| E enjte, 28.02.2008, 04:29 PM |
Mashtrim me pavarësinë
Dritan Goxhaj*
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës Si ish-pjesëtar i UÇK-së e di shumë mirë se, që prej datës 9 qershor 1999, në Kosovë nuk ka më as polici e as ushtri të Serbisë...
Si ish-pjesëtar i UÇK-së e di shumë mirë se, që prej datës 9 qershor 1999, në Kosovë nuk ka më as polici e as ushtri të Serbisë. Dhe as që ekzistojnë institucione qeveritare të Serbisë në Kosovë, që të ushtrojnë detyrën atje. Ndaj pavarësinë Kosova duhet ta shpallë ndaj rezolutës 1244 të OKB-së, që e mban të varur. Ajo rezolutë e njeh Kosovën si pjesë integrale të Serbisë dhe si protektorat të sajin. Kjo është një çështje që ia vlen të thellohesh, por që në këtë artikull nuk e shoh të arsyeshme. Do t’i kthehem shpalljes së pavarësisë. Parlamenti i Kosovës shpall pavarësinë dhe firmos aktin e saj. E gjithë kjo bëhet me një qëllim të vetëm: jo për t’i ndihmuar ngritjes dhe pavarësimit të saj, por për të mundësuar kalimin e varësisë së Kosovës nga OKB-ja, në varësi të BE-së.
Dihet që parlamenti i Kosovës është konstituuar mbi bazën e një kornize kushtetuese, e cila vetë është hartuar duke u bazuar mbi rezolutën 1244. Pavarësisht se ai kuvend mblidhet, çdo vendim që merr nuk është i vlefshëm deri në momentin që (ai vendim) të firmoset nga përfaqësuesi i OKB-së, që është kryeadministratori i Kosovës.
Pra, çdo lloj shpalljeje e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës nuk do të jetë e vlefshme po nuk e firmosi ky kryeadministrator. Lind pyetja: A do ta firmosë kryeadministratori këtë akt?
Sigurisht që jo. Për arsyen e thjeshtë, sepse ky zotëri që rri mbi të gjithë në Kosovë, nuk mund të firmosë asgjë që nuk e ka miratuar KS-ja. Tashmë dihet që pavarësia e Kosovës nuk do të kalonte kurrë në KS, sepse aty është Rusia që do të vendoste veton. Dhe aq më shumë ky kryeadministrator nuk do ta firmoste këtë akt, sepse atëherë do të vepronte në kundërshtim me rezolutën 1244. Në bazë të së cilës ky zotëri është duke ushtruar detyrën në Kosovë? Pra, si përfundim, shpallja e pavarësisë nuk do të kishte as edhe një lloj vlere ligjore as edhe për qeverinë e Kosovës. Përveçse një vlere moral,e ajo nuk do të kishte vlerë tjetër. E gjithë kjo është shumë qesharake, pasi më sjell në mendje një thënie të vjetër: “Historia përsëritet, por në një stad më të zhvilluar”. E them këtë, pasi një gjë e tillë ka ndodhur edhe në 7 shtator 1990, kur në Kaçanik u mblodh Kuvendi i atëhershëm i Kosovës dhe e shpalli pavarësinë. Edhe Parlamenti i Kosovës atëherë ndodhej në të njëjtën pozitë që është parlamenti sot. Vetëm se atëherë Kosova ishte protektorat i Serbisë, ndërsa sot i OKB-së.
Edhe pas aktit të shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi, si mund të jetë e pavarur Kosova kur kufijtë e saj do të vazhdojnë të jenë të kontrolluar nga KFOR-i dhe policia e re e Misionit Evropian?!
Kur policia e Kosovës do të kalojë në varësi të policisë së Misionit Evropian. Kur gjykatat do vazhdojnë të jenë në varësi të vendimmarrjes së gjykatësve të rinj të dërguar nga BE-ja. Kur burgjet do të kalojnë në varësi të këtij misioni të ri. Kur doganat do të jenë nën kontrollin e këtij misioni dhe kur gjuha serbe (edhe pse këta të fundit përbëjnë vetëm 5 për qind të popullsisë në Kosovë) do të vazhdojë të jetë gjuha e dytë zyrtare në Kosovë. Misioni i OKB-së në Kosovë së bashku me qeverinë e Kosovës ka burgosur Albin Kurtin, me pretekstin se ai me deklaratat e tij për vetëvendosje, po minon autoritetin e UNMIK-ut në Kosovë dhe po kërkon të destabilizojë Kosovën. Po Parlamenti i Kosovës me shpalljen e pavarësisë autoritetin e kujt është duke minuar? Ndaj qeveria e Kosovës duhet ta lirojë Albinin ose le të arrestojë atëherë gjithë Parlamentin e Kosovës.
Pra, duket qartë se Kosova po feston nën efektin e këtij mashtrimi të qeverisë dhe kuvendit të saj kalimin nga një shfrytëzues i konsumuar e i paaftë, siç ishte OKB-ja, në një të ri, BE-ja. Kjo që po ndodh në Kosovë nuk është aspak ajo për të cilën është luftuar dhe është derdhur gjak. Por në emër të saj po vazhdohet të manipulohet edhe më tutje.
E në rrethana të tilla të imponohet vetëm një pyetje: A është politika e qeverisë dhe e Kuvendit të Kosovës (duke i nënkuptuar të gjitha partitë politike dhe subjektet e tjera politike në Kosovë) duke u zhvilluar me vetëdijen e plotë mbi konsekuencat e mundshme të këtij veprimi?
*Autori ka qenë komandant në Zonën Operative të Qarrit të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.