| E enjte, 12.01.2012, 08:58 PM |
Në Gjilan filloi manifestimi tradicional “Flaka e Janarit 2012”
Nga Ukshin Zajmi
Në Gjilan, filloi për të 21-tën here me radhë manifestimi shumëdimensional kulturor “Flaka e Janarit
Kjo “Flakë e janarit…” nuk u shua asnjëherë, por, kuptohet pati batutat e veta qoftë organizative apo materiale, por, gjithnjë manifestoi me katër segmente kulturore: art muzikor, pamor, letrar dhe teatral.
Sivjet ky manifestim filloi me 11 Janar, me ç’rast u bënë homazhe të varrezat e dëshmorëve, u priten familjarët e dëshmorëve nga kreu i komunës së Gjilanit, u ndez Flakadani i “Flakës së Janarit”, u promovua libri “Qëndrestarët” i Basri Musmuratit kushtuar dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe u mbajt Festivali i muzikës për fëmijë “Xixat e Flakës
Në vazhdim të këtij manifestimi, me 17 janar do të mbahet Akademia e Flakës “Tri dekada lirie” kushtuar 30 vjetorit të rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës dhe në kuadër të artit pamor do të hapet ekspozita mbarëshqiptare në këtë sferë të artit.
Prej 19 deri me 23 janar mbahet pjesa e artit teatral “Talia e Flakës…” në kuadër të së cilës artdashësit do të shohin pesë realizime skenike dhe do të përcjellin katër ligjerata nga kjo sferë. Do të ligjërojnë: Nebi Islami, Milto Kutali, Enver Petrovci dhe Bashkim Hoxha.
Në siparin e Teatrit të Gjilanit do të ngjiten këto pjesë teatrale: “Mon Liku” i Anton Ndrecës në regji të Ilir Boksit, interpretuar nga Trupa e teatrit të Gjilanit, “Netë shqiptare” përzgjedhje e teksteve të Kutelit, Konicës e Çettës, në regji të Anton Kacës me Teatrin shqiptar të Shkupit, pastaj “Cubi i Kukurrecit” i Rushit Ramabajës me regji të Iliriana Arifit me Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Teatri “Istref Begolli” i Pejës do të paraqitet me pjesën “Kur loti ngrinë në qepallë” sipas teksteve të Kadaresë e Jusuf Gërvallës në regji të Jahi Jahiut dhe, Teatri “Aleksandër Moisiu nga Durrësi paraqitet me “Dashuri e Dytë në moshën e Tretë” me autor e regji të Haxhi Ramës. Në fund të “Talias së Flakës…” do të ndahen çmimet përkatëse.
Me 24 Janar do të promovohen librat e Azgan Haklajt dhe Selatin Novosellës, ndërsa me 25 janar do të mbahet Ora e Madhe Letrare dhe do të ndahen çmimet e konkursit letrar. Me 26 janar do të mahet edhe manifestimi i fundit, që kësaj radhe edhe “FestFlaka” festival i muzikës popullore.
Përndryshe manifestimi “Flaka e Janarit” që filloi në Gjilan, ai u zgjërua thuaja në të gjitha trojet shqiptare dhe në mërgatën e saj.