Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avzi Mustafa: Pasqyrimi i trashëgimisë kulturore shqiptare në tekstet shkollore në Maqedoni

| E premte, 16.12.2011, 08:05 PM |


PASQYRIMI I TRASHËGIMISË KULTURORE SHQIPTARE NË TEKSTET SHKOLLORE NË R. E MAQEDONISË

 

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

 

Megjithëse e gjendur në mes të qytetërimeve kryesore historike, trashëgimia kulturore shqiptare në Maqedoni vjen sot me një inventar fizik shumë të dëmtuar. Në dekadat e fundit të hapjes së vendit faktorëve të tjerë i janë shtuar edhe komponentë që lidhen me zhvillimin e paqëndrueshëm të vendit. Shumëçka nga kultura materiale dhe shpirtërore është e rrezikuar, tashmë është zhdukur dhe bën pjesë vetëm në kujtesën e brezit tonë të vjetër, i cili dita-ditës po zhduket. Nuk ka tjetër mjet, përveç librit, që mund ta ruajë e ta ushqejë te brezat e rinj trashëgiminë kulturore të popullit tonë. Prandaj do të ndalem këtu të shqyrtoj se sa është e pranishme trashëgimia kulturore shqiptare në tekstet shkollore shqipe në Maqedoni. Nuk e kam ndërmend këtu të bëj analizimin e teksteve nga aspekti metodologjik, por me këtë rast kam observuar tekstet shkollore në gjuhën shqipe në shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoni për të parë dhe konstatuar të kaluarën, si edhe të tanishmen, e për të gjetur tema ku do ta prezantojnë shqiptarin nga modelet e njohura të kulturës sonë shqiptare.

Për këtë qëllim i shfletova ato libra që unë i ruaj në bibliotekën time, por nuk gjeta asgjë nga ajo që do ta prezantonte trashëgiminë kulturore të shqiptareve. Madje, edhe nëse gjeta diçka, ato ishin gjëra krejt të deformuara dhe të interpretuara në mënyrë joshkencore dhe me tendencë, duke e paraqitur atë trashëgimi kulturore si faktor ngecjesh në rrugën e përparimit e zhvillimit.

Unë së pari dua ta pasqyroj raportin e kulturës në shqyrtim planet dhe programet mësimore, mbi të cilat janë përgatitur tekstet shkollore. Siç dihet, fëmija mëson atë gjuhë në të cilën edukohet, të cilën ne e quajmë gjuhe amtare, në të cilën ai i përvetëson në mënyre joformale dhe formale të gjitha njohuritë mbi botën dhe mbi kulturën, të gjitha nëpërmjet mësimeve në shkollë.

Në tekstet shkollore shqipe në Maqedoni, të cilat janë përdor në të kaluarën, por edhe tani, nuk është dhënë asnjë model i përdorimit të vlerësimit të kulturës në tekstet shkollore. Nëpër tekste shkollore sot nuk kemi thuaja aspak informacione nga trashëgimia kulturore shqiptare, siç ka qenë edhe gjatë historisë së shkollimit shqip në Maqedoni. Madje, sa herë që dikush ka dashur të fusë ndonjë informacion në këtë temë, ai është ndëshkuar ose teksti është hequr nga përdorimi.

Gjatë analizës se aspekteve kulturologjike për çështjen që po trajtojmë, jemi mbështetur në modelet e Morganit dhe Bruksit. Këta dy janë të njohur me atë që propozojnë tema për përpunimin kulturologjik në tekstet shkollore. Sipas tyre, çdo tekst duhet të përmbajë, të paktën, normat shoqërore, modelet e jetesës, informacione për institucionet shoqërore kulturore, për mirëqenien shoqërore, si dhe tema që janë pak më abstrakte, si p.sh. vlerat shoqërore dhe besimet, qëndrimet ndaj jetës, por edhe tema të tjera, si stilet e jetës, hobi, përdorimi gjuhës, varietetet e formave gjuhësore, por edhe më gjerë, duke përfshirë edhe ndërveprimet shoqërore, historinë nacionale, gjeografinë, stereotipat dhe identitetin nacional. Duke marrë për bazë kriterin e analizës së përmbajtjeve kulturore, ata thonë se tekstet shkollore kanë për qëllim që nxënësi të përfitoje njohuri të gjera nga jeta e tij me rrethin shoqëror, qoftë si individ, por edhe si pjesëtar në grupet e ndryshme shoqërore.

Temat nga trashëgimia kulturore, që duhet të përfaqësohen në tekstet shkollore, duhet të jenë: prejardhja, statusi social, orientimi profesional dhe politik, kultura e jetesës, kultura e ushqimit, kultura e veshjes, antroponimet, socializmi e familja, lidhjet farefisnore, besimi, kremtimet, lindja, vdekja, lojërat, përshëndetjet, faljet, prezantimi etj.

Kur i kundrojmë këto tema si të këtilla dhe i vështrojmë tekstet shkollore shqipe në Maqedoni, ato thuaja fare nuk janë të pranishme nëpër këto tekste. Në fushat e ndryshme të shkencës, si për shembull gjeografia, nuk gjeta asgjë që do të bëjë fjalë për faktorët gjeografikë, për atë se cilat janë karakteristike e popullit, nocionet gjeografike mbi popullin shqiptar etj. Po ashtu ndodhë edhe në tekstet e kulturës shoqërore si edhe me institucionet shoqërore politike, bankat, postat, mediumet e institucionet religjioze, përveç ndonjë xhamie. Nuk gjeta aty asnjë tekst mbi sjelljet, doket dhe zakonet, e as edhe tiparet më karakteristike që i ka populli shqiptar, si p.sh. monumentet, vendet kulturore-historike, besëtytnitë, humaniteti, besa etj.

Trashëgimia kulturore mund të haset pak më shumë në lëndën e letërsisë shqiptare, ku janë përfshirë të arriturat shkencore, varësisht nga autori, këtu nëpërmjet disa fragmenteve që pasqyrojnë edhe ndonjë tipar që flet për karakteristikat e popullit shqiptar.

Është e drejtë themelore njerëzore ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar. Shenja e parë dhe me e rëndësishme e këtij identiteti është gjuha amtare, por po aq në këtë identitet kontribuon edhe letërsia, historia, gjeografia, edukimi muzikor dhe edukimi vizatimor. Në shtetet e përparuara, aty ku jetojnë shumë kombe, këto lëndë mësimore trajtohen si specifika të arsimit dhe gjithsesi autorët e teksteve prezantojnë tema të kulturës, sepse ata e kanë kuptuar se institucioni më i përshtatshëm, ku mësohen e zhvillohen kompetencat gjuhësore, letrare, kulturore dhe me kujdes profesional, është shkolla. Për këtë arsye trashëgimia dhe kultura autoktone e jona duhet të prezantohet pikërisht në shkollë, sepse vetëm kështu mund të edukohen dhe të vetëdijesohen brezat e rinj për gjuhën dhe kulturën e origjinës. Njohja me kulturën dhe, në veçanti, me identitetin vetjak e kolektiv kombëtar, në njërën anë, dhe me gërshetimin e kulturave të tjera, nga ana tjetër, formon një mbështetje dhe një bazë të mirë për integrim në Evropën e bashkuar.

Sot me të madhe po kërkohet nga ata që merren me problemet e botimeve të teksteve, që në planet dhe programet mësimore të futet edhe kultura dhe trashëgimia kulturore. Procesi i pasqyrimit të kulturës kërkon nevojën për të pasur një erudicion më të gjerë në proceset e globalizimit, një ndërthurje ndërdisiplinore, sidomos në shkencat letrare, filozofike, gjuhësore, sociale e ekonomike. Tani shtrohet si kërkesë që, krahas dokumenteve e fateve historike, por edhe ideve të mendimit politik, të evidentohen edhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mendimi filozofik e social i kohës për çdo periudhë të trajtuar në kuadrin e zhvillimeve globale të rajonit, Evropës e të botës, si dhe në përqasje ose në ballafaqim me të. Kështu, duke e prezantuar trashëgiminë kulturore në tekstet shkollore, do të mundësohet që lënda të jetë më shumë tërheqëse dhe më interesante. Ajo do të nxisë interes për të lexuar e kërkuar dokumente e fakte që kështu të afirmohen mendimet e drejta dhe të nevojshme për një personalitet të shëndoshë sipas kërkesave të kohës.

Ndërkaq në kuadrin e zhvillimeve globale gjithmonë e më shumë sot po del në sipërfaqe edhe procesi i nomadizimit, që nuk na përjashton as neve shqiptarët të Maqedonisë, që emigrojmë në çdo skaj të botës, gjë që tani na paraqitet si një kërkesë që këta “nomadë” ta duan vendin, kombin e kulturën e tyre, sepse kështu, në Evropën e bashkuar, njerëzit e këtillë do të mbeten pa atdhe e pa identitet të një kombi e të një vendi.

Marrë në përgjithësi, nga kjo pak që u tha këtu, na dalin disa sugjerime që duhet të jenë në plan të parë për njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si:

- Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të bëjë mbledhjen dhe evidentimin e trashëgimisë materiale e shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë;

- autorët e teksteve shkollore shqipe në Maqedoni ta prezantojnë në masë më të madhe trashëgiminë kulturore nëpër tekstet e tyre

- të kërkohet që trashëgimia kulturore nacionale të mësohet si lëndë zgjedhore në shkollat tona dhe

- të ketë një bashkëpunim ndërmjet atyre që merren me këtë problematike si specialistë me bashkësinë lokale dhe me arsimtaret përkatës.