Etnografi
Loja e gjarprit
Kjo lloj loje, që është e njohur pothuaj se vetën në trevën e Gallapit e të Marajve, përcjellët nga një defatore, ku këndojnë dy-tri femra, kurse në mes kërcen (vallëzon) vetëm një femër. Kryesisht është luajtur në Ditën e Shën Gjergjit, në dasma, në lindjen e ndonjë fëmije apo në Ditën e Ndrikullave
Nga Fatime AHMETI
 |
Fatime Ahmeti |
Te iliro-arbëro-shqiptarët gjarpri ka pasur rol shumë të rëndësishëm, sidomos te religjioni i këtij populli historik në këto troje. Vend të veçantë zë posaçërisht në mjekësinë ilire, por edhe në lëmit tjera. Populli shqiptar gjarprin e konsideron të dyllojt: gjarprin e malit apo të fushës, që mund ta kafshojë njeriun, dhe gjarprin që konsiderohet si roja e shtëpisë, që njihet si rojsi i shtëpisë. Sido që të jetë gjarpërinjve, përkatësisht bollave, që njihen me emrin përtokëza, pasi që ecin zhargas – përtokë, në Ditën e Shën Markut (25 prill) kur thuhet se gjithsesi rigon shi, atyre do t’ua lanë helmin apo do t’ua zbusë atë (helmin) dhe kështu ato nuk do të jenë shumë të rrezikshme. Megjithatë, gjarpërinjtë që jetojnë nëpër shtëpi ku banojnë njerëzit nuk janë të rrezikshëm dhe ata nuk e kafshojnë njeriun. Bile, thuhet se ata shpesh ka ngjarë që edhe i kanë ruajtur fëmijët e lidhur në djepa.
Në fakt, me gjarpërinjtë e shtëpisë njerëzit edhe kanë luajtur, janë argëtuar me ta. Njëra nga ato lojëra është e njohur edhe Loja e gjarprit, që njihet sidomos në Gallap e Maraj (Marec). Loja me gjarpër përcjellët me def dhe këndohet nga dy-tri vajza (femra), kurse një femër (vajzë) kërcen brenda rrethit që e formojnë këngëtaret, defatoria dhe shikueset tjera.
Sipas lokes Ramize Velia (83 vjeçare), nga Krileva, që tash e më se 60 vjet jeton në Prishtinë, kjo lojë është shumë e vjetër në ato anë. Ajo e ka mësuar nga kushërira e vet e cila ka vdekur që moti. Loja e gjarprit kryesisht është luajtur në Ditën e Shën Gjergjit (te besimtarët katolikë më 23 prill, kurse te ortodoksët dhe të tjerët më 6 maj), përkatësisht nëpër dasma, në lindjen e ndonjë fëmije apo në Ditën e Ndrikullave. Për t’u luajtur kjo lojë vajzat (femrat) janë bërë rreth, prej tyre dy-tri kanë kënduar dhe njëra i ka rënë defit, kurse vetën një femër ka hy në rreth, e cila e ka luajtur (vallëzuar) lojën e gjarprit.
Ndërkaq, sipas Nazife Ademit (71 vjeçare), e lindur në Zajçevc, komuna e Dardanës (Kamenicës), që tash e 40 vjet jeton në Prishtinë, e e cila këtë lojë e ka mësuar para më se 60 vjetëve, loja fillon me rënien e defit, kurse këngëtaret këndojnë:
Nisja, nisja qysh duhet me ja nis
Hajt shotë mos u tutë
As’asht gjarpen as’asht uk
As’asht uk për me të ngran
As’asht gjarpen për me të nxan
Asht mindili që e ki lanë
Valltarja (kërcimtarja) në mes kërcen rreth e mbi një mendim (një shami e vogël), që e dredhin dhe me te e imitojnë gjarprin. Pra, valltarja kërcen dhe bënë kinse do ta kap gjarprin me dorë apo kinse do ta shkel me këmbë. Po ashtu, valltarja e luan kokën siç konsiderohet se e luan edhe gjarpri dhe sjellët rreth vazhdimisht sikur do ta pak apo do ta shkel gjarprin. Bile, herë-herë e kap nga vendi dhe e qet në vendin tjetër. Kështu këndohet disa herë. Dikur për ta përfunduar kërcimin e kap gjarprin (në këtë rast mendimin) dhe e shtinë në shokë (brez), përkatësisht këngëtaret e këndojnë:
Hajt oj shotë në njanën anë
Mos e shkel mindilin me kamë
Tash merre mindilin prej toke
E mindilin shtine në shoke.
Në fund i duartrokasin valltares. Dhe kështu është përsëritur kënga, përkatësisht vallja e kërcimtares disa herë.
Lidhur me lojën e gjarprit u interesuam edhe në viset tjera të Kosovës, si në Drenicë, Rugovë e në Has, megjithatë kuptuam se në ato vise kjo lojë nuk është luajtur. Kjo lojë sado që është harruar, njihet vetëm në rajonin e Gallapit e të Marajve (Marec).