| E marte, 13.12.2011, 08:58 PM |
Vargjet e shpirtit
Për librin me poezi “Por...” të poetit Valmir Tertini i cili doli në dritë këto ditë
Nga Dr. Ilir MUHARREMI
Poezia si një gjini letrare e shpërfaqur dhe e fuqizuar nëpërmjet porosisë së poetit buron nga një thellësi individuale, mahnitëse dhe shpërthyese. Fuqizohet me vargun që përdorë rimën. Mirëpo, poetët e sotëm dukshëm janë distancuar nga rima, duke përplasur fjali të lira, domethënëse, globale dhe tradicionale. Shumë herë kur nuhasim aromën në kopshtin e poezisë, harrojmë kohën më të çmuar, antikën. Në antikë çdo shprehje konsiderohej poezi. Duhet përmendur revolucionarin më të madh të kohës, Aristotelin i cili në veprën e tij ‘Poetika’, ndau poezinë në tri gjini: në poezi lirike, poezi dramatike dhe epopeja. Kjo ndarje qëndron akoma dhe sot dhe ruhet rrënjësisht origjina e saj. Poeti Valmir Tertitni poezisë i qaset mjaftë bindshëm me një strukturë të fuqishme, duke shkurtuar vargun dhe ngritur kuptimin në esencë. Poezitë, në vështrim të parë duken si psalmi, mirëpo migrimi i poetit në kohë aktuale është më se i dukshëm, duke zbuluar atë shqetësimin, mllefin, pafundësinë në fund. Tek poezia “Jetim”, poeti në fillim hap sytë, duke parë një dritë të bardhë e cila shfaq ndalesë të mirë, sepse e bardha simbolizon pastërtinë, pafajësinë, mungesën e të zezës, duke mposhtur betejën. Poeti fuqizohet duke thënë: “S’qaj dot”, mirëpo përshtatjen dhe rritjen në kohë ai i shpjegon me vështirësi. Përgjigja në fund se “Nga dola” mbetet enigmë dhe e mbështjellë si një grua egjiptiane. Mirëpo, autori nuk përcakton pikënisjen për ta ditur përfundimin. Nuk fillon çdo gjë me hapjen e syve, për të ditur më pastaj përmbylljen e tyre. Simbolizmi arrin majat tek lexuesi duke depërtuar në ego dhe lartësuar në piedestal. Filozofia i jep peshë vargjeve duke i fuqizuar në esencë, që vërehet në poezinë “Lartë-poshtë”. “Ndërtim i fortë, lartë, ndërtim i dobët, poshtë, shpenzim, lartë, rrëzim, poshtë, humbje, lartë, fitim, poshtë, gropim, poshtë, shkëlqim, lartë”. E tëra demaskon dhe shpjegon arritjen në majë dhe ndriçimin e fuqisë së lartë, duke përbuzur tatëpjetën. Mirëpo, Gabriel Markezi në letrën e lamtumirës shkruan: “Mësova se të gjithë duan të jetojnë në majën e malit, pa e ditur se lumturia e vërtetë gjendet në mënyrën se si zbret shtegun e thepisur”. Zbritja tek Markezi dhe fuqia e lumturisë është tek shtegu i thepisur, por tek Tertini shkëlqimi është lartë. Krejt në fund, autori i poezive, nëpërmjet vargjeve të shkurtra, ka arritur të zgjojë kërshërinë, ndjenjën, filozofinë, aktualitetin, nektarin, pjalmin duke na paralajmëruar për një mesazh shumë pozitiv dhe ndriçues. Këto përcaktime dhe vlersime apo krahasime që sapo bëra këtu më sipër, s’janë veçse përjetimet e poetit të sublimuara në vargje, forma që zgjojnë ngjyrat më të hareshme duke përplasur ato më të mbyllëtat. Nga thellësia arrita t’i nxjerr përmasat, gjësendet, ndjeshmëritë poetike, ide estetike në realitet të poetit të ri, i cili vrullshëm zhytet pa hezitim në pellgun e poezisë duke i mbetur besnikë strukturës realiste dhe simbolike. Të njëjtat realitet poetike, të filtruara tashmë nga përndritja melodike, kontrastet e forta, tensionet, përplasjet, ngacmimet, breshëritë, krijojnë në syrin dhe mendjen time arketipin e të menduarit figurativ dhe filozofik mbi botën e poetit të ri. Tek sa lexoj vargjet e shkurtra të poetit dhe këngëtarit Jim Morrison, të cilat bindshëm janë cituar pjesë-pjesë në librin e Tertinit, zgjojnë atë nostalgjinë antike, filozofike, madje edhe moderne të Dionisit-Morrison, i cili zhurmshëm, zgjon kreshërinë në librin e poetit.