| E marte, 03.01.2012, 08:57 PM |
Post festum: “Dasma Shqiptare në Preshevë e rrethinë, dikur dhe sot”
Nga Mehmet Latifi
Presheva, gjatë ditëve të fundjavës që e lam pas, ishte nikoqire e një numri të madh të studjuesve dhe lëvruesve të riteve, adeteve, zakoneve, traditës dhe modernes për dasmën shqiptare, në Tribunën shkencore “Dasma Shqiptare në Preshevë e rrethinë, dikur dhe sot”, në organizim dhe realizim të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Luginës së Preshevës.
Mbase një numër i pjesëmarrësve në këtë Tribunë kanë hezituar dhe kanë shprehur skepticizëm për realizimin e saj në nivel të duhur, por për fat të mirë, Tribuna në fjalë, dëshmoi se Presheva ka kapacitete intelektuale dhe profesionale (brënda konditave të veta) që të organizojë me shumë sukses aktivitete të tilla.
Kohë më parë, Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Luginës së Preshevës, ka realizuar një tribunë të ngjashme kushtuar etnokoreografisë së valleve në Preshevë dhe rrethinë, duke tubuar emra të njohur dhe të respektuar nga fusha e koreografisë mbarëshqiptare, që është vlerësuar mjaft e suksesshme.
Edhe kjo tribunë që shqyrtoi dhe trajtoi shumë aspekte të dasmës shqiptare jo vetëm në në rajonin e Preshevës, por edhe të viseve tjera të gjeografisë dhe etnosit shqiptar, që sipas vlerësimit të organizatorit, ishin përfshirë edhe rajonet e Shkupit, Kumanovës, Gjilanit, Vitisë, Bujanocit, Medvegjës, Preshevës dhe gjetiu, në kuadër të tezave të Tribunës, si Histori e dasmës shqiptare; Lirika dhe epika e dasmës shqiptare; Muzika, Kënga dhe Vallja në dasmën shqiptare, dikur dhe sot; Organizimi i Festivalit Folklorik i Dasmës Shqiptare në Preshevë dhe rrethinë; Gjurmimi, evidentimi dhe regjistrimi i dasmës shqiptare në Preshevë dhe rrethinë; Dasma shqiptare në mes të tradicionales dhe modernes; Vallet dhe këngët e burrave, të grave dhe të përziera në dasmën shqiptare.
Të gjitha këto teza të parashtruara, në masë të konsideruar edhe pse jo plotësisht, u trajtuan nga studjues të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare, me në krye prof.Dr. Agron Xhagollin, nga Instituti i Kulturës Popullore, pranë Akademisë së Shkenca të Shqipërisë.
Intonimi i Himnit Kombëtar në Tribunë
Pas fjalës përshëndetëse të Xhemaledin Salihut, kryetari i SHTKKLP, dhe përshëndetjes me shkrim të Akademik prof.Dr. Aleksandër Stipçeviq, kumtesën e parë e paraqiti pikërisht prof.Dr. Agron Xhagolli.
Ai në këtë tribunë paraqiti kumtesën: “ Këngët e dasmës-vendi i këngëve të dasmës së Luginës së Preshëvës në këngët e dasmës shqiptare”. Ai përmendi momentet më të rëndësishme të dasmës shqiptare, prerjet e drunjëve të dasmës, bluarja e grurit të damsës, zërja ë brimit, marrja e ujit, ardhja e të ftuarve, rruajtja e dhëndërrit, veshja dhe zbukurimi i nuses, nisja pritja dhe përcjellja e krushqëve, ardhja e nuses në shtëpinë e dhëndërrit, nusëria e saj, gostia, mbyllja e nuses etj, që të gjitha këto momente shoqërohen me këngë e valle të caktuara. Ai poashtu bëri edhe krahasimin e dasmës së dikurshme (me shkuesi) dhe dasmës bashkëkohore, duke paraqitur edhe tekstet e disa këngëve të dasmave, si p sh. “Ani mori nuse ani çaf gastare, ani a don lira, ani a don pare…” etj etj.
Në vazhdim, u prezantua kumtesa e Akademik prof.Dr. Aleksandër Stipçeviq, “Zakonet dhe traditat e martesave tek arbëreshët e Zarës”- që në mungesë të autorit e paraqiti Mehmet Latifi. Në këtë kumtesë janë paraqitur disa nga momentet e rëndësishme të dasmës arbëreshe, të begatuar edhe me disa vargje të një kënge.
Vlen të theksohet se kumtesa për dasmën e arbëreshëve të Zarës, është mirëpritur dhe është vlerësuar si mjaft e qëlluar dhe e kompletuar për aq sa premtonte koha e kufizuar për paraqitje në tribunë, (për dallim nga forma e zgjeruar që është dorëzuar organizatorit, me të gjitha hollësitë e përshkruara), dhe siç e tha edhe prof.Dr. Agron Xhagolli, drejtues i séances së paraditës, “iu dha intonacioni i duhur”.
Drejtuesit e seancës së paraditës : Prof.dr. Agron Xhagolli, Dr. Nevrije Bislimi-Ismajli dhe Xhemaledin Salihu
Pasoi kumtesa e prof.Dr. Xhovalin Shkurtaj dhe Leonora Shkurtaj, “ Epitetet dhe krahasimet në këngët e dasmës dhe kengët lirike , si pjesë e etnografisë së ligjërimit femëror”.
“Vallet e burrave-pjesë e riteve të dasmës shqiptare në Preshevë, ishte titulli i kumtesës së Xhemaledin Salihut , duke theksuar se ato jane traditë shekullore në dasmën e Preshevës.
Prof. Dr, Hamit Xhaferi, paraqiti kumtesën e tij “ Përshkrimi i bukurisë së nuses në këngët popullore shqiptare të dasmës në Maqedoni” fill pas kumtesës së prof. Dr. Ukë Xhemaj dhe kumtesës së tij, “ Dasma tradicionale dhe aktualiteti në Preshevë dhe rrethinë”.
Prof.dr. Hamit Xhaferi duke e lexuar kumtesën
“Zoti e vraftë Ibrahim Hoxhën” dhe historia e valles së “Ibrahim Hoxha”, ishte kumtesa e prof.Dr. Mustafa Ibrahimi, i cili me storje filmike pasqyroi këtë valle duke bërë edhe krahasime të duhura.
“Dasma strugane dikur dhe sot”, ishte kumtesa e prof.Dr Nebi Dervishi, i cili në pika të shkurtëra paraqiti ritet e dasmës strugane, për të kaluar në kumtesën e Dr.Hatixhe Ahmedi, e cila paraqiti kumtesën që zgjoi edhe disa reagime, “ Dasmat shqiptare, elementet e traditës islame dhe osmane në dasmën shqiptare”.
Profesori i koreografisë, Dilaver Kryeziu, në vend të paraqitjes së kumtesës së tij, “Vallet në dasmën preshevare dhe kadenca e tyre”, ai me temparamentin e tij të njohur reagoi lidhur me disa paraqitje të kumtesave që kanë të bëjnë me valet e burrave dhe të grave, që megjithate u mirëkuptua nga të pranishmit.
Dr. Nevrije Bislimi-Ismajli, paraqitiu kumtesën, “ Dasma në rrethin e Vitisë (Dasma dhe krijimet folklorike në shtëpinë e djalit-dhëndërrit)”, që ishte kumtesa e fundit e sesionit të paraditës.
Pamje nga Tribuna
Në sesionin e pasditës, Mr.Mustafë Haziri, paraqiti kumtesën me titull “ Dasma në Luginën e Preshevës dikur dhe sot”, për të vazhduar me kumtesën e prof.Dr. Fatmir Sulejmanit, “Ceremonitë e dasmës në fshatrat e Malësisë së Tetovës”; kumtesën me titull “ Dasma shqiptare dikur dhe sot-vështrim socio-kulturor”, të autorit Mr. Hajrulla Mustafa.
“Muzika në mes dasmës tradicionale dhe moderne”, ishte titulli i kumtesës së muzikologut Sami Pirraj dhe në përmbyllje të sesionit të pasditës, kandidati doktorant nga Presheva, Ferid Selimi, paraqiti kumtesën “ Komunikimi verbal dhe joverbal në këngët e dasmës shqiptare në rrethin e Preshevës”.
Në ditën e dytë të Tribunës shkencore në Preshevë, u paraqitën edhe kumtesat e tjera të parapara dhe të përfshira për këtë tribunë.
Drejtuesit e séances së paraditës të Tribunës, më 25 dhjetor 2011
Hysen Këqiku, paraqiti kumtesën “Doke, zakone dhe rite të ndryshme të dasmës në komunën e Kumanovës”, ndërsa kandidatja për doktorante, Riselda Sejdija, paraqiti kumtesën mjaft interesante “Dasma dhe vallëzimi popullor në Gjilan”, kumtesë që u ndoq me interesim të madh.
Jonuz Fetahaj, në vend të kumtesës së tij “ Këngët e dasmës dhe karakteri i tyre”, paraqiti vargjet e disa këngëve të mbledhura në teren, për ti lënë radhën Amir Latifit dhe kumtesës së tij, “Dasma preshevare me rrethinë”.
Në pjesën përmbyllëse të këtij sesioni dhe të Tribunës, me kumtesat e tyre u paraqitën Enkel Rexhepi, me kumtesën “ Zakonet e dsasmës në fshatrat e Preshevës”, Hasan Emërllahu me kumtesën, “ Mësiti dhe roli i tij në fejesën e të rinjve në Presheve e rrethinë”, dhe jo rastësisht e lash për në fund të përmendi prof. Rexhep Abazin dhe kumtesën “ Dasma shqiptare në komunën e Medvegjës”, ku pos kumtesës, ai apeloi që të “shpëtohet Medvegja, e cila dita ditës po tkurret, po zvogëlohet edhe nga boshatisja po zvogëlohet edhe gjeografia shqiptare”.
Pamje nga Tribuna
Në vend të përfundimit: Presheva dhe preshevarët edhe një herë dëshmuan se kanë kapacitete dhe gatishmëri intelektuale dhe njerzore për organizimin e evenimenteve të tilla kulturore, për ta mbajtur gjallë jo vetëm Preshevën, por për ti dhënë shtytje edhe rajoneve tjera shqiptare, ku kushtet dhe rrethanat janë shumë më të volitshme se san ë Preshevë, ku nuk kanë mbështetjen e ministrive përkatëse, ndërsa nga pushteti vendor mundësitë mund të jenë të kufizuara, sepse për një “dasëm të tillë” ku ishin ftuar afro 50 të ftuar, nuk mjafton vetëm vullneti, dëshira e flaktë dhe ideja, por nevojitet edhe mbështetje materijalo-financiare, që në kohën e krizave të përgjikthshme, mjetet materiale për ndonjë eveniment të këtillë me shumë vështërsi mund të sigurohen. Por, megjithate, Këshilli organizativ, me në krye Xhemaledin Salihun, dhe ndihmësit që kishte rreth vetes Abedin Selimit, Zeqijra Fazliut, Feti Shaipit, Ismet Bajramit e ndonjë tjetër, ia dolën ta përmbyllin me sukses këtë eveniment.
Pjesëmarrësit e Tribunës
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Preshëve, të gjithë të ftuarit, kush heshtazi e kush zëshëm theksuan se këta njerëz, këta persona, kanë nevojë për ndihmë maksimale, sepse përballen me vështërsi të mëdha rreth organizimit dhe realizimit të ngjarjeve të këtilla, që kësaj here pa dyshim ishin në nivel të duhur.
Grupi i Vajzave në Dasmën preshevare
E veçanta e gjithë kësaj, ishte edhe mbrëmja e ditës së parë të Tribunës, kur në mënyrë shumë originale u shfaq pjesë nga ceremonitë e dasmës preshevare, në Pallatin e kulturës në Preshevë, shoqëruar nga orkestrina popullore dhe grupi i zurleve dhe daulleve, përgatitur enkas për pjesëmarrësit e Tribunës.