Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kimete Berisha: Dama me kamelie!

| E merkure, 30.11.2011, 09:01 PM |


Dama me kamelie!

 

Nga Kimete BERISHA

 

Edita pra! Asnjëri nuk u mërzit më shumë se ajo nga ngjarjet e marsit 2004, kur me gjaknxehtësi e braktisi LDK-në dhe urgjentisht, dy muaj më pas, në maj e themeloi partinë e saj Alternativa Demokratike e Kosovës. Nuk e di çfarë lidhje kishte parë ajo ndërmjet LDK-së dhe ngjarjeve të marsit. Veç meje, s’ka njeri që e di çka ka dashur të thotë kur tha: “Sidomos pasi pashë serbët duke u larguar nga shtëpitë e tyre, s’ka shans më LDK-ja që të jem pjesë e saj”. Pra, para se të bëhej kryetare e partisë së saj, iku nga Ibrahim Rugova. Doli në media dhe tha: “Po ik nga LDK-ja, sepse Ibrahim Rugova është autokrat, sepse Ibrahim Rugova nuk është demokrat, sepse aty bëhet vetëm siç do Rugova”. Kryetaren shpirtërore të Forumit të Grave të LDK-së, Editën, askush nuk e mori seriozisht, përveç shoqes së ngushtë, Edi Shukriut, dhe agjentëve sekretë të Sigurimit të Atdheut. Agjentët sekret të SIA-s publikisht iu turrën Editës, e kërcënuan me likuidim, na tregoi vetë Edita kur e njoftoi opinionin se jetës së saj po i kërcënohet vdekja. Agjentët sekretë të Sigurimit të Atdheut “të tyre” kishin vlerësuar se largimi i Editës nga partia është katastrofë dhe për këtë “tradhti” do të paguajë shumë shtrenjtë kjo ish-rebele. Falë Zotit dhe “vrasësve të penduar” të Sigurimit të Atdheut, 7 vjet më vonë Edita vazhdon të jetojë “e lumtur” dhe pak kush e di fshehtësinë e së vërtetës: a u tall SIA me Editën, apo Edita u tall me Kosovën!

Është e prekshme, karakteri i saj është hënor, ne e mbajmë në mend vetëm anën diellore të saj, atë anën e zjarrtë nga koha kur e braktisi Rugovën. Kryeministri nuk e di anën e butë të saj. Po kurrkush nuk e di atë anë të saj, që me fanatizëm e mban të padukshme. Prandaj, kryeministri e zgjodhi për të udhëhequr negociatat me Serbinë. Thembrën e Akilit te Edita e gjen në sedrën e saj. Më i vogli gjest i papërshtatshëm e lëndon sedrën e saj, ajo del nga takti dhe ta bën sikurse Rugovës. Po Rugova ishte i urtë.

 

Por, në raport me Borko Stefanoviqin Edita ruhet, nuk shpërthen si me Rugovën. Me Borkon flet pa ndjenja, ndaj tij është empatike, bëhet e ftohtë si diplomatët. E ka partner në bisedime, me të garon, shtyhet, prandaj nuk ikën nga Borko, sa herë që ai e provokon. Duket indiferente  si vdekja, nuk i lexohet në çehre vetëdija që partneri i saj në negociata është nipi i Mirko Stefanoviqit, se partneri i saj Borko frymëzohet, trajnohet dhe punon sipas porosisë së Mirkos së Miloseviqit. E ky Mirko mbeti mbështetës i flaktë i politikës së Slobodan Milosheviqit.

 

Borko nuk është i thjeshtë dhe njëfytyrësh si Edita. Ai bën jetë të dyfishtë. Është roker. Jashtë jetës diplomatike Borko është pank-er, i bie kitarës në bandën e vetë që e quan “Generacija bez buduqnosti”. Ju nuk e keni parë si duket Borko kur katandiset në ambientet e botës artistike: aty i veshur në pantallona përtrupi të lëkurës, me çizme “martinka”, të gjata deri në gjunjë, me flokë të shprishura dhe me frizurë të çartur, me xhaketë të zezë, të zbukuruar me kapëse dhe materiale të metalta të zyrave. Pank (subkultura) e tij e lyp që pjesëtarët e saj të urrejnë pasanikët dhe të jetojnë sot për nesër, në rrugë, të pinë birra të lira dhe cigare të lira, të mos mbajnë higjienën trupore, sepse janë fanatikë të motos “E pastra është e ndytë dhe anasjjelltas”. Vetë Borko e zgjodhi emrin e rok-bandës së tij “Gjenerata pa ardhmëri”, sepse është pesimist, nuk beson në të nesërmen, beson që kurrë s’do të bëhet mirë, që do të thotë nuk beson në jetë pas vdekjes, nuk beson në Zot, nuk beson në ferr, prandaj ka sukses në diplomaci. Meqë është e rëndë detyra që ia ka besuar Tadiqi, e pranon edhe vetë që shpeshherë mërzitet shumë kur ia kërkojnë të dalë nga bota artistike dhe të kthehet në realitetin e hidhur, ku e pret Edita. Lahet, vishet si njeri dhe niset në Bruksel. Mirko i Miloseviqit e ka mësuar që të adaptojnë taktikën “djali i mirë”, mënyra më e lehtë për ta përvetësuar BE-në. Dhe po ia del. Pankeri nga Limani gjithmonë i bie kitarës rrugës për në Bruksel. Herën e fundit kësaj rruge i zbaviti të gjithë të pranishmit në aeroplan, kur i këputi telat e kitarës derisa këndoi këngën “Ah, sikur ta merrte në dorë Jugu, do të ndryshoja mendimin edhe unë”, pjesë e abumit të tij “S’ke çare pa më dëgjuar”. Në Bruksel ka gjetur ambient biblik. Atje ka krijuar edhe fansa ndërkombëtarë, që shpesh po ia shtojnë “like-t” bandës së tij.

Se për çfarë duhet të flasë me Editen ju tregova që përkujdeset axha i tij Mirko. Borkon e konsiderojnë “gjenerata e re e luanëve politikë”, është dora e djathtë e Tadiqit, por leksionet i merr nga dora e majtë e Miloseviqit.

Në Serbi e quajnë “djaloshi i pafat”, demek që ka punë me Tahirin, kurse Tahirin e quajnë Juda e shqiptarëve, demek që ekipi i saj përbëhet nga 13 veta. Ishin 12 apostuj, sipas Bibles Juda ishte i 13-ti. Por Edita është e para, s’është e 13-ta, plus është femër, s’është mashkull për të qenë Judë, dhe në e tradhtoftë, e tradhton ekipin e vet, jo Kosovën, se kurrë s’ka ndodhur që Kosovën ta tradhëtojë një grua, Kosova është burrërore për t’u tradhtuar nga një grua.

 

Përjashta bandës “Gjenerata pa ardhmëri”, Borko ka talent edhe për negociata, pasi arriti që t’i ulë çmimet dhe borxhin e naftës që duhej të paguante Serbia në negociata me Izraelin, nga ku edhe mësoi më shumë për karakteristikat e Judës. Është 18 vjet më i ri se Edita, prandaj me Editën s’ka shans!

Ajo është damë, është dama me kamelie. Kamelien, këtë lule dyfytyrëshe, e refuzuam, e injoruam, e hodhëm në asgjë, s’ia dhamë asnjë votë. Kjo politiklane pa vota sot, në negociatat me Serbinë, nuk na përfaqëson ne e ju që e injoruam pamëshirshëm, por e përfaqëson Kosovën, Qeverinë, Edi Shukriun dhe favoritin e saj, figurën e harruar Rexhep Osmanin.

 

Shenjat e gjuhës

 

Kryenegociatori i “Gjeneratës pa ardhmëri” i menaxhon mirë emocionet. Edhe kryenegociatorja e Alternativës Demokratike e menaxhon mirë hidhërmin, veç krenarinë nuk e menaxhon dot. Tadiqi është psikolog me profesion, gjatë luftës e ka trajnuar ushtrinë serbe që të jetë gjakftohtë gjatë vrasjes së boshnjakëve e shqiptarëve, se lufta është luftë. Borkos i ka treguar Tadiqi se kur “shtiresh i mërzitur dhe i përvuajtur” me lehtësi e përvetëson bashkëbiseduesin. E këshilloi Borkon që t’ia urojë doktoraturën Editës, anipse ende nuk e ka ngushëlluar për dhjetëra mijëra viktima që i ka bërë shteti i tij zyrtar ndaj popullit të Editës. Kjo zonjë ia pranoi urimin, se ashtu e lyp bontoni!

Borko ka përvetësuar edhe salami taktikën (taktikë e njohur në negociata), taktikë që t’i shkatërron nervat derisa të dorëzon. Kjo taktikë është e panjohur për Editën. Asaj i mjafton krenaria, sinqeriteti dhe mbesa e saj që e merr me vete sa herë që takohet me Borkon. Që është roker Edita nuk e ka ditur, prandaj e merr seriozisht, e Borko përfiton nga prirja e BE-së që rokerët të mos i marrin seriozisht. Njëherë kur doli nga bota e tij artistike dhe hyri në botën reale dhe prozaike, me përpjekjen e parë, e mashtroi Rahmo Emanuelin, të cilin serbët e quajnë Rambo. Shumë lehtë e bindi Rambo Emanuelin që të bëhet shef i komitetit serb në Kongresin Amerikan, në Serbian Unity. Me “naivitetin” e tij dhe me taktikën “bad gay/good gay” arriti që shefin e protokollit të Barak Obamës ta bënte  mikun më të ngushtë të serbëve.

Aq fort e hipnotizoi Emanuelin, saqë Borkos iu harrua skandali, kur ky i ndihmoi një vagabondi  tjetër serb, bashkë me kumbarën e tij Igor Miloseviqin, konsul në NY, që të mashtrojë Amerikën të bëjë një pasaportë false për një kriminel serb që të ikë nga Amerika, pasi kishte rrahur për vdekje një amerikan. I tillë është Borko, ka përvetësuar edhe taktikat e hipnozës në negociata. Por, Rahmo është nga Jerusalemi, Izraeli ende nuk e ka pranuar Kosovën!

 

Është më se e qartë se Tahiri është njësh, është e veçantë, s’është si gratë e tjera. Duhet të kishin mirëkuptim punëtorët e qeverisë kur Edita si ministre e Administratës Publike, duke e ngritur fuqishëm gishtin tregues, ua drejtoi te hundët e u tha: “Dilni nga ashensori i VIP-ave, grave shërbyese civile, sepse ato anonime nuk e kanë vendin në një ashensor me Editën”. Njëra i tha: “Hyn se s’të ha”, por s’di pse ato gra e bëjnë punën t’ju thotë Edita: “Jashtë”. Ato vetë duhet të dinë kaq punë. Jo. Borkon nuk e kish largu nga ashensori, siç bëri me gratë e Ministrisë së Ambientit. Sepse me Borkon bën politikë, e me gratë bën pedagogji. Pa qenë fare e tillë, në sytë e grave duket prepotente, megalomane dhe mizantrope, por ajo nuk e ka lehtë, se është e vetmuar në madhështinë e saj, askush s’i afrohet lartësisë së saj, prandaj askush s’mund ta ndihmojë!

 

Ndërkohë që kolegu i saj merret me muzikë, Edita asnjëherë nuk i mbërthen pullat e këmishës dhe kurrkush nuk di ta deshifrojë simbolikën e këmishave të zbërthyera gjatë negociatave. Ndoshta këmisha e zbërthyer simbolizon injorimin e rivalit dhe shpreh Mic Sokol-metaforën brenda gjoksit të saj. Një Zot e di! Bëhet e vetmja politikane në botë që thyen akullin dhe fut buzëkuqin në kodin e veshjes dhe pamjes së diplomates. Tani do ta imitojnë, do ta kopjojnë stilin e saj, por deri tani kurrë, asnjëherë më përpara asnjë politikane nuk ka vënë buzëkuq masiv. Që nga viti 1770 në Parlamentin anglez ka kaluar Ligji që ndalonte gratë që të vënë buzëkuq përpara ditës së martesës. Buzëkuqi përdoret që nga kohët e lashta, por gjatë shek. 19 dhe 20 femra e respektuar nuk lyente buzët, buzëkuqi i atribuohej vetëm aktoreve, modeleve dhe atyre “femrave të tjera”! Gazetat dhe magazinat nëpër botë i këshillonin adoleshentet që vetëm femrat e pagdhendura dhe të pacipa vënin buzëkuq. Sepse buzëkuqi është nxitës, joshës, ngjall epshet e burrave, ngjall apo ringjall imagjinatën e bashkëbiseduesit, askush nuk të merr seriozisht kur i drejtohesh me buzë të kuqe. Nganjëherë “gjuha thyen eshtra”, e njëherë nga puthjet e adhurueseve sherri i buzëkuqit u gërrye guri i varrit të Oskar Wilde! Edhe Kisha e konsideronte buzëkuqin si “mishërim të satanës”. Por, kisha dhe të gjithë, sidmos seksologu Harun Benjamin e kanë gabim.

Gjuha ka shenja.Sikurse gishat e dorës që janë unikat, kështu është edhe gjuha, secili njeri në botë i ka shenjat unikate të gjuhës. E di që gjuha është muskuli më i fortë i trupit, prandaj flet e relaksuar e lyer dhe e zbërthyer në emër të mbi 10 mijë të vrarëve, qindra mijëra të plagosurve, mijëra të zhdukurve, qindra mijëra të burgosurve dhe 2 milion shqiptarëve të përzënë me dhunë nga shtëpitë e tyre, të cilëve (as të gjallëve e as të vdekurve) Serbia nuk u ka kërkuar falje.

Bisedat ndërmjet Editës dhe Borkos për neve popullin janë konfidenciale, janë “fshehtësi e madhe”, por mezi s’po pres kur Serbia do t’ia botojë ato me vëllime.

 

Përballë Serbisë, Kosovës i ka mbetur vetëm një alternativë: kryetarja e përhershme e Alternatives Demokratike, Edita, ndërsa Kosova ka punë me tri politika zyrtare serbe: njëra politikë serbe do luftë, tjetra do ndarje dhe politikën e tretë të tyre (nëpërmjet inteligjencës sekrete të Xhavit Halitit) e deshifron vetëm Bajram Rexhepi. Kurse ne duam vetëm që të dukemi të urtë dhe të bukur.

Kosova është viktimë e krimeve të Serbisë. E viktima nuk hijeshohet që të duket e bukur dhe atraktive para vrasësit të saj. Sepse nuk ka viktimë të bukur.

Rifat Jashari nuk e pranoi delegacionin e Qeverisë, e cila 27 nëntorin e kishte bërë nijet si vizitë për 28 Nëntorin, shkaku i znj.Tahirit, e cila gjakun e derdhur të shqiptarëve e “trajton” në mënyrë “teknike”!