| E diele, 27.11.2011, 08:59 PM |
Keze Kozeta Zylo
Gjithë trojet kanë Vlorë
Brenda ninëzes së syrit, më shfaqet Vlora kuq e zi,
Plaku Ismail Qemali, më hap flamurin me magji,
Më bekon me fjalë Perëndie, më ndez dritën mu në sy,
Ah kjo dritëz Pavarësie, verbon botën për çudi!...
Dritë e tij si vetëtimë ka vënë shenjëzat në udhëkryqe,
Aty ku Atdheut tim, i kyçin “planet” në sëndyqe,
Ah këto plane ogurzeza, seç po thuren nga tradhtarë,
Sa dhe Hënën e tmerrojnë, ngjyrë veremi ajo ka marrë…
Por s’duron Is Boletini, vjen si shqipe me Flamur,
Prej Kosove i vjen Vlorës, toskë e gegë porsi nur,
Dhe me ngjyrën e Flamurit e skuq detin mes për mes,
Hedh bajlozët si në legjenda, shpirt katran e të pabesë...
Dhe atëhere Hëna ndizet, nën ullinjtë si portokalle,
Jep shkëlqimin mbi flamur, labëroshkat hedhin valle,
Ndërsa burrat rëndë, rëndë, Monumentit vënë kurorë,
Pavarësisë i bëjnë roje, se gjithë trojet kanë Vlorë…
25 Nëntor, 2011