Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qerim Hysenbegasi: Etjen Mihal Dilo

| E merkure, 21.12.2011, 09:04 PM |


Etjen Mihal Dilo

 

Nga Qerim Hysenbegasi

 

E njoha fare të ri, sapo kishte  mbaruar gjimnazin  “Asim Zeneli”, Gjirokastër, dega pedagogjike. E kishin emëruar mësues në rrethin e Fierit.

Që në  rininë e hershme shquhej për cilësi të  larta intelektuale, për seriozitet dhe korrektesë të veçantë.

Edhe pse rridhte nga familja e   dilajve, nip i Ilia Dilo Shaperit,  edhe pse koha  rrëmonte pa rreshtur  për të nxierrë  kleçkat e biografive; Etjenin dëshironin ta kishin shok dhe mik, moshatarët e tij, pse  jo shumë më të rritur se ai, sepse, biri i delejve rrezatonte kudo e kurdoherë mirësi, ngrohtësi dhe çiltërsi ndaj atyre që e njohën dhe e deshën. Ishte njeri që të impononte respekt. Me vonesë, më 1960 i dhanë  të drejtën e studimit me korrespondencë pranë USHT, fakulteti  Gjuhë-letërsi s’njohu  asnjë kthesë në provime, as një notë më poshtë se 8-të. U diplomua në vitin 1964. Të gjithë e thërrisnin profesor Etjeni, emër që i shkonte për shtat. Iu mohua e drejta për të ndjekur provimet pasuniversitare, apo për të mbrojtur një  titull shkencor, megjithëse edhe pa atë, ishte shumë  më lart nga ata që e kishin.  U martua duke e zgjedhur partneren nga një derë e dëgjuar  në Fier. (Gjimajt).

Eftalia, kështu thirret e shoqja , një vajzë e ëmbël, elegante që rrezatonte  kudo fisnikëri. E urtë dhe tepër inteligjente. Thuhet që të afërmit na i fal Zoti, shokët, miqtë, aq më tepër  partnerin apo partneren i zgjedhim vetë. Dhe... S’kishte si të ndodhte ndryshe. Etjeni diti të zgjedhë. Zgjodhi  një ëngjëll. Ajo u tregua vërtet e denjë për të qenë nuse e dilejve. Xhaxhi Malja, i ati i Etjenit e deshi dhe e pëlqeu shumë, e pati nuse, shoqe për kokë. Ai përsëriste gjithmonë, Etjeni diti se ç’mori. Edhe nënë  Kaliopi, e ëma e Etjenit, e donte dhe e vlerësonte shumë. U bëra me dy vajza thoshte ajo. Eftelia diti t’ibënte  vend vetes, diti  të tregonte kush ishte dhe nga vinte. Dardha e verdhur nën kurorë tregon drurin që e prodhoi. Ajo ka ndjenjë të hollë, penë të mirë, zemër të madhe.  Midis rreshtave, dëgjon zemrën kur rreh. Me një  lirizëm të hollë di të përshkruajë peizazhet e bukura si të rralla, të Dhembelit, të Sheperit dhe Zagorisë. Kur lexon shkrimet e saj, harron që është  fierake, e mendon sheperiote, lindur e rritur në ato vende të ashpra, por shumë të bukura. Ajo meriton shuëm më tepër se  kaq sa shkrova, por dua të flas  për Etjenin, por edhe pse  kështu s’mund të lë pa  përmendur, gjysmën e shpirtit që jeton, Eftalinë.

Etjeni për mua do të mbetet një figurë e madhe dhe e papërsëritshme. Një karakter i fuqishëm, nëj vullnet e një këmbëngulje, një durim dhe përpjekje e paarritshme për të mos e lënë në mes punën e nisur.

S’do ta teproja po të  thosha që  Etjeni ishte hero i vërtetë i ditëve tona. Kështu do të mbetet në kujtesën e atyre që e kanë  njohur dhe parë me sytë e tyre gjendjen e tij të gjymtuar në atë farë mënyre.

Shkruaj kështu sepse Etjeni prej vitesh vuajti jashtë çdo parafytyrimi nga një sëmundje tepër e rëndë reumatizmale. Ai u kërrus, u rregjua në një mënyrë  të tillë që unë për fat të keq s’kam fuqi ta përshkruaj. Kushdo që e kishte njohur para sëmundjes, s’do ta njihte po ta shihte gjymtimin e plotë të tij.  Mjekët a ha... asgjë! Sa vinte e më tepër kërrusej, dhimbjet e padurueshme shtoheshin vetëm  ai që i  provoi mund t’i përshkruante , por Ai, as shkroi, as i zuri me gojë. Nuk ekzagjeroj po të them se gjithë jetën time s’kam parë njeri  më të durueshëm dhe më fisnik.  Ashti si ishte  u nis për në Greqi për t’u kuruar. Të kurohej, po me se...? Bashkë me  dhembjet ai përballoi dhe varfërinë. Punoi! Shiste  paketa cigaresh  dhe ndonjë punë të lehtë që mund të bënte. Mori me vete dhe Eftalinë, punuan së bashku dhe grumbulluan të hollat për spitalin.

Mjekët ia siguruan” suksesin duke e paralajmëruar  për dhimbjet që  duhej të përballonte.

Operacioni doli me sukses, por duhej dhe një i dytë.

Mjekët  i kërkuan që pas një viti të bënte edhe një operacion  të dytë. Ai përballoi çdo gjë.

Në atë gjendje që ishte asnjëherë  s’e ndërpreu  veprimtarinë e  tij intelektuale, si u shërua disi edhe atë fizike. Me duart e shtrembëra, ndërtoi një dhomë që dhe mjeshtrit ndërtues ia patën zili.

Edhe sikur të kisha mbushur faqe të tëra, s’do të kisha mundur të thosha  aq sa duhet për atë figurë aq madhështore. E desha Tenin, e desha shumë, e adhuronja karakterin e tij të pamposhtur.

Ata që e kanë njohur Tenin, duke lexuar këto pak rreshta, do të më thonë: “Mos i lëndo eshtrat, Teni meriton shumë më shumë.

Teni ndërroi jetë, por ai është me ne, midis nesh në mendjet e zemrat tona. Ai asnjëherë  s’do të  mbulohet nga mjegulla e harresës. Ai u largua prej nesh në korrik  të vitit 2008, vdekje aksidentale.

 

Na la pas:

1.         Titullin “Mësues i merituar”, që i dhanë fierakët.

2.         Artikuj studimorë, botuar brenda e jashtë vendit.

3.         Bijë e sheperit, një emër që  rron mes nesh(monografi),

4.         Riboton gramatikën  e Ilia  Dilo Sheperit(paisur me materiale shtojce.

5.         Ilia  Dilo Sheperi është nga ashti  i mëmëdheut.

6.         Një botë që lind e nuk lind dot.

7.         Në udhëtim  “Personalitete të padiskutueshëm”.

8.         Ka lënë në dorëshkrim edhe dy liba të tjerë. Vëllezërit Zhei dhe poeti Agim Shehu i vlerësuan lart   të pamposhturin  Etjen Dilo.