| E hene, 25.02.2008, 05:26 PM |
Pesimizmi i Bertrand Rasellit
Nga Gëzim Tushi
Familjes shqiptare po i dobësohet kohezioni, lidhja e qëndrueshme, në të po shfaqet, përditë e më shumë, dobësimi i "parimeve familjare" që janë të domosdoshme dhe që determinojnë mbajtjen e saj në këmbë. Kjo situatë po bën një pjesë të familjeve tona të jenë të paqëndrueshme, pa funksione morale, të dobët nga pikëpamja kulturore dhe edukative. Mungesa e parimeve të qëndrueshme, e ideve të qarta, mbi të cilat krijohet dhe për të cilat ajo ekziston, ka bërë që shumë familje udhëhiqen nga principe imediate, të çastit, nga nevojat e ditës. Shumë familje menaxhohen çdo ditë mbi bazën e krizave që lindin dhe zgjidhen në gjirin e familjes. Në realitetin tonë ndeshemi me familje që kanë marrëdhënie të cenuara, që grinden, që nuk funksionojnë, që përdorin dhunë mbi gratë dhe fëmijët, familje në të cilën pjesëtarët e saj, jetojnë në atmosferë agresioni fizik, në gjendje stresi permanent. Koncepti reduksionist i familjes, e konsideron atë si një strukturë e ndërtuar nga një "bashkim rastësor" njerëzish, të cilët ngaqë bashkohen, mbeten së bashku, që kryejnë vetëm funksione biologjike dhe ekzistenciale. Ky princip semplist, po sjell pasoja në mungesën e qëndrueshmërisë, të deformimit të misionit të familjes shqiptare. Natyrisht në çdo familje ka gjëra parimore dhe të pandryshueshme, dhe gjëra të dorës së dytë dhe të ndryshueshme. Sipas mendimit tim, paqëndrueshmëria e familjes, shtimi i divorceve, dhuna, etj., kanë në themel të tyre një shkak të përbashkët, që ka të bëjë me mungesën e "thelbit të pandryshueshëm", që e mban një familje në këmbë. Nëse familja nuk ka të qartë dhe të përcaktuar vizionin dhe vlerat, ajo nuk mund t'i qëndrojë dallgëve të destruktivitetit të kohës.
Me të drejtë, socio-psikologu Stephen Covey, ky Sokrat amerikan, flet për nevojën që çdo familje moderne, që të funksionojë, duhet të ketë të qartë misionin e saj. Misioni i familjes, sipas këtij autori të shquar, është e koncentruar në atë që ai e quan "kushtetuta e familjes", e cila përmban standardet dhe kriteret kryesore, që kanë ndikim kryesor për marrjen e vendimeve në familje. Kjo është baza e bashkimit, funksionimit dhe drejtimit të jetës familjare.
Familja nuk mund të jetë harmonike, nëse anëtarët e saj nuk janë të lidhur me njëri-tjetrin në interesa të përbashkëta, nëse vlerat individuale nuk harmonizohen me ato të familjes. Nëse familja ndërtohet mbi bazën e harmonizimit të qëllimeve personale, por dhe të një misioni të përbashkët social të anëtarëve të saj, ka shumë mundësi të jetë jetëgjatë, e suksesshme, produktive, me vlera të trashëguara edhe tek pjesëtarët e rinj të saj. Sipas mendimit tim, një nga shkaqet e destruktivitetit dhe mosfunksionimit të martesës dhe familjes, është pikërisht fakti që një pjesë e familjeve dhe pjesëtarët e saj, jetojnë në mënyrë të thjeshtë, biologjike, pa "kushtetutë familjare", pa mision të qartë personal, familjar dhe social, jetojnë në gjendje kaotike, nervozizmi dhe mungese kohezioni familjar. Nga vëzhgimet që kam mundur t'i bëjë këtij fenomeni social, duket qartë se në mungesën e funksionimit të jetës familjare, ka ndikim të dukshëm fakti që në disa familje nuk ka atmosferë, ngaqë "krijuesit e saj" krijojnë marrëdhënie dhe gjendje të nderë, në të cilën është i vështirë komunikimi familjar, bashkëbisedimi, marrëveshja, mirëkuptimi reciprok i pjesëtarëve të saj. Sociologët, thonë se ka vetëm një "ilaç" për të bërë familjen të qëndrueshme, edukative, me vlerë, të suksesshme. Ajo ka të bëjë me bashkimin e pjesëtarëve të familjes në një "shpirt të respektit reciprok", duke punuar së bashku, për të bërë atë që nuk e bën dot një njeri i vetëm. Nuk ka të ardhme, familja që nuk ka të qartë perspektivën e saj tërësore dhe të anëtarëve të saj, veç e veç.
Nuk mendoj se në procesin e modernizimit të familjes shqiptare, të ridimensionimit të roleve të saj, në përputhje me kohën dhe imperativat e kohës, duhet mohuar dhe nihiluar gjithçka të mirë që ka patur familja jonë e tipologjisë "së "vjetër". Qëndrimi nihilist ndaj vlerave tradicionale, për ato që janë pozitive, që i rezistojnë kohës, nuk është i drejtë. Natyrisht, familja moderne ka një tipologji, strukturë dhe funksione që po ndryshojnë në funksion të kohës, të imperativave të modernizimit të saj. Por familje moderne, nuk do të thotë familje e improvizuar, pa parime, pa funksione, pa "kushtetutën" e vet. Nëse ka një gjë që duhet rishikuar në familjet tona, është që në bërthamën e saj të mbajmë të ndezur kohezionin, marrëveshjen, mirëkuptimin, konsensusin midis pjesëtarëve të saj, duke respektuar në radhë të parë dhe mbi të gjitha, vlerat dhe qëllimet. Nuk është i lehtë funksionimi dhe konsolidimi i marrëdhënieve midis pjesëtarëve të familjes, aq më shumë midis brezave të ndryshëm. Raselli nuk ishte shumë optimist për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve, sidomos midis prindërve dhe fëmijëve, ndaj, jo pa pikëllim, filozofi i madh thotë se dashuria e prindërve ndaj fëmijëve dhe e fëmijëve ndaj prindërve, mund të jetë njëri nga burimet më të mëdha të lumturisë, por në të vërtetë marrëdhëniet e prindërve dhe fëmijëve, në nëntë nga dhjetë raste, janë burim i fatkeqësisë për të dyja palët, dhe në nëntëdhjetë e nëntë nga njëqind raste, burim i fatkeqësisë, së paku i njërës nga palët.
Megjithatë shoqëria jonë moderne ka mijëra shembuj e modele të familjeve pozitive, funksionuese, që jetojnë në harmoni qëllimesh dhe idealesh kolektive e personale, që kanë humanizëm, kujdes, solidaritet dhe marrëveshje moshore, që mirëkuptojnë qëllimet dhe aspiratat e njëri-tjetrit, që mbështesin njëri-tjetrin, në të mirë dhe në të keq, që dinë të menaxhojnë dhe zgjidhin krizat e natyrshme që lindin në gjirin e saj, pa e destruktuar familjen, këtë gjë të shenjtë, pa të cilin nuk ka vlerë jeta e njeriut.