| E diele, 11.12.2011, 07:05 PM |
Kuisje deri ne kreshendo ne udhëkryqet e shtetit qe mbeti ne tranzicion
Nga Puntorie Ziba, shkrimtare
Fenomeni më sublim që krijoi njerëzimi gjatë historisë njerëzore, pas urtësisë, është miqësia e cila në esencë duhet të jetë shkëmbim reciprok i privilegjeve. Asnjëri nuk duhet ta kalojë lumin me not që ta gjej urtësinë, atë duhet ta mbartim me vete, ngado që të sillemi.
Nacionalizmi në Maqedoni riprodhohet dhe nuk ndërmendet që të shteret. Ai vetëm hap shtigje të politikave të reja që na ofrojnë retorika bajate. Qëllimet e tyre janë të qarta. Ata çdo ditë ju bien tupaneve, kurse ne mund t’i dëgjojmë nëse kemi vesh: ” Do të mbetemi maqedonas, duke ua bërë të njohur shqiptarëve, vullnetin tonë politik. Janë të pamundura dhe të pa dëshiruara ndryshimet, integrimi...”- na thonë ata. Mbase e tëra kjo, mbanë një erë të mykur diplomacie.
Sherret janë monopatet e para të një të vërtete.
Do ta vazhdoj këtë opinion me një fragment të shkurtër ,nga poezia ime, “Motivi i kaltër” që do të shërbente si aksiomë për ate që e shikojmë rreth nesh:
“Afër sinorëve myshk gjelbër
n’majë të kalasë së qytetit
me shtatë gojë
të dalë mendsh,
unë bëhem erë fërfëlluese
hedh një sy nga të dy lagjet
dhe, në muret gur më gur ndërtuar,
prek çdo gjurmë pëllëmbe
dhe dëgjoj rënkimet e skllevërve të mërdhirë e të djersitur qe ndertuan kalane...”
Përpjekjet për të vënë paqe dhe rend në këtë shtet që ngeli në tranzicion si një nxënës zevzek, nuk ecin mbarë. Ne pritnim liri, mirëqenie dhe demokraci të moderuar, ku njeriu do të shprehej lirshëm për atë që ndjen dhe për atë që nuk e ka, qoftë punësimi i të pa punëve, kafshata e bukës për të uriturit si dhe vizatimi i ndonjë harte gjeografike... Këtë fizionomi e ka vetem demokracia e sofistikuar; do bëj atë që ma ndjen shpirti, pa e dëmtuar askënd.
Dikur, në “kohërat e lashta”, komunizmi kultivoi ndjenjën e fuqishme të përkatësisë nacionale e cila te sllavët shtrihej deri në gjendjen delirium tremens. Ne shqiptarët që gjate komunizmit jetonim në trojet tona, nën të njëjtin kulm me sllavët ( nën ombrella të ndryshme kur reshnin rrebeshet e na molisnin stihitë) kultivonim vetë nacionalizmin tonë, i gëzoheshim përkatësisë nacionale dhe religjioze, i ndrynim simbolet në pakon e zemrës nga frika e diskriminimit, dhunës dhe torturës që ushtrohej mbi ne.) Pakot e një identiteti nacional të “mitizuara” gjatë komunizmit, azdisen tejmase narcizoidët politikbërës, që vazhdojnë të fetishojnë kryqet nëpër male, statujat memece brenda në qytet, duke i shikuar si kult dhe duke i futur në pakon e simboleve nacionale. Tani, ne na mbetet të shikojmë një politikë të mbushur me bezdinë antishqiptare, individ të sertënuar që rrinë si hu gardhi dhe kujtoj se duan të na gllabërojnë si të jenë përbindsha, varfëri, papunësi ,retorikë të shthurur që sjell vetëm skepticizëm edhe te nacionalitet tjera që jetojnë në Maqedoni. Thonë se robëria dhe kufizimi i lirisë sjell luftën, kurse lufta sjell lirinë. Lufta u bë. Ankthet , tmerret e saj mezi i kapërdyem. U vranë shumë të ri. Zoti i rehatofte ata ne Parajse dhe i bekoftë pasardhësit e tyre! Ne jemi pacifist. Lufta nuk është zgjidhje, prandaj harroni britmat në arenat e sportit, në arenat e kulturës ku edhe ne na takon një kafshatë që do ta kapërdijmë me një gllënjkë limonadë.
Ketu, përplasen etnicitetet, kurse skenaret i bëjnë “pretendentet”, pseudopolitikanët maqedonas, majtistë e djathtistë. Të metat thelbësore të tyre janë urrejtja ndërnacionale qe reflektohet tek ne që na quajnë popull, elektorat, votdhënës...Ne mbetëm në tranzicion duke shikuar si ruhet pakoja e simboleve të trashëguara nga e kaluara e kuqe, si ndërtohet një gjysëmetropole dhe si mbeten pa infrastrukturë lagjet e banuara me shqiptarë, me rom, me turq, me vlleh... Ne dhe hallet tona të njejta, ne dhe gazetarët kodosh maqedonas që ngrejnë zërin si gjela dhe vazhdojnë me të njejtat pyetje , të njejtat përgjigje me ekuivoke, me nje diplomaci mashtruese. Dhe për ne s’ka ndarje Sollomone, s’ka!
Derisa gjithë liderët evropian bezdisen për një të ardhme të shëndoshë evropiane, maqedonasit vazhdojnë ta kthejne kokën nga e kaluara, duke derdh lot për komunizmin dhe duke mos i fshehur qëllimet e tyre, duke u krekosur pas një far lloj identiteti, duke belbëzuar me naze:” Ne jemi padronët, kurse ju jeni ardhacakët.”
Është stërshkruar nëpër gazeta se partia maqedone në pushtet, përdor ose më mirë, e keqpërdor nacionalizmin për t’i realizuar qëllimet e veta, për të mbetur në pushtet si dollibash dhe për të thithur sa më shumë buxhete dhe për t’ia vënë shpinën integrimit... Mendoj se edhe injorantin më të madh, nuk mund ta detyrosh të besojë se ketu ne Maqedoni punët do të venë për mbarë.
Miket e mia poete maqedonase nuk harrojnë kurrë të ma urojnë festën e Fiter Bajramit, festën e Kurban Bajramit, ditën e Poezisë Botërore, ditën e Shtatë Marsit, Vitin e Ri... Sa më vjen keq që këto poete, kete muaj te zbukuruar me koloritin vjeshtor, nuk ma uruan Festën e Flamurit. Sa më zhgënjyen. Unë kujtova se tani kur po fryjnë ca puhiza të lehta demokratike, ( si thonë ato) sadopak janë zhveshur nga nacionalizmi që më bën dëm mua dhe identitetit tim që s’kam si e lë dhe s’kam përse të iki prej tij derisa të frymoj. Ato, kur më takojnë më thonë “duhovna sestra” por , eh ky dinjiteti im, kjo pasuria ime kulturore kombëtare, mbase i “tremb”. Eh, moj mike poete, sikur të ishit vetëm ju ,mbase do ta kisha më lehtë, por çka t’i them një makiavelisti, një sorosisti me emrin Halil Matoshi që shkroi në të gjitha gazetat kosovare dhe, poezinë time kushtuar Bekim Fehmiut e quajti poezi “fashiste” dhe ju doli në mbrojtje Desankave dhe poetëve nacionalist serb që sa herë e hapin gojën na vënë nga një bisht. Kjo ndodhi për Monumentin tim Letrar që e kam ngritur vetëm për Bekimin dhe origjinën e tij fisnike. Ky poemth, mori çmimin e parë në Takimet e Poeteshave në Kosovë dhe u “përbaltë” nga gjaku i gjakut “tim”. Dhe unë kurrë nuk pres që ky farë “poeti” të integrohet ,të pëson metamorfozë demokratike. Mos zot, ma keq!
Dikush mund të thoshte se çjerrjet nëpër arena sportive jane normale dhe ndodhin kudo nëpër botë, por halli -hallit nuk i përngjan. Këto çjerrje patetike dhe fashiste janë të njëjtat parulla morbide që i kanë thënë edhe prototipët e tyre serb, vite e vite me radhë. Maqedonët nuk duan të shikojnë një Maqedoni të disiplinuar që përpiqet të integrohet bashkë me shqiptarët dhe me nacionalitetet që ju ka ra hise të jetojnë në këtë vend. Ky është një absurd për ata. Keshtu që, ata na lënë të kuptojmë se situata politike ne vend i përngjan “status quo_së”, pa paqe te sigurte ndëretnike, pa sigurinë e duhur, me ankthin e pritjes dhe me liderët kukulla të VMRO-së, të pasuruar, të lyer e të ngjyer, me një buzëqeshje përbuzëse, me një delir në kokë dhe me fjalët diletante të stërzgjatura që i hedhin nga goja, si lopa kur i hedh fekalet, pa kurrfarë etike demokratike, politike dhe diplomatike.
Këta njerëz e kanë mendjen te hileja, te gënjeshtrat, te urrejtjet, te fyerjet, dhe me kokën e tyre kaprice, edhe për “sherrin” që ua bëjnë grekët kujtojnë se ua bëjmë ne shqiptaret; ne, që zoti na ka krijuar aq të brishtë, aq liridashës, aq të sinqertë, aq me dinjitet...Mbase në ndonjë të ardhme të afërt do ta kuptojnë se s’dinë se ç’bëjnë dhe s’dinë se ç’thonë. Në keto kohëra, kur shqiptarët fisnik shpresojnë edhe në mbinjeriun për të shpëtuar nga llomotitjet boshe që na lodhën kokën gjithë këto vite në tranzicion, hallkat komuniste që ecin me parimet “bën, si bën xhaxha ustai serb” nuk u lodhën së konsumuari mllef ndaj një nacionaliteti të ndershëm dhe të sinqertë. Këta social-komunistë vazhdojnë t’ju kundërvihen reformave, integrimeve, sepse nuk duan ta ndajne kulaçin me ne: “shiptari dojdeni od Kavkaz” (Kjo është teoria e rrejshme e shkruar në librat e tyre të historisë, në enciklopedi... ku shtrembërohet origjina, historia dhe kultura jonë, dhe shkruhet një histori sipas qejfeve të tyre.) Ata vazhdojnë të na paragjykojnë, kështu që shpeshherë, sojin tonë të hijshëm e paraqesin në skeçet e tyre humoristike të banalizuara, të luajtura nga artistë ordinerë me qëllim që të na fyejnë, ata na shikojnë si njerëz fizikisht të shëmtuar, si palaço, si ufo: me dhëmbë të mëdhenj të nxirë e të dalë jashtë goje, me buzë të fryra, me kokë tullace, me bark të fryrë dhe me njëmijë vese tjera ... Na thonë drogaman, dilerë, spiunë, njerëz primitiv me bishta, e çka jo!?
Maqedonët mbetën duke hedhur gur e dru ndaj sistemit demokratik Evropian që përpiqet t’i ngrenë në këmbë edhe minoritetet që e gjejnë kafshatën e bukës, por edhe ndonjë libër të grisur nëpër hedhurina. Ne mund t’i bëjmë qejf vetes, mirëpo britmat fashiste “Shqiptari i mirë, është vetëm shqiptari i vdekur “ janë dëshmi për një klimë të tensionuar, për një pulsim me një ritëm identik si në kohërat e “pashallarëve te kuq”. Heshtjet mortore të institucioneve për këtë sjellje vandale nuk na mrekulluan as ne, as ata. Si nuk pati së paku një reagim te vetëm në media, të llojit mësues-nxënës, për atë që ndodhi në atë ndeshje futbolli nga tifozët maqedonas. Atyre nuk ju pëlqen shqiptari gojëzhdërvjelltë, as misionari, as intelektuali... Këta “demokratë” me maska, vetëm e dobësojnë demokracinë, ose më mirë me thënë e fusin në gjendje koma, sepse ajo ua prek bishtat e luanëve qe i kane vene si dordoleca bujqesore rrugeve te Shkupit, nga ana e djathe e Vardarit, ku kanë vënë një tullë “hiseje” në historinë e tyre.
Stabiliteti në Maqedoni, nuk mund të krijohet dhe nuk mund të mirëpritet me çjerrjet: ” Dhoma gazi për shqiptarët ” as nga injoranca e inkorporuar institucionale...Ne këtë vend të vockël ku parakalojnë hipokritë e intrigantë, toka ndalon së “rrotulluari”, sepse kështu duan maqedonët. Këta njerëz primitiv ,ky konglomerat nacionalitetesh të asimiluar në maqedon, po ta dinin vargun e Çajupit dedikuar sulltanëve: ”Përse s’u bë nga perëndia me një kokë njerezia që ta pritsha menjëherë” , do të ëndërronin dhe do të thoshin : Ah, sikur të kishin të gjithë shqiptarët vetëm një kokë e t’ua prisnim menjëherë që të mos mbeteshin të tjerë.”
Kanë thënë se fshati që shihet, kallauz nuk do, prandaj e kemi të qartë se varganit të sherreve do t’ju shtohen edhe shumë përbuzje, shumë fyerje, shumë konformist me qëllim që puna të shkojë ” tërhiqe e mos e këput.”
Ky shtet nuk është pronë private e partisë maqedone në pushtet, prandaj ata nuk duhet të luajnë lojën e luanëve të xhunglës, këtu ku nuk ka ligje. Statujat dhe bishtat e luanëve ndërlikojnë negociatat edhe me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë. Edhe ne, edhe nacionalitet tjera që jetojnë këtu, e kanë kuptuar se këta i bëjnë qejf bishtit të vet dhe ndërtojnë një histori nga e cila i pështiret tërë Evropës. ( Mbase ju kujtohet zhurma që e bënë gazetarët maqedonas në Parlamaentin Evropian. Në atë gurrë demokracie, ata miop nuk shikonin as një grimcë demokraci.) Mirëpo, këta bashkëqytetarët tanë maqedonas, ecin me parimin: ”Qentë lehin, karavani ec.” Derisa ata po i bëjnë “detyrat e shtëpisë”, në kompromisin politik, qëndrojnë ca rreziqe që na bëhen lëmsh në fyt nga militantizmi që po zgjat. Populli im, i futur ne dilema hamletiane pyet se ku gjendet formula për të tejkaluar problemet që mbeten e mbeten çështje, një periudhë shumë vjeçare, dhe u lidhen si një suvale rreth qafës së shqiptarëve që jetojnë në tokat e të parëve dhe që çdo ditë ngrejnë shpatullat në shenjë dilemash, duke ju bërë lak sherreve ndëretnike. Dhe, ne shqiptarët matanë Drinit e në këtë anë të Vardarit, vazhdojmë të presim Godonë.