Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dhimitër Xhuvani: “Historia e vërtetë e internimit tim për romanin “Tuneli”

| E hene, 25.02.2008, 06:57 PM |


Dhimitër Xhuvani
“Historia e vërtetë e internimit tim për romanin “Tuneli”

Eshtë i përpiktë në koordinata. Të të orientojë ku jeton, qoftë edhe nëpërmjet një dyqani materialesh ndërtimi e një furre buke, nuk e ke të vështirë ta gjesh.

Anila Mema - Panorama

Të ndjek nga dritarja në çdo lëvizje dhe të orienton. Jeton në katin e katërt, në një nga zonat mbrapa Qytetit Studenti. Përballë ka Dajtin. Të fton në studion, që duket që është arreduar nga duar artistësh. Në rafte sheh libra, trofe, kupa e medalje, po kaq edhe në mure, tituj, çmime, dekorime që mbajnë emra të ndryshëm Dhimitër, Gjergji dhe Luiza Xhuvani, marrë në konkurse kombëtare e ndërkombëtare. Skrivania e tejmbushur me copëza letrash e libra, këto kohë përdoret bashkërisht nga shkrimtari dhe mbesa e tij, gjurmët e së cilës ndihen mbi të, stilolapsat me xhufka janë pasion i saj. Dhimitri qesh, teksa përdor njërin prej tyre dhe kujton se dikur kanë qenë pendët për shkrim, tashmë mund të quhen pa droje pendë të moderuara. Kujton e tregon me detaje çdo ngjarje që ka lënë gjurmë në jetën e tij, jetën-punë, sikurse e përkufizon, kujtime që i shoqëron me nikotinën e cigareve “Slims” që pi vazhdimisht. Rrëfimin për gazetën “Panorama” e nis me librin e ri “Dashuri e harruar”, një roman i “Ombra GVG”, një botim luksoz, nga të cilat autori veçon më shumë se çdo gjë kopertinën. Rrëfen personazhet, rrëfen femrat, rrëfen femrën te “Tuneli”, vepra e parë që i kushtoi plot gjashtë vite internim-dënim në Bistricë. Histori që e ndjen më të hidhur, tashmë tri ditë pas rileximit të asaj vepra. Kujton dhe tregon çdo vit punë, si saldator, si elektricist, si mjek, si skenarist dhe tashmë si autor i mëse 50 veprash që mbushin raftet dhe skenarë filmash që kanë bërë jehonë ndër vite. Në rrëfimin e tij të gjatë Dhimitër Xhuvani, tregon marrëdhënien me të birin, Gjergjin, regjisorin e njohur që s’arriti ta bënte mekanik. Tregon po kaq njohjen me bashkëshorten, Faten, Luizën dhe mbesën, e cila duket se ia ka bërë qejfin. Ka nisur të hedhë në letër vargjet e para  të poezisë.

Në libraritë shqiptare këto ditë qarkullon botimi juaj më i fundit nga “Ombra GVG”, “Dashuri e harruar”. Keni kohë që keni punuar me këtë vepër, kur filluat ta shkruanit?

Unë ndaj dy kohë kur punoj. Koha e parë është koha kur lind ideja, kur truri është i lirë, të vë këtë, të heq këtë, që hedh dhe shkruaj si në dërrasë të zezë dhe kjo periudhë zgjat. Eshtë si të thuash pjekja e romanit. Pastaj shkruaj materialin, e nxjerr nga kujtesa. Ky roman nisi në Leçe të Italisë kur unë isha i shtruar në spital, ku u operova nga zemra. Qëndrova disi gjatë aty dhe gjithë këtë periudhë ia kushtova librit, shkruaja, hiqja, shkruaja sërish vetëm ide. Por kur u ktheva këtu fillova ta punoj. Eshtë kjo koha e gjatë e meditimit, është dhe koha kur ulesh në tavolinë, nxjerr letrat dhe shkruan. Kjo periudhë është e shkurtër për mua, unë për dy-tre muaj pothuajse e mbaroj romanin, sepse punoj çdo ditë në mëngjes, ulem këtu dhe deri nga dreka shkruaj dy faqe, tre dhe mezi i shkruaj me dorë. Kjo periudhë e të shkruarit zgjat pesë-gjashtë muaj mbase dhe një vit. Ndërsa në kompjuter e kam hedhur gjashtë herë, shkruaj, korrigjo, hiq, hidh të reja. Kjo është mënyra ime.

Në veprat tuaja, femra është një nga personazhet që dominon më tepër, po aq edhe tek “Dashuri e harruar”, që trajtohet me detajet e një prostitute. Eshtë pasion?

Femra është simboli i jetës, nuk mund të kuptohet jeta pa femrën. Në libër ka shumë femra për arsye të temës, sepse ajo këtu bëhet shkak i një drame të madhe të partizanit, të kolonelit, kur dashuria ishte e ndaluar. Ka nga ato raste kur janë pushkatuar disa të dashura, Ramizeja e Zahos, por edhe disa të tjera që nuk i dimë. Femrën e kam vizatuar edhe në romanin e parë “Tuneli”, tek e cila kam një femër që bëhet shkak i një tragjedie. Ajo ishte një infermiere shumë e ndershme, shumë e mirë, shumë e përkushtuar, por fatkeqësisht pas botimit të romanit “Tuneli”, siç kemi zakon ne shqiptarët t’i personifikojmë personazhet i ranë pikës, se ky personazh sipas tyre, ishte Vajdeja ish-infermierja jonë e shtëpisë, e cila tradhtonte burrin, që bënte dashuri me inxhinierin, gjë të cilat nuk janë fare të vërteta dhe ia atribuojnë asaj dhe e pushojnë nga puna si të pamoralshme.

Historia pas botimit të romanit tuaj të parë “Tuneli” në 1965 ka qenë e dhimbshme për ju. U ndalua vepra, por edhe ju u internuat. Si e kujtoni dhe si mund ta na e risillni atë kohë?

Duke shëtitur me gruan para pak ditësh gjej një libër “Tuneli”, tek ato që shesin në rrugë libra të vjetër, me nga një mijë lekë. E pashë aty romanin dhe mora. Ç’e do: - më tha gruaja, - të jetë në shtëpi i them. Në vepër është dhe një intervistë e gjatë me Kiço Blushin, e botuar si shtojcë e romanit tim dhe duke shfletuar librin lexova intervistën. Shumë gjëra që i kisha harruar mu ngjallën, por mu ngjallën shumë më të hidhura nga ç’i kisha jetuar. Kur shkova në Bistricë, i përzënë nga Tirana, në internim-dëbim punoja në një kamion për shpërndarje në një kantier. Duke ecur rrugës, ishte një gropë dhe ndaloj aty makinën. Aty ishte dhe një grua që mundohej të mbushte gropën me lopatë. Ishte e dënuar. Zbres, i marr lopatën nga dora, që ta mbushnim gropën sa më parë që të plotësohej norma për të marrë pagën ditore. Ajo më sheh, ka shumë inat në sy dhe pasi e mbusha gropën, jo që nuk më falënderoi por më pyeti: Ti je ai Dhimitri i romanit? Po i them! Unë në gropë, - më thotë edhe ti në gropë. Me një mllef të madh. E pyes si është puna, më shpjego kush je? Ajo ishte djegur nga dielli, ishte shpërfytyruar, unë jam Vajdeja, infermierja tate që më more erzin, më detyrove të bie në dashuri....duke më treguar kështu personazhin. Mundohem t’i shpjegoj teorinë e letërsisë, se ç’është personazhi dhe si e kisha shkruar. Lësho lopatën, - ma kthen dhe mblidh rraqet e hip në makinë. Aty unë shumë i revoltuar, shkoj në Komitet të Partisë së Sarandës. Kërkoj sekretarin e partisë: Ai habitur, çne Dhimitër Xhuvani po e kërkonte. E takoj dhe i shpjegoj tragjedinë e Vajdesë. Unë bëra një roman të gabuar, më dënuat, po vij të heq kusuret e mia, po personazhi ç’faj ka, më duket absurde i them: të lutem nëse ke gjë në dorë, rregullo atë. Në fund ai e bëri një gjë të tillë, e çoi infermiere në një fshat të largët. Ky është një kujtim i hidhur.

Si kaloi për ju ajo kohë?

Cifti Xhuvani
Ishin pesë vjet të hidhur. Pjesë e kujtimeve të tilla, të asaj periudhe të gjatë vuajtjesh është edhe një moment tjetër. Unë kisha gruan në Tiranë te Rruga e Durrësit, kisha dy fëmijë, Gjergjin edhe Buqen, pleqtë, kisha dhe motrën studente. Të gjithë jetonin me rrogën si mësuese të gruas. Mua sigurisht më merrte malli për ta, kisha merak se prindërit i kisha sëmurë. Më jepte leje drejtori i kantierit për të ardhur në Tiranë, mirëpo rruga nga Muzina deri këtu kushtonte 394 lekë bileta, gjë që unë e kisha shumë të vështirë. Një shofer më thotë: do të çoj unë sa herë të duash në Tiranë se çdo një muaj, marr bombolën e oksigjenit për gjithë kantierin. Ti je saldator, ti harxhove gazin dhe ti je i detyruar të shoqërosh mallin ta çosh edhe ta marrësh. Mirëpo kjo qe e ndaluar, sepse nuk lejohej që makina të tilla të merrnin pasagjerë. Dhe bëja këtë udhëtim të rrezikshëm për të ardhur në shtëpi. Pasi më vdiqën prindërit dhe Gjergji u sëmur, kërkova të vij në Tiranë si punëtor, mirëpo ishte e pamundur që të më jepej e drejta për të jetuar dhe punuar këtu. Mu dha shumë vonë, pas gjashtë vjetësh. Bëra gabim që e bleva këtë libër, sepse u detyrova të lexoja këtë intervistë që ishte shumë e hidhur dhe që më ngjalli mbresa të këqija. E kam shumë të freskët tashmë atë kohë.

Sa ndikoi kjo histori në krijimtarinë tuaj?

Ma trembën dorën.

Kur keni rifilluar pastaj?

Më pas shkrova një dramë për Gjergj Dimitrovin, atje ku unë punoja si saldator bëra edhe një dramë për elektrifikimin e Shqipërisë se isha elektricist dhe lëvizja fshatrave. Mendova të kapja këto dy tema mbase më bënin mirë për të ndryshuar pak. Por ajo që më dha kthesë ishte romani “Përsëri në këmbë”. U rehabilitova pastaj dhe nisa punë në Kinostudio, si redaktor skenarësh.
Skenari juaj i fundit është “Pesë biçikletat”, një skenar që pritet të fillojë xhirimet së shpejti...
Po e kemi shkruar bashkë me Gjergjin dhe Jani Durin. Eshtë tepër i thjeshtë. Kur ra Muri i Berlinit, sikur fryu një erë e re në Shqipëri dhe disa ftesa që vinin herë pas here për aktivitete sportive, kulturore mbaheshin në sirtar nga nëpunësit dhe në këtë situatë marrim edhe ne pjesë. U hapëm edhe ne. Eshtë historia e pesë çiklistëve që shkojnë jashtë për një aktivitet, kanë ëndrrat e tyre, kanë dëshira të vogla të tyre, të grave, të familjes por këto ëndrra shemben njëra pas tjetrës. Ata nisen, arrijnë në Trieste në atë kohë kur shoqëria pothuajse u bllokua me eksodet e mëdha, ambasadat u shembën, humbën kontakte, paratë iu mbaruan, anija që i solli nuk kthehej më, ishte e bllokuar në mol dhe ata vendosin të ktheheshin me biçikletat që kishin. Duhet të kalonin nga Jugosllavi për t’u kthyer, por nuk kishin viza, kishin vetëm një për në Francë. Këtu fillojnë peripecitë, kur mbërrijnë në kufirin e fundit arrestohen nga milicia e Jugosllavisë. Pra, ku qemë, ku vamë, ku erdhën. Hapja për Shqipërinë në atë kohë qe një zhgënjim, qe një dhimbje, një tragjedi.

E shkruara e një skenari dhe e një romani kanë kufij për ju?

Skenarin e shkruaj shumë shpejt. Teknika ecën, sepse bazë është vizualiteti, atë që shkruaj duhet të shikohet, dialogu që duhet të jetë i shkathët dhe i gjetur. Nuk e di pse unë skenarin e shkruaj shumë më shpejt sesa romanin. Eshtë më i kapshëm, si vepër letrare skenari. Më lodh pak si të thuash, dialogu të cilit  rikthehem për së dyti, sepse dialogu në film është shumë i veçantë dhe shumë domethënës dhe zbërthimi i karakterit, nga ajo fjalë që do të thotë ai. Dhe përzgjedhjen e aktorëve e kam merak. Madje, mes meje dhe Gjergjit krijohen edhe sherre për përzgjedhjen e tyre.

Numëroni, keni një numër skenarësh, sikurse edhe veprash?

Kam mjaft dhe në Kinostudio ishim të detyruar të bënim një skenar në vit. Janë bënë 15 skenarë, filma artistikë, dokumentar kam shumë. Ndërsa vepra mbi 50.

Çfarë ju frymëzon, çfarë ju ngacmon, çfarë ju bën të shkruani?

Dhimbja, protesta, pakënaqësia, këto janë motive që më shtyjnë në çdo kohë të shkruaj. Kam shkruar 10-12 libra me këtë temë dhe kam arritur në përfundimin që ishte rruga e famshme, diktatura e proletariatit, që u kthye në diktaturë të parasë, është më e rëndë se e para. Gjithë kjo periudhë tranzicioni është shumë e hidhur, ka tema tmerrësisht të rënda, ku vëllai vret vëllain, një batërdi, një shkatërrim i fonacionit shpirtëror dhe kulturor.... Në ishim të shtypur, të imponuar, mbase dhe të përpunuar që të besonim këtë lloj sloganesh në atë kohë. Mbi këto slogane, kuptohet ishte shpata e Demokleut që rëndonte dhe do s’do do ta pranoje. Tani heqja e kësaj prange, në një qiell nuk mbetet bosh, shpata e Demokleut është prapë mbi kokat tona. Por është si të thuash në një formë tjetër po aq zhgënjyese sa ç’ishin edhe sloganet e diktaturës.

Nga filmat që janë realizuar mbi atë çka ju keni shkruar, ndoshta është e vështirë për të veçuar, por cilin shihni pa u lodhur dhe shpesh?

“Mëngjese lufte” më pëlqen edhe sot e kësaj dite. Më pëlqen dhe “Rrugicat që kërkonin diell”, sepse ka shumë dhimbje edhe atje. “Dashuria e fundit”. Pra, ata filma që kanë mbajtur realizimin brena, mua më pëlqejnë sepse në skenarët tonë atëherë, kishte shtatë hallka që na kontrollonin, nuk mund të ishin të gjithë realistë. Tani kinematografia duhet të jetë shumë prodhimtare, sepse temat janë në rrugë dhe ecën mbi to. Për mbytjen e Otrantos, kam një novelë, prona, ndarja, therja, vrasja, përdhunimi i njeriut, më duket se njeriu i thjeshtë i urtë, i drejtë, ai s’ka fituar gjë. Madje, ka humbur disa anë sociale.

Si do ta përkufizonit jetën tuaj?

Pjesa më e madhe e jetës sime, kalon në punë, shumë pak e gëzoj jetën. Një stërmundim i vazhdueshëm, i përgjithshëm. Kalim nga një vepër në një tjetër. Të shkruar do të thotë të vuash, vuajtjet e personazheve. Kam qenë ndihmësmjek në Librazhd, në Gramsh dhe të jesh mjek i Gramshit me kaq mundime, me aq varfëri totale me aq shumë popullsi nuk i bëja dot ballë pacientëve jo vetëm të ambulancës, por as atyre që shtroja në spital. Diagnozat i kisha të dyshimta, ilaçet gjithashtu, kishim disa dispensa të mëdha, simptomat i kontrolloja atje dhe diagnozën ia jepje atje ku kishte më tepër simptoma. Qëlloja në të, nuk qëlloja në të. Në Gramsh kam pasur 56 vdekje, gjatë kohës kur isha ndihmësmjek, nuk kisha ambulancë, kohë, mjekime, më vdisnin nëpër duar. Por namin e kisha të madh. Në Gramsh, në Librazhd, flitej na ka ardhur një doktor që e gjente sëmundjen me qitap. Punoja shumë dhe atje dhe vetëm unë isha. Ti bëje ballë gjithë këtyre ishte shumë e vështirë.

Si është një ditë për ju nga një tjetër?

Njësoj, vij këtu derisa më dhemb koka, ha pak bukë e fle, ndonjëherë dal pasdite. I vetmi oaz është Pogradeci kur shkoj me pushime dhe atje pothuaj i kam shkruar të gjithë librat. Këto tre-katër vitet e fundit shkoj vazhdimisht. Aty kam fëmijërinë time, miq, qetësinë për të shkruar. Shkoj me qejf, punoj me qejf.

Të qenit pjesë e Kinostudios, iu bëri që t’ia impononit Gjergjit të merrej me kinematografi?

Jo. Unë nuk doja mënyrë absolute që as vajza, as djali të mos hynin në këtë rrugë. Për këtë arsye Gjergjin e futa në politeknikum në shkollë të mesme dhe e ëndërroja një mekanik. Por atë unë e merrja shpesh edhe për dore në Kinostudio, në klubin e lidhjes, në dramat që viheshin në skenë dhe këto e joshnin dhe unë në këtë mënyrë bëja të kundërtën. Ai filloi të aktivizohej në shkollë, në grupe teatrale, estrade.... Pastaj hyri në Institutin e Lartë të Arteve, ku fitoi konkursin. Ndërsa në Kinostudio ishte fat për të.

Bashkëpunimet tuaja me Gjergjin kanë qenë si tek filmi më i ri që do të nisë, “I dashur armik” e disa të tjerë. Si e shihni në këtë pozicion, duke lënë mënjanë marrëdhënien babë-bir?

Me Gjergjin është shumë vështirë të punosh, është tepër ekzigjent, është tepër kokëfortë, do t’i shkojë e tija, gjithashtu edhe unë jam kokëfortë se jam krijues... Unë i them vetëm një periudhë unë do bëj qejfi tim, t’i bëj qejfin tënd. Ai e di që dora është e imja dhe e gjejmë atë emëruesin e përbashkët, vetë nga të dy. Mua më pëlqen kjo lloj kërkese, kjo lloj ekzigjence dhe këmbëngulje e tij. Fill pasi mbaron skenari, e shuaj nga koka ndërsa ai që vuan, që e korrigjon, që e mban në kokë, që shqetësohet, është Gjergji. Unë e kam mbyllur atë kapak dhe kam filluar të shkruaj një tjetër roman.

Si e shihni përballë si regjisor?

E shoh si shumë ekzigjent, që është i preokupuar, që rron me to ditë e natë, deri sa e realizon dhe gjithmonë gjen skenën më të përshtatshme dhe ambientin më të përshtatshëm për të realizuar filmin. Kështu që nuk kam pikë meraku se çfarë do të ndodhi me filmin.

E keni ndjekur gjatë xhirimeve ndonjëherë?

Po, shumë pak. Kam qenë në xhirime, kam qejf, dhe shkoj një ose dy ditë, jo më tepër.

Kur i shihni të përfunduar  filmat në ekran ç’thoni?

Oooo më pëlqejnë. Them po, kjo është, këtë e them me plot gojë.

“Bashkëshorten e kam dashuruar që në klasë të shtatë”, kështu tregon Dhimitri, historinë e tij të dashurisë. “Eshtë e hershme, njohja ime me të, jemi dashuruar që moshën shtatëvjeçare, kemi qenë në një klasë, u rritëm bashkë u ndamë vetëm kur ikëm nëpër shkolla të larta. Eshtë një grua që ka harxhuar rininë për mua, ka sakrifikuar shumë, gjithë ato vite të mundimshme të internim-dëbimit mbajti fëmijët, shtëpinë, prindërit, edhe më parë kur mua më doli e drejta për studim në Bashkimin Sovjetik, u detyrova të bëja jetën time, ika, ajo më pranoi”, thotë ai, por lidhja e tyre duket se edhe sot pas më tepër se 50 vitesh është po aq vitale. Ajo e shoqëron në çdo çast. E ndjek, duket që e ka idhull.

“Dashuri e humbur: Lexojeni, e shkrova për ju”

Pas “Dashuri e harruar” veprës më të re, të sapobotuar, Dhimitër Xhuvani ka një tjetër projekt në mendje. Fillimisht e ka titulluar “Përdhunimi”, bëhet fjalë për konceptin e saj nën ndikimin e diktaturës, se si ajo përdhunon shpirtrat e njerëzve, i degradon, i shkatërron. “Personazh kryesor është një që pastron WC publike dhe ky është në njërën prej tyre, atë më të mirëmbajturën. Personazhi quhet Lul, është pak i rrjedhur, pak i trashë, njeh shumë mirë gratë e lagjes... Eshtë një vepër që ka shumë humor brenda, por nuk di në do të kem aq fuqi sa ta hedh në letër këtë përdhunim”, shprehet Xhuvani, pasi sipas tij është tepër e rëndë, pastruesi ka qenë student në Vjenë për filologji, por jeta, biografia e ka detyruar të bëjë atë punë. “Luli ngushëllon veten duke kujtuar skenat e Vjenës, në koncerte....ka një kontrast shumë të hidhur dhe shumë të dhimbshëm. Eshtë njeriu i vogël, i përdhunuar”, shton autori. Ndërsa në raftet e tij qëndrojnë ende të tjera dorëshkrime që nuk janë çuar për botim. Sipas Dhimitrit nuk janë shumë, por preferon më mirë të jenë aty nëpër rafte.” Ka dorëshkrime pa çuar në shtyp, po të rijnë aty. Nuk janë nga dorëshkrimet më të mira, por derisa janë dorëshkrime le të rijnë. Nuk janë shumë, kam nja dy drama, dy novela, tregime po kam” shton ai. Ndërkohë lexuesve më të rinj për veprën e tij më të re, për romanin “Dashuri e humbur”, të cilën redaktori i saj Arshin Xhezo, e cilëson si një sfidë, që nëpërmjet detajesh tronditëse shkrimtari demaskon dhe rrëzon të gjitha alibitë e shoqërive të vyshkura, politikanëve dhe qeverive prostituta, autori thotë vetëm: Lexojeni, e shkrova për ju!