Përtej maleve
Nga Halit Bogaj
Kur ishim të vegjël na thonin se përtej malit të Kosmaçit dhe Gurit të Gradinës ishte Shqipëria. Shikimet tona të shpeshta drejtoheshin kah ato male të lashta dhe legjendare të cilat kishin parë dhe dëgjuar shumë ngjarje dhe luftëra të ndryshme të cilat ishin bërë për lirinë e vendit tonë. Shikimet na shkonin te ato male edhe kur ishim barinj, edhe kur ishim nxënës në oborret e shkollave tona. Më kujtohet Banush Avda kur na mblidhte nën hijen e rrapit dhe “në besë” na e recitonte poemën “Shqipnia e robnueme” nga poeti Piro Floqi, për të cilin për fat të keq e kishim të ndaluar të mësonim këndej atdheut të përgjysmuar, por sigurisht se ai ishte i ndaluar edhe në Shqipërinë komuniste në të cilën ishin të heshtur edhe poetët e mdhenj : Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli etj.
Kur u rritëm më të mëdhenj dhe u bëmë që të dinim shumë më tepër sesa në fëmijëri , kufiri shqiptaro-shqiptar “na luejti” nga mali Kosmaq në Alpet shqiptare. Kur shkuam për herë të parë në Pejë dhe Prizren na thanë: Ja, andej këtyre maleve të lashta është Shqipëria.Por, si të shkohej atje, që për ne kosovarët ishte më larg se të shkohej në Zelandën e re e gjetiu në skajet më të largta të botës. Bënim çudi se Shqipëria aq e afërt,sa e largët ishte për ne, e cila gjatë një periudhe shumë të gjatë kohore ishte një mollë e ndaluar për të gjithë ne. Në shikim të parë ishte shumë e prekshme, mirëpo menjëherë na bëhej më e largëta në botë. Edhe pse ishte e tillë dhe abstrakte, ne vazhdonim ta donim, ta çmonim, ta adhuronim sikur ta kishim pranë vetes ngase ajo na përkundte gjithnjë si nënë e vertetë. E dëgjonim radion dhe këngët e bukura shqiptare të këngëtarëve tanë më të shquar,jehona e të cilave arrinte në kup të qiellit. Ato ishin këngët më të bukura që i kishim dëgjuar ndonjëherë, ngase vinin nga atdheu ynë i ndaluar, nga atdheu ynë i dashur i cili kishte hyrë thellë në zemrat tona kosovare. Kendoheshin këngët tona të bukura të cilat na bënin krenarë që ishim shqiptarë, kurse armiku ynë shekullor vazhdonte të bënte propagandë anti-shqiptare dhe neve në Kosovë përpiqej të na nxirrte si një popull tjetër që kinse nuk kishim lidhje me nënën tonë të shtrenjtë, e cila edhe në vështitësitë e veta të brendshme ,na e hiqte “zjarrin nga koka”. Dhe, sa herë që i degjonim ato melodi të bukura , me zërin bombastik të këngëtarëve tanë të njohur si : Vaçe Zela, Bik Ndoja, Fitnete Rexha, Fatime Sokoli, Avni Mula, Shyqri Alushi dhe shumë të tjerë, na dukej se erdhi Shqipëria në mesin tonë, me ç’rast armiqtë tanë nuk kishin çka të bënin dhe si t’i ndalonin ato këngë të famshme të cilat e mbanin përherë të gjallë ndjenjën dhe dashurinë tonë të pashterrshme kombëtare. Ishin ato ditët tona të lumtura që bile në atë mënyrë ishim të lidhur me Shqipërinë administrative e cila ishte përgjysmuar pas Luftës së Dyte Botërore, ku edhe Kosova kishte hyrë në luftë për tu bashkuar me nënën e saj historike.
Dëgjonim edhe recitale të ndryshme nga rilindasit tanë të mëdhenjë, pjesa dërmuese e të cilëve kishin jetuar dhe vepruar jashtë atdheut të tyre siç ishin: Turqia, Egjipti, Rumania, Bullgaria etj. Ata poetë të mëdhenjë i mësonim nëpër shkollat tona, por siç u tha edhe më herët, disa prej tyre as që bëhej fjalë që të mësoheshin në të dy anët e atdheut. Poezitë e këtyre të fundit filluam t’i dëgjojmë për herë të parë pas rënies së komunizmit. Të tilla ishin disa nga poezitë e Mitrush Kutelit, Fan Nolit, Lasgush Poradecit, Arshi Pipës etj. kushtuar Kosovës dhe robërisë së saj nga ana e ardhacakëve sllavë nga stepat e Rusisë. Më në fund erdhën ditët e bukura të lirisë dhe çlirimit në të dy anët e atdheut. Unë as që kam fjalë për ta përshkruar gëzimin shpirtëror me rastin e vizitës sime të parë që ia bëra Shqipërisë sonë të dashur e cila na kishte përkundur gjysmë shekulli me ninulat e saj melodike. E pamë Shqipërinë tonë e cila na i mësoi të gjitha ato që i kemi arritur përkitazi me atdhedashurinë dhe na bëri gjithnjë e më të largët me armiqtë tanë historikë të cilët i kishin pushtuar me dhunë trojet tona stërgjyshore. E pamë dhe e shijuam Shqipërinë e Naim Frashërit, Filip Shirokës, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës etj., duke na u kujtuar edhe vargjet e tyre të famshme të cilat i kemi mësuar dhe i mësojmë gjatë shkollimit tonë.
Shqipëria e ditëve tona romantike arriti të bëhej një Shqipëri realiste e cila është duke ecur përpara me hapa gjigandë dhe duke u afruar sa më tepër me Kosovën e lirë dhe të pavarur të cilën nuk e lente t’i hapte sytë armiku ynë i përbetuar. Shqipëria dhe Kosova janë të lidhura përjetësisht edhe me rrjetin modern rrugor përmes të cilit arrihet shumë shpejt në dy anët e atdheut te moderuar. Dhe a ka gjë më të bukur sesa realizimi i asaj këngës profetizuese që nga Prishtina në Tiranë të shkohet e të pihet kafja e mengjesit. Pra janë këto ditët dhe vitet e mëdha të të gjitha pjesëve të atdheut tonë të copëtuar padrejtsisht i cili krijoi miqësi të përjetshme me shtetet më të fuqishme Euro-perëndimore. Prandaj edhe nuk është e rastit që bregdeti shqiptar të konsiderohet si njëri ndër vendet më të preferuara të perëndimit për t’i kaluar pushimet verore. Shqipëria është një margaritar i vërtetë i hapsirës ballkanike të cilën po e shijon edhe Kosova e lirë dhe e pavarur.