Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lis Bukuroca: Himni shqiptar duhet ndryshuar

| E marte, 10.01.2012, 08:59 PM |


Himni shqiptar duhet ndryshuar

 

Nga Lis Bukuroca

 

Më shtatë dhjetor të vitit të që lamë pas, Austria vendosi të ndërroj himnin. Përveç bijve në himn, do të hyjnë edhe bijat. Qëllimi i këtij ndryshimi është barazia gjinore në Austri. Krist-demokratët (ÖVP – PPA, Partia Popullore e Austrisë) ishte kundër ndryshmit, por në kuvend u aprovua versioni i ri. Në poezinë e Paula Preradovic, në vargun ku thuhej: Vendi (atdheu) i  bijve më të mëdhenj...“ u ndryshua në : “...i bijave, bijve më të mëdhenj.” Për këtë ndryshim qe diskutuar gjatë dhe tani u arrit ndryshimi. Nga një  janari i këtij viti është në përdorim versioni i ri i cili nuk përjashton gratë nga mëmëdheu.

Strofa e dytë e himnit shqiptar duhet ndryshuar patjetër. Dhe aty ku thuhet kush është burrë nuk frikohet, duhet të jetë, kush është grua, burrë nuk frikohet dhe ajo strofë do të tingëllonte kështu:

 

Origjinali

 

Prej lufte vec ay largohet

Që është lindur tradhëtor

Kush është burrë nuk frikohet

po vdes,po vdes si një dëshmor!

 

Propozimi për ndryshim

 

Prej lufte veç ata largohen

Që janë lindur tradhëtorë

Grua e burrë nuk frikohen

po vdesin, vdesin si dëshmorë!

 

Dhe natyrisht duhet intervenuar edhe tek strofa e gjashtë. Ajo strofë do të duhej rishkruar në këtë mënyrë:

 

Origjinali

 

Trim burrë quhet dhe nderohet

Atdheut kush i-u bë therror:

Për jet ay do të kujtohet

Mi dhet, mi dhet si një shenjtor

 

Propozimi për ndryshim

 

Gra dhe burra do nderohen

Mëmëdheut kush i-u bë therror:

Për jet ata do të kujtohen

Mi dhet, mi dhet si një shenjtor

 

Substantivi atdhe të zëvendësohet me Mëmëdhe. Me atdhe punët nuk na kanë ecur aq mirë dhe shpesh e kemi braktisur. Ndoshta ndaj Mëmëdheut sillemi me më shumë dashuri, dhembshuri, me më pak tradhti dhe nuk lejojmë të na e tradhtojnë mëmën ashtu si atin.

Po të jetonte Asdreni sot, nuk do ta kishte shkruar atë poezi, ku u jep rëndësi vetëm akteve të burrave, por edhe sakrificës së gruas shqiptare. Fëmija lindet nga nëna, edukohet nga ajo dhe trimat, që shenjtërohen në himn nuk janë vetëm rezultat i burrave, por edhe i grave, madje, përkushtimi dhe sakrifikimi për edukimin e tyre, mban vulën e nënës.

A mund të bëhet kjo tani tek ne? Ne kemi një Kryeministër i cili gjatë fjalimeve të tija dominohet nga testosteroni. Ja çka deklaroi ai për lindjet e para në vitin 2012 :“ Fjalët që më erdhën ndërmend kur dëgjova për lindjet e para që sollën në jetë djem, thashë me vete lindën Ismail Qemali e Isa Boletini. I lindën Shqipërisë edhe njëherë burrat më të mëdhenj të saj.”

Për ata fëmijë nuk dihet se çfarë orientimi do të kenë, çfarë preferenca seksuale, mirëpo mendimi i Kryeministrit flet për bindjet e tija fikse, se kur lindet djalë, atëherë linden Ismail Qemala e Isa Boletina. Linden burra, që luftojnë dhe janë të gatshëm të vdesin.

Mendimi i shqiptuar, në lexim të parë duket naiv, jo djallëzor, por nëse e rilexojmë, atëherë kuptojmë arsyen se pse ky pas konsultimeve të ngjeshura, paska zgjedhur pikërisht këtë gjykim sugjestionues.

Me Ismail Qemalin i drejtohet Shqipërisë, me Isa Boletinin i drejtohet Kosovës. Pse e bën ai këtë? Ai din se për të mbetur në pushtet dhe për të fituar simpatinë greke, italiane dhe serbe, ka bërë tradhti disa herë. Përmendjen e Ismail Qemalit i urdhëron nëndija ta bëjë, për të treguar se është atdhetar, se është penduar. Flet ndërgjegjja e ndotur! Nëndija  detyron ta përmend edhe Isa Boletinin në mënyrë që të tregojë se është penduar se ndihmoi makinerinë ushtarake të Millosheviçit gjersa Kosova gjendej e shtypur si kurrë më parë dhe me këtë akt, ky po dëmtonte dhe pengonte ndihmën e Perëndimit. Edhe me Isa Boletinin, flet ndërgjegjja e ndotur dhe tërthorazi pranon gabimin.

I duhen vërtetë Shqipërisë burra në shekullin njëzetenjë, që shpallin pavarësi, që mbajnë kobure apo i duhen shkencëtarë të mëdhenj: shkrimtarë, filozof, poet, kompozitorë, pilot, astronaut, industrialist?

Jo, sipas bindjeve fikse të marra në shekullin njëzet, si dhuratë e shekullit pesëmbëdhjetë, shqiptarëve nuk u duhen shkencëtarë në Europë, por njerëz me kobure, edhe atë nën nënkresë...Sepse natën e parë të vitit të ri, nuk lindi ndonjë Kadare apo ndonjë shkencëtar i nivelit të Ferid Murat, por u rilindën Ismail Qemali dhe Isa Boletini.

 

Himni shqiptar duhet ndryshuar nga politikanët e rinj, që janë në gjendje ta vlerësojnë drejt dhe siç e meriton gruaja shqiptare. Ajo gjatë historisë ka bartur peshën  Atdheut mbi supet e veta, edhe atë gati-gati pa mirënjohje. Është koha, në këtë shekull të nderohet edhe ajo në himnin shqiptar. Gjuha shqipe nuk njeh vetëm atdhe, por edhe MËMËDHE! Gjuha shqipe nuk  diskriminon gruan shqiptare, por  patriarkalizmi i trashë shekullor.

Kryeministri ka sharë gruan me “putanë bulevardi”, ka sharë gratë e kundërshtarëve politik, ka sharë nënat e tyre dhe mendimi i cituar më lart, tregon se ai është mizogjin (urrejtës dhe përbuzës i grave) i papërmirësueshëm. Ndryshimi i himnit nuk mund të kërkohet prej tij, sepse kjo do të ishte e barabartë me zhburrnim, prandaj kjo detyrë e madhe, u mbetet brezit të ri, që nuk ka paragjykime ndaj nënave dhe motrave të veta. Ndryshimi i himnit do të tregonte se jemi një komb i formuar, bashkëkohor. Jo i ndarë në gjini dhe në dy shoqëri, që nuk njohin njëra tjetrën, por në një: Me të drejta të plota dhe detyra të barabarta, siç e dëshiron Mëmëdheu.

Versioni i ri pa diskriminim e gruas shqiptare:

 

Aleksandër Stavri Drenova (ASDREN 1872 - 1947)

 

Himni i Flamurit

 

Rreth flamurit të përbashkuar

me një dëshirë dhe një qëllim

Të gjithë atje duke u betuar

Të lidhim besën për shpëtim

 

Prej lufte veç ata largohen

Që janë lindur tradhëtorë

Grua e burrë nuk frikohen

po vdesin, vdesin si dëshmorë!

 

Në dorë armët t'i mbajmë

Mbrojmë Mëmëdhenë në çdo kënd,

Të drejtat tona ne s'i ndajmë;

Këtu armiqtë s’ kanë vënd

 

Se zoti vetë e tha me gojë

Që kombet shuhen përmbi dhe

Po Shqipëria do të rojë:

për të, për të luftojmë ne!

 

O flamur, flamur shënj' e shënjtë

Tek ti betohemi këtu,

Për Shqipërinë' Mëmëdhenë e shtrenjtë

Për nder edhe lavdimn' e tu.

 

Gra dhe burra nderohen

Mëmëdheut kush i-u bë therror:

Për jet ata do të kujtohen

Mi dhet, mi dhet si një shenjtor

 

Barazia që shkruhet në kushtetutë, u lexohet grave në fytyrë, edhe në rrugë...

Botoi Shekulli