| E marte, 03.01.2012, 08:04 PM |
Daniel Gàzulli:
FATOSAVE TË HARRUEM
Ky ishte titulli i një editoriali të revistës “Hylli i Dritës”, nr. 3-4, 1942, fq. 101-106.
Shkruhej ndër të tjera në atë editorial: “Tjetërkund, njerëzit e idealit, në u mbytëshin për së gjallë, nderohen për së dekuni. Ndër ne mbyten dy herë: edhe harrohen.”
Për Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Dom Gjon Gàzullin nuk pat nevojë deka me kenë kapak florini. Jeta e tyne kje e dejë për deken që banë si dishmorë të lirisë së kombit.
Nji komb që lindet ka nevojë për fatosa që desin. Por fatosat që desin nuk kanë ç’ të bajnë në nji vend që i harron e i përbuzë”.
Shënimi im:
Bajram Curri, vra me 29.03.1925
Luigj Gurakuqi, vra me 03.03.1925
Dom Gjon Gàzulli, varë me 05.03.1927.
Kanë kalue 70 vjet që nga botimi i atij editoriali e historia përsëritet me grotesk tragjik: Fatosat po harrohen përsëri, vrasësi i tyne, njeriu që e solli në pushtet Beogradi, Ahmet Zogolli, “hosanohet” përditë.
Atëherë, vërtetë, çka të bajnë Fatosat në një vend që i përçmon?
Pa hy në analiza të matejshme, po ua kujtoj lexuesëve nëpërmjet tri elegjive.
(E pra do të ishte koha të këndonim për ta, jo të vajtonim).
Fan S. Noli
SHPELL’ E DRAGOBISË
(Elegji për Bajram Currin)
Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.
Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.
Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.
0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.
Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.
As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.
Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.
Fan S. Noli
SYRGJYN VDEKUR
(Elegji për Luigj Gurakuqin)
Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.
Nikollë Mazrreku:
DOM GJON GÀZULLI
Np’r at ag drite permbi rrugë t’heshtueme,
Kur njerëzve n’gjumë ma t’ambla u kndellën andrrat
E lehta të mëngjezit, kur n’balkone
Shej jete s’ka përveç ndonjaj dallndyshe
Që pret shoqin m’ia nisun punës me kangë,
Kur mbyllun heshtin dyert, heshtin dritare,
Me zemer t’fortë e hap t’sigurtë, nalt ballin,
Prifti me dekë po shkonte; e mbanë tij frati
Lutej e kjante. “Lutu! Lutu! Lutu”
Thonte i gjykuemi, e qetë vazhdonte rrugën
S’cilës i dihej e s’i dihej caku.
Atje n’zemer t’qytetit, si shmang rruge
Së madhe, e pritte kolovar litari
Nën nji çinar që moti e kish motnue,
E prap se prap i fortë mbahej në jetë.
Aty do t’soste ditt e veta n’lule
T’vjetve Dom Gjoni veç se e desht pak tepër
Atdheun e shuem t’vetin, t’zezen Shqipni.
Për kte ai do t’diste si trathtorët m’litar,
Në t’gjatën kmishë pa mangë, e me sentencë
Vjerrun për qafë ku kndon se n’emen t’ligjës
Po i merret jeta për interesa t’larta
T’kombit, për t’mirën e përbashkët.
E po, ti diqe ashtu si desin burrat,
Dom Gjon, dhe tuj e dijtë se disshe për interesen
E ‘j pakice njerzve bishë që, çue vampira,
Me krena e me gjak vllaznish themeluene,
(O kob prej Qiellit!) n’vend t’njij fron lumnije
E përparimi s’Shqipatrisë s’përvlueme
Për t’Drejtë e për Liri, po, mkambne t’zi
Katafalkun ku shtri do t’ndehej mbejti
I Kombit t’fortë që ndër njimi furtuna
Barbare i patronditun për ‘izet shekuj
Mbet gjallë mbi t’rrebtat male t’Ilirisë.
E pse kshtu, o Zot? Pse i prujti ai shpirti i tyne
Msa shpirti i bishës nuk mujte me ndigjue
Zanin e Liris s’vertetë: zhytë ndër llomshti
E msue me blue për shoq e vlla veç kobe,
Ata veç zanin ma t’tërbuem, ma t’egrin,
T’epshit t’Egos mund ndjejshin tuj lurue;
E u lshuene, porsa kapne n’dorë timonin
E anìjes ende s’pamësueme me ça valën
N’ket det njerëzish t’pamasë që rreh tallazet
Ndër krapa e guma të ksaj botës s’trishtueshme;
u lshuen, po, me rroposë e me përmbysë
Çka i duel përpara asaj gopsisë së tyne
Krenare s’ndërkryeme zemer-ngurrte.
E, porsi llava n’Sh’Ndre, kërleshun shtatit,
Përgjakun sytë, gati çapojt me shkye,
Iu turrne Atdheut, shpirtmdhajt n’gjak tu’ i la.
Ndër futa u vesh Shqipnija at’herë: e heshti
Entuzjazmi i Lirisë, shoi zani Ideja,
E prani puna. Zgaqun mbi kolltukë
Ata fa mirë, e prap t’pangimë, mbi krye
Me topuz gjaku e ndejne gati popullit,
E për ‘i fjalë goje i shkonte njerit jeta.
Ti diqe por, Dom Gjon, si desin burrat
Për nj’ Ide Shejte, për ‘i Shqipni ma t’mirë,
Sundue me Drejtësi, me besë Shqiptare,
Me besë jetike të Teftës e t’Agronit
Që, trashigim i shuguruem sa herë
Me gjak, Shqiptarë do t’bante nja nen Flamur
Të vetëm për uzdajë e dit ma t’bardha.
Diqe, e përpara se me t’u shtërngue
Vega e litarit, thirre: “Rrnoftë Shqipnija!”
Rraplluene lodertìjat: nën kambë shkambin
Me t’djathten tande t’hekurt e flakrove
Si ‘j gogel dushku. Pezullue n’ajrì
Për orë e orë ai trupi i yt i shtangun
Tu’ u rrotulluem n’at t’preften erë prandvere
Kah len e kah merr dielli, e syt e hapun,
kryet m’njant anë, bertitte: “Rrnoftë Shqipnija!”
E ndjeu djelmnija shqipëtare at vigem
E shpirti iu trondit, e me shpresë vrojti
Kreshnikun Shpirtin tand, kulluet si rrezja
E diellit, n’kupë t’Empirit tu’ u bashkue
Me tjerë të Mdhaj që pushka e vllaut trathtar
I muer, pse e deshtne teper Shqiptarinë,
Pse kjenë shpirtën të drejtë e shpirtën t’lirë
Si ai Shpirti guximtar i Avni Rrustemit,
Si ai Shpirti vullndet-hekri i Gurakuqit,
Si ai Shpirti titanik i Bajram Currit.
Po, o Shpirten t’Mdhaj t’ksaj Epos s’re shqiptare,
Djelmnija që latë mbrapa u ndjek me sy
E u gjen për shembull t’vetin n’atë Qiell t’kulluet,
Ku der sa rrokullija t’pshtjellet n’kaos
Do t’kndoni para Zotit: “Rrnoftë Shqipnija!”