| E marte, 29.11.2011, 11:23 PM |
Adelina Dokja
DINAKËRI KONTEMPORANE
Është e vështirë të gjesh bujari njerëzore
kur çdokush i është hedhur interesit
si qentë e uritur që për kocka zihen,
shqyejnë turinjtë e njëri-tjetrit
dhe më i forti
Kjo botë është e meskinit
që me dinakëri çon ujë në mullirin e tij,
s'don t'ia dijë se han mbi kurrizin e kërrusur
të të varfërve, njerëzve të mirë.
Kjo botë është e ndotur
ku shet motra vëllanë
nuk duan t'ia dinë që ne jemi rritur
me fqinjët kafshatën duke e ndarë,
ndërronim bukat me vaj kikiriku.
Kjo botë sot nuk të përfill
as përshëndetjen s’ta fal pa bujë,
pa interes e pa fjalë,
një përshëndetje e një gotë ujë
janë falas o njeri i gjallë!
Kjo botë primitive e shpirtit të shitur
me shumë fytyra të paraqitet
herë si dele, herë si ujk,
pas shpinës t’i ngulin thikat.
N’këtë botë të re me shpirt të vogël
përbuzin akoma fukaranë,
ku është ajo mrekulli e artë,
por falë Zotit me krenari,
mbeten engjëjt si pilastra të lartë.
Kjo bota e sotme është të zhdukesh
ke frikë të gjenerosh fëmijë,
sepse askush s’të fton e ndihmon,
i trembesh madje edhe hijes tënde
sepse në këtë botë më nuk jeton!