| E premte, 06.01.2012, 09:04 PM |
Fan Noli - personaliteti që e bëri të Njohur Shqipërinë
Nga Pirro Prifti
priftipirro@hotmail.com
Shumë gjera mund të shkruhen për Fan Nolin (Janar 6, 1882 – Mars 13, 1965), kete personalitet i cili i tregoi botes se Shqipëria ka personalitete si ata qe mund te drejtojnë shtetin ashtu dhe në literaturë dhe art. Nje nga përkthyesit më të shkëlqyer të veprave të Shekspirit, një nga përkthyesit me të shkëlqyer të veprave të Cervantesit, dhe të Omar Khajamit, një nga drejtuesit më paradoksalë te shtetit shqiptar te atëhershem ku 80 % e popullsise ishte myslimane por kryeministri ishte i krishterë ortodoks. Një nga inicjatorët e formimit te Kishes Ortodokse Autoqefale Shqiptare- Personaliteti i tij bëri te njohur Shqipërinë.
Nuk do të mund të bëja këtë shkrim nëse nuk do të më kishte bërë përshtypje vala e paperceptueshme për popullin (po për inteligjencën perceptohet si një anti-Nolizëm), e disa kritizerëve të sëmurë të cilët për të bërë të njohur veten e tyre kritikojnë veprën e Nolit thjesht përtë fituar pakës nga lavdia e një njeriu të madh. Kjo valë dallgët e të cilës e kanë origjinën tek disa politikanë të cilët nën petkun e rishikimit të historisë kërkojnë të rrëzojnë disa heronj dhe të ngrenë disa të tjerë me pretekstin se historia është manipuluar nga komunizmi. Unë mund t`ju them këtyre politikanëve se historia shqiptare është manipuluar edhe në kohën e Zogut, dhe tani po kërkohet të manipulohet edhe tani në periudhën post komuniste. Në këtë aspekt rishikimi i historisë duhet bërë jo sipas orekseve të disa politikanëve por duhet bërë nëpërmjet ngritjes së komisioneve me profesionistë të cilët të bazuar në fakte do të mund ë rregullojnë mangësitë. Problemi qëndron dhe në aspekt tjetër: komunitetet fetare kanë dhe ato argumentet e tyre për personazhe të caktuar të historisë së Shqipërisë.
Pavarësisht nga këto, Personalitete historike si Fan Noli i cili ka ngritur lart emrin e Shqipërisë si një patriot i vërtetë, ka folur dhe mbrojtur Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, duke kristalizuar identitetin kombëtar shqiptar përmes kontradiktave të komuniteteve fetare, përmes injorancës dhe analfabetizmit, përmes konflikteve të egra politike të pro-turqve dhe pro-perëndimore- duhen përkujtuar me nderim dhe respekt.
Ato sot në këto aspekte:
-tendenca për të nënvlerësuar idetë liberal-demokrate të Nolit dhe për të theksuar kritikat e disa politikanëve ish-komunistëve e të disa puthadorëve të tyre historianë se gjoja Noli kishte ide të kuqe?! Këtë ata e argumentojnë sepse Noli dhe Gurakuqi mbajtën 5 minuta zi për Leninin në parlamentin e atëhershëm shqiptar- parlament nga më të përparuarit në Ballkan të asaj kohe.
- tendenca për të nënvlerësuar përkthimet e Nolit duke i quajtur ato si jo shumë të mira dhe të ripunueshme. Unë mund të them këtyrë letrarëve dhe përkthyesve që duan të bëhen të njohur duke sharë tjetrin se, vetëm përkthyes si Fan Noli do të mund të përkthente kryeveprën e Shekspirit-Hamleti sidomos pjesën `To be a not to be`- të rrosh a të mos rrosh!! Në vend të jesh a të mos jesh?! Noli ishte Talent dhe artist në shpirt. Përkthimet e tij janë vlerësuar jashtë shtetit si dhe nga përkthyesit tanë shqiptare. Vetëm Petro Zheji ka përkthyer pjesën e dytë të Don Kishotit në mënyrën e vecantë të përkthimit të Fan Nolit i cili përktheu pjesën e parë në mënyrë të shkëlqyer. Sigurisht që ka, dhe do të ketë përkthyes të mirë, por fjala `i mirë` është kur përkthyesi të mund të jetë edhe artist, poet e letrar, nga shpirti.
-Tendenca për të nënvlerësuar Nolin duke quajtur atë si armik dhe për të mbivlerësuar Zogun si një nacionalist, sidomos nga pseudo –legalistët e sotëm. Dihet që revolucioni demokratiko-borgjez i Nolit (mund të quhet dhe ndryshe si emërtim), por ai mbetet një revolucion në kuptimin e revoltës ndaj shkeljeve të vazhdueshme të ligjit nga partia e bejlerëve të mëdhenj pro-turq. Por harrohet se atë që bëri Zogu për të ri-marrë pushtetin mund ta bëjë vetëm një tradhtar sepse është i pari person që futi trupat serbe në Shqipëri për të përmbysur situatën (serbët u futën edhe në kohën e Enverit në formën e internacionalizmit proletar!!!).
-Figura e Nolit nuk mund të mbetet e zbehtë as sot dhe as mot, kur dihet se megjithë problemet teknike-religjioze të krijimit, ai mbetet një nga themeluesit e parë të Kishës së parë Autoqefale Ortodokse Shqiptare.
Pavarësisht nga të gjitha këto ekziston dhe një heshtje e detyruar e tv private dhe e medias në përgjithësi kundrejt figurave që dhanë aq shumë në drejtim të njohjes së Shqipërisë në botë dhe të konsolidimit të shtetit shqiptar. Mendoj se kjo nuk është e rastësishme.
Le ta përkutojmë këtë figurë të ndritur shqiptare, këtë personalitet të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, këtë novator dhe përkthyes brilant, këtë poet të mrekullueshëm që ka ngritur e pasuruar gjuhën letrare shqipe dhe e ka vendosur atë krahas gjuhëve të tjera perëndimore e lindore të njohura, këtë shtetar që u përpoq të rrezonte obskurantizmin mesjetar të Shqipërisë së asaj kohe. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.