Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Një propozim për atdhetarët e trojeve të Shqipnisë

| E hene, 12.12.2011, 08:19 PM |


NJË PROPOZIM PËR ATDHETARËT E TROJEVE TË SHQIPNISË:

 

“100  VJET  FLAMURTAR’  I  SHQIPNISË”

 

Kemi hy në vitin e 100 – të  Shqipnisë së Pavarun nga robnia turke…

Kemi hy në vitin e 100 – të  Shpalljes së Shtetit Shqiptar i Lirë…

Kemi hy në vitin e 100 – të  ngritjes së Flamurit të Gjergj Kastriotit në Vlonë…

Kemi hy në vitin e 100 – të  perpjekjeve të Shqiptarëve per Shqipni Europiane…

Kemi hy në vitin e 100 – të  kenjes Shtet i Shqiptarëve…

Kemi hy në vitin e 100 – të  Nderimit të Shqiptarëve që janë Flamurtarët tanë!

 

Të Nderuem Bashkatdhetarë!

 

Kemi hy në vitin e 100 – të vuemjes së Gurit të Parë në Deqiç e të pasuem nga Burra Shqiptarë që me guxim të pashoq Shpallën Shqipninë Shtet të Pavarun në Vlonë, me 28 Nandor 1912…

Shumë gjak e djersë ka shkue rrëkajë Shkambijëve tanë shekullorë me mbërrijtë këte Ditë të Madhe e të Lumnueshme të Arbënisë sonë!

Kemi hy në vitin e 100 – të, që shumë prej Atyne Atdhetarëve “flejnë të qetë” në fletët e “harrueme” të Historisë së Pergjakshme të Shqiptarëve!

Ata Atdhetarë që Luftuen në krahun e djathë të Dedë Gjo’ Lulit dhe Ismail Qemalit, e kanë perjetësue veten në Historinë tonë si Atdhetarë të vërtetë dhe të pastër.

Asht viti i 100 – të që duhen Nderue si “Flamurtarë të Shqipnisë” së Heroit tonë të Pavdekshëm Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, të gjithë Ata që kanë ba Shqipninë!

 

Propozoj Dekorimin e Atyne Atdhetarëve që meritojnë këte Dekoratë:

 

“100 VJET FLAMURTAR’ I SHQIPNISË”

 

Kjo Dekoratë propozoj të mos i jepet askujt që nuk figuron në dokumentat e ngritjes së Flamurit Kombtar dhe në perpjekjet për Shqipni të Lirë në vitet 1911 – 1912.

 

Propzoj që mbas Dekorimit të Atdhetarëve të Nderuem të atyne viteve 1911 – 12, Ajo të mos persëritet kurrma për asnjë arsye nga asnjë Institucion i Ligjshëm Shqiptar.

 

Propozoj që modeli i Dekoratës të bahet me konkurs mbarëkombëtar.

 

Uroj miratimin e Nderimin e Shqiptarëve që kanë vendin në Alterin e Atdheut!

 

                                                                                    Me respekt: Fritz RADOVANI.

 

Melbourne, 30 Nandor 2011.