| E premte, 30.12.2011, 03:05 PM |
NË 15-VJETORIN E RËNIES PËRKUJTOHET DËSHMORI, MEHË UKA
Nga Milazim KADRIU
Me aktivitete tematike e përkujtimore u shënua 15-vjetori i rënies së dëshmorit të kombit, Mehë Uka. Në akademinë e mbajtur me këtë rast morën pjesë drejtues të komunës së Mitrovicës, ministri i Arsimit, Ramë Buja, zëvendëskomandanti i FSK-së, Rrahman Rama, përfaqësues shoqatave të luftës etj. Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, nën përkujdesjen e të cilit u mbajt akademia, në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, tha se vepra e Mehë Ukës është e pavdekshme dhe ai do të mbetet një fanar që ndriçon Kosovën, atdheun për të cilin sakrifikoi gjithçka. Për të pranishmit në këtë akademi u shfaq edhe një film dokumentar për dëshmorin, Mehë Uka.
MEHË UKA (20.12.1962- 29.12.1996)
Mehë Uka u lind më 20 dhjetor 1962 në fshatin Bajgorë të rrethit të Mitrovicës . Fëmijërinë e tij e kaloi në kullën prej guri të cilën e kishte ndërtuar stërgjyshi i tij Bali Bajgora .Në të brez pas brezi ishin përkundur djepa dhe ngjeshur armë lirie .
Pesë klasat e para të fillores i kreu në vendlindje , kurse të gjashtën , të shtatën dhe të tetën në Mitrovicë . Pastaj u regjistrua ne gjimnazin e Mitrovicës ku kreu vitin e parë . Duke qenë shumë i zgjuar veçmas ne shkencat ekzakte profesorët e rekomandojnë që të shkojë në Prishtinë .
Vizioni i tij patriotikë do të shfaqet për herë te parë në gjimnazin e Mitrovicës ku gjatë një pushimi mes orësh në tabelë te klasës kishte shkruar : Arsimtarë të nderuar ua tregoni të vërteten nxënësve , dhe Trepça punon Beogradi ndërton.
Prej asaj kohe deri në rënie kurrë nuk u nda nga lufta për liri, dije e Bashkim kombëtar. Në moshën 16 vjeçare për herë të parë bie në burg për veprimtari “armiqësore” kundër “bashkim vëllazërimit”. Pas një kohe lirohet sepse konsiderohej si i mitur . Mirëpo Meha tani veç kishte nisur rrugën e tij më vizion të qartë për çlirim dhe bashkim kombëtar . Ishte maturant i gjimnazit në Prishtinë vitin në te cilin ndodhën demonstratat e ’81 dhe Meha qe më i vendosur dhe në ballë të tyre .
Meha kapet nga UDB-ja dhe dënohet me 60 ditë burg, të cilin e vuan në Mitrovicë e Smrekovnicë . Pas lirimit ai prapë vazhdon veprimtarinë patriotike dhe pas një viti dënohet me 18 muaj e me vonë me 7 vite burg.
Veprimtarinë e tij kombëtare Mehë Uka e zhvilloi në dy drejtime ; në atë politikë dhe ushtarak . Ai më vizionin, diturinë dhe guximin e tij i forconte radhët e rinis heroike të Kosovës . Ato demonstrate ishin me të organizuara dhe të fuqishme kundër sllavo-komunizmit që kishin ndodhur ndonjëherë . Ne ballë të tyre hapëronte kolosi Mehë Uka . Që nga viti ’81 e deri në ’99 u vranë me dhjetëra e qindra studentë , profesorë ,punëtor për liri e vetëvendosje .
Meha pra që nga viti 1979 e deri më 29 dhjetor të vitit 1996 kur u vra nuk u nda nga vizioni dhe rruga e tij për çlirim e bashkim kombëtar . Nëntë vitet e tij nëpër burgje jo vetëm qe nuk e thyen por përkundrazi e çelikosën edhe më shumë . Pas vuajtjes së dënimit , ai prapë vazhdon studimet .
Lidhjen kurrë s’e shkëputi nga vendlindja e tij. Sa herë vinte prej Prishtine në Bajgorë me vete sillte revista e libra që botoheshin në Shqipëri dhe propagandonte përgatitjet për luftë çlirimtare . Ai mbante lidhje edhe me atdhetarët e viseve tjera shqiptare . Lidhje mbante edhe më diasporën shqiptare , më shokët e tij të idealit si në : Gjermani , Zvicërr , Angli , Suedi e Norvegji . Ata i porosiste që të propagandonin në botën perëndimore për gjendjen e rendë të shqiptarëve në Jugosllavi.
Ai diti të mobilizonte tërë aftësinë intelektuale e politike për çështjen madhore kombëtare . Ishte pjesëmarrës aktiv në të gjitha tubimet ilegale dhe legale e shpeshherë edhe kryeorganizator dhe udhëheqës i tyre . Për ketë arsye la gjurmë të thella e të pashlyeshme në çështjen kombëtare duke mbetur i respektuar e i nderuar te nxënësit e tij dhe te kolegët me të cilët punoi . Ishte luftëtarë i pakompromis i çështjes kombëtare , duke qenë përherë aktiv në të gjitha çështjet vitale dhe rrethanat politike të kohës . Vizioni i tij i madh i dijes me shqisa te mprehta intelektuali bëri që t’i shtronte qartë mendimet dhe guximin e tij .Nga natyra ishte aq i dashur , i afërt e zemërgjerë e i durueshëm kur kërkonte momenti por edhe i rrëmbyeshëm e tepër i ndjeshëm ne çështjen madhore.
Karakterizoheshin te Meha guximi, trimëria e mençuria kur e kërkonte nevoja. Ishte meritë e tij e madhe sepse e vuri historinë në rrugën e drejtë të çështjes kombëtare. Ishte i prirur që ne çdo bisedë e kuvend të nxirrte konkluzione të arsyeshme , se i kishte hije vendi e kuvendi . Si i tillë ai mbetet ndër patriotet më të mëdhenjtë te kombit në periudhën e tij , i cili duhet të ketë vendin që i takon në historinë e tij kombëtare . Jeta e tij e flijuar për liri ishte dhurata më e madhe dhe e vlefshme që mund t’i epet atdheut për çlirim e bashkim kombëtar.