| E diele, 18.12.2011, 09:02 PM |
KUJDES NGA ''NDIHMAT HUMANITARE“ RUSE
Nga Frank Shkreli
Nga mitologjia e vjetër greke edhe sot përdoret shprehja ''kujdes nga grekët që sjellin dhurata'', e që e ka zanafillën në luftën midis Greqisë e Trojës, kur grekët u dhanë trojanëve një kal të madh druri që përmbrenda mbante 30 burra të armatosur. Troja pranoi kalin prej druri duke e sjellur në qytet ku gjatë natës, grekët e armatosur mbrenda kalit të drurit dolën nga kali dhe ndërmorën një sulm të papritur kundër Trojës.
Ditët e fundit po flitet dhe po shkruhet shumë në lidhje me të ashtuquajturat ''ndihma humanitare ruse'' për banorët serb të veriut të Kosovës. Serbët dhe rusët pretendojnë se ato janë ''ndihma humanitare'', për banorët serb të veriut të Kosovës, ku jo vetëm sipas zyrtarëve të shtetit dhe të qeverisë së Kosovës, por edhe sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, në atë zonë të Kosovës nuk nuk ka asnjë krizë humanitare, që të nevojitë ndonjë intervenim urgjent. Ashtuqë, këjo situatë e krijuar, është një krijesë me paramendim e Rusisë duke përdorur ambasadorin e saj në
Kush është ky ''diplomat'' i një vendi i cili jo vetëm refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, por që aktivisht po minon paqën dhe stabilitetin në Ballkan duke krijuar dhe duke inkurajuar një mjedis dhune e konflikti në veriun e Kosovës?
Ky është ambasadori i Moskës në Beograd i cili merr pjesë në mitingjet elektorale të ultra-nacionalistëve serbë; ky është ambasadori i Rusisë për të cilin bile edhe grupe të ndryshme serbe kanë bërë thirrje, që për arsye të veprimtarisë së tij jo diplomatike, të shpallet ''persona non grata'', dhe të dëbohet nga Serbia. Ky është diplomati rus në kryeqytetin serb, i cili në punimet e një forumi mbi sigurinë globale, që u mbajtë kohët e fundit në Beograd, i akuzoi pjesëmarrësit se nuk janë duke bërë sa duhet që të mbrojnë pretendimet serbe ndajë Kosovës si dhe ‘’interesat e bashkombasve të tyre në Kosovë’’. Ky është ambasadori i Vladimir Putinit, i cili nxitë lidhje të ngushta midis dy vendeve ortodokse në dëm të përpjekjeve të Serbisë për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian, vetëm e vetëm sepse Perëndimi përkrah pavarësinë e Kosovës. Ky është ambasadori rus në Serbi, i cili në një fjalim në qytetin serb Llazarevac – në përpjekje të hapët ndërhyrjeje në punët e mbrendshme të këtij vendi – kërcënoi se Serbia nuk duhet të lejojë që marrëdhënjet me vende të tjera (vendet perëndimore) të dëmtojnë marrëdhënjet e sajë me Rusinë, pasi ‘’një gjë e tillë do të jetë më shumë e dëshme se sa e dobishme’’, për Serbinë.
Ambasadori Konuzin nuk është duke zhvilluar këtë aktivitet në kokë të vet. Për këtë veprimtari, ai ka përkrahjen e plotë të Kremlinit. Ministria e Jashtëme ruse, duke iu përgjigjur ankesave ndaj sjelljeve absurde të diplomatit të saj në Beograd -- ka deklaruar se veprimtaria e ambasadorit të saj Aleksandr Konuzin, është një ‘’praktikë normale diplomatike’’. Por aktiviteti Konuzin në Serbi nuk ka të bëjë aspak me punën normale të diplomatëve. Megjithëse është e vërtetë se si pjesë e veprimatrisë së tyre diplomatike, diplomatët e huaj të akredituar marrin pjesë në mitingje të partive në vendin ku shërbejnë, nuk është normale dhe ata në asnjë mënyrë nuk duhet të favorizojnë një parti politike në krahasim me të tjerat. Një veprimtari e tillë, përgjithësisht, konsiderohet si aspak e dëshirueshme dhe e pa precedencë dhe jashtë rregullave diplomatike. Radio Evropa e Lirë citon Zotin Genadi Sosojev, një ekspert i politikës së jashtme i gazetës Komersant se veprimtaria e ambasadorit rus në Beograd, mbi të gjitha, shkelë edhe protokollin diplomatik rus. ‘’Unë nuk di asnjë rast tjetër ku një ambassador rus, kudo në botë, mban fjalime në mitingje parazgjedhore të partive që luftojnë për pushtet’’, thotë komentatori Sosojev. ‘’Jo vetëm Serbia, por asnjë vend tjetër nuk do të toleronte një gjë të tillë’’, shtoi ai.
Veprimtaria diplomatike anti-shqiptare e ambasadorit të tanishëm rus në Beograd nuk duhet të habisë asnjë njeri. Këjo është një vazhdim i traditës dhe politikës shekullore anti-shqiptare të Moskës ç’prej kohës së carëve të Rusisë, të sovjetikëve komunistë dhe deri në ditët tona të politikës së jashtëme të Vladimir Putinit, siç po e vërteton haptazi edhe aktiviteti i ambasadorit të tanishëm rus në Beograd, politikën e të cilit ai zbaton me përpikmëri dhe devotshmëri, në një shtet vasal të Rusisë.
Le të shpresojmë që “kali i trojës’’ i “ndihmave humanitare’’ të Rusisë për serbët në veriun e Kosovës, që u lejua të hynte mbrenda ‘mureve’ të Kosovës të Premtën, të mos dëmtojë arritjet e deritanishme të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe të shkatërrojë “qytetin’’, duke prishur paqën dhe sigurinë. Si rrjedhim, duhet të ketë një politikë shqiptare të konsoliduar dhe të bashkrenduar mirë ndajë veprimtarisë aktive anti-shqiptare të politikës dhe diplomacisë ruse, pasi aktiviteti dhe deklaratat e ambasdorit rus në Beograd nuk janë asgjë tjetër veçse një pasqyrim i përpjekjeve shekullore të Moskës për sigurimin e objektivave gjeopolitike të Rusisë në Ballkan, historikisht në dëm të interesave të kombit shqiptar.