| E enjte, 19.01.2012, 08:56 PM |
Busulla e shpirtit dhe drita e dashurisë
Është evident fakti se autorët u përkasin gjeneratave të ndryshme krijuese, disa në atdhe e disa në diasporë, me vizione dhe modalitete të ndryshme frymëzimi. Në kuadrin e kësaj antologjie defilojnë një varg emrash e vlerash të denja për freskimin e shpirtit, për zbukurimin e gjuhës sonë, për ndjeshmërinë e poezisë shqiptare dhe zgjerimin e miqësisë antologjike.
Nga Baki Ymeri
Pa konotacione të vetëlavdërimit ballkanik, “Busulla e shpirtit” na duket se është një nga antologjitë të pasura, më të bukura dhe më të suksesshme që e kanë parë dritën e botimit në Bukureshtin poetik. Libri hapet në faqen e parë me një varg të poetit kosovar nga Amerika, Mëhill Velaj: “Bota më së miri lexohet në shpirtin e poetëve”, që justifikon mendimin e një ëndërrimtari që ka thënë: “Poetët, ah poetët, ç’njerëz qenkan vallë? Lindin të dashuruar dhe vdesin beqarë.” Dashuri ndaj femrës, dashuri ndaj fjalës, dashuri ndaj familjes, dashuri ndaj atdheut dhe vendlindjes. Këtë mendim e mbështet edhe Ali D. Jasiqi me vargjet e tij: “Si kashta e thatë që digjet në zjarr/ Në mua digjet dashuria/ Për shkrepat dhe krojet e freskëta/ Ku piva ujë së pari.” Ky album vlerash të rralla del në kuadër të Bibliotekës “Albanezul” dhe redaksisë së revistës “Shqiptari”, duke patur për inisiatore Vitore Lekën nga Italia, një mendim kritik të Visar Zhitit për antologjitë, 14 poetë me origjinë nga Kosova dhe dy nga Shqipëria, për të balancuar botimin e antologjisë së parë shqiptare që doli në Bukuresht, më 1959, kur si pasojë e anashkalimit të Kosovës, për fat të keq nuk figuronte asnjë emër nga kjo zonë.
Krejt lënda
Malli që e mbajnë në shpirt është barra më e rëndë që i mundon bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Shqipërinë e dytë, atë që gjendet në mërgim. Këtë fakt sentimental e kemi përmendur edhe më parë, gjë që nuk ia ul prestigjin Busullës së shpirtit, sepse, kur bëhet fjalë për vlera, çdokush e din se përsëritja është nëna e studimeve. Me disa poezi interesante që botohen për herë të parë në serinë e vëllimeve tona antologjike, paraqitet Martin Çuni, ishluftëtar i UÇK-së, i persekutuar poltik, veteran dhe flamurtar i kulturës shqiptare në Gjermani: ”Gjurmëve të Rrugës së Kryqes, vazhdë u kemi ra/ Trup e mishra dhe kocka me helm e vrer na kanë la/ Lëkurës shtatë palë dredhë, dredhas na kanë heqë/ Në shpirt e në zemër petka të zeza na kanë veshë.”. Pason Gjon Neçaj nga Tropoja me Meshën e parë: “Pastori grumbulloi pasthirrmat jetësore/ Qetësia mbizotëroi katërcipërisht Kishën e Zojës/ Jezu Krishti në kryq/…/ Mbi Dri ushton maja e Çllumit.” Pas tij vjen Bajame Hoxha-Çeliku, poeteshë e persekutuar, një zjarr i pashuar i kulturës shqiptare, me një poezi kushtuar poetit që i përjetoi traumat e skëterrës komuniste, Fazlli Haliti: “Shpirtin plotë petale/ Jeta gjithë stuhi/ Ditët dallgë e valë/ Gjithnjë pashë tek ty.”
Si mund ndryshe ta afroj dhe kuptoj lirikën e Sabile Bashës, nëse jo si një shpalim të përmallimit ndaj shenjtërisë dhe vuajtjes, mbi gjethet e Itakës dhe mbi stuhinë e rikthimit të përjetshëm të qenjes në vetveten e saj? – pyet Mihai Antonesku për këtë zemërzanë të frymëzuar të Kosovës letrare. Kronologjikisht sipas moshës vijnë Nexhat Rexha, Xhevat Muqaku, Sadik Krasniqi, Hasan Qyqalla, Miradije Gashi, Ramiz Dërmaku, Engjëll Koliqi, Albina Idrizi, Jeton Kelmendi, disa të prezantuar në disa antologji paraprake, ndërsa një risi karakteristike në botën e letrave shqipe paraqet edhe Halil Haxhosaj me një gjini të re letrare, haiku. Sa për ilustrim po e japim vetëm një: “Vellot e nuseve të bukura/ Ecin bregut të Drinit Plak./ Dasma fillon në Dardani.”
Një befasi të veçantë paraqet prezantimi për herë të parë i disa poemave të shqiptarit të Amerikës, Mëhill Velaj, të shkëputura nga vëllimi “Kodi i Parajsës” (që gjendet në shtyp) me këtë përkuhstim: “Të gjithë shqiptarëve patriotë që punuan në Rumani e kudo në botë, për të mbajtur gjallë flakadanin e lirisë për Shqipërinë! Atdheut të tyre të dytë që bëri të qytetërohet poezia shqipe!” Përfundimisht, në kuadrin e kësaj parafjale formale, pa ndonjë analizë të mirëfilltë të teksteve prezente, vlen të potencojmë faktin se si kriterium elementar i përzgjedhjes së autorëve është mosha e tyre. Është evident fakti se autorët u përkasin gjeneratave të ndryshme krijuese, disa në atdhe e disa në diasporë, me vizione dhe modalitete të ndryshme frymëzimi. Që nga Ali D. Jasiqi e deri te Jeton Kelmendi, defilojnë një varg emrash e vlerash të denja për freskimin e shpirtit, për zbukurimin e gjuhës sonë, për ndjeshmërinë e poezisë shqiptare dhe zgjerimin e miqësisë antologjike.
BOX
FTESA E NJË ANTOLOGJIE
(Teksa shpërndahemi, vendtakim kemi poezinë)
Nga Visar Zhiti
Dëshira për t’u marrë me poezi është e hershme, aq sa ç’është i hershëm dhe njeriu, madje dhe ikja e tij në kërkim të vendeve të tjera, mbase në fund të fundit është kërkimi i poezisë së vetvetes, i thelbit, zbulim i së bukurës. Nëse përsëritet shpesh thënia e Dostojevkit se e bukura do ta shpëtojë botën, mua më pëlqen të shtoj se poezia është ajo që na shpëton ne nga kotësia dhe zvetënimi i gjërave dhe na jep emocionin e duhur, aftësinë për t’u mrekulluar.
Bij të gadishullit më poetik, me fqinjë grekërit, prej të cilëve kanë marrë shumë, ku besoj, se s’kanë dhënë më pak, me sllavët e Jugut, që ndajnë dhe me ta mite dhe legjenda të përbashkëta, me rumunët që na lidh një bashkëpunim brilant që nga koha e rilindësve tanë, shqiptarët, tashmë në dy shtete, në Shqipërinë dhe Kosovë, në Maqedoni dhe Mal të Zi, me një diasporë më të madhe se veten, duke pasur përballë dhe Italinë, porta e Europës për ta, duan të jenë dhe janë copëz e kulturës së përbashkët të njerëzimit, ku më e rëndësishme se multikulturalizmi është bërë interkultura, të përfshirë dhe ata në këtë lëvizje, ku duan të shpalosin veten, duan t’i marrin botës, por edhe të japin. Dëshmi është çështja e antologjive të përbashkëta, me poetë shqiptarë dhe të huaj. Vërtet, ç’është një antologji, çdo të thotë kjo?
Si fjalë, dihet se rrjedh nga greqishtja, ànthos - lule dhe légein – mbledh ose zgjedh. Që latinët përdornin dhe kompozitën florilegium – tufë lulesh, sinonim i së cilës është dhe fjala miscellus, që ka dhe kuptimin e ushqimeve të përziera. Poezia kështu që herët po barazohej me ushqimin. Ndërkaq më pëlqen të shtoj se latinët, sipas ndonjë botimi etimologjik, ashtu siç i thoshin sabaia birrës ilirike, i thoshin edhe përmbledhjes së poezive. Edhe paraardhësit tanë, pra, Ilirët, me gjuhën dhe zejet e tyre, kanë ndikuar tek të tjerët, janë përzier dhe kanë bashkëpunuar me popuj.
Një antologji tekefundit u rrekërka qysh në gjenezë që të bashkojë sa më shumë, nëse është e mundur: tufën e luleve dhe të emrave, aromën - edhe të fjalëve, tryezën me ushqime të shijshme, por dhe me metafora, dehjen me pije dhe me ndjenja, si në një të kremte të përbashkët thërret të tjerë në heshtje, lexues edhe përtej kufijve, bën miq, etj., etj. Gjatë një bisede në
Ka antologji dhe të kritereve tematike, vetëm me poezi dashurie ose me poezi për punën, për të rënët, Krishtlindjet, me poezi për ujërat, për gurët, kuajt, vuajtjen, etj., etj. Ka të tjera me poezi vetëm të grave, të shkollarëve, poashtu botohen antologji me shkrime të të burgosurve, që janë dukuri edhe e vendeve të tjera që kanë dalë nga diktaturat. Sepse poezia mbi të gjitha është liri, mrekulli e saj.