| E hene, 26.12.2011, 09:03 PM |
GJYKATA SUPREME E KOSOVËS
VENDOSË NË FAVOR TË DEMIR KRASNIQIT
Se e drejta dhe e vërteta nganjëherë vonon , por gjithmonë triumfon, këtë më së miri e dëshmon Aktgjykimi i formës së prerë nga Gjykata Supreme e Kosovës, e cila pas një pritje 3 vjeçare , vendosi në favor të Demir Krasniqit, i cili padrejtësisht dhe pa asnjë argument , u pezullua nga puna edukativo-arsimore në Shkollën Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan, pas 38 vjet përvojë pune në arsim dhe pas gjithë atyre kontributeve , angazhimeve dhe krijimtarisë së tij të bujshme jetësore .
Në vijim, për lexuesit e “Zemrës Shqiptare” dhe për të gjithë adhuruesit e së vërtetës , po ua sjellim pikë për pikë përshkrimin e Aktgjykimit të formës së prerë, të lëshuar nga Gjykata Supreme e Kosovës nën shifrën :Rev.nr.387/2008, të datës 08.11.2011, në të cilën shkruan :
NË EMËR TË POPULLIT
Gjykata Supreme e Kosovës , kolegji i përbërë nga gjyqtarët : Emine Kaçiku, kryetare, Meleqe Behxheti , Erdogan Haxhibeqiri , Shukri Sylejmani dhe Nazmije Ibrahimi, anëtarë, në çështjen juridike të paditësit Demir Krasniqit, nga Gjilani, të cilin e përfaqëson avokati Mustafë Musa, kundër të paditurës Komuna e Gjilanit – Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan , të cilën e përfaqëson Bardhosh Dalipi , për anulimin e vendimit mbi zgjedhjen e kandidatit sipas konkursit të publikuar , përkitazi me revizionin e të paditurës , paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Gjilan: Ac.nr.195/2008, datë 18.06.2008, në seancën e kolegjit të mbajtur më 08.11.2011, mori
A K T GJ Y K I M
Refuzohet si i pabazuar revizioni i të paditurës , paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Gjilan: Ac.nr.195/2008, datë 18.06.2008.
A r s y e t i m i
Me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan Ac.nr.195/2008, datë 18.06.2008, është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditurës dhe është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Gjilan C.nr.515/07 datë 29.04.2008, me të cilin me pjesën I të dispozitivit të aktgjykimit është aprovuar kërkesëpadia e paditësit dhe është anuluar vendimi i të paditurës për zgjedhjen e kandidatit sipas konkursit të publikuar në të përditshmen “Kosova sot” datë 01.08.2007, për vendin e punës arsimtar të edukatës muzikore në shkollën fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan, si kundërligjor dhe është detyruar e paditura që ta bëjë zgjedhjen e kandidatit nga radha e kandidatëve aplikues, këtë në afat prej 8 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit . Me pjesën e II të dispozitivit është vendosur që secila palë t’ i bartë shpenzimet e veta të procedurës .
Kundër aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së dytë e paditura me kohë ka paraqitur revizion , për shkak të shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale , me propozim që dy aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët të ndryshohen , ashtu që kërkesëpadia e paditësit të refuzohet si e pabazuar, ose ato të prishen dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rigjykim .
Pas shqyrtimit të aktgjykimit të goditur sipas nenit 386 të LPK, Gjykata Supreme e Kosovës , ka gjetur se:
Revizioni është i pabazuar .
Nga shkresat e lëndës del se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar se e paditura më datë 01.08.2007, ka shpallur konkurs në të përditshmen “Kosova sot” për zgjedhjen e arsimtarit të edukatës muzikore në shkollën fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan . Në konkursin e cekur ka marrë pjesë paditësi i cili 8 vjet radhazi ka punuar në këtë shkollë, posedon përvojë pune 37 vite , është krijues i 14 veprave muzikore dhe 100 albume , ndërsa kandidatja e pranuar Arta Haziri e cila nga kualifikimi është e barabartë me paditësin , por pa ndonjë përvojë pune, vullnetarisht ka hequr dorë nga ky vend i punës, kurse e paditura pa kësaj e merr Drita Hazirin , arsimtare të edukatës muzikore .
Gjykata e shkallës së parë ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar , ka anuluar vendimin e të paditurës për zgjedhjen e kandidatit dhe ka detyruar të paditurën që të bëjë rizgjedhjen e kandidatit nga radha e kandidatëve aplikues .
Gjykata e shkallës së dytë në procedurën ankimore në tërësi i ka pranuar konstatimet faktike dhe qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë. Ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore , se përmban arsye të mjaftuara për faktet relevante të cilat i ka pranuar edhe gjykata e shkallës së dytë , ka refuzuar si të pabazuar ankesën e të paditurës dhe ka vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë .
Nisur nga gjendja e tillë e çështjes , Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se aktgjykimi i goditur është marrë me zbatimin e drejt të dispozitave të procedurës kontestimore dhe të drejtës materiale , përmbanë arsye të mjaftuara për faktet relevante të cilat i pranon edhe kjo Gjykatë .
Gjykata Supreme e Kosovës i ka vlerësuar si të pabazuara thëniet e të paditurës të theksuara në revizion se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe asaj ankimore janë marrë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 354 par. 2 pika 13 ( mendohet në pikën 14) të LPK, ngase , sipas vlerësimit të saj diapozitiv i aktgjykimit është i pakuptueshëm , kontradiktor me vetveten dhe me arsyetimin , se nuk janë treguar arsyet mbi faktet vendimtare , sepse sipas vlerësimit të kësaj Gjykate , diapozitivi i aktgjykimeve të dy gjykatave është i qartë kur më ta është vendosur për kërkesëpadinë e paditësit , janë dhënë arsye të mjaftuara për faktet relevante , prandaj nuk qëndrojnë thëniet e të paditurës se aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët janë marrë me shkelje thelbësore të procedurës kontestimore nga dispozita ligjore të cilës i referohet revizioni .
Faktin e cekur në revizion se gjykatat nuk kanë mundur ta vërtetojnë se paditësi ka qenë kandidati më i mirë në raport me kandidatët tjerë , Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi si të pabazuar , ngase , e paditura me asnjë provë nuk ka mohuar faktin se paditësi ka kualifikim të njëjtë shkollor me kandidaten e pranuar , gjithashtu nuk ka mohuar faktet se paditësi në shkollën fillore “Abaz Ajeti” ka punuar 8 vite radhazi, se ka 37 vjet përvojë pune , është autor i 14 veprave muzikore dhe 100 albumeve , ndërsa kandidatja e pranuar është pa përvojë pune .
Thëniet e revizionit se gjykata e shkallës së parë të paditurës nuk i ka dhënë afat shtesë për të sjellë dokumentacionet e kandidatëve ngase afati i caktuar nga gjykata ka qenë i shkurtër , ndërsa numri i aplikantëve i madh , për të vërtetuar se cili prej kandidatëve i ka plotësuar më mirë kushtet e cekura në konkurs , Gjykata Supreme e Kosovës vlerësoi se thëniet e tilla kanë të bëjnë me vërtetimin e gjendjes faktike , për të cilën arsye sipas nenit 385 par.3 të LPK, nuk mund të paraqitet revizioni .
Mbi gjendjen e vërtetuar faktike , me administrimin e provave të nevojshme , gjykatat e instancës më të ulët , drejt kanë zbatuar të drejtën materiale , kur kanë gjetur se duhet anuluar vendimi i të paditurës për zgjedhjen e kandidatit sipas konkursit të publikuar në të përditshmen “Kosova sot” datë 01.08.2007, për vendin e punës arsimtare e edukatës muzikore në shkollën fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan dhe është detyruar e paditura të bëjë rizgjedhjen e kandidatit nga radha e aplikuesve .
Nga sa u tha më sipër e me zbatimin e nenit 393 të LPK, u vendos si në diapozitiv të këtij aktgjykimi .
GJYKATA SUPREME E KOSOVËS – PRISHTINË
Më 8.11.2011, Rev.nr.387?2008
Kryetarja e kolegjit,
Emine Kaçiku
(Pasojnë Vula e rrumbullakët dhe vula apostile e Gjykatës Supreme të Kosovës, mbi vërtetimin e saktësisë së këtij Aktgjykimi)
P.S.
Për saktësinë e përshkrimit të këtij Aktgjykimi , përgjegjësinë morale dhe ligjore e bartë mbi vete autori i publikimit të këtij dokumenti – Demir Krasniqi , me vendbanim në Gjilan, rruga “Mulla Idrizi”III.nr.150, tel. 044/615-450 dhe E-mail adresa : demirkrasniqi@live.com
Gjilan, më 25.12.2011. Demir KRASNIQI