e Fierit kanë qenë ndër më të mirat në vend. Sot po bëhen përpjekje për të bërë humor në disa spektakle televizive, por të jem i sinqertë nuk ka cilësi. Ka zhurmë zhargone në skeçe apo në komedi. Nuk ka kritikë dhe kontroll mbi tekstet. Shumë herë humori banal të largon nga ekrani. Jemi një popull që tashmë po jetojmë një sistem të ri ekonomiko- shoqëror.  Jemi një vend që historikisht e kemi dashur humorin. Nuk mund të perceptohet jeta e shqiptarit pa humorin. Tashmë në Fier po punohet shumë nga Bashkia e qytetit, kryesisht nga Kryetari i Bashkisë, z. Baftjar Zeqo për të pasur një aktivitet të ngjeshur teatror, me aq mundësi sa ka. Por sot mungojnë dhe tekstet, libreti. Nuk punohet dhe shumë herë merren komeditë e huaja. Kjo dhe për vetë faktin se libretistët apo autorët e tekstit s’marrin aq sa dëshirojnë. Kështu që pjesët e autorëve shqiptarë janë të pakta. Edhe unë si aktor i humorit dua në kohë të lirë të shoh në televizione apo të dëgjoj në radio pjesë humoristike. Humori të zgjat jetën, të heq disi vëmendjen nga hallet. Për ta thënë fiks fare, ne si popull na duhet shumë humor. Aktualisht na mungon shumë humori si në televizione  e në radio, por edhe në teatrot e qyteteve kryesore. Humori mbetet humor, çelësi i gjithçkaje të bukur. Kur je në humor punon mirë, ha mirë ke mendje të freskët. Rroftë humori!