Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ryzhdi Baloku: Kush e organizoi plojën me rastin e inksenimit të thyerjes së burgut famëkeq të Kullës së Sheremetit në Pejë

| E merkure, 23.11.2011, 09:04 PM |


KUSH E ORGANIZOI PLOJËN ME RASTIN E INKSENIMIT TË THYERJES SË BURGUT FAMËKEQ TË KULLËS SË SHËREMETIT NË PEJË

 

Nga Ryzhdi Baloku

 

Në Pejë, viti 1946 do të mbahet në mend edhe me vrasje të të burgosurve shqiptarë, me rastin e inskenimit të thyerjes së burgut famëkeq të Kullës së Shëremetit.

Kosova ishte nën administrim ushtarak, dhe gjatë asaj kohe shqiptarët zhdukeshin në rrethana misterioze, si i vetmi territor i këtij shteti me një administrim të tillë.

Çdo shtet që administrohet përmes pushtetit me një regjim të tillë, nuk mund të trajtohet e të radhitet në mesin e shteteve me sistem demokratik. Këtë e dinte edhe kreu qendror i pushtetit të atëhershëm jugosllav. Prandaj që mos të veçohej si ”delja e zezë e Evropës”, por të sistemohej në radhët e shteteve të regjimeve demokratike, ky pushtet detyrohet ta suprimojë administrimin e tillë të Kosovës dhe ta zëvendësojë atë me ligje civile si në territoret tjera.

Për ta vazhduar ”avazin e vjetër nën petkun e ri”, sigurimi shtetëror i njohur si ”OZN-a” apo përkthyer në shqip ”organi për mbrojtjen e popullit”, që ishte nën mbikëqyrjen serbo-malazeze, organizon vrasjen e shqiptarëve të dalluar, të cilin akt do ta implementojë gjatë muajit gusht të vitit 1946 në Pejë.

Kulla e Shëremetit në atë kohë shërbente si objekt burgu. Oborri i tij ishte i rrethuar me tela gjemborë si shtesë sigurie. Përtej tyre qëndronte edhe muri i lartë për rreth këtij oborri. Në këtë mur rrethues kishte një derë kryesore dhe         një ndihmëse, të cilën personeli i burgut më shpesh e përdorte. Përpos përbrenda këtij muri që qëndronin rojet e armatosura, po ashtu edhe jashtë tij kishte një barakë pranë derës kryesore ku rinin rojet që e ruanin dhe e kontrollonin hapësirën edhe nga ana e jashtme e këtij objekti famëkeq.

Në katin e epërm të kullës i kishin përqendruar kryesisht të burgosurit politikë dhe në një dhomë më të vogël, si të veçantë ishin të burgosurit e dënuar me vdekje. Në katin e poshtëm i kishin sistemuar të burgosurit e akuzuar për vepra penale të vrasjes së serbëve dhe vepra të ngjashme, kishte shpjeguar Salih Morina i Baicës. Në rini ai kaloi nëpër këtë katrahurë. Gjatë ikjes me te dhe të tjerët nga ky burg, i vritet i vëllai në mesin e shumë të të vrarëve.

Ishte gushti i vitit 1946, ditë e diel dhe pushtetarët pan-sllavistë të asaj kohe kishin organizuar manifestim kulturo-sportiv që ishte përgatitur të mbahej në stadiumin e futbollit në Pejë. Ky manifestim e kishte karakterin e bashkëpunimit në mes të ushtrisë dhe policisë jugosllave, në të cilin do të prezantohej rinia e asaj kohe nën ombrellën e ”SKOJ-it”, që në shqipe kjo shkurtesë do të përkthehej si: ”Lidhja komuniste e rinisë jugosllave”.

Stadiumi i futbollit në atë kohë gjendej mbi sipërfaqe të varrezave shqiptare të asaj hapësire të ”varreve të gjata” në Pejë, i cili ishte i rrethuar me dërrasa, në vend të murit rrethues.

Në kullën e Shëremetit në mesin e të burgosurve kishte edhe intelektualë shqiptarë, që në atë kohë ishin të rrallë si: profesor doktor Sylejman Lleshi nga Tirana, Muharem Mitrovica, nënprefekt i Mitrovicës, Grosh Ismajli avokat nga Tropoja,  Shaban Basha intelektual dhe luftëtar i Spanjës nga Peja, Xhelal Preveza, etj.

Për ta realizuar vrasjen e këtyre intelektualëve si dhe të shumë personaliteteve të tjerë të burgosur, siç ishin: Ali Macula i Pejës,  Selim Canë Kelmendi i Pejës, Rexhë Ukaj i Pejës, Jahë Elezaj i Dragobisë, Arif Shala i Grabocit, Isuf Zalli i Baliqit, Gjon Isufi i Baliqit, Malë Kastrati i Pejës me banim në Baicë, Selmon Morina i Baicës,  Salih Morina i Baicës, Zenel Ibishi i Lipës, Sadik Ibishi i Lipës, Mustafë Sahiti i Rugovës, Ramë Çallaku i Junikut, Sadri Hajrizi i Strellcit, Ukë Fetaj i Strellcit, Ahmet Fetaj i Strellcit, Bajram Rexhepi i Gurakocit, Pren Shabani i Becit, Qamil Rama i Gjakovës, Shaqir Dema i Gjakovës, Tafil Propaci i Gjakovës,  Skënder Curri i Gjakovës, Shaban Dema i Drenicës, Haxhi Mecina i Klinës së Drenicës, Nezir Blakçori i Istogut, Ramë Klina i Klinës, pastaj Mustafë Muriqi, Rustem Koçani, Mustafë Hasani, Sejdi Rustemi, Jashar Alia, Dinë Hoxha, Zekë Nekaj, si dhe shumë emra tjerë të radhitur si këta që e arrin numrin njëqind veta, organizohet ikja, që sipas disa analizave të rrethanave se si është zhvilluar ngjarja, mund të konstatohet se OZN-a e kishte organizuar inskenimin e ikjes së të burgosurve me qëllim që t’i vrasë pa i gjykuar edhe pse disave prej tyre iu ishte shqiptuar dënimi.

Tre apo katër muaj para këtij tentimi të ikjes, nga ky burg kishin tentuar për të ikur dy vëllezërit Shaban e Demush Mustafa të lagjes Zatra të Pejës së bashku me Arif Dushin, mirëpo ikja e tyre kishte qenë e pa suksesshme. Ata zihen dhe pushkatohen.

Në shumë vende të qytetit dhe mbi disa ndërtesa të larta të Pejës qëndronin mitralozat kinse për rast sigurie të manifestimit që do të organizohej në atë kohë. Një nga mitralozat qëndronte afër urës së Zallit.

Në oborrin e burgut, dera ndihmëse përtej telave gjemborë kishte mbetur e pa mbyllur, si duket pas kthimit nga qyteti të Ramë Klinës, i cili e gëzonte statusin e të burgosurit ”gjysmë të lirë” si i burgosur dhe i dënuar me një vit e gjysmë. Në atë kohë ai i kryente disa shërbime nëpër qytet për nevoja të burgut.

Gjatë kohës së shëtisë brenda mureve nëpër oborr të burgut, një i burgosur e sulmon rojën për t’ia grabitur pushko-mitralozin. Në atë përleshje, këtij të burgosuri i vijnë në ndihmë të burgosurit tjerë, e në mes tyre ndër të parët Ramë Klina. Me atë rast Ramë Çallaku ia rrëmben  mitralozin rojës së burgut dhe së bashku me të burgosurit tjerë i paralizojnë edhe rojet tjera përbrenda atyre mureve.

Edhe pse u bë një tollovi dhe zhurmë e madhe, rojet që ishin përtej murit në barakë pranë derës kryesore, nuk intervenuan fare, si mos të kishte ndodhur asgjë.

Më këtë rast të burgosurit fillojnë të dalin përmes derës ndihmëse, ku bëhet një tollovi e përcjellë me zhurmë. Por përsëri rojet që kanë qëndruar në barakë përtej mureve nuk reagojnë. Me të dalë, gati të të gjithë të burgosurve nga ky  burg, atëherë rojet reagojnë me disa të shtëna në ajër.

Pas të shtënave shumica e turmës së të burgosurve ia mësyjnë Karagaqit përpjetë në drejtim të Zatrave. Të shtëna të mitralozave pasojnë nga shumë anë.

Malë Kastrati një burrë në moshë të shtyrë, ndahet nga turma dhe niset në drejtim të Kapeshnicës. Afër xhamisë së Kuqe ia troket derën një ”ylemoje” por nuk ia hapin.

Xhelal Preveza duke mos e njohur mirë këtë vend hyn në një shtëpi serbo-malazezësh, në cep të Kapeshnicës që e veçonte prej lagjes Karagaq, në oborrin e së cilës ishte një grumbull fuqish rakie, ku fshihet prapa tyre, mirëpo e zonja e shtëpisë ”shkina plakë” e sheh nga dritarja dhe e lajmëron policinë, të cilët e arrestojnë duke ia lidhur duart me tel.

Me tytat e pushkëve në shpinë e shtynin Xhelalin nën pretekstin që të ecë më shpejt, ndërsa gratë malazeze e serbe që në atë kohë kishin dalë rrugëve, me të vërejtur atë që ishte zënë, filluan ta gjuanin me gjëra të ndryshme. Disa prej tyre e kishin marrë nga një shkop dhe e qëllonin shpinës, e në kokë, thotë Murat Morina nga Peja, që në atë kohë ishte fëmijë i moshës trembëdhjetëvjeçare, që e kishte parë këtë ngjarje tragjike.

Llava e policisë, ushtrisë dhe e ”SKOJ-istëve”, së bashku me një numër civilësh shqiptarë pan-sllavistë, të cilët ishin në përgatitje të paradës ”kulturo-sportive”, nisen me nxitim mbi gjahun e turmës së të burgosurve për ta mbuluar tokën me gjakun e shqiptarëve duke i ndjekur këmbë me vrap, derisa pjesa tjetër e këtyre gjahtarëve i ndiqte duke kalëruar.

Disa nga të burgosurit ishin me pranga zinxhirësh në këmbë. Duke u munduar të shpejtojnë, rreth hallkave të hekurta, që i kishin të farkuara për këmbë, nga fërkimi bëheshin gjak. Ata megjithatë vazhdonin të shpejtonin për të ikur nga vdekja që iu kanosej nga ”mortaja e kuqe” komuniste.

Flitej se një i burgosur nuk kishte dashur të ikë, prandaj edhe kishte qëndruar në dhomën e burgut, megjithatë përkundër kësaj satrapët komunistë e kishin pushkatuar brenda mureve të kullës.

Gjatë kësaj kohe Malë Kastrati duke e vërejtur se nuk po ka ku të strehohet dhe turma e ”gjahtarëve” po i ofrohej, e kthen shpinën dhe pranë xhamisë së Kuqe afrohet te ”kajnaku me shumë qepa” i përvjel këmbëzat e pantallonave dhe mangët e këmishës duke simuluar se është duke ”marrë avdes” për t’u falur në xhami.

Ndjekësit e anashkalojnë duke mos e njohur se është njeri nga të burgosurit, mirëpo atypari në mesin e të shumtëve kalon një shqiptar i ligë, i cili e njeh Malën. Ai u drejtohet policëve që ta arrestojnë.

Malën e dërgojnë në ndërtesën e policisë përtej Lumëbardhit në qendër të qytetit, me të cilin rast e njoftojnë udhëheqësin e burgut të Kullës së Shëremetit se e kanë zënë atë. Me atë rast ata nga Kulla e Shëremetit kërkojnë që ta sjellin atë në burgun nga i cili kishte ikur.

Pasi që i zinin, të burgosurit dërgoheshin në grupe prej dy apo tri vetash, ose individualisht në pjesën e epërme perëndimore të parkut në Karagaq. Aty pas maltretimeve psikike e fizike, i pushkatonin. Kështu vepruan edhe me Malën. Në këto akte mizore merrnin pjesë edhe disa shqiptarë pan-sllavistë.

Derisa turma e të burgosurve ia kishte mësyrë Zatrave, intelektuali pejan dhe luftëtari i Spanjës Shaban Basha, duke e njohur mirë rajonin dhe njerëzit e kësaj ane, ia mësyn Kapeshnicës për në shtëpi të Osmon Balokut, sepse kishte dijeni për këtë personalitet të nderuar e të çmuar të Pejës. Me të arritur te shtëpia e tij, Shabani i troket në derë dhe i bie në besë Osmon Balokut, me ç’rast ia hapin derën e shpijnë brenda dhe e strehojnë. Osmoni edhe pse ishte nën vëzhgimin                            e pushtetit, e përpunon strategjinë e strehimit të Shabanit dhe mënyrën për ta shpëtuar. Shkon të një shok i veti dhe ia kërkon qerren me kali për shfrytëzim, me arsyetim se ka pakëz pleh bagëtish për ta dërguar në arë, e që brenda ditës do t’ia kthejë atë. Me atë rast ai, pa përtesë ia plotëson kërkesën. Osmoni kthehet në shtëpi dhe ia monton qerres ”podin e dyfishtë” në mes, në formë arke, që më herët e kishte përgatit. E fut Shabanin brenda në të dhe pasi e ngarkon qerren me pleh bagëtish mbi vendin ku strehohej Shabani, e kamuflon mirë, e pastaj niset për në arë të vet që e kishte të mbjellë me misër.

Me të dalë jashtë qytetit në periferi të Pejës jo larg arës së vet, duke i kaluar binaret e trenit me qerre, disa dërrasa nga pjesa e sipërme e ”podit” thyhen dhe pesha e plehut të bagëtive fillon ta ndrydhë Shabanin. Osmoni e dëgjon atë duke gjëmuar, prandaj detyrohet që aty menjëherë ta zbrazë gjysmën e ngarkesë për skaj rruge dhe pas kësaj me nxitim arrin tek ara. Me të arritur në vendin e paraparë, e nxjerr Shabanin nga aty dhe e strehon përkohësisht në stan. Më vonë përmes një lidhjeje të hershme ia organizon kalimin e tij për në Shqipëri.

Shaban Basha i shpëton vdekjes, mirëpo më vonë për këtë, në vitin 1953 UDB-a do ta marrë vesh dhe Osmon Baloku do të dënohet me 8 vite burg të rëndë.

Një pjesë e të burgosurve që nuk e kanë njohur këtë regjion, ia kishin pas mësyrë në drejtim të Ballapojes siç e quanin Guranjakun që ishte i banuar etnikisht me kolonë serbë e malazezë, prandaj edhe fati i zhdukjes së tyre ka mbetur misterioz.

Dita e ikjes së të burgosurve nga Kulla e Shëremetit, mbahet në mend te qytetarët e Pejës me kufoma të shumta përgjatë rrugëve që shpien në malet e Zatrave. Kufomat e të burgosurve mbesin rreth një javë mbi tokë pa guxuar që të varrosen. Pas kësaj kohe, kufomat do të hidhen në një gropë të mbetur nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore në kodrën e Karagaqit dhe mbulohen me dhe, pa të drejtë rivarrimi.

Nga numri i tërësishëm i të burgosurve të kësaj ploje me këtë rast shpëtojnë: Shaban Dema që në ndërkohë do t’i bashkëngjitet çetës së Ndue Përlleshit dhe Shaban Basha i Pejës i cili përmes ndihmës dhe organizimit të Osmon Balokut arratiset në Shqipëri. Ahmet Fetaj i Strellcit pas zënies dërgohet në burgun e Nishit dhe aty vdes në qershor të vitit 1947 në rrethana misterioze. Mustafë Sahiti i Rugovës pasi që zihet në ndërkohë dërgohet në burg të Sremit, mirëpo nga aty kishte arritur të ikë e arratiset në Shqipëri. Pjesa tjetër e të burgosurve të shpëtuar si: Grosh Ismajli avokat nga Tropoja, Selim Canë Kelmendi i Pejës, Ali Macula i Pejës,  Arif Shala i Grabocit, Salih Morina i Baicës, Zenel Ibishi i Lipës, Sadik Ibishi i Lipës, Haxhi Mecina i Klinës së Drenicës, Nezir Blakçori i Istogut, pastaj Rustem Koçani, Mustafë Hasani, Jashar Alia, Dinë Hoxha, Zekë Lekaj etj., e që numri i përgjithshëm i të shpëtuarve nuk e kalon numrin njëzet, pas pak kohësh do të zihen dhe do të burgosen, ndërsa pjesa tjetër do të dalë kaçakë. Më vonë edhe këta do të zihen e burgosen, derisa një pjesë e vogël e tyre arin të arratiset në Shqipëri.

Këtë ngjarje të hidhur që kishte ndodhur në Pejë, sipas të gjitha gjasave dhe rrethanave se si është zhvilluar, mund të përfundohet se e kishte organizuar OZN-a.

 

(Fragment nga libri: Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare)