Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Muharrem Sfarqa: Intervistë me gazetarin, publicistin, krijuesin dhe veprimtarin Muharrem Ramabaja

| E shtune, 17.12.2011, 09:05 PM |


 

E djeshmja dhe e sotmja ime janë, jo vetëm dy kohë,  por dy botë krejtësisht të ndryshme

 

Me Muharrem Ramabajën, gazetar, publicist, krijues e veprimtar i pavarur kulturor e politik, biseduam  për përvojën e tij në dy realitete të ndryshme, jetën e tij publike në Kosovë deri në verën e vitit 1993 dhe kohën e  deritashme në mërgim, në Gjermani.

 

Ekskluzive nga Muharrem Sfarqa

 

Ramabaja është i lindur në vitin 1956 në Dazhnicë të Gallapit të Kamenicës. Ka kryer shkollat në vendlindje, në Hagosh, në Kamenicë e në Prishtinë. Ka studjuar dy vite drejtësinë por ka diplomuar në Letërsi. Nga viti 1977 deri më 1993 ka punuar gazetar, Redaktor – Reporter i lirë dhe, tri vitet e fundit në Kosovë – drejtor i parë i ndërmarrjes „Zëri“. Ka zhvilluar gjithmonë dhe veprimtari kulturore e politike, themelues ose drejtues organizatash rinore, klubesh letrare, shoqërish kulture, në Kamenicë e në Prishtinë, ose klube shqiptarësh në Gjermani. Ka marrë pjesë, pos tjerash, në Kuvendin themelues të LDK-së më 23 Dhjetor 1989.

Aktualisht jeton në Aachen të Gjermanisë.  Ka bërë ose bënë punë përkthimi për gjuhët shqip e gjermnanisht, dizajn me komputer, pedagog në shkollën gjermane e të tjera, kryesisht si veprimtari të pavarura.

 

- Do të flasim për të djeshmen e të sotmen.  A na thua në fillim diçka për shkollimin dhe formimin tuaj arsimor e profesional?

 

E djeshmja dhe e sotmja ime janë, jo vetëm dy kohë,  por dy botë krejtësisht të ndryshme, dhe kjo nuk ngjanë vetëm me mua por me shumicën e brezit tim. Prishtina kishte dhjetëra – mijëra stundentë nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Ishte krijuar tashmë një konkurrencë vlerash dhe, që të shquheshe e të bëheshe zë i veçuar në një fushë a në një intstitucion, duhej të kishe një potencë intelektuale, një vokacion krijuesi, një identitet e vlerë personale. Pra, kishte masë, kuantitet amorf sa të duash mirëpo jo edhe ambicie e cilësi mësimi, pune e kreativiteti.

Si i ri mendoja se jeta është një mision kompleks me diçka të shenjtë dhe me diçka magjike brenda. Në pushimin e verës pas klasës së gjashtë fillore, pos tjerash,  jo që e lexova po e mësova thuaja përmendsh vëllimin e veprave të zgjedhura të Naim Frashërit. U mrekullova, njëkohësisht, me të folmen toskërishte të Naimit (shumë vite më vonë, në takimet e rastit me tiranas, nuk e besonin se isha kosovar, ngaqë e flisja, sipas tyre, shqipen edhe pa akcentin e veriut). Si nxënës i klasës së shtatë e të tetë fillore i lexova të gjitha librat shqip që kishte biblioteka e qytetit në Kamenicë (ato s´ishin shumë, ç´është e drejta, ngase shumica ishin në gjuhën serbokroate). Saherë më falte dikush nga familja para, i ruaja dhe, kur  shkoja në vizitë tek dajot në Prishtinë, bleja libra beletristikë, që atëherë shiteshin para Teatrit.

Si gjimnazist në Kamenicë, krahas librit letrar, zura të lexoj intensivisht edhe literaturë filosofike, Niçen, Shopenhauerin e të tjerë. Natyrisht, Karl Marksi ishte „ylli“ im midis filosofëve të botës. Isha kaq i pasionuar pas tij sa që e njihja edhe jetën private të tij, familjen, dy vajzat, qytetin Trier të Gjermanisë. Që ta kënaq kurreshtjen e ndonjë lexuesi, iu them se para një kohe bëra një rrugë nga Aheni në Trier, që të vizitoj shtëpinë e tij të lindjes. Natyrisht, tashti jo me pasionin emocional të gjimnazistit. Mirëpo me bindjen e pandryshumeshme se mendimi i tij mund të ndihmojë edhe sot në shpjegimin dhe në zhvillimin e shoqërisë njerëzore.

Brezi ynë është formuar me libër e me makinë shkrimi, me dashurinë për gjuhën e kulturën kombëtare, për dallim nga të rinjtë e sotëm të botës së globalizuar, fëmijtë tanë që përmes kompjuterit dhe internetit e kanë botën me vete, në xhep ose në çantë, ngado që shkojnë. Brezi im është pra ai që ka kaluar, si të thuash, nga rrethanat mesjetare të jetesës drejt e në kohën moderne.

 

- Keni mbaruar Letërsinë në Prishtinë dhe keni punuar që heret, gjithë kohën, në „Zërin“ e atëhershëm?

 

Unë kam kryer dy vitet e para për drejtësi. Por, që në vitin e dytë të studimeve, duke e parë rregullisht të botuar në faqen e parë të Rilindjes lajmin me fotografi se juristët duhej të betoheshin solemnisht para Kryetarit të Kuvendit të Kosovës (atëherë ishte një Nedelkoviq) se do ta mbronin gjithmonë Kushtetutën e Jugosllavisë, unë hoqa dorë nga drejtësia dhe rexhistrova Letërsinë. Ky vendim imi nuk ishte vetëm një axhamillëk rinor. Qysh si gjimnazist më kishin bërë anëtarë të Lidhjes Komuniste dhe kryetar të Konferencës së rinisë së shkollave të mesme të Kamenicës, mirëpo unë i mbaja më vete në klasë e në zyrën time të kryetarit, ta zëmë, Vëllimin e Nëntëmbëdhjetë të veprave të Enver Hoxhës, shumë ekzemplarë të revistës Shqipëria e re , romanin „Mërgata e qyqes“ të Nasho Jorgaqit e të tjera, pra literaturë që e shpërndante shërbimi diplomatik shqiptar. Shumë të rinj të Kamenicës janë „formuar“ me atë litërautrë që e merrnin nga unë. Po përmend këtu një nga lexuesit më të pasionuar, bashkënxënësin e mikun tim Musli Kosumi (edhe vëllezërit e tij, Bajram Kosumi e të tjerët, vëllezërit e Sadri Ramabajës, etj.). Këtë literaturë e merrja nga vëllai im  Xhevat Ramabaja (në perëndim e njohin si Xhavit) që ishte nje nga nismëtaret, e organizimeve antijugosllave në Perëndim.

Qysh si student nisa të punoj edhe gazetar. Muhamet Krasniqi më ofroi bashkëpunim me “Zërin”. Shkrova një koment për studimet në Universitetin e Prishtinës, që, sipas meje, nuk ishte studim po, në masën më të madhe, një mësim i keq. Pas këtij shkrimi tim të parë, më thirrën dhe më pranuan gazetar, në dhjetor 1977. Isha njëzetenjëvjeç.

 

- Si ishte e mundshme të “bashkëjetonin” kaq gjatë puna legale publike  si gazetar profesionist në realitetin jugosllav dhe kundërshtimi gjysmë i hapur i sistemit ose propaganda politke antijugosllave, me tezat enveriste?

 

Që nga vitet shtatëdhjetë, shqiptarët në Kosovë e në viset tjera të Jugosllavisë e kishin krijuar tashmë bindjen se Prishtina kish potencialin intelektual, profesorët, krijuesit, gazetarët e të tjerë, që do ta mbronin e do ta çonin përpara çështjen kombëtare. Ata që e mbronin me bindje sistemin jugosllav në Kosovë, pos në institucionet ekzekutive të shtetit, ishin një pakicë, madje edhe të përbuzur nga rrethi i kolektiveve ose farefisit të tyre. Kështu ka qenë situata në Rilindje, në Universitet, kudo në Kosovë. Nuk kanë dalë të gjithë profesorët, shkrimtarët, gazetërt e të tjerët me flamur në demonstrata, nuk kanë shkruar parulla në asfalt, në mure, në banka të shkollës, nuk kanë krijuar organizata ilegale, jo pse të gjithë ata kanë qenë tradhëtarë ose frikacakë. Kanë provuar të bëjnë një punë të ndërgjegjshme në fushën e vet dhe, sidomos, të mos shndërrohen në vegla qorre të regjimit. Këtë mund ta ilustroj përmes përvojës sime. Jam njëri nga qindra gazetarët e Kosovës që, për të marrë një rrogë, kam shkruar raporte nga realiteti politik i atëhershëm. Lexuesi im ama ka ditur plotësisht të dallojë raportet me fraza bajate nga tubimet politike, (janë parë ato nga aeroplani), nga shkrimet subjektive, reportazhet e lira, skicat, impresionet, idetë, që kanë buruar nga shpirti, me një stil, rrjedhë e vokabël të ëmbël, njerëzor dhe krejt shqip. Janë dalluar pra si buka e grytë nga kollomoqja. Shkrimet dhe veprimtari të tjera  të mijat, kanë bërë që unë gjithnjë të trajtohesha si “material policor”, dhe ndonjëri nga kolegët ose miqtë e mi, që synonte të bënte karrierë politike, iu ikte ndenjave të shtruara me mua, që Selim Brosha të kërkontë nga drejtorët e Rilindjes të më demaskonin e të më përjashtonin si armik të shtetit e plot përjetime të tjera të pakëndshme gjatë gjithë jetës sime si gazetar në Prishtinë. Shpesh kam menduar se më e lehtë do të ishte sikur do të isha dënuar politikisht nga një gjykatë  dhe të mos bëja atë jetë paralele. Jo vetëm kur ma ndaluan të bëjë punën time si redaktor në rubrikën e politikës (më ndalohej, jo vetëm hyrja në ndërtesat e komiteteve komuniste e isntitucione të tjera të shtetit si gazetare por edhe pjesëmarrja në tubimet politike nëpër qytete, nga do të duhej të raportoja. Mirëpo, ishin kolegët e mi ata që nuk më demaskuan, përkundër, më ndihmuan dhe unë kalova në rubrikën e kulturës. E di që dosja ime në sigurimin e shtetit ishte shumë e fryrë, edhe para se unë të zgjidhesha drejtor i “Zërit”,  menjëherë pas shpartallimit faktik të Lidhjes Komuniste, në vitin 1990. Fat më të zi kanë pasur me dhjetëra  kolegë e miqë të mi, të cilët nuk i kishin mbyllur në burg po ua kishin mbylluar gojën duke ua ndaluar publikimin e shkrimeve me emër të vet.

Tashti, në fund të kësaj përgjigjeje në pyetjen për propagandën enveriste. Ne, atëherë, s´kishim literaturë tjetër dhe ajo që vinte nga Shqipëria, e shtypur apo e emituar nga Radio Tirana, niste dhe mbaronte me Enver Hoxhën. Por ama, askush s´ do të kërkontë nga ne që të botonim porositë e Enverit në gazetë. Gjithandej ku kam shkuar, në bisedat private, e kam thënë hapur mendimin tim, që e kundërshtonte pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi. Dhe, kështu ka bërë thuaja e gjithë ajo elita intelektuale e Prishtinës së asaj kohe, ngado që ka shkuar në viset shqiptare në Jugosllavi. Natyrisht që, ka pasur dhe ndonjë detal që e kam mbajtur për vete e nuk ua kam thënë as miqëve. Gjatë vizitave të mija private ose zyrtare në Gjermani, unë takoja domosdoshmërisht edhe diplomatë nga Ambasada e Shqipërisë në Bon. Këtë e dinin vetëm vëllezërit e mi dhe gruaja ime.  Kur ia thashë këtë detal mikut tim të mirë Qani Mehmedit para pak vitesh në Prishtinë, ai më tha: Kjo s´do të të „falej“. E di, iu përgjegja.

Në fund të kësaj pyetjeje dua ta bëj një sqarim: Shpresoj që Ti dhe lexuesi nuk ma zini për të madhe që unë sjell kështu momente „triviale“ nga përvoja ime. Kujtoj që përmes informatave të tilla ilustrohet më mirë ajo kohë. Ti dhe rrethi im e dini që s´ndjej asnjë nevojë për asnjë lloj marketingu që ta promovoj veten.

- Në fillim të viteve 90-të ishit drejtor i „Zërit“. Ishit afër zhvillimeve politike, afër liderëve të ri të Kosovës dhe të personaliteteve të tjera publike në Prishtinë. Çka mund të na përkujtoni nga ajo kohë?

Viti 1989 ishte një vit i një kthese të madhe në Kosovë. Heqja e asaj autonomie të Kosovës  nga Millosheviqi, dobësimi i mëtejshëm i Lidhjes Komuniste, solli organizimin e shqiptarëve në parti të veta. Që në vjeshtë të vitit 1989, Shkëlzen Maliqi e Veton Surroi, themeluan degën e një Iniciative jugosllave (UJDI), që ishte organizimi i parë politik jashtë LKJ-së. Unë isha njëri nga 33 nënshkruesit e asaj nisme, jo pse më pëlqente programi i saj por pse ishte përpjekja e parë për pavarësim nga Partia komuniste. Tubimi ishte paraparë të mbahej në shtëpinë “Boro e Ramizi” por nuk na lejuan dhe u desh të shkonim në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve. Ndërkaq, datë historike mbetet 23 Dhjetori 1989, kur u themelua LDK-ja. Në këtë Mbledhje mora pjesë me bindje, me zemër e me shpirt dhe kujtimi i kësaj date edhe sot më krijon një ndjenjë kënaqësie. Në LDK u anëtarësua, shpejt, thuaja i tërë populli i Kosovës. Unë kam bërë me mijëra kopje të listave të anëtarësimit, duke përdorur personelin dhe mjetet teknike të shumëzimit të Rilindjes. Dua ta them këtu edhe një detal: Diku në qershor të vitit 1990, sipas një organizimi të ri të ndërmarrjeve në Jogosllavi, duhej zgjedhur drejtorët. Në një konkurrencë të lirë dhe pa pëlqimin e partisë komuniste, vetëm me votën e lirë, të fshehtë të punëtorëve, u zgjodha drejtor i parë “Zërit”. Kjo ndodhte për herë të parë në Kosovë, ngase më heret ishte gjithmonë e domosdoshme përshtatshmëria politike, që do të thotë, lojaliteti ndaj sistemit. Që atëherë, për të ruajtur neutralitetin politik dhe kodeksin profesional të gazetarit, (me përjashtim të Lëvizjes dhe të Partisë së të  Gjelbërve, të cilat i kam përkrahur në shumë forma), nuk jam anëtarësuar asnjëherë në ndonjë parti politike. Ishin krijuar tashmë edhe parti të tjera. Mendohej se LDK-ja kontrollonte Rilindjen prandaj dikush tjetër donte ta bënte “Zërin” tribunë të veten. Unë nuk e lejova këtë, deri sa isha aty, në verë të vitit 1993, kur edhe u shpërngula për në Gjermani.

Vitet 90-të  e më pas sollën thuaja refuzimin total të shqiptarëve për të nënshkruar lojalitetin  ndaj regjimit të Millosheviqit dhe si pasojë, edhe daljen nga puna. Në fushën e informimit ndodhi po ashtu diçka e keqe dhe e rëndë: U ndalua gazeta e përditshme Rilindja dhe u mbyll Radiotelevizioni i Kosovës. Në këso kushte, edhe mua më ra të bart një barrë që ishte e rëndë dhe shumë komplekse. Doja të bëja gjithë atë që ishte në mundësitë e mija për të funksionuar informimi. Ne ishim tetë drejtorë të ndërmarrjeve të Rilindjes por, se si, shpesh qëllonte që unë te merrja një barrë ose një nismë e cila, natyrisht, përkrahej plotësisht nga të tjerët. Në një nga ato mbledhjet, vendosëm që të dilnim përditë me një botim të formës së gazetës Rilindja. Në mënyrë alternative, një ditë “Zëri” e një ditë “Bujku” (titulli i një reviste që s´ishte ndaluar). Në kohën e sotme është i paimagjinueshëm interesimi i atëhershëm i lexuesit për botimet tona. Që në orët e mëngjesit shiteshin me dhjetëra, mijëra ekzemplarë, ndonjëherë kalohej edhe shifra njëqindmijë. Shtypi shitej e shpërndahej nga të gjithë, edhe nga bujku në arë, nga bukëpjekësi, nga nuk e di se kush. Ishte kohë e rëndë, e rrezikshme, prandaj edhe etja e lexuesit që të mësojë të rejat ishte si varshmëria nga buka e nga uji.  “Zëri” u shndërrua në një adresë të fuqishme e me ndikim, me gazetarë të zotë e rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh. Për një kohë ishim edhe financiarisht të fortë dhe kishim  mundësi që në forma nga më të ndryshmet të ofronim e të ndihmonim një rreth të gjerë intelektualësh, krijues të fushave të ndryshme, veprimtarë politikë e të tjerë.

- Ju e thatë që Radiotelevizioni u ndalua. Jepeshin lajmet në Radio Tiranë…

Do të përmend këtu se, derisa ne në Pallatin e shtypit po gjallonim disi me improvizime të shumëta, kolegët e Radiotelevizionit s´ishin askund. Ishte Nuhi Bytyçi që bëri përpjekjet e para të raportojë përmes  Radio Zagrebit, për çdo ditë,  në orën dhjetë të mbrëmjes, në gjuhën shqipe. Por, ai s´kishte mundësi që të raportonte nga rruga. I ofrova unë mundësinë dhe mjetet që këtë mision, atëherë jashtëzakonisht të rëndësishëm, ta ushtronte nga zyra ime, ku kishte telefon, fax, makinë shkrimi. Pas tij erdhën edhe gazetër të tjerë të Radios e të Televizionit dhe dikur nisën emitimin e lajmeve nga Tirana. Udhëheqja e RTP më dha falënderime shumë të përzemërta dhe ata, me ndihmën e qeverisë në mërgim, u pavarësuan sadopak, me redaksitë në Prishtinë dhe në Tiranë.

Kjo puna jonë atëherë kishte edhe anën tjetër, të rëndë. Secila ditë ishte e mbushur me presion të llojllojshëm të regjimit të Millosheviqit. Ndalime me gjyq e konfiskime gazetash, burgosje, marrje në pyetje ditën e natën, dikur e morën me ligj gjithë Rilindjen, e emëruan Panorama, i caktuan disa kolegë tanë të dikurshëm serbë drejtues  të shtëpisë sonë, nisën të na shantazhojnë e të na bllokojnë. Ta zëmë, drejtori serb i shtypshkronjës na kërkonte  paratë përpara se të shtypnim botimet tona ndërsa drejtori serb i rrjetit të shitjes nuk na jepte paratë për botimet tona të shitura. Na futën në gërshërë. Në këso kushte, unë bëja përpjekje që, në emër të drejtorëve të Rilindjes, të ankohesha e t´i bëja jehonë bllokadës që na bëhej tek një Misinon i OSBE-së (edhe ata e kishin atëherë selinë në Dragodan). Kjo ishte e vetmja adresë në Kosovë ku mund të ankoheshim. Ata kishin një mision vëzhgimi të gjendjes në Kosovë. Dhe, natyrisht, në rastet kur ne vinim në situatë bllokuese që të mos dilte shtypi ditor, unë shkoja të konsultohesha edhe me liderin e ri të Kosovës, Ibrahim Rugova. Unë nuk shkoja në selinë e Rugovës përditë dhe as kisha ndonjë ambicie politike. Shkoja kur kisha punë. Dhe, e kam pasur gjithmonë derën e hapur. Kam shkuar disa herë edhe për punë të tjera, jo vetëm për ato që lidheshin me shtypin. Njëherë i propozova një takim me një oficer të lartë dhe ai e mori me shumë seriozitet propozimin tim. Takimi u zhvillua në Sofali, meqë atje, në një atmosferë familjare, Rugova ndjehej më i sigurtë se sa në banesën e tij në Lakrishte. Për takimin dinte,  pos meje dhe oficerit, vetëm edhe Adnan Merovci, që na shoqëroi deri në Sofali. Kam edhe kujtime të tjera kur më ka rastisur që të bëjmë bashkë ndonjë rrugë diku në Prishtinë, me veturën time private ose zyrtare, për të shkuar ose në të kthyer nga ndonjë takim. Ai ishte lider i pranuar botërisht i Kosovës dhe bisedat në katër sy me të ishin një përjetim i veçantë. Ditën e heqjes së autonomisë së Kosovës, në një situatë tepër të tensionuar që mbretëronte në Prishtinë, Ibrahim Rugova, në një Konferencë ku ishin edhe raportuesit e medieve të huaja, e tha fjalinë domëthënëse: Populli i Kosovës nuk e pranon këtë Kushtetutë për të veten. Pas Konferencës, Rugova kishte shkuar në Redasinë e Botimeve të Rilindjes. E takova në holin e Pallartit të Shtypit. E vërejta menjëherë shqetësimin në fytyrën e tij. Me të drejtë, sepse refuzimi publik i vendimit të rexhimit të Millosheviqit në emër të popullit të  Kosovës, do të transmetohej nga vendës e ndërkombëtarë, nga Zëri i Amerikës, BBC-ja e shumë të tjera. E shoqërova deri te banesa në lakrishte. Që nga ajo ditë, Ibrahim Rugova u promovua definitivisht në lider të Kosoëvs. Do të veçoj edhe dy detale të ndryshme që i kam edhe sot në kujtesë. Pas një “lufte politike” që zhvillohej midis personaliteteve dhe partive shqiptare në Kosovë, ishim ne të “Zërit” që i sollëm të gjithë në një tavolinë, për herë të parë, për  të biseduar rreth organizimit të rezistencës në ato kushhte. Pas bisedës së gjatë në Redaksi, unë organizova edhe pjesën joformale, një darkë të përbashkët  në një restoran në Taukbashçe, të cilin e kasha rezevuar vetëm për mysafirët e mi të çmuar, që ish elita e Kosovës. Interesi im i vetëm ishte afrimi i të gjithëve mesvete. Në një rast tjetër, bashkë me Skënder Kastratin, kishim bërë, sa di unë, përpjekjen e parë për t´i bashkuar autoritetet më me ndikim të Kosovës në një lloj Këshilli Kombëtar. Skënderi e mori përsipër ta bisedojë idenë dhe mundësisht ta bindë Adem Demaçin që të bëhej pjesë e këtij Këshilli ndërsa unë e mora përsipër që këtë ta bëja me Ibrahim Rugovën dhe me Rexhep Qosjen. Unë bisedova gjatë, natyrisht ndaras, me të dytë, por, për fat të keq, nuk arrita t´i bind plotësisht që të formohej një trup i tillë kombëtar, ku do të kishte edhe personalitete të tjera si Akademik Mark  Krasniqi e ndonjë tjetër.

Nga këto që thashë deri tash, ti e kupton që më ka penguar shumë një lloj ndasie që eksistonte midis personaliteteve dhe partive shqiptare të asaj kohe. Kjo e ka zbehur dhe e ka bërë më të vështirë rrugën drejt lirisë.  Ndonjë lexues yti mund të më marrë për një idealist që s´merr vesh gjë nga politika dhe realiteti politik, atëherë ose tash. Kjo mund të jetë pjesërisht e drejtë. Politika nuk ka qenë kurrë për mua një “territor i huaj, i panjohur”. Jo vetëm si të gjithë shqiptarët që janë interesuar për politikën, që ka qenë fati i tyre, ose, më mirë, fatkeqësia e tyre. Profesionalisht s´kam qenë në politikë por ajo ka qenë gjithmonë aty, në mua, ditë e natë, që kur mbaj mend për veten.

- Kam bindjen që duhet ta zgjasim edhe më me politikën, para se të kalojmë te krijimtaria. Arsyeja mund të jetë te ngarkesat që ka brezi ynë, i krijuar në kohën kur gati gjithçka ishte politikë. Ti e ke edhe përvojën e mërgimit, nga viti 1993. Gjatë kësaj periudhe u intensifikua organizimi politik i shqiptarëve në diasporë, ngjau lufta në Kosovë, ndërhyri edhe NATO dhe aparati i Millosheviqit u shtërngua ta lërë Kosovën.   Si e vlerëson këtë periudhë të organizimit të shqiptarëve në diasporë?

Do të provoj të përgjigjem, kushtimisht, sa më shkurt. Po qe e mundur. Unë kam pasur një ide relativisht të qartë, edhe para se të vija në Gjermani, për organizimin e shqiptarëve në Perëndim. Shqiptarët kanë një përvojë të gjatë me kolonitë e veta që në kohën e Rilindasve, në Stamboll, Kajro e Alenksandri, Sofje e Bukuresht, Amerikë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte Brukseli që kishte tubuar të gjithë kundërshtarët shqiptarë të komunismit në Shqipëri e Jugosllavi. Ndërkaq, në Gjermani, në Zvicër dhe në vendet tjera evropiane, rezistenca politike nis me shqiptarët që kishin ardhë si punëtorë nga Jugosllavia, të njohur këtu si “Gastarbeiter”, në vitet `70-të. Në fillim ishin klubet jugosllave që tubonin punëtorët dhe që ndihmoheshin e përkraheshin nga diplomacia jugosllave. Por, shumë heret, nisën të themeloheshin ose të pavarësohehsin disa nga klubet, që donin të ishin shqiptare. Përkundër presionit të shumëfishtë, disa ia dolën të mbijetonin, siç ishin rastet e klubeve në Bielefeld e Dysseldorf, ne Gjermani e edhe në Zvicër. Këto ishin çerdhet që themeluan edhe lëvizjen politike kundër Jugosllavisë. Atëherë nuk ishin shumë por bënë shumë, sakrifikuan shumë dhe e promovuan idenë se “parajsa e Titos” që respektohej në Perëndim, kishte një problem të pazgjidhur, problemin e shqiptarëve në Jugosllavi.  Ata paguan çmim të madh për këtë; u likuiduan, u denoncuan, u manipuluan duke ushtruar përqarjen midis tyre (atdhetarin e shpallnin tradhëtar e bëshkëpunues të UDB-së jugosllave ndërsa bëshkëpunëtorin e tyre e shpallnin patriot), shpenzuan shumë para e mund, disa u maltretuan gjatë vizitave në Kosovë e disa nuk e panë Kosovën me dhjetëra vite.

Në vitet ´90-të, ndërkaq, kur në këto vende tashmë ndodheshin disa qindra-mijëra shqiptarë, u krijua një realitet i ri. U themeluan shumë klube dhe, thuaja gjithkund, edhe degët, nëndegët e aktivet e LDK-së. Kishte edhe këtu shpesh përçarje, si në Kosovë. Por, kishte një diçka të përbashkët: Të gjithë e duanin Kosovën dhe viset e veta, të gjithëve iu mungonte vendlindja dhe të gjithë jepnin para për të. S´kish rëndësi se kush i kërkonte as pse i kërkonte. Ishte turp i madh të mos jepje paranë, madje, edhe po të mos e kishe. Duhej ta gjeje e ta jepje, ndryshe, nuk e doje Kosovën, ose, në raste të ndryshme, rrezikoje të të anatemonin si refuzues të Atdheut, si tradhëtar.

Ajo që mua më dhemb shumë është se gjithë ajo energji e shpenzuar, gjithë ajo para e shpenzuar, nuk arriti të krijojë edhe kulturën e organizimit si komunitet që do të kishte mjediset dhe atmosferën e takimeve familjare, me gra e fëmijë, për ndeja normale, të zakonshme ose për përmbajtje  kulturore, argëtuese e sportive. Kjo do të ndihmonte të ruhet shëndeti psiqik i brezit tonë, që është rritur dhe formuar në trojet shqiptare dhe që kurrë nuk arrin të integrohet në atë masë sa të mos e ndjejë vazhdimisht mungesën e atdheut, të farefisit, të shokëve e të miqëve, të njerëzve të dashur, pra, të një rrethi të social që të krijon edhe qetësinë shqpirtërore. Unë e njoh realitetin në Gjermani dhe e di se, veçmas gratë janë ato që, në masë të madhe, vuajnë edhe nga sëmundje nervore, për mungesë realizimi të nevojave të tilla shpirtërore. Klubet dhe partitë ishin gjithmonë punë burrash të sertë, rëndom nëpër bodrume, me zhurmë, tym duhani, raki e çaj të zi. Ndonjëherë të organizuar edhe kundër njëri-tjetrit dhe me armë në brez. Unë nuk kërkoja nga bashkëvendësit e mi që të bëhen të zotë e të organizohen si ebrejtë, por ama ne kishim potencial shumë herë më të madh se sa portugezët e spanjollët n­ë Gjermani. Nuk e harrroj një skenë në Minden të Vestfalisë. Në një mbrëmje, pashë qytetarë jogjermanë që vinin në grupe, familjarë, të veshur solemnisht dhe hynin në një objekt të bukur ku valonin flamujtë spanjoll e portugez. Më vonë e kuptova se ata e kishin marrë me qera atë shtëpi dhe aty zhvillonin takimet dhe ndejat e veta vikendeve. Pa zhurmë, pa patriotizëm, pa armë por plot relaks, kulture, gëzim e kënaqësi.

Lidhja emotive e shqiptarëve me atdheun ishte ndryshe para luftës, me gatishmërinë e ndihmesës dhe të sakrificës, ndryshe pas luftës, kur u investua jshhtëzakonisht shumë para në Kosovë dhe ndryshe tash, kur, edhe pse me një dozë të dukshme zhgënjimi e keqkuptimi, vazhdon të jetë e fortë lidhja emotive me Atdheun. Natyrisht, jo me intensitetin e mëhershëm. Shumë bashkëvendës tanë, madje, e shesin pasurinë që kanë atje, ose, thjesht, e lënë ose e falin dhe blejnë a ndërtojnë këtu. Ka një defekt të madh, një kompleks, që prodhon efekte të dëmshme për të gjithë, për Kosovën dhe për vetë të mërguarit. Kjo vie si pasojë e pritjeve të ndryshme që kanë të dyja palët. Kosovarët bezdisen nga mërgimtarët, nga “budallenjtë e Gjermanisë”, që, kur vijnë në Kosovë prishin rendin, sillen në mënyrë të pakulturuar, si konservativë e të prapambetur që janë…Dhe, madje, trajtohen ose përqeshen si koprracë.

Ndërkaq, mërgimtarët janë zhgënjyer me Atdheun, ngase ata nuk mund ta lënë shtëpinë ose banesën e tyre pa roje të paguar, ngase ia vjedhin. Unë vetë do ta bëja një shtëpi të vogël pushimi por miqtë e mi në Prishtinë më kanë bindur që të mos e bëj, po s´jetova vetë në të dhe, edhe atëherë, po dole ditën a në mbrëmje në qytet, duhet të kesh rojen aty. Ata nuk mund të bëjnë një bisnes, sepse u duhet të japin ryshfet. Nëse dikush ka bërë diçka, pasuria e tij kërcënohet nga haraçkërkuesit ose nga rreziqe të tjera. Ata nuk mund të krenohen me Shtetin e tyre të ri para kolegëve ose miqëve gjermanë, ngase nuk shohin kurrë një reportazh që e vlerëson për të mirë ndërtimin e shtetit të ri. Përkundër, aty, që në themel të shtetit, vendoset organizimi grupor, mafioz, korruptiv, padrejtësitë e shumëta në shoqëri. Secili nga ne njohim njerëz të mirë e të ditur në Kosovë, të cilëve u është mbyllur goja ose e kanë mbyllur vetë nga dëshpërimi dhe ndjenja e pamundësisë për të ndtyshuar diç në atë shoqëri. Kosova nuk po ndërtohet në një shoqëri ku ka konkurrencë vlerash, ku më i miri e drejton një fushë, ku nxënësi me notën më të mirë e fiton indeksin e fakultetit më të mirë. Dhe, mbi të gjitha, ku nëpunësi i shtetit, polici, gjykatësi, gazetari, profesori, as formalisht e as praktikisht, nuk e njohin autoritetin e palitikanit por vetëm të ligjit. Kështu është këtu në Perëndim. E ne shqiptarët, të gjithë, jemi deklaruar se e duam një shoqëri e një qytetërim të tillë, të lirë e demokratik. Ndërsa, Kosova nuk është plotësisht e lirë (nuk e kam fjalën këtu te sovraniteti), derisa ka defekte të tilla. Qytetari nuk është i lirë, nëse nuk është i barabartë, qoftë edhe me kryeministrin, para ligjit. Qytetari dhe pushtetari duhet t´i frikohen vetëm ligjit. Në Kosovë, si duket, qytetari i frikohet edhe ligjit, edhe pushtetarit, edhe bisnesmenit të fuqishëm. Ndërsa këta nuk i frikohen askujt. Aty ku ndodh kështu, nuk ka demokraci. Aty ku ndodh kështu, shoqërinë e pret një e ardhme e zymtë, një degradim, me pasoja që i vuajnë edhe shumë breza më vonë.

Defekti, që thamë më parë, është edhe i natyrës subjektive, psikologjike. Dua ta them këtu një gjë: Pushtetarët e ri të Kosovës kanë bërë shpejt pasuri milionëshe. Kjo është e dëmshme, për të gjithë, edhe për ata vetë. Secili pushtetar, veçmas ata që marrin përgjegjësi më të mëdha, duhet të kenë kushte të mira jetese, kushte shumë komode banimi, pagesë të mirë për punën. Atyre iu duhet siguruar, në kuadër të ligjit, siguri për të sotmen dhe për të ardhmen. Që të ndjehen mirë e të punojnë mirë. Por, ata që shkelin mbi themelet e shtetit të vet, veçmas të një shteti të ri për të cilin kanë sakrifikuar breza të tërë, (madje edhe ata vetë, më shumë ose më pak), nuk e kanë vizionin e burrështetasëve, strategjinë e  ndërtimit të Kosovës. Kosova kishte shansin unik të promovohej në një shembull pozitiv e të merrte përkrahjen e dytë të madhe, tashti në ndërtimin e paqes e të zhvillimit ekonomik. Miqëve të Kosovës do t´u shpërblehej përkrahja e dhënë në luftë, ndërs armiqëve të saj do t´u mbyllej goja. Po, si duken punët sot?  E shohim të gjithë. Dhe, edhe më keq, e ndjejmë se perspketiva do të jetë edhe më e keqe. Për të gjithë.

Janë këto rrethana, pos tjerash, që shumica e shqiptarëve e marrin shtetësinë gjermane ose të vendeve të tjera. Ndonjëherë madje edhe pa keqardhjen, pa ndjenjën se  po e tradhëtojnë vendlindjen. Dhe, ka ardhë koha kur, veçmas ky brezi më i moshuar, që s´mund të integrohet plotësisht në shoqërinë e këtushme, të gjejë mënyrën se si do t´i kalojë ditët e pleqërisë. Birraritë gjermane dhe shtëpitë e këtshme të pleqëve nuk i ofrojnë njeriut tanë qetësinë shpirtërore, asnjëherë. Ne në Perëndim duhet të gjejmë prapë formën e bashkimit, kësaj radhe edhe për nevoja shpirtërore, jo vetëm atdhetare.

- Pse Muharrem Ramabaja nuk është i angazhuar sot në jetën publike, qoftë në mërgatë apo edhe në Kosovë?

Kam pasë aq shumë oferta, gjithmonë, nga më të ndryshmet. Të bëhem kryetar dege i partive, i shoqatave e klubeve të të gjallëve e të të vdekurve, drejtues gazetash, revistash a radiosh, e s´di çka tjetër. Në diasporë e në Kosovë. Por, jo. Jo ngase më mungon vizioni, kondicioni, energjia. Mendoj se përgjigja mund të dalë nga gjykimi im për shoqërinë tonë (Kosovën). Jam formuar në rrethana të tjera, kam pasë një vizion tjetër për vlerat e një shoqërie. Analizoni përbërjen e qeverive që kishim deri tash, analizoni partitë tona politike! Mendoni se ato pasqyrojnë potencialin më përfaqësues të Kosovës? Jo, as për së afërmi. Ka kaq shumë njerëz të urtë e të mençur, me përvojë e profil moral të padyshimtë, që kanë ulur kokën e shohin hesapin e vet, në shpi të vet. Ata nuk mund të rreshtohen diku pas një shefi, të shtyjnë e të pështyjnë detyrimisht, me të drejtë e pa të drejtë, secilin që ia prish tymin shefit të tij. Natyrisht, një gjendje të tillë e ke edhe në fushat tjera, në informim, në arsim, në kulturë e kudo. Jo, aktualisht jo. Nuk e di se ç´do të sjellë e nesërmja.

- Ndiheni më shumë i shpenzuar apo i harruar?

I shpenzuar jo, i harruar po. Zhvillimit e viteve të fundit e kanë zhveshur njeriun tonë nga shumë vlera të mira sociale e kulturore dhe e kanë bërë përfaqësues tipik të një shoqërie të konsumit, ku çmohet vetëm paraja. Vetëm interesi që të sjell paranë. Ata që më njohin, e dinë që unë nuk i përkas atij lloji. Paraja më duhet, por unë “nuk vdes” për të.  Miqtë e mi të vjetër, në Kosovë e jashtë saj, më mungojnë shumë. Rastet e rralla, kur i takoj, më krijojnë një kënaqësi që të mbush zemrën plot, të frymëzon e të bënë të lutesh që edhe herë të tjera t´i takosh. Por, siç e thashë, takimet janë vërtet të rralla, për arsye të obligimeve jetësore dhe për arsye të distancës së madhe gjeografike. Ky ishte shikimi im për rrafshin thjesht njerëzor, shoqëror. Tash do të të përgjigjem edhe më drejt: Edhe në jem harruar, unë e di formulën e organizimit politik ose kulturor, në Kosovë dhe në Gjermani dhe këtë mund ta bëj në çdo kohë. Por, nuk e besoj se, së pakut aktualisht, e vlenë të investoj mundin, kohën dhe paranë, që të bashkoj rreth vetes një grup bashkëmendimtarësh. Unë nuk besoj se do ta ndërroja botën për të mirë. Ende jo. Ndoshta më vonë, dhe atëherë do ta marrësh vesh edhe ti, ngase do të duhej të bëhej një adresë e çmuar dhe e respektuar, për secilin…  Mirëpo, unë i kam përkrahur dhe i përkrah të gjithë ata që e kanë durimin dhe e marrin mundimin që të bëjnë një organizim, veçmas këtu, në Gjermani. Ti e njeh respektin tim ndaj organizatorëve, kushdoqofshin ata. E di edhe dhimbjen time të madhe e të sinqertë për humbjen e një organizatori të mrekullueshëm këtu në rrethin tonë, Abedin Gashit.

- A mund ta presim ndonjë sihariq nga ju, si njëri ndër intelektualët dhe emrat që mbaheni në mend për shkrimet e bujshme?

Kushedi? Ndoshta. Mos harroni se shumë shkrimtarë të mëdhenj i kanë bërë kryeveprat në moshën gjashtëdhjetëvjeçare. Domethënë, koha ime nuk ka ikur ende…Kjo ishte përgjigje me pak humor, por jo krejt pa mbështetje. Kjo ka të bëjë edhe me pikëpamjen time për shkrimin e për botimin e librit. Unë kam kaq respekt të madh për librin sa nuk do t´i lejoj vetes kurrë të dal para lexuesit me një vëllim të dobët. Me një vëllim që, edhe po ia dhurove dikujt, do ta hedhë në rastin e parë, pa e lexuar fare. Unë nuk kam nevojë ta mashtroj veten e t´i torturoj të tjerët rreth meje. Kam tri dorëshkrime të gatshme. Një prozë dhe  poezitë e viteve tetëdhjetë si dhe një roman kriminalistik, të shkruar në vitin 2005 (gjermanisht). Proza e parë atëherë  (“Malet e qyqes”, viti 1985) kishte një të veçantë, një vlerë qoftë edhe jashtaletrare, temën, shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit. E luta Profesor Rexhep Qosjen ta lexojë dhe ai më tha, pos tjerash, se romani im duhej të kishte, jo njëqind, sa i kishte, pa katërqind faqe, ngase tema ishte e madhe dhe e patrajtuar. Unë e lashë dhe as që e kam lexuar për herë të dytë. Unë s´e pata deri sot, as kohën e as durimin që t´i bëj katërqind faqe nga ai dorëshkrim. Romani tjetër, nga viti 2005, i shkruar këtu në Aachen, ishte një përpjekje që të bëhej një vepër e zhanrit të krimit, por nga një autor shqiptar. Edhepse ishte nga dorë e parë, dhe e dija se duhej të „dinamizohej intriga“, ia ofrova një botuesi të njohur që nxjerr vetëm tituj me tirazhe të mëdha. Më kthyen një përgjigje të gjatë, me plot komplimente por edhe me lutjen që ta rishikoja nga një aspekt. Unë s´e rishikova kurrë më, natyrisht. Dhe, gabimisht. Në vitin 1987, kisha një projekt të gatshëm për një botim publicistik, biseda me personalitete e analistë për krizën e Kosovës. Një botues shumë i njohur më ktheu përgjigjen se lexuesi perëndimor është lodhur me Jugosllavi, me Bosnë e me Ballkan prandaj një temë e tillë për Kosovën s´ka treg. E ruaj edhe sot në arkivin tim atë letër, në origjinal. Një ambasador më pati thënë, është e rëndë ta titullosh „Kriza e Kosovës“…Siç e dini, pas pak ndodhi lufta, ndërhyrja e NATO-s. Kisha pasur të drejtë, pro tashmë ishte vonë.

Nuk e kam iluzionin se unë do të mund të shkruaj një ditë një vepër që „do ta ndryshojë botën“. Mirëpo unë jam shumë konservativ në qëndrimin se një vepër duhet të shohë dritën vetëm nëse vërtetë i krijon kënaqësi, së paku një rrethi të caktuar lexuesish, që mund të jenë vetëm disa qindra. Dhe, unë shpresoj ende që do t´i krijoj vetes një ditë luksin që t´i përkushtohem shkrimit (ju e dini që, sidomos proza kërkon një përqëndrim të madh). Kjo është ëndërra ime e madhe, t´i krijoj vetes qetësinë e brendshme shpirtërore dhe komoditetin që të ulem e të shkruaj. Unë shpresoj se, po e pata shëndetin, do ta bëj këtë së shpejti, në vitet e ardhshme. Dhe, ti do të jesh një nga lexuesit e parë të një dorëshkrimi të ri.

- Si e ka tjerrë kohën në mërgim Muharrem Ramabaja?

Për nga forma, si shumë shqiptarë të tjerë. Shpirtërisht, pak më ndryshe. E kam thënë ndonjëherë në takime me miqë se është e vështirë jeta në këtë „shkretëtirë shoqërore e kulturore“ të shqiptarëvve në Gjermani. Mua, edhe gruas sime, Gjylës, kënaqësinë më ta madhe na e krijojnë dy djemtë tanë. Gëzohemi që ata kanë bërë një shkollë të mirë. Altini është inxhinier i diplomuar i arkitekturës ndërsa Adriani e përfundon magjistraturën në shkencat shoqërore (histori, filosofi dhe filologji gjermane).  Iu gëzohemi takimeve me familjarë dhe me miqë. Nuk e kemi zgjidhur ende dilemën nëse do ta kalojmë pleqërinë në Këln të Gjermanisë, në Prishtinë apo në bregdetin shqiptar. Për të tjerat, mendoj se jam përgjegjur pjesërisht diku te pyetjet e mëhershme.

- Cila do ishte porosia juaj për institucionet rreth njohjes dhe afirmimit të shtetit të Kosovës, në botë?

Këtë punën me të huajtë ne s´kemi ditur ta bëjmë kurrë si duhet, as para luftës, as pas lirimit të Kosovës. Veprimtarët tanë politikë s´kanë mundur kurrë të dalin nga  komplekset e ambicieve personale ose partiake e grupore dhe këtë e vërejnë të huajtë, ngase ata janë të aftësuar e të specializuar në zanatin e politikës e të shërbimeve të tjera dhe nuk improvizojnë si ne. Kam përvojën time nga Prishtina dhe nga Gjermania e Zvicra, kur unë jam zënë ngusht dhe jam ndier keq, jo gjithmonë me fajin tim. Mjafton të shikoni teatrin që zhvillohet midis Behxhet Pacollit dhe qeveritarëve të tjerë rreth njohjeve që vijnë nga shtete të ndryshme të botës.

Është e ditur, është një rregull universale, si për individin ashtu edhe për shoqërinë: bota të njeh e të çmon, nëse ti je i mirë dhe i zoti. Problemi i parë i Kosovës sot është bërja e një shteti të mirë e të suksesshëm, me qeverisje drejtësie e ligji. Kjo është e vështirë në rrethanat sociale e ekonomike të Kosovës, komplekse dhe shumë e zorshme, e di, por është e vetmja rrugë drejt përparimit dhe pranimit të mirëfilltë nga bota. E kam thënë shpesh se Kosova nuk është qendra e botës, as për fuqitë perëndimore që na kanë përkrahur. Bota do të të përkrahë sa ti të mbash rend e rregull në vendin tënd, për aq sa ti të mos rrezikosh stabilitetin e rajonit.

- Dhe, në fund, a ka ndonjë premtim a mesazh Muharrem Ramabaja?

Kam përshtypjen se shumica e bashkëvendësve tanë, në Kosovë e diasporë, edhe pse jetojnë mirë dhe e kanë shëndetin, ndjehen fatkeq pse s´kanë shumë para, pse s´e kanë luksin si të imazheve të popullarizuara të yjeve të Holivudit. Kjo është një sëmundje e shoqërisë së konsumit. Unë kam njohur  njerëz të varfër nëpër botë që kanë bërë jetë të lumtur me familjet dhe rrethin e vet, ngase nuk vuanin për ujë as për bukë dhe, nga ana tjetër, kam takuar milionerë që ishin fatkeqë në jetë. Mua nuk më duhet as shtëpia shumëkatëshe, as vetura luksoze dhe as shërbëtorët në shtëpi që të ndjehem i lumtur. Pse t´i shes mend kojshisë, se, ja, unë qenkam më i zoti se ai? Badallallëk, marrëzi, varfëri mendësh.