| E premte, 25.11.2011, 10:00 PM |
POEZI KUSHTIMESH PËR NJERZIT E SHQUAR
Gani Qarri “MALLKIM SHEKUJSH”-.Botoi NSH “Jeta e re” Prishtinë 2011
Nga Ali D. Jasiqi
Shumë shqiptarë morën rrugën e kurbetit për shkaqe të ndryshme, kryesisht politike. Ata atje u morën me veprimtari të ndryshme, kryesisht duke kryer punë të rënda fizike. Por ka në mesin e tyre edhe sish që merren me krijime kulturore, kryesisht me poezi. Pjesa e madhe e tyre duke qenë në kontakt me poezinë e vendeve ku jetojnë i përcjellin trendët e zhvillimit të poezisë bashkëkohore. Por ka edhe sish që mbesin në nivelin e poezisë shqipe të viteve të pasluftës se Dytë Botërore. Kjo do të thotë se ata më shumë janë të përqendruar në përmbajtje dhe jo në formë, me një fjalë nuk ka edhe aq shumë art, por përmbajtje. Sidoqoftë ata lënë gjurmë në letrat shqipe, si krijimtari e hartuar në kushte e rrethana të caktuara shoqërore. Dhe nga disa studiues kjo krijimtari është quajtur letërsi e diasporës shqiptare. Sido që të jetë duhet theksuar se subjekti lirik i këtyre shkrimeve është i shumëllojshëm, por kryesisht dominojnë temat e ashtuquajtura aktuale, përkatësisht patriotike, me të cilat u këndohet ngjarjeve dhe personaliteteve të ndryshme që kanë lënë gjurmë në historinë e popullit tonë nëpër shekuj. Këso temash trajton edhe Gani Qarri në librin e tij.
Poezia e e Gani Qarrit u këndon, sikurse përgjithësisht në krijimtarinë e autoreve që jetojnë dhe shkruajnë jashtë trojeve etnike shqiptare, personaliteteve dhe ngjarjeve që shënuan historinë e popullit tonë. Është fare e natyrshme që një vend të veçantë zë figura e Skënderbeut, tribun ky që luftoi vite të tëra kundër hordhive turke. Ai
“Mblodhi shqiptarët t’i këshillojë
Që të mos i përçanjë askush”
(Skënderbeut)
Ndërkaq, Lidhja Shqiptare e Prizrenit bëri që shqiptarët e bashkuar të falin plagë, gjaqe e ngatërresa, për interesin e kombit, kurse Dedë Gjo Luli luftoi kundër hordhive turke e malazeze dhe ngriti flamurin shqiptar në majën e Deçiqit. Ndërkaq, një figurë tjetër që bëri emër ndër shqiptaret është edhe Ibrahim Rugova të cilin poeti ynë e quan:
Ti Diell i shqiptarëve që tokat tona ngrohe
Ti kod i bashkimit që gjakrat e nxehta ftohe
Shembull i kolosëve që vepruan me maturi
Ti unifikues i shqiptarëve me paqe e dashuri
Edhe heroizmat e familjes Jashari do t’i shënojë historia, pore edhe pena krijuese e poetit, kurse Gjenerali Klark konsiderohet si shpëtimtar i shqiptarëve, ashtu siç ishte edhe Wiliam Wokeri, që e ngritin botën në këmbë pas masakrës së Reçakut të bërë nga hordhitë dhe çetnikët serbë.
Një pjesë e mirë e poezive të kësaj përmbledhje u është kushtuar heronjve të luftës së fundit në Kosovë. Kështu pasi u këndon heronjve të lirisë ai do të shkruaj poezi edhe për heronjtë e Koshares duke i veçuar Agim Ramadanin e Sali Çekun, por dhe për shumë personalitete të tjera të kësaj lufte, që ranë në alltarin e lirisë. Të tillë janë: Zahir Pajaziti, pastaj dëshmorët e Pashtrikut dhe të Hasit, siç janë Haxhi Hoti, Adem Qarri dhe dhe rreth 50 shokët dhe bashkvuajtësit nga Lugishta dhe pjesët tjera të Hasit të masakruar nga forcat okupuese serbe, si dhe Xhafer Shala, Shaban Ali Gola, e të tjerë.
Kurse vendlindja për secilin poet mbeti temë frymëzimi e përhershme, mbetet simbol i atdhedashurisë dhe respektit ndaj banorëve të saj. Gani Qarri do të këndojë kështu për Hasin, që është dashuria e tij e përhershme:
“Ëndrrat e rinisë
Që i thurja për Hasin
Dhe tash kur i kujtoj
Të kthehem më thërrasin”
këndon ai në poemën “Ëndrra ime Hasi ” për të vazhduar me pohimet se edhepse është larguar në kurbet, ai ka mbetur i lidhur me vendlindjen dhe njerëzit e saj. Dhe kurbeti, për të cilin janë shkruar poezi, është plagë e pashërueshme për shqiptarët që e marrin botën në sy për të kërkuar një kafshatë buke për fëmijët, apo janë edhe të detyruar nga presionet e vazhdueshme nga pushtuesit e ndryshëm. Pushtuesit tanë përherë përdorën metodat e ndryshme që t’i detyrojnë shqiptarët të marrin rrugën e mërgimit, me qëllim që t’i pastrojnë trojet tona nga shqiptarët dhe të vendosin kolonët serbë e malezezë. Duhet theksuar se përkundër presioneve të pandërprera, këtij qëllimi nuk ia arritën, sepse populli ynë është i lidhur shpirtërisht me vendin e lindjes. Ganiu i qan hallin Hasit të ndarë me kufij jo natyralë në dy shtete siç ka ndodhë me krejt Kosovën, që me vendimin e shteteve të mëdha e ndanë nga shteti amë. Hasi që shtrihet nga Kosova deri ke Vau i Spasit kishte dhe ka akoma këngëtarë që e mbajnë gjallë shpirtin e burrave të kësaj treve të njohur për trimëri e bujari.
Problemet aktuale, ato të ditës, janë një ndër temat që e preokupojnë autorin e librit në fjalë. Kështu një poezi e tij i kushtohet ndarjes së qytetit të Mitrovicës, që ura e ndanë në dy pjesë. Kjo ndodhi nga forcat franceze, përkatësisht KFOR-it francez në fillim të zbarkimit në këtë qytet, i lejuan kriminelët serbë që të përforcohen dhe ta ndajnë qytetin buzë Ibrit, qytetin e Isa Boletini, kështu që shqiptarët nuk guxojnë të kalojnë në pjesën ku janë vendosur bandat çetnike. Mitrovica është e njohur edhe për minierën e Trepçës, minatorët e së cilës me ngujimin e tyre në zgafellë i tronditen bazat e shtetit të brishtë të quajtur Jugosllavi,që më në fund u shkatërrua përfundimisht:
Ata s'u besuan kurrë, pushtuesve lajkatarë
Por ata u mashtruan, nga tradhtarët shqiptarë
Të cilët atë botë dhanë “dorëheqje” fiktive
T’i nxjerrë minatorët trima nga greva masive
Shqipëria, pra shteti amë, është poashtu subjekt lirik i poezisë se Gani Qarit, për të cilën ai pohon se kudo që jetojnë:
Sido që të jetë, nesër Shqipëria
Siç ishte dje, siç është edhe sot
Për ne ajo gjithmonë do të mbetet
Atdheu i të gjithë shqiptarëve në botë.
Në Shqipëri ndodhet edhe qyteti Shkodra, që ka dhenë shumë trima e heronj, në mesin e të cilëve duhet përmendur, pos Marin Barletit edhe të tjerët, siç janë:
Marubi, Vaso Pashë Shkodrani
Gjergj Fishta dhe Filip Shiroka
Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi,
Dhe Migjenin kishte Shkodra
Kjo dëshmon se Gani Qarri është poet që e preokupojnë problemet e përgjithshme, përkatësisht ësht autor që frymëzimet e veta i kërkon dhe i gjen në trojet shqiptare. Në këtë mes duhet përmendur edhe temat, përkatësisht poezitë që ai ua ka kushtuar çamëve, të cilët nga fashistët grekë u detyruan t’i lëshojnë trojet stërgjyshore dhe të marrin botën në sy. Ai atë e quan perla shqiptare dhe për të qajnë të gjithë shqiptarët pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe çfarë profesioni kanë, sepse Çamëria është shqiptare, por e pushtuar nga grekët, që u sollën si fashistët ndaj popullatës së pafajshme, duke i përzënë nga trojet e tyre etnike stërgjyshore.
Kur do të vijë vallë ajo ditë
Që edhe për ata të ketë drejtësi
Dhe të gjithë çamëve të dëbuar
T’u mundësohet kthimi në Çamëri
duke shprehur kështu kërkesën imediate për drejtësi në mes të njerëzve.
Marrë në përgjithësi poezia e Gani Qarrit lexohet me kureshtje dhe nga ajo lexuesi mund të mësojë shumë gjëra për të kaluarën dhe realitetin që e rrethon sot. Andaj ajo behët e dashur për lexuesit dhe meriton të qëndrojë në bibliotekat tona.