| E marte, 29.11.2011, 11:29 PM |
T'i kthejmë Kombit krenarinë e qenies së vet të papërsëritshme
Nga Aurel Dasareti, Arizona (ekspert i shkencave psikologjike)
Kur një rreze dielli, nga qielli i zymtë bie mbi një rrugicë qorre, nuk interesohet në çka prek: copërina shisheje, shpalljen e grisur në mur apo pëlhurën në kokën e një fëmije. Ajo sjellë dritë, sjellë magji, shndërron dhe shpërfytyron.
Njeriu nuk është një qenie e ngulitur, e kryer e përfunduar, diçka e vetme, por një formë në ngjizje, një përpjekje, një hamendje dhe një e ardhme, diçka e arritur dhe një synim i natyrës për forma e mundësi të reja.
O shqiptarë, kudo që gjendeni!
Atdheu është në rrezik. Përçarja, indiferenca e juaj, informimi i shtrembët, tradhtia dhe rivaliteti i liderëve politik, korrupsioni, ryshfeti, krimi i organizuar, ndryshimi i kombësisë duke u vetdeklaruar si grek fiktiv, fundamentalizmi islamik (vehabizmi), papunësia, varfëria, ikja e rinisë në Perëndim, ju dërgon drejt greminës. Bëni diçka më konkrete për Tokën ku u lindët, ku u ritët. Bëni diçka për Dheun ku pushojnë eshtrat e atyre që ju i keni pasur më të afërt. Për të realizuar synimet tona, lirinë, demokracinë e mirëfilltë ku do të sundon ligji (i njëjtë për të gjithë/askush para ligjit), dekolonizimin e trojeve të okupuara dhe ribashkimin e Atdheut; lypset informata që janë sa më afër të vërtetës - unitet. Nuk duhet me kokëfortësi të mbrojmë pohimet tona për gjërat, ngjarjet dhe sendet duke injoruar mendimet e të tjerëve.
Bashkohuni në radhët e Aleancës Kuq e Zi, harroni partitë, koha është për veprime të mençura. T`i kthejmë Kombit krenarinë e qenies së vet të papërsëritshme.
Nuk pritet që pushtetarët/politikanët të heqin dorë nga interesat vetiake. Prandaj lypset mobilizuar opinionin publik për të ushtruar trysni mbi ta.
Një person i cili ka fuqi politike, është në gjendje për të arritur qëllimet e tij pavarësisht nga rezistenca e të tjerëve. Personi mund të pengojë të tjerët nga arritja e qëllimeve të tyre dhe mund të arrijë interesat e veta përmes tyre. Ky person mund të përdorë forma dhe mjete të ndryshme: argumentim, presion, bindje, forcën e detyrimit, frikësime, dredhi. Kur përmendi termin “person me fuqi politike” mendoj në individët dhe grupet që mund të kenë pushtet.
Fuqia e medias është që të "nxit" marrjen e vendimeve të caktuara, të bëjnë presion dhe detyrojnë politikanët të marrin një pozicion të mirëfilltë në pyetjet që mjetet e komunikimit i mbrojnë me vetëbindje, kokëfortësi, integritet dhe intensitet masiv.
Ne jemi në gjendje të bëjmë pohime që janë ose të vërteta ose të rreme. Pohime të tilla nuk kanë të meta. Deri aty ku mund të mbështetemi në pohime të vërteta, jemi në gjendje të fitojmë dije. Vetëm kur kalohet përtej këtyre pohimeve “të ndërtuara mirë” idetë tona abstrakte bëhen me të meta.
Prandaj na duhet të shqyrtojmë se ç`lloj pohimesh të vërteta mund të bëjmë. Ka pohime të veçanta që përkojnë me fakte të veçanta, si dhe ka rregulla me anë të të cilave e vërteta e disa pohimeve mund të nxirret nga pohime të tjera, jo vetëm në matematikë por edhe në logjikë e politikë. Arritja jonë më e madhe është shkenca, ku bashkërendohen pohimet e veçanta me përgjithësimet e mbarëzbatueshme për të formuar shpjegime dhe parashikime. Por, përgjithësime të tilla nuk mund të verifikohen, vetëm mund të falsifikohen. Ato mbeten hipotetike me karakter, gjithmonë të mundshme për t`u falsifikuar.
Tipari i përbashkët i të gjitha këtyre formave të njohjes është se ka fakte dhe rregulla, që do të shërbehen si kritere të besueshme për gjykimin e së vërtetës dhe vlerës së tyre, vetëm nëse dimë si t`i zbatojmë. Ajo çka i bën kriteret të besueshëm është se ata janë të pavarur nga pohimet për të cilat zbatohen dhe nga njerëzit që i zbatojnë.
Njohja dhe pranimi i rrethanës njerëzore nuk është baras njohje - përndryshe, do të ishim kontradiktorë – por na jep një sistem bindjesh, që është më i përshtatshëm për rrethanën njerëzore se çdo tjetër. Të paktën, ky është mendimi im kur pohoj gabueshmërinë time. Kur pohoj gabueshmërinë time vetiake, unë shpreh një bindje – një bindje të arsyetuar. Unë mund ta provoj këtë. Jam përpjekur, por më ka rrëshqitur. Në aftësinë për të provuar gabueshmërinë vetiake ka diçka kontradiktore në vetvete.
Njohja prej nesh e realitetit ku jetojmë është në thelb e mangët. Këtë mangësi e papërsosmëri e shoh të lidhur me faktin se ne jemi pjesë e atij realiteti që përpiqemi të njohim dhe marrim pjesë në krijimin e tij.
Secili prej nesh punon ndryshe për të ardhur sa më afër realitetit atje ku jeton dhe vepron. Unë punoj me hipoteza. Hartoj një tezë për vargun e fundit të ngjarjeve dhe pastaj e krahasoj këtë tezë me rrjedhën aktuale të ngjarjeve; nga ky krahasim unë nxjerr një kriter për të bërë vlerësimin e hipotezës sime. Në këtë proces hyn elementi i intuitës. Por nuk kam mendimin se roli i intuitës është shumë i madh; sepse nisem edhe nga një kuadër teorik. Mendoj se në aftësitë analitike kam mjaft mangësi, por kam një veti tjetër - një aftësi kritike të fuqishme. Unë nuk jam analist profesionist i gjendjeve të sigurta. Përkundrazi, veten do ta quaja më fort analist i gjendjeve të pasigurta. E pranoj se mund ta kem gabim, dhe nga kjo nisem. Duke u nisur nga kjo, ndihem i pasigurt. Duke pasur ndjenjën e pasigurisë, i mbaj sytë e veshët hapur, në çdo çast gati për të korrigjuar gabimet. Këtë e bëj në dy shtresime. Në shtresimin abstrakt, bindjen në gabueshmërinë time vetjake e kam shndërruar në gur themeli të një filozofie të përpunuar mirë. Në shtresimin vetjak, unë jam njeri me sy kritik ndaj vetes, që kërkon të zbulojë gabimet tek vetja e tek të tjerët. Por, duke pasur ndjenjën e kritikës, kam edhe atë të faljes. Nuk do t`ia njihja gabimet vetes, po të mos ia falja. Për shumicën e njerëzve, rënia në gabim është burim turpi; për mua, pranimi i gabimeve të mia është burim krenarie. Sapo të kemi pranuar se njohja e papërkryer e gjërave është rrethanë njerëzore, nuk ka përse të kemi turp nga gabimet, përveç rasteve kur nuk i korrigjojmë ato. Rri e vështroj nëse rrjedha reale e ngjarjeve përkon me parashikimet e mia. Nëse nuk përkon, atëherë e kuptoj se jam në rrugë të gabuar. Kur midis parashikimeve të mia dhe rrjedhës reale të ngjarjeve ka mospërputhje, atëherë i hyj rishqyrtimit të tezes dhe mundohem të përcaktojë ku ka qenë gabimi. Ka dy rruge: ose të modifikoj tezën time, ose te zbuloj se është shfaqur ndonjë ndikim i jashtëm i paparashikuar. Situatën mund ta zgjidh më fort duke e rritur pozicionin në vend që ta ul. Por, në çdo rast, nuk qëndroj duarkryq dhe nuk e shpërfill atë mospërputhje. I hy një shqyrtimi me sy kritik. Por, përgjithësisht, nuk më vjen për mbarë të ndryshoj tezën time për t`iu përshtatur rrethanave të ndryshuara, ndonëse nuk e përjashtoj fare këtë zgjidhje.
Nëse një intelektual/ atdhetar i mirëfilltë, ushtron një ndikim në opinion, kjo nuk varet nga burimet individuale, nga teknika, aftësitë dhe shijet, por nga gjallëria e natyrës së tij, nga mirësjellja dhe forca me të cilën i jep shprehje tipit të vet.