Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ukshin Zajmi: Përfundoi Festivali Kombëtar i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës 2012”

| E marte, 24.01.2012, 09:02 PM |


Përfundoi Festivali Kombëtar i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës 2012”

 

Ekskluzive nga Ukshin Zajmi

 

Festivali i sivjemë Kombëtar i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës 2012”, që mbahet në kuadër të Manifestimit tradicional shumëkulturor “Flaka e Janarit”, të cilin e shpalli të hapur, kryetari i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, solli pesë  realizime nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Pos shfaqjeve, sivjet për herë të dytë u organizuan edhe ligjerata lidhur me artin skenik. Pos shfaqjeve, ligjeratave dhe debateve për shfaqjet në festival morën pjesë edhe artist të shumtë nga të gjithaa trojet shqiptare dhe u bisedua rreth teatrit, dramaturgjisë dhe realizimit të teksteve në skenë.

 

Teatri Profesionalist i qytetit të Gjilanit në festival u paraqit me premierën e komedisë së  Anton Ndrecës “Mon Liku” në regji të Ilir Bokshit. Rolet i interpretuan: Ard Islami, Emine Toska, Safete Mustafa-Baftiu, Bashkim Nexhipi, Njomëza Kalaveshi, Sabedin Shahiqi, Shkëlzen Berisha e Gyner Halili. Ishte kjo një komedi e konfliktit individual të ndërthurrur me kolektivitetin, por që ky i fundit pengon vetëvrasjen e individit e pastaj jeta i sjell fat duke realizuar dëshirat.

 

Teatri shqiptar i Shkupit u paraqit me përformancën e teksteve të dramatizuara të Mitrush Kutelit, Faik Konicës e Anton Çettës “Netë shqiptare” në regji të Enton Kaça-s. Ishte kjo një komedi, përmes së cilës u njollosën disa veti negative që e përcollën kombin shqiptar. Rolet i interpretuan: Sefedin Nuredini, Adrian Aziri, Xhevdet Jashari, Adem Karaga, Besfort Idrizi e Blerim Dardhishta.

 

Teatri kombëtar i Prishtinës u prezantua me komedinë e Rushit Ramabajës, e cila zuri vendin e parë në konkursin “Katarina Josipi” për vitin 2008 “Cubi i Kukurrecit” me regji të Iliriana Arifit. Ishte kjo një komedi me elemente ironike e satirike të një tregimi popullor  i zhvilluar në një ambient rural. Rolet i interpetuan: Bislim Muçaj, Shpëtim Kastrati, Florentina Ademi, Ismet Azemi, Muhamet Arifi, Hysnije Muçaj, Veton Osmani, Artan Geca, Basri Lushtaku, Ramadan Mala e Milot Hashimi.

 

Teatri “Istref Begolli”i Pejës, solli në festival dramatizimin e novelës së Ismail kadaresë dhe të poezive të Jusuf Gërvallës nga Jahi Jahiu dhe Nimon Muçaj “Kur loti ngrinë në qepallë” në regji të Jahi Jahiut. Rolet i interpretuan: Avdi Gërvalla, Luan Daci, Armend Baloku, Rudina Zhara, Doruntinë Gërguri, Muradije Muriçi, Rrustem Latifaj, Myrvete Kurtishi, Labinot Lajçi, Besarta Fejza, Behar Zenelaj, Blerim Kelmendi, Liridon Nikçi, Nimon Muçaj, Belinda Kastrati, Florina Ramaj, Fortesa Rexhaj, Romina Zhara e Kaltrina Zeneli. Kjo ishte një dramë që ngërtheu ngërçet dhe trishtimin nga vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, 30 vjet më parë në Shtutgart të Gjermanisë.

 

Teatri “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi, në festivalin e Gjilanit, solli komedinë “Dashuri e dytë në moshë të tretë” të Haxhi Ramës, i cili edhe bëri regjinë. Është kjo një komedi sociale në një familje, kur kryefamiliarit i vdes gruaja lind konflikti nga se dikush don ta marton babanë e vet të shkon për në Amerikë, kurse nusja e djalit kërkon që ta largon vjehrrin për të filluar krijimin e familjes. Rolet i interpretuan: Muharrem Hoxha, Aishe Stari, Roland Koça, Mimoza Marjnaku, Ervin Doko, Andia Xhunga, Xheni Fama dhe Antoneta Doka

Gjatë të gjitha mbrëmjeve u zhvillua edhe debat rreth prurjeve teatrale në të cilat morën pjesë 31 veta, ndërsa shfaqjet i shikuan afro 2000 spektator.

 

Juria profesionale në përbërje Sonila Kapedani, Kushtrim Bekteshi dhe Sadri Daku, pasi shikuan shfaqjet vendosën që shpërblimin:

-realitet i ri në teatër të mos e ndajnë,

-aktorja më e mirë dytësore u shpall: Emine Toska nga Gjilani

-aktori më me përspektive u shpall: Ervin Doko nga Durrësi

-për arritje në teatër u shpërblye: Hasan Bunjaku (shpërblimin e ndanë Teatri Profesionist i Gjilanit)

-aktori më i mirë u shpall: Ard Islami nga Gjilani

-aktorja më e mirë u shpall: Florentina Ademi nga Prishtina

-regjia më e mirë u shpall ajo e Ilir Bokshit,

-teksti më i mirë u vlerësua ai i Haxhi Ramës nga Durrësi, dhe

-shfaqja më e mirë u shpall: "Mon Liku" nga Gjilani.

 

Të gjithë teatrot u nderuan me mirënjohje për pjesëmarrje në Festival.

 

Rreth problemeve teatrale, kësaj radhe u mbajten tri ligjerata:

Prof.Dr. Nebi Islami ligjëroi për Dramaturgjinë dhe teatrin sot,

Enver Petrovci ligjeroi për Gënjeshtrat në aktrim, kurse

Bashkim Hoxha ligjëroi për Vështirësitë e të shkruarit të dramës shqip.