Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ukshin Zajmi: “Tri dekada lirie” Akademi Solemne për hapjen zyrtare të “Flakës se sivjeme të Janarit”

| E merkure, 18.01.2012, 09:02 PM |


“Tri dekada lirie” Akademi Solemne për hapjen zyrtare të “Flakës se sivjeme të Janarit”

 

Nga: Ukshin Zajmi

 

Gjilani dhe intelegjencia e tij janë të lumtur, që për 21 vjet rresht u mbajt e po mbahjnë gjallë një aktivitet që e filluan në vitin 1991, kur pushteti i atëhershëm serb mbylli të gjitha aktivitetet ekonomike, shoqërore e kulurore shqiptare në Kosovë. Ky manifestim, që u vendos të mbahet në janar, e të mban emrin “Flaka e Janarit…” pati për bazë vdekjen e Gjergj Kastriotit - Skenderbeu në janar, pastaj të vrasjes makabre të Jusuf e Bardhosh Gërvllës e të Kadri Zekës nga dora vrastare e pushtetit jugosllav në Shtutgard të Gjermanisë, pastaj të rezistencës heroike dhe vrasjes se Rexhep Malës e Nuhi Berishës në Prishtinë e të martirëve të tjerë që ranë në janarët e muajt tjerë të viteve për të arritur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Falë angazhimit dhe sakrificës së madhe të entuziastëve gjilanas, ky manaifestim u mbajt gjallë gjatë dekadës së fundit të shekullit XX dhe po vazhdon edhe tash në vitet e pasçlirimit e të pavarësisë së Kosovës. Manifestimi rrezatoi shkëndijat e veta edhe në mbarë trojet shqiptare e në disaporë dhe u bë flakadan i kujteses për rezistencën e shqiptarëve për të përballuar krajatat e shumta që i shkaktonte pushteti i kohës. Me katër shtyllat e veta fundamentale kulturore: art letrar, dramatik, muzikor e pamor po hapëron për të mbajtur gjallë kujtesën e një të kaluare të dhëmshme por krenare.

Ky manifestim, sivjet, ndonëse filloi me disa aktivitete me 11 janar, ai zyrtarisht u hap me 17 janar me një akademi solemne të mbajtur me motonë “Tri dekada lirie” që përkon me 30 vjetorin e vrasjes së vëllëzërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës. Në këtë Akademi, kryetari i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa i përshendeti të pranishmit, foli për ecajaket e këtij manifestimi, për rriten e komunës në këto vite dhe e shpalli të hapur manifestimin e 21-të me radhë të “Flakës së Janarit 2012”.

Nënkryetari i parë në Qeverinë e Kosovës Hajredin Kuçi, foli për kontributin e martirëve të Kosovës në sjelljen e Lirisë së këtij vendi dhe për zhvillimet aktuale të Kosovës. Hydajet Hyseni, i përsekutuar politik në regjimin jugosllav për aktivitet politik për çlirimin e Kosoves, foli për shëmbëlltyrën e aktivistëve të ilegalës shqiptare dhe sakrificat e tyre për të sotmën kosovare. Rënia e tyre nga dora e kujtdoqoftë, ajo ishte dorë që e komandoi një qendër në Beograd, e që ishte e përbetuar për të  zhdukur elementin shqiptar nga trolli shqiptar në ish Jugosllavi, përmes asimilimit, bindjes politike por edhe të zhdukjes fizike.

Një portret historik e artistik të Kadri Zekës, me këtë rast e paraqiti Hysen Matoshi, drejtor i Instutit Albanologjik të Prishtinës.

Për të pranishmit elita uzikore e Gjilanit shfaqi një koncert të muzikës serioze përmes kuartetit frymore:Blerina Mustafa, Arzie Rifati, Faton Halimi e Florian Thaçi me veprat  e kompozitorëve botëror e shqiptare, kurse kori nën dirigjimin e Adhurim Rasimit  këndoi vepra të Qazim Kryeziut e Koço Uçit: “Janari”, “Për mëmëdheun”, “Mësuesi” dhe “Xhamadani”.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2012” sivjet mbahet edhe nën moton 100 vjet Pavarësie, por që në Kosovë kupton 100 vjetorin e çlirimit nga Perandoria Otomane, por edhe fillimin e rezistencës së përgjakshme të mbrojtjës së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nga okupatorët.

 Me 17 Janar 2012, Shoqata e Artistëve pamor të Gjilanit hapi ekspozitën e “Penelit të Flakës 2012” me autor nga të gjitha trojet shqiptare.