Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Komunisti, Monarku dhe Republikani

| E merkure, 07.12.2011, 08:59 PM |


Komunisti, Monarku dhe Republikani

 

Nga Lavdrim Lita

 

Si rrallë herë vdekja u shfaq me tre akte në teatrin politik për të marrë me vete tre personazhe jo pa shenjë në historinë politike të Shtetit Shqiptar. Vdekja, si zonjë plakë ecën, ngadalë e gjithandej, por nuk harron të presë fijet e jetës. Në tre muajt e fundit të këtij viti iku nga kjo jetë sekretari i fundit PPSH-së, Ramiz Alia, po kështu ndërroi jetë Mbreti “pa detyrë” Leka Zogu I, sikurse dy ditë më parë u shua Kryerepublikani i talentuar për të shkruar, Sabri Godo. Që të tre janë dramatis personae me valencën e tyre të fortë simbolike. I pari, Ramiz Alia përfaqësoi sa qe gjallë kulturën totalitare, komisar komunist dhe intrigant i fijeve familjare të ish-Bllokut, urdhërues i vrasjeve në kufi. I dyti, Leka Zogu I përfaqësoi denjësisht kulturën atdhetare, me aq sa pati forcë loboi për pavarësinë e Kosovës. I treti, Sabri Godo përfaqësoi kulturën patriotike, themelues i Partisë Republikane dhe bashkëhartues i kartës së Kushtetutës.

Të parit koha i dha më shumë seç meritoi, të dytit më pak seç parashikoi, kurse të fundit më pak seç meritoi. Megjithatë që të tre patën rastin për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Ramiz Alia, pasardhësi i Enver Hoxhës, do të hynte në histori si trashëgimtari i mendësisë totalitare, por jo i formave të ashpra gjakatare për mbajtjen e pushtetit. Takimi me intelektualët tregoi se ai kish vënë aq shumë maska përgjatë jetës së tij, saqë kish harruar cila maskë përfaqësonte të vërtetën e lirë të pluralizmit të mendimeve. Prandaj në atë takim shumë premtues ai vuri një maskë më shumë mbi një maskim të përhershëm kamuflazhi, për të sunduar në dritën e pushtetit, ashtu siç kishte bërë në hijen e pushtetit.

Princi Leka Zogu I, lindi dy ditë përpara se atdheu të pushtohej nga fashistët e Duçes dhe për zgjedhje jo të tij emigroi kudo ku pati derën e hapur. U vërtit në ekzil, për aq shumë kohë, saqë shkëlqimi i mbretërisë së babai të tij, Ahmet Zogu, pas një rezistence paqësore u vënit. Mbretëria mbeti peng i historianëve. Në jetë Leka Zogu I ishte një dramatis personae, mbante në shpinë një amanet të rëndë dhe nuk pati shansin të provohej, siç u provua themeluesi i Mbretërisë shqiptare. Referendumi më i paqartë i historisë së Shtetit shqiptar është patjetër ai i vitit 1997, ku Leka Zogu I humbi fronin për herë të dytë dhe jo se nuk e fitoi. Klima totalitare e padrejtësisë dhe çorientimi politik i atij viti të mbrapshtë ndërpreu ëndrrat e Lekës së Parë për të qeverisur shqiptarët dhe jo vetëm Shqipërinë.

Kryeplaku i politikës, Sabri Godo ishte mishërimi i fjalës së urtësi dhe mençurisë politike, të cilat janë reflektuar në hartimin e peshuar të Kushtetutës. Ai kishte një ambicie të përmbajtur fisnike, siç i shkon përshtat urtësisë së një senatori të Republikës, një sjellje me të cilën fitoi respektin e kundërshtarëve dhe “miqësinë” e anëtarëve të Partisë Republikane. Në moshën 14 vjeçare kur zien gjaku dhe nuk përmbahesh ai doli partizan, më pas Sigurimi e shpalli çifligar për shkak të martesës më një vajzë të derës së madhe “Vrioni” dhe e deklasuan, arriti të shpëtoi falë talenti të radhë të kombinimit të shkronjave, datave historike dhe akrobacive letrare. Letërsinë e filloi herët me romane, si “Plaku i Butkës” në vitin 1966, “Zëra nga burime të nxehta”, libër me tregime, por kulmin e arriti me romanin historik “Ali Pashë Tepelena” i botuar fillimisht në 1970 dhe më pas romanin historik “Skënderbeu” më ’75. Nga këto dy personazhe të historinë shqiptare ai mori frymën për t’u mbijetuar sulmeve anadollake të regjimit.

Sidoqoftë një ditë, siç thoshin latinët: memento mori, kujtohu se duhet të vdesësh, prandaj vjen dita e peshimit të veprave, të (mos) veprimeve, të sjelljeve të personazhe të jetës publike, që vendosin për fatet e shumë njerëzve jep mundësinë për të parë trajektoren që bën e mira dhe e keqja mes nesh. Tre shembuj e mësipërm janë pak a shumë dëftyes për mënyrën sesi do të gjykohen pas vdekjes njerëzit e punëve të këqija, të punëve të lëna përgjysmë dhe punëve të mira.