| E diele, 24.02.2008, 07:24 PM |
ORIENTIMI KAH LINDJA APO PERËNDIMI?
Nga Hajredin Budakova
Kosova tashmë është shtet, i pranuar edhe ndërkombëtarisht nga shumë shtete të botës. Por këtu nuk përfundojnë sfidat për të dhe popullin e saj. Këtu fillojnë sfidat.
Ne kemi një përvojë të hidhur nga e kaluara; jo rrallëherë kemi shkelur në dërrasë të kalbur, atëherë kur më së shumti është kërkuar maturi dhe qëndrim i qartë.
Se elita politike kosovare është e orientuar kah Perëndimi, vlerat dhe qytetërimi i saj, kjo nuk ka dilemë. Nuk ka dilemë, vetëm në shikim të parë. E themi këtë duke njohur faktin se në Parlamerntin e Kosovës, nëpër asambletë komunale të Kosovës, në administratën e institucioneve të Kosovës, ka aq shumë të “devijuar”, ka aq shumë me orientim lindor, lindor të tipit binian.
Si arsyetohet fakti kur sot shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë, i pagëzojnë fëmijët e tyre me llojlloj emrash, madje edhe me emrin Xhihad, prezenca në institucionet shkolloretë e nxënësve dhe e studenteve të mbuluara fund e krye. Nuk është çudi as kjo. Më e çuditshme është kur inspektorët e arsimit shpërndajnë nëpër shkolla literaturë islame, siç është rasti me Xhevat Emërllahun, në komunën e Vitisë. Për më keq, siç kuptuam ky njeri ishte edhe krijues. Sa i kontribuon kjo përballimit të sfidave që na presin në të ardhmen, sa i kontribuon kjo prosperimit te vendit tonë. Ne kemi shumë nevojë për ndihmën dhe investimet ndërkombëtare, kemi shumë nevojë për integrimet euro-atlantike. Është, madje kërkesë dhe synim yni i pakontestueshëm.
Faqet shqiptare të internetit janë përplot propagandë fetare. Gjithçka që nuk korrespondon me islamin si ideologji, çmohet dhe konsiderohet antishqiptare. Etiketohen njerëz të dëshmuar kombëtarisht, shahen e përdhunosen vlerat e mirëfillta kombëtare. Nuk zgjedhen në janë këta njerëz të politikës, të artit, krijues, akademikë a klerikë.
Është momenti kur duhet thënë stop për gjithë këta mbrapshtana, të cilët trumbetojnë me gjuhën e djallit, gjuha e të cilëve çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë progresin e popullit tonë.
Shteti i Kosovës nuk i ka zgjidhur problemet me 17 shkurt 2008, por vetëm i ka identifikuar dhe kanalizuar edhe më qartë ato. Tash lipset angazhimi ynë për tejkalimin e tyre, për sendërtimin e demokracisë dhe instalimin e vlerave të mirëfillta.