Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Qose, pensionisti i letrave shqipe

| E premte, 16.12.2011, 09:02 PM |


Qose, pensionisti i letrave shqipe

 

Nga Lavdrim Lita

 

Në Kosovë, debati mes Rexhep Qoses dhe LDK-së vazhdon dhe sot e kësaj dite. Qosja ka shkruar së fundmi një shkrim në gazetën kosovare “Epoka e Re”, dhe aty numëron sulmet që i janë bërë publikisht: “LDK-ja më ka bërë pesë sulme! Dhe, me këtë sot, vetëm dy përgjigje të miat”. Dhe më tej shkarkon viruse toksike për Isa Mustafën. Paragrafi i fundit i shkrimi të tij përqendrohet tek “indiferenca”. Për të gjithë: indiferenca është kundërta e dashurisë. Ai shkruan “Falë mënjanërisë (indiferencës) së pakuptueshme të pjesëtarëve të UÇK-së, në mënyrë të veçantë të përfaqësuesve të UÇK-së në pushtet, falë, madje, ndarjes së tyre në dy parti, aq pakuptueshëm të mospajtuara mes vete, ju keni arritur t’i ktheni në filiale tuajat politike propagandistike jo vetëm Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës po edhe disa institucione të tjera e media të shkruara dhe elektronike, të cilat kanë dhënë kontribut të veçantë për falsifikimin e historisë më të re të Kosovës”.

Ky paragraf dëften çka e torturon plakun e gjorë Qose. Ai nuk fle natën. Zgjohet herë pas here me ankthe. As valiumi bën punë. Nuk ha dhe nuk pi sepse historia më e re e ka falsifikuar historinë. Ai ka informacione të nënndërgjegjshme se historia e re e Kosovës nuk e ka përfshirë ndër etërit e gjallë të kombit. Dhe po të shikosh të gjithë aktivitetin sizmik të Qoses kohët e fundit konstaton se “mënjanëria” (ose indiferenca) është shtysa kryesore e gjitha veprimtarisë publike të Rexhep Qoses. Ai kërkon me dëshpërim të dashurohet dhe të adhurohet prej shqiptarëve. Nuk e duron fare indiferencën dhe lënien mënjanë të karakterit të tij. Ai kërkon të jetë protagonist në varrimet e të tjerëve. Është një plak që ka kuptuar se jeta dhe politika i ka dhënë shumë pak lavdi. Domethënë, më pak, seç meritonte. Prandaj kërkon të lejë shenjë për motive të dobëta intelektuale. Nguc krerë të partive kryesore andej dhe këtej kufirit me synimin e zhvlerësimit të rolit të tyre publik. Nguc krerë të letrave shqipe sepse është mënjanuar nga skena intelektuale. Si duket, drita e talentit dhe fati kanë ndriçuar të tjerë. Të ndriçuarit që i vrasin sytë Qoses janë, sipas temave të shkrimeve, Ismail Kadare, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe kohët e fundit Isa Mustafa. Dhe për këtë arsye ai kërkon të shprehë urrejtjen ndaj tyre, me shkrime plot krimba. Blez Paskal ka thënë: “Ka mjaft dritë për të besuar që Zoti ekziston dhe ka mjaft errësirë për të mos besuar që Zoti ekziston”. Sigurisht jo drita por errësira ka përfshirë krijimtarinë e kohëve të fundit të Qoses. Energjia negative ka pushtuar të gjitha shqisat dhe ndjenjat njerëzore. Rexhep Qosja ka zgjedhur një mënyrë për të qenë në qendër të vëmendjes për merita jo akademike, pra të akuzojë ndonjë figurë që zotëron vlera e simpati tek shqiptarët.

Sido që të jetë fundi i kësaj telenovele hidh e prit, një gjë është e qartë: Rexhep Qose do të mbesë në historinë e re të Kosovës si njeriu me unin më të pashërueshëm të të gjithë letrave shqipe. Ai që sulmoi me metodologji materialiste të gjitha veprat që kanë vlerë. Shkrimtarët për të kanë qenë gjithmonë konkurrentë, jo pse shkruanin, por sepse kishin një botë që Qoses i është ndaluar të hyjë. Ai nuk ka pasur kurrë një pasaportë për të hyrë në Republikën e Platonit.